Nga libri me ese “Të mallkuarit me art”
Libri me ese “Të mallkuarit me art” gjendet në Berat te kancelari- libraria e Nik Kurtit në lagjen “30 vjetori”. Në Tiranë gjendet në librarinë “Albania” në Bllok, te librari “Art” te Stacioni i Trenit dhe te librari “Adrion” te Pallati i Kulturës.
Nëse Muji ...
A don forcë, Mujo, me qindrue? A don luftë, Mujo, me luftue? A don gja, Mujo, a don mall? A don dije, Mujo, a don gjuhë? Eposi
Nëse Muji do të zgjidhte nga oferta e Zanave jo forcën, por dijen dhe gjuhën, ndoshta në këto vise, në vend të kreshnikëve lavdimëdhenj, që prej shekujsh sillen e sillen në shkrepat e këtyre anëve, duke bërë lëmsh gjindjen dhe historinë, do të kishte heronj të mendimit. Natyrisht, do të mungonte cikli i kreshnikëve, por do të kishim poema të tjera që flisnin për punën, shkronjat, dorëshkrimet, shkollën, kultivimin e bimëve, peshkimin, begatinë dhe mençurinë e banorëve të këtyre viseve. Me siguri edhe “fshati” i Mujit dhe i Halilit nuk do të ishte tkurrur kaq shumë, një rrip në brigjet e Adriatikut, sepse “shpata” prej mendjeje është ku e ku më efikase se shpata prej çeliku edhe kur e përdor këtë të fundit. Edhe Homeri, babai i të gjithë aedëve të botës, kur mbaroi së kënduari epopenë e heronjve të Greqisë dhe të Trojës në Iliadën e tij famëmadhe, i lodhur nga pamjet e luftës dhe bëmat e heronjve, që aq mrekullisht i këndoi, i tmerruar nga dhuna, shkatërrimet që sjell mënia dhe zemërimi si dukuri primitive edhe në mug të qytetërimit, krijoi një poemë, ku i këndoi mendjes së mprehtë të njeriut dhe mrekullisë së mendimit. Epi i tij “Odiseja” i thur himn trurit të njeriut dhe jo muskujve të tij. Për habi të shekujve që erdhën, e lidhi këtë proces të lartë, të menduarit, me përpjekjen për të gjetur rrugën për t’u kthyer në Itakë, simboli i përjetshëm i atdheut matanë detrave a kohrave, nga ku dëshiron të kthehesh, por nuk po e gjen dot rrugën. Zbulimi i atdheut të vërtetë është aventurë që kalon përmes jetës së një njeriu. Mesazhi se atdheu zbulohet, krijohet me forcën e mendjes, është i pandryshkshëm dhe gjithëkohor. Homeri e lajmëroi botën se shkatërrues i qytetërimeve është harresa. Bima e latofagut që ta shkul kujtesën, vetdijën dhe identitetin duhet të jetë kultivuar me tepri në trojet tona dhe banorët, ashtu siç përtypin sot farat e lulediellit, kanë përtypur farat e latofagut dhe ... të gjithë harruan nga erdhën, ku i kishin mbluar dorëshkrimet e lashtë dhe vizatimet, shkronjat dhe gjuhën e shkruar ilirike. Nëse Muji nuk do të zgjidhte fuqinë në vend të dijes dhe gjuhës, aedët e Gadishullit Ilirik nuk do t’i këndonin bëmave heroike të dy vëllezërve dhe fisit të tyre primitiv, në luftë për ruajtjen e nderit personal dhe të tribusë së tyre, por bashkimit për të begatuar Gadishullin dhe për ta bërë atë pasardhës të denjë të qytetërimit që përkundi në antikitetin e mrekullueshëm. Për fat të keq, Muji ynë midis dijes, forcës dhe pasurisë zgjodhi fuqinë fizike, ndaj sot në trevat tona kemi kaq shumë “heronj” e “të fortë” fizikisht, kaq shumë Mujë, që janë gati të nisin aventurën e tyre “heroike” për interesin e tyre personal dhe të fisit të tyre. Ndaj sot në lulishte e parqe kemi vetëm llamarina të ndryshkura me armë të ndryshkura, ku përjetësohen “heroizma” dhe “heronj” të ndryshkur. Ndaj sot “nipat e Mujit” kanë dëbuar nga parlamenti të diturit dhe janë ulur në karriget e tyre pa pikën e drojes. Miti i Mujit edhe sot shpjegon e përcakton sjelljen e shumicës së banorëve të këtij vendi. Shpella e Mujit është zhvendosur në institucionet e vendit dhe zotërit e tyre janë jo të dijshmit, por ushtruesit e forcës... dhunës. Zanat shfaqen herë me fytyrën e Shqipërisë, herë me fytyrën e partisë, por “tamlin” kurrsesi nuk ia kursejnë Mujëve. Në ep zanat kishin vetdijën e sensit të masës dhe nuk i jepnin Mujit më shumë tamël se sa lipsej nga droja se ai do të merrte më tepër forcë ( pushtet) se sa duhej dhe do të shkatërronte gjithçka:
Njëna shoqes Zana çka i ka thanë: -Tjetër gji Mujës mos me i dhanë; Pse tjetër gji Mujit për me i dhanë E batisë dyrnjanë anë-m'anë.
Dukuria checks and balances është shfaqur në eposin tonë shumë kohë më parë se të vinte e shkruar në gjuhën angleze nga Brukseli. Po “Muji” ynë në pushtet, me ndihmën e partisë-zanë, që shfaqet e maskuar me fytyrën e mëmëdheut, pi tamël pa masë për të fituar forcë (pushtet) pa fund. Po ku janë heronjtë e mendimit? Po ku janë heronjtë e krijimit? Heronjtë e shkrimit? Heronjtë e gjuhës dhe të dijes? Ende nuk kemi shtatore të Buzukut, Budit, Bardhit, Barletit, Bogdanit, Faik Konicës, Fishtës, Mit’hat Frashërit, Martin Camajt, Koliqit, Pashko Gjeçit, Gjon Shllakut, Faik Ballancës, Kadri Roshit, Zef Zorbës etj. etj. etj. ... heronj të vërtetë të qytetërimit tonë. Miti i Mujit ka mbërthyer edhe Kosovën, ku nëpër qytete shikon vetëm shtatore e buste me armë në dorë dhe motele në çdo kilometër, ndërsa mungojnë bustet dhe shtatorret e Bekim Fehmiut, këtij artisti të madh, mungon busti i Anton Pashkut, Fahredin Gungës, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes etj. etj.etj. Ja se ç’pasoja sjell një zgjedhje e nxituar e Mujit, kreshnikut tonë. Të paktën të kishte zgjedhur pasurinë që i ofruan zanat dhe ne, ndoshta, nuk do të ishim tani në shekullin XXI populli më i mjerë në Europë.
Comments