top of page

TË LIDHUR, ME UNAZAT E FLORIRIT


Vullnet Mato




Zogu i muzës, rrahu krahët në dritare

dhe më trazoi neuronet e frymëzimit,

për një temë delikate, tabu shqiptare,

për martesën e konsumuar të çiftimit.


Nuk bëj ketë meditim poetik rastësisht,

të shtroj një çështje, që zgjidh secili vet,

por është problemi martesës formalisht,

që prish harmoninë familjare mes nesh.


Është hallka kyçe, në lidhjet e ngushta,

diga e ujërave të qeta të jetës martesore.

Kur shpërthen, zbraz sherret e shumta,

dhe mbyt me grindje, fushat jetësore.


Ndodh me çifte, të martuar prej vitesh,

koha e magnetizimit fillon dobësohet,

ndjenjat ndahen, me fëmijët që rriten

dhe çifti ndjen ngricën, që po afrohet.


Ashtu si pemës i bien, gjethet e blerta

dhe rrit e ëmbëlson, kokrrat e degëve,

gjethet e eksitimit, nis t’i rrëzojë vjeshta,

që u vjen disave në kontaktet e netëve.


Duke u bërë thjesht, njeriu i shtëpisë,

partneri ndodh bëhet, thjesht vetvetja,

sepse i ka ikur në shtrat, nepsi “urisë”,

gjithashtu i është shuar edhe “etja”.


Dhe kur partneri s’ka më elektricitet,

duket sikur puth vetveten, pa shije,

martesa ka arritur në mbarimin e vet,

si në polet e shkarkuara, të një baterie.


Në këto kushte, të trishtuara vërtetë,

kur secili, për sy e faqe, mban kurorën,

keq të veçohen, si dy ajsbergë në det,

keq të lënë fillikat fëmijët, që pollën;


Më keq të vuajnë tradhtinë e njëri-tjetrit,

duke fluturuar netëve nëpër yje lumturie,

me raketa të fshehta zyre, ose internetit,

të shtyjnë vitet, me çaste të reja dashurie.


Opinioni i gjerë, mund të japë gjykim pa zë,

a duhet të gjejnë dashuri, ku u ngjitet syri?

Apo të bëjnë, sikur nuk ka ndodhur gjë,

dhe të rrinë të lidhur, me unazat e floririt?...

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page