Të gjithë janë njësoj…
Fatmir Terziu
Jam në shtëpinë e një kolegu anglez. Me ftesë të tij. Trokas në derë. Hapet dera dhe ai vazhdon të përfundoj së ngrëni picën e tij. Nuk më flet. Nuk më thotë “Bujrum“.
Dhe Unë ulem në një nga kolltuqet përrallore, gati tre brezash të vjetra dhe me sytë e hapërndarë ndjek pikturat në mure që shkojnë deri në miliona…
Pas disa minutash më kthehet me shumë respekt dhe me një buzëqeshje të lehtë duke më pyetur “A je i uritur? Të porosis picë?”
Unë e zhvendos shikimin tim në drejtimin e shishes që kam prurë dhuratë dhe pasi e shikoj në sy i them “Faleminderit”…, shumë Faleminderit. Unë hëngra para se të dilja nga shtëpia. E pastaj ka një vrull dëshire në shpirtin e tij…
E merr një shishe nga banaku i madh e me plotë pije dhe ndërsa zgjedh dy gota me fron tipik më kthehet sërrish me një gjuhë të ndjeshme e dëshiruese „ndoshta do raki shqiptare, apo jo?“ Kam nëse dëshiron. Dhe unë e shtyj dëshirën time për ndonjë pije tjetër, ndoshta kaloj tek ato francezet dhe kështu në mendje dhe në ndjesi më yshtet një dëshirë e shtyrë për të shkuar më tej në këtë risi tradite…
Traditë? Kulturë? Dhe më duket si e tillë, si e dy, a dyshme, por më shumë si një dëshirë e shtyrë…
Dëshira „e shtyrë“… Cila është kjo dëshirë? Vazhdohet të bluhet herë nëpër lëkurë e herë nëpër dhëmbë. A është ky miku im i mirë, që e kam gjetur tashmë si një të tillë? Dhe dhjetëra pyetje dhe hamendësime. E kështu… mendja më ngeli tek pica, tek ajo që ishte vënë në shërbimin e tij, në ngopjen e barkut të tij. E ndërsa e mendoja këtë nuk e di pse e trazoja proverbin „i ngopuri, nuk do t'ia di për të uriturin“. He, eh kot fare, nuk ishte me lidhje kjo zgjidhje. Ishte më shumë tek hamendësimet… tek dëshira e shtyrë.
Vazhdohet të hamendësohet për të, për gjithkënd, me gjithkënd. Vazhdohet të perceptohet pastaj… Vazhdohet të shkruhet pa qëllimin e asaj dëshire të shtyrë? Vazhdohet të shkruhet pa memorjen, pa muskujt e saj, pa traditën e saj. A është thjesht „memorja e traditës, apo e muskujve“ për të vazhduar më tej, për të hedhur çdo rrymë mendimi të kësaj dëshire të shtyrë, edhe në letër. Apo është faj, faj që nuk i njohim mirë kulturat, një ndjenjë e diçkaje që thjesht duhet të bëj „shtyrjen“ e kësaj „dëshire të shtyrë“? Ndoshta përgjigjja mbetet e fshehur poshtë atyre fjalëve, që kurrë nuk u metuan për dëshirën, për ëndrrën e saj, për dashurinë e saj, për rëndësinë e saj. Ose, thënë ndryshe, kurë nuk u zbulua ndërsa koha fillon dhe shpaloset me dëshirën e shtyrë, si të pështirë, me qasjen për një histori të re. Për një traditë tjetër… ndoshta më të vjetër. Fundja ai picën e kishte blerë për vete. E dinte sa i duhej për të ngrënë. Dhe kaq. Ai mbushi njëherë barkun e tij dhe pastaj më pyeti mua. Fundja më pyeti. Unë u tregova i turpshëm. Dhe turpi pos kësaj dëshire të shtyrë më la thjesht të uritur?
Gjithësesi, ajo që mbetet e pakuptuar gjithëkund është një dëshirë e thjeshtë për të shkruar pa fund, vetëm për dëshirën e shtyrë. Për atë dëshirë të nxitur nga shumë gjëra që kapen tek vendosmëria dhe një stilolaps si mendja e lodhur e njeriut tradicional që mbeti në memorje si në Bust, këto tridhjetë vitet e fundit, një njeri vetëm me kusht. Me kusht tek fjala.
Fjala pështiret nga goja. Vetëm rrallë herë mbaron nga boja. A do të zgjasë përgjithmonë kjo që na erdhi nga hija, e ndoshta nga padija? Na këto të dyja, vazhdon të sundojë mendjen tonë hija. E hija ka mbërritur në stacionin e saj imagjinar ku me ne të hallakaturit nëpër botë ka ndërtuar Heroin në granit.
E hija, Hija e Heroit në granit, Heroit tradicional që mbeti në ëndërrat e pështira tha të paktën kështu: “Sot, pas tridhjetë vitesh, krizat e ndryshme kanë mbërthyer e nuk janë të zgjidhura për shoqërinë tonë. Thuhet se Hija kacavirret mbi faktin se sa të lirë e sa të sigurt jemi nga koncepti tradicional(!) Fatkeqësisht, shumë pak avantazhe dhe të drejta kanë arritur shqiptarët nga ky tranzicion i vështirë dhe nga paqëndrueshmëria e tij. Jemi bërë në mjaft raste si të pishëm, ndaj edhe pse konteksti historik i këtij tranzicioni na duket se është i ndryshëm.
Asnjë dëshirë e shtyrë, ajo që shtyhet thahet deri në zhdukje. Shpresa e strukur rrëmon tek … dëshira? Le të mirëkuptohemi…, për një të ardhme ndryshe, për një të ardhme më të gjallë. Le të guxojmë, le të mos mbesim si rrethsjellës të pandreqshëm vërdallë e vërdallë.
Na duhet një kurs imponues. Ndoshta një impuls stimulues? Duke e çuar këtë në qendër të një oqeani imagjinar, (për)tharës, shihet se vetë pritjet, shtyrjet, rraskapitjet janë në atë që na mban ende të turpshëm … Asnjë dëshirë e shtyrë, e thënë nga një shok, a nga një mik, nuk mbetet si e tillë, po e them pa frikë, nëse nuk metohet mirë, ajo thahet deri në zhdukje, që pa u gdhirë. Pak, shpresoj se ajo mban në vetvete këtë fakt, atë fakt që vjen në një mendje të ndarë më dysh në këtë rast.
E drodha dorën ndërsa ajo pije e mistershme u valëzua në gotën time.
U zvenit edhe gota ime në çast. Bulëzat e brendshme valëzonin nga dritëza në dritëz, nga nga errësira në errësirë, e dukej se në mendjen time krijonin padashje vetëm shkretëtirë. Shkretëtirë me tradita, tipa, e proverba të kripta…Sa shpirtra pastërmoseshin nga e kripta. Dhe e kripta thashë me vete, e thashë më në fund në vetvete, le të marrë derisa të kënaqet me shkatërrimin e saj.
„Vetëm faktori njohës mund të mbetet si një fitues i vërtetë.“ As vetë nuk e di pse ia adresova këto fjalë anglezit, kolegut tim që më mbante tre shekuj në ajër me këtë risi mikpritjeje. Dhe shkoja tek tradita ime vërdallë. Një zemër e ndjerë, e fortë, do të ishte supozimi, te një e ardhme ndryshe, e gjallë.
Jo më përrallë!
Jo më si qëmoti, si që pari, me vetëm „bukë e kripë e zemër shqiptari!“
Kjo shkon tek troshat, tek thërrimet, tek kursimet… Megjithatë nuk ka asnjë besim të vijë ndonjëherë. Ajo është vetëm një ëndërr e humbur e një xhakete të varur në gozhdën e ndryshkur të murit, që ndan dhe izolon mendimet. Një ëndërr në mjedisin e shkretimit. Aty ku Tjetri është gjithnjë në themelin e shqiptarisë: „Shtëpia e Zotit dhe e Mikut!“
Eh, Miku, eh… nëse nuk kuptohet mirë kjo „dëshirë e shtyrë“.
Të gjithë janë njësoj…, por shumë të vështirë!
Kadri Tarelli
Edhe nje here urime, per kete shkrim sa te bukur aq edhe te çuditshem, ku vihen perballe dy kultura, dy sjellje dy qendrime dhe dy veprime. Nuk di cila eshte me e mira? Tradita jone apoe mikut?
Leonora Canja
E ke tharë! E vërtetë troç...
Anka Cullaj Kotori
Interesante ..ndjesi qe ne nuk duam ta besojme te te tjeret...
Diamanta Zalta
Perceptim i holle i deshires se shtyre . Si gjithmone interesant , i vecante dhe qesendi per lexuesin . Ju sillni vlera te cuditshme ne shkrimet tuaja . Jeni i pakundershtueshem ne lartesine e Mendimit . Respekt !
Ildije Xhemali
Një shkrim qê të shtyn të mendosh.Duke lexuar përnjëherë në mendje bën ballafaqimin : sjellja e mikut anglez me sjelljen e shqiptarit në të njëjtën situatë.Dhe në mendje më erdhi porosia që na ka ardhur nga shekujt: "Mikut vërja bukën përpara, mos e pyet" Suksese Profesor!