TË DISH TË HESHTËSH SI ANISSA MARKARIAN


Nga Eli Kanina 



Rini, rini! Askush s'ka të drejtë të bëjë me gram llogari "Kaq gram shëtitje, kaq gram dashuri!" E bukura, e mençura, e pastra S'ta ndajmë jetën në ngastra! Dhe Anissa Markarian që shëtit me biçikletë anës Lanës, rrugëve të Tiranës duke shijuar lirinë dhe dashurinë e saj me një shprehje kënaqësie, për zili. E heshtur, pa asnjë fjalë, por që thotë shumë, veç vezullon nga kënaqësia! Ishte ky fragment nga filmi "Në çdo stinë" që do ma gdhendte në kujtesë Anissën si aktoren time të parapëlqyer. Jo se gjatë filmit nuk më tërhiqnin fjalët apo batutat që ajo thoshte, por ato ishin të skenarit për personazhin, dhe jo të sajat. Heshtja ishte e saja! Heshtja pas fjalëve që thoshte, edhe vështrimi. Jo një heshtje guakësh apo indiferente. Heshtja që flet! Isha gjimnaziste dhe ky film më plotësonte imagjinatën për jetën studentore që më priste, për Tiranën. Fytyra e Anissës më ndillte të bukurën, më frymëzonte lirinë, më premtonte dashurinë... A do të mund t'i shijoja të gjitha si Anissa? Kur shkova studente mjeksie në Tiranë, ishin vitet e para të ndryshimit të sistemit dhe vëmendja u zhvendos tek politika. Kjo dukej, për vendin që zinin në programet e televizorit, dhe jo për mua. Zgjedhja ime vazhdonin të ishin përsëri teatri, estrada e varjetesë, kinemaja, biblioteka, koncertet, edhe pse trendi i Tiranës atëherë ishin diskot dhe pub-et e sapohapura (Lux, Albania, Krokodil). Pra, nuk bëhej më fjalë për liri dhe dashuri, ato ishin me bollëk, tani duhej vetpërmbajtje. A ishe e zonja të mbaje nepsin dhe të përzgjidhje ku do shijoje pasionet e tua, sa e aftë ishe të menaxhoje kohën kushtuar kënaqësisë. Por varej edhe nga paratë, që familja më jepte për çdo muaj. Kuptohet, brenda atyre mundësive që më lejonte Tirana dhe atyre pamundësive që më kufizonte bursa, unë e gjeja veten të lumtur. Pikërisht në atë kohë, Anissa ishte shfaqur me filmin "Pranvera s'erdhi vetëm". Filmi ishte prekës dhe Anissa emociononte po aq shumë me heshtjen, por tani të një lloji tjetër. Një heshtje që vuan! Pranon fatin, dhe hesht. Vuan në heshtje, por nuk resht së jetuari fundin në mënyrën më frymëzuese. Ndërkohë Anissën e përtej filmit, e mbështolli misteri i thashethemeve. Një herë thuhej se këtë film ia kushtonte vetes, sepse ishte me leuçemi. Pastaj flitej se ia kushtonte shoqes së vet që kishte vdekur në duart e saj, nga leuçemia. Disa thoshin se punonte me profesion mjeke dhe nuk do të luante më në filma, ky qe i fundit. Ndërsa lajmi që më mërziti më tepër ishte se Anissa e kishte braktisur Shqipërinë dhe ishte larguar drejt Izraelit, për shkak të origjinës së saj armene. Shumë kishin ikur e vazhdonin të iknin jashtë, por për Anissën sesi më dukej. Iku drejt vendit të babait dhe të parëve të saj, ndoshta më mirë për të, por ... A thua nuk e kishim dashur dot, aq sa donte, aq sa duhej, aq sa të mjaftonte për ta mbajtur në Shqipëri? Në Fakultetin e Mjeksisë ishte një lëndë interesante, gjenetika. Po aq interesant edhe pedagogu që quhej Vahe Mokin. Është nga Izraeli, prandaj është ndryshe, thuhej për të. Ishte tepër korrekt dhe frymëzues në shpjegimet e ushtrimet për gjenetikën, por me një distancë e mister sa bëhej I largët për studentët. Mua më dukej si njeri i afërt i Anissës, sepse gjithë armenët i mendoja të vendosur së bashku diku në një lagje të Tiranës. Por Vahe nuk më dukej në një linjë e në një mendje me Anissën, përderisa ajo kishte ikur në Izrael dhe Vahe ishte akoma mes nesh. Sa e sa herë matesha ta pyesja pas leksionit apo në seminare, nëse e dinte ku ndodhej Anissa Markarian. Apo nëse edhe ky do të largohej ndonjëherë si Anissa. Nuk u dhashë karar pyetjeve të mia, apo Vahe nuk ma bëri të lehtë që ta pyes, edhe pse gjenetikën e pëlqeja dhe dola shumë mirë. Kështu viti mbaroi, pa u dhënë përgjigje kureshtive të mia. Kur atë që do, ta fsheh realiteti, kërkoje se e gjen nëpër libra. Kështu e gjeta edhe unë Anisën në një libër të përgatitur nga Teodor Laço. Ishte një antologji me tregime të botuara në shtypin e kohës, botim i 1990, ku Anissa kishte dy tregime: "Fustani" dhe "Mbrëmja e fundit e pushimeve". Ndoshta njëri ishte skenari i filmit "Ngjyrat e moshës" që do të vinte më pas dhe ku vetë Anissa rrëfen e rrëfehet nën fytyrën e një kllouni. Aty ironizon gjithçka nuk i shkon për shtat, moshës, ëndrrave, virtyteteve, pasioneve për të bukurën, fatit të shkruar, nga ai realiteti i marrosur dhe në kaos. Një botë e brishtë brenda saj në moshën më të bukur, që bie ndesh me një realitet të rëndomtë e njerëz të vrazhdë, përreth saj. Metamorfoza e moshës, deformuar nga realiteti, rrethanat e jetës dhe vitet, mes dy brezave të mëmës dhe bijës që përballen me mbëmjet e maturës përkatëse, sjellë në një kënd ndryshe nga Anissa. Një Anissa që duket se hesht, por nuk ndalet aty ... Nuk ishte megjithatë e mjaftë kjo për mua, ndërsa fillova ta lexoj si shkrimtare, duke ndjekur gjithçka Anissa publikonte. Do të ishte komunikimi ynë virtual që do të më qartësonte mjegullat për Anissën, për shëndetin, për profesionin, për zgjedhjet e saj ndër vite. Ishte profili i Anissës një burim, që shuante disa kureshtje dhe përndizte të tjera. Po ajo heshtja e filmave, tashmë e shndërruar në një heshtje virtuale, kohë pas kohe, sepse në raport me të tjerët, Anissa publikon rrallë. Pas çdo postimi Anissa e sajdis lexuesin, dhe hesht gjatë duke i dhënë kohë lexuesit për ta ndjekur në frymëzimin tjetër. Ndoshta nuk publikon shpesh se janë angazhimet që e pengojnë?...ndoshta. Por jo. Unë mendoj se heshtja është zgjedhja e Anissës për të kënaqur dashamirësit, është magjia premtuese, frymëzuese, për të na mrekulluar bukur. A nuk e zbulon këtë, vetë Anissa në një nga tregimet, për pacientin e diagnostikuar me tumor? Një përvojë e jetuar, ku pacientit në pritje të fundit të vet, nuk i duhen shpjegime për sëmundjen, por kërkon veç mbajtjen e dorës prej Anisës, dhe mbështetjen e kokës në gjirin e saj. Një mjeke që qetëson përmbi çdo ilaç e terapi, me përqafimin e heshtur të pacientit që shuhet... Mrekullia e rradhës por jo e fundit nga Anissa, ishte lajmi për "15 ditë prilli". Jam e sigurtë që çdo ditë është përzgjedhur si simbol për një datë, një ngjarje, një përjetim të saj. Edhe prilli nuk është rastësisht muaji i përzgjedhur, përtej hamendësive tona shpresoj që Anissa të mos heshtë, por të na e thotë vetë. Si një muaj plot shpresë, që ngroh e lulëzon pas dimrit të gjatë. Edhe si një muaj në historinë shqiptare, ku shënohen vdekje tiranësh, pushtime, përmbysje dhe data shprese. Iu gëzova librit të Anissës si për koinçidencë pikërisht ditëve të ngrohta të prillit, buzë detit. Dhe s'dija kë të gjeja më parë nëpër faqet e librit: studenten, aktoren, mjeken, shkrimtaren, miken. Apo një bashkëkohëse që kish përjetuar si mua, ndërrimin e sistemeve dhe fatet njerëzorë të shndërruar prej tij, në viktima, në kriminelë, në sakatë trupi apo shpirti. Ishte Teo, personazhi i mbetur në mendjen time, që kur Anissa e prezantoi bashkë me lajmin për librin. Një personazh tragjikomik që nuk di ta qash apo të qeshësh për të. Një përfaqësues i atij brezi që megjithëse u vetgjymtua nën presionin e politikave barbare të drejtuesve të atij sistemi, vazhdon të zhgënjehet akoma. Edhe Ida Raez, është një tjetër karakter, që ndonëse Anissa e ka shumë për zemër(nëse, do të zgjidhte, atë do luante në film) unë e pëlqej sepse përngjasoj po aq me të. Jo për ato që përjeton si studente e Mjeksisë, në sallën e Anatomisë, por për mënyrën si reagon dhe ndërdysh gjithçka sheh. Reagimet e drejtpërdrejta, vërejtjet e sygjerimet e sinqerta, që ndonjëherë keqkuptohen dhe sjellin edhe telashe, nuk u pëlqejnë atyre që aspirojnë për turma uniforme. Mark Twain thotë se sa herë e gjen veten në krahun e shumicës, është koha të reagosh. Po aq interesant shkrimtari Vlad Krela, që duket i përkëdhelur nga sistemi dhe gëzon favoret e tij. Në fakt ai ka mbetur në grackën e sistemit, që Anissa zgjedh ta tregojë me atë metaforë aq të gjetur, pa dalje, pa ide e realitet, pa dritë në fund të tij. Një tunel burgu, me një gurore ku të burgosurit gërmojnë pa shpresë e pa kthim pas, duke e shndërruar në një varr masiv kufomash të pafajshme, të sakrifikuar për të dalë në anën tjetër të botës. Një botë, që së pari verbon, kur arrin ta shohësh, me dritën e paimagjinuar. Atë botë që Vladi e kishte ëndërruar së bashku me Vilsonin, Maksin, Sakon dhe Zoin. Ndërsa Zoi dhe të tjerët zgjodhën ta tradhëtojnë idealin dhe të bëhen varrmihës të shokëve, Vladi mbeti deri në fund stoik. I pagojë ndaj tradhëtisë, i pafuqishëm për ta demaskuar këtë formë të re pushteti, të shartuar me atë të përmbysurin. Sepse njerëz si Maksi, Sako dhe Zoi na e paraqesin atë ndryshim, si era e re e demokracisë, duke mbirë si zhardhok mbi patate gjithandej. Ata në fakt krijuan pushtetin e zhardhokëve, prej të cilit duket se përfitojnë disi, por në fakt kutërbojnë me ligësinë e pesë dekadave të sistemit të kaluar. Duke lexuar personazhin e Vilsonit, që vdiq pesë ditë pas daljes nga burgu, i zhgënjyer, mosbesues dhe i zgërlaqur, ishte mbresëlënës për mua, edhe pse e përfytyroja shumë real, si të takuar apo të parë diku. Një mishërim i gjithë atyre të burgosurve politikë (të gjallë apo të vdekur)që edhe 30 vjet pas përmbysjes, nuk i kanë akoma përgjigjet: Përse vuajtën? Nga kush? Ç'do të bëhet për ta? Edhe sa u duhet të presin? A do tu kthehet mbrapsh jeta, e fishkur e përbaltur birucave e internimeve? Kaq të pazgjidhura, të përsëritura deri në lodhje, hallet e tyre, sa më duket se i shoh në rrugët e Tiranës sa e sa Vilsonë e Vladë të zbehtë, të parruar e të paqethur, skarlatinë e duke u dridhur, që flasin me vete për një ëndërr të prerë, për një familje të shkatërruar, për një pronë të pamarrë, për një punë të pagjetur, për dashurinë e munguar, për asgjënë e tyre deri në absurd. Eci edhe unë pranë tyre, e përndarë mes dy kohëve, me vështrimin para e larg. Dhe pres një kohë tjetër të vijë. Pres atë djalin me pantallona të shkurtra, që Anissa ka zgjedhur si lajmës, ti japë kazmën e fundit kësaj pseudolirie, duke dhënë sihariqin e madh: -Shikoni u hap horizonti! Tani duket qartë! Është i vërtetë! Kur drita të na veshë trupin e shpirtin, pa iluzione verbuese këtë herë, dhe pa shkuar kuturu, do të shohim e bëjmë veç përpara, shend e gaz e të çliruar përfundimisht. Dhe nuk do të kemi nevojë më, për retorikën e Anissës: Po përse nuk po gëzoheshin?

65 views1 comment

Shkrimet e fundit