top of page

Të dhëna bio-bibliografike për autorin


Nuhi (Muharrem) Veselaj

I.

Nuhi (Muharrem) Veselaj u lind në fshatin Reçan të Therandës (ish-Suharekë) më 20.08.1933. Shkollën fillore (me semimaturë) e kreu në Suharekë (1948), Shkollën normale (katërvjeçare) e mbaroi në Gjakovë, ku maturoi më 30.06.1952. Provimin shtetëror profesional e dha më 03. 09.1959 në Prizren. Shkollën e lartë, përkatësisht Shkallën I të Fakultetit Filozofik të Prishtinës – Dega e gjuhës dhe e letërsisë shqipe e kreu më 23.09.1963, ndërsa Fakultetin Filozofik të Prishtinës - Dega gjuhë dhe letërsi shqipe, më 23. 11. 1965.

Ndoqi studimet pasuniversitare dhe më 03. 04. 1980 mori gradën: magjistër i shkencave filologjike, ndërsa tezën e doktoratës e mbrojti më 24.12.1992.

Jeton në Prishtinë. Është anëtar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë dhe të Rinj me qendër në Tiranë si dhe anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës. Është Anëtar Nderi i SHAK “Elena Gjika Dora d’ Istria, Therandë.

Nuhiu qysh i ri, që nga viti 1951 ishte i organizuar në Lëvizjen për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare. Në vitin 1952 u burgos për veprimtari të tillë, por për moszbulim provash nga ai, u dënua vetëm 2 vjet. Pasi doli nga burgu, ndonëse, me vështirësi, arriti të ripunësohej në arsim që e kishte ideal veprimësie. Disa herë pati ndërprerje të dhunshme nga marrëdhënie e punës (8 herë): Mushtisht (Suharekë) 1952, Suharekë 1956, Grejçec (Suharekë) 1957, Ferizaj 1962, Zllatar, Tankosiq (Ferizaj) 1963, Prishtinë 1972, 1973, kur për motive politike iu ndalua puna në arsim e organizata shoqërore-shtetërore. Pas një kohe si i papunë u detyrua të punësohej në Ndërmarrjen për ndërtimin e rrugëve Partizanski put të Beogradit – dega në Prishtinë, prej nga kaloi në Uzinën e amortizatorëve të Prishtinës, përkthyes. Edhe prej andej më 1991 e larguan, andaj u detyrua me dalë në pension të parakohshëm.

Edhe pse, pothuajse ishte përherë nën mbikëqyrje ai përkundër pengesave e përndjekjeve, me punë të palodhshme dhe me qëndrim konstruktiv e parimor, arriti të korrë suksese, qoftë në jetën arsimore e shoqërore-politike, qoftë në veprimtarinë letrare e shkencore. Edhe gjatë Luftës së fundit, ai dhe familja e tij nuk ishin pasivë, përkundrazi kryen punë delikate e me rrezik. Në shtëpinë e tij në Prishtinë, muaj të tërë, gjetën strehim e shërim ushtarë të plagosur të UÇK-së. Është e vërtetë, se kur filluan bombardimet e NATO-s shtëpia e tij qe objekt sulmi me bombë nga paramilitarët serbë. Disa herë i është rafaluar servisi, garazhi si dhe muret e shtëpisë. Si mbarë popullata gjatë eksodit të madh edhe Nuhiu u detyrua të shkojë drejt Maqedonisë, mirëpo, në zonën neutrale në Glloboçicë (në vend që të shfrytëzonte rastin për të vizituar vajzën në SHBA si dhe djalë e vajzë në Zvicër me familjet e tyre që s’i kishte parë me dekada, pasi, përkundër tentimeve, atij i qe ndaluar dalja jashtë Jugosllavisë, ky pasi e bekon djalin, me të cilin ishin bashkë, që t’i bashkohet UÇK-së, duke i hyrë rrezikut, kthehet në Prishtinë, ku ka dhënë ndihmesën e vet në mënyra të ndryshme deri në çastin kur çlirimtarët i priti dhe përshëndeti me ndonjë libër të tij, por edhe me një material modest buroteknik. Ndërkohë kreu me nder çdo angazhim që iu besua, por nuk u ekspozua në parti politike, më tepër u përqendrua në veprimtarinë krijuese.

II.

Nuhiu është marrë me shkrime që në bankat e shkollës së mesme, po për arsye, që tashmë dihen, edhe për shkak të përmbajtjes, s’ka mundur të botojë të gjitha dorëshkrimet. Përveç prozë e poezi në revista e gazeta të ndryshme publikoi edhe punime shkencore nga fusha e gjuhësisë. Deri tashti botoi këto vepra:

1) Nga fusha e letërsisë:

1. Miklime (vjersha për fëmijë), Rilindja, Prishtinë 1967), (ribotim) 1997;

2. Rrezet e ylberta (vjersha për fëmijë), Rilindja, Prishtinë, 1971), (ribotim) 1997;

3. Me buzët në gaz (vjersha për fëmijë), Iliriku, Prishtinë 1997;

4. Fletë ditari rreth një motmotari (vjersha), Iliriku, Prishtinë) 1997;

5. Trimoshi (tregime për fëmijë dhe të rinj), Iliriku, Prishtinë 1997;

6. Cace e hope djaloshare (poezi), Iliriku, Prishtinë 1997;

7. Shfrime nëpër mjegullnajë (reflekse poetike e mendimore), Iliriku, Prishtinë 1997;

8. Mësime nëpër pësime (shfaqje teatrore), Iliriku, Prishtinë 1998

9. Gërricje në damarët e djalërisë (tregime), Rozafa, Prishtinë 1998;

10. Bulëza të përshenjura, (vjersha kushtuar stinës rinore), Rilindja, Prishtinë 2000;

11. Ther me pupël (vjersha humoristike), Rilindja, Prishtinë 2000.

2) Nga fusha e gjuhësisë:

1. Çështje të shqipes standarde në fushë të leksikut dhe të fjalëformimit I, Rilindja 1997;

2. Paskajorja, çështje e shqipes standarde, Dardania sacra, Prishtinë 2000;

3. Foljet më -O – në gjuhën shqipe, Dardania sacra, Prishtinë 2002;

4. Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe, Prishtinë, 2006,

5.Rreth formëzimit të emërtimeve të njerëzve sipas profesionit në gjuhën shqipe (tezë doktorate) MASHT e RK-së, Prishtinë 2014,

6. Rreth identitetittë gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme, Era, Prishtinë 2015,

7. Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde, Era, Prishtinë 2015,

8. Drejt standardizimit të gjuhës shqipe, Era, Prishtinë 2015,

9. Kontributi i Asdrenit në formimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe, Era, Prishtinë 2015,

10. Çështje të shqipes standarde në fushë të normëzimit II, Era, Prishtinë 2015.

Këto të pestat të gatitura për libërtim:

11. Çështje të shqipes standarde rreth 28 temave të diskutueshme,III, Era, Prishtinë,

12. Çështje të shqipes standarde rreth emërtimit të njerëzve sipas veprimtarisë IV, Era, Prishtinë,

13. Çështje të shqipes standarde rreth disa termave nga fusha e teknikës dhe e ekonomisë V, Era, Prishtinë,

14. Çështje të shqipes rreth vendbanimeve, VI, Era, Prishtinë,

15. Fjalor pune (poslovni rečnik) shqip –serbisht, me shtojcën serbokroatisht – shqip, për ndërmarrjet metal-përpunuese – me theks terminologjia tekniko-teknologjike, VII, Era Prishtinë,

Sidoqoftë, edhe pse në moshë të shtyrë ( ec në 84-shin) pritet që nga penda e këtij autori mjaft të frytshëm të shohin dritën e shtypit edhe vepra të tjera, qoftë nga fusha e gjuhësisë, qoftë nga ajo letrare-artistike, për libërtimin e të cilave qëndron në pritje mirëkuptimi nga institucionet dhe organizmat përkatës të qeverisë sonë, por edhe prej sponzorëve eventualë vullnetmirë.

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page