top of page

STUDIM KONCIZ NJË PROZE QË EVOLUAN





Xheladin MJEKU


Bardhyl Maliqi: “VRASJA E HESHTJES” (Proza letrare për të rritur e Mexhid Mehmetit), botoi “Lena” – Prishtinë, 2021


Ditën e parë të janarit, derisa po bëja një sheti të shkurtër në sheshin “Dardania”, takohemi me Mexhid Mehmetin, ku pas urimeve për fillim të mbarë të vitit, si me shaka më thotë: “Ti paske qenë fatlumi që prisja ta takoja për dhuratën e parë për këtë vit!” Nxjerr nga palltoja librin “Vrasja e heshtjes”, shkruar nga Dr. Bardhyl Maliqi, për të cilin kisha mësuar se është botuar ditë më parë dhe ma dhuron. Vërtetë ishte dhuratë e veçantë për mua, prandaj vendosa ta ndaj me të tjerët këtë dhuratë, përmes këtyre mbresave pas leximit të këtij libri studimor.

Mexhid Mehmeti për shumë dekada është i pranishëm në letrat tona me krijimtarinë e tij letrare dhe publicistike. Për krijimtarinë e tij kanë shkruar shumë kritikë dhe studiues, por puna e vlefshme dhe me përkushtim nga Bardhyl Maliqi vlenë të veçohet, meqë kësaj prodhimtarie letrare i është çasur në shtrirje shumëdimensionale. Kështu, kohë më parë nga puna e tij e vyer studimore do të ketë botuar një analizë për “Krijimtarinë letrare për fëmijë të Mexhid Mehmetit” me titull unifikues për gjithë lëndën letrare “Shprehësi imagjinare e botës së fëmijëve”, për të vazhduar pastaj edhe me studimin e “Prozës letrare për të rritur të Mexhid Mehmetit”, nën singlën “Vrasja e heshtjes”, nga e cila po shpalosim disa nga të veçantat dhe karakteristikat që takuam gjatë leximit të kësaj monografie voluminoze.



Qasje inovative shumëdimensionale prozës së Mexhid Mehmetit


Bardhyl Maliqi, që në nismë të këtij studimi për prozën letrare të Mexhid Mehmetit pasqyron portretin e tij të saktë dhe konciz: “Ai ka ditur ta vras heshtjen edhe si mësues e pedagog, edhe si njeri, edhe si shkrimtar. Rezultati është vepra e tij letrare, tepër komplekse dhe e klasit të parë” (po aty, fq. 5).

Pas një Jetëshkrimi dhe Bibliografisë së gjërë për krijimtarinë dhe botimet e tij, studiuesi menjëherë do të nis me analizimin e gjithë krijimtarisë letrare në prozë, dramaturgji dhe kritikë, që nga botimet e para e deri në kohën kur ka filluar studimin për këtë prodhimtari të bujshme letrare, duke lënë të veçuar poezinë, si njërën nga gjinitë më produktive të tij, që në një rast tjetër shpresojmë ta kemi, për ta njohur të kompletuar këtë erudit, pena e të cilit parreshtur vazhdon së krijuari e pasuruari opusin letrar.

Pas këtyre informacioneve për jetën dhe krijimtarinë, autori do t’i çaset “Hulumtimeve në librin me tregime “Ferrparajsa 1”, ku ndalon nga njëri, në tregimin tjetër, për t’i analizuar e vlerësuar me kujdes, që të kemi një pasqyrë sa më reale të kësaj materje përmbajtësore të prozës tregimtare. Derisa në ndonjërin prej tregimeve do të gjejë vlera të pranueshme, disa syresh i sheh veç si sprova fillestare të lërimit të kësaj gjinie letrare, që sipas tij, nuk është dashur të përmblidhen në këtë libër, përveç arsyetimit “për shkak të moslënjes së tyre anash, pak nga nostalgjia e krijimtarisë tregimtare të moshës rinore, pak nga dëshira për t’i pasur të gjitha bashkë në një vëllim të vetëm tregimesh”. (po aty, fq. 34). Për ta tumirë këtë që u citua, Maliqi do të shpreh mendimin e tij për zhvillimet e prozës tregimtare duke i vënë pikën e vlerësimeve se “Me tregimin “Ëndrra” të përfshirë në “Ferrparajsa 1” fillon vëllimi me tregime “Puthja vrastare”, të botuar më 2005 dhe, sipas meje, këtu fillon faza e pjekurisë tregimtare e shkrimtarit Mexhid Mehmeti. Këtu e tutje, pra, kemi të bëjmë me një tregimtar serioz e të nivelit të lakmueshëm ideo-artistik” (po aty, fq. 34). Në kontekst të këtij analizimi të tregimeve tjera, si: “Ecje nëpër tejjetësi”, “Puthja vrastare”, “Rrugëtim nëpër Grykë të Urnës”, “Gjetja e Atlantidës”, “Përfytyrimi”, “Tregim i mërzitshëm”, “Fjalë kafenesh”, “Ëndrra në ëndërr”, etj. identifikon një gamë të gjërë ngjarjesh dhe karakteresh të shumta ekzistenciale, përshkrime të realiteteve apo ëndrrave, interpretime të fakteve shkencore; pastaj dashuri të humbura, bukuri magjepëse, tema me përmbajtje psikologjike, sociale, filozofike, duke mos i anashkaluar edhe metamorfozat tek njerëzit, të cilëve u pëlqen të flasin për tema patriotike, të sfidojnë forca karakteri, përballime të dhimbjeve, vetësakrifikime, deri te ndryshimet e karaktereve dhe transformimet në personazhe tjerë, shtirjet engjëllore, etj. Këto përceptime tematike dhe motivore e plotësojnë njëra-tjetrën deri në zbërthimin e të gjitha njësive tregimtare, që e përbëjnë korpusin narrativ të kësaj lënde të përmbledhur në “Ferrparajsën 1”.

Me poaq interes është edhe kapitulli “Hulumtime në librin me novela “Ferrparajsa 2”, ku studiuesi e cilëson si prodhimtarinë më të realizuar në prozën e Mexhid Mehmetit, të ndërtuar nga “stili vetjak i autorit”, ku çdonjërën prej këtyre novelave do ta identifikonte nga “gjetjet artistike, subjekti, detajet e përdorura, karakteret pozitive dhe negative”, derisa nga të gjitha këto elemente të verifikuara del se “E përbashkëta e tyre është moderniteti me të gjitha shprehësitë artistike të përdorura, ku do të veçoja pa dyshim koloritin artistik dhe emocional”. Duke mos qëndruar te të gjitha novelat e “Antologjisë novelistike “Ferrparajsa 2”, meqë “shumica e tyre trajtohen në linjat kryesore të subjektit”, ai do t’i shqyrtojë dy nga novelat që veçohen për disa ndryshime nga të tjerat. Kështu, novela “Urna e dashurisë”, e ndërtuar nga disa prej tregimeve, që këtu transformohen në një prozë të vetme novelistike dhe, novela tjetër “Fati i një çlirimtari”, që shquhet për trajtimin tematik për herë të parë, pa u bazuar në ndonjërin prej tregimeve a tematikave të shtjelluara më heret. Që të dyja këto novela i hulumton në shumë kahe të ndërtimit tematik, për subjektin, për tragjikën dhe për normativat gjuhësore që e formësojnë tekstin letrar,gjithnjë në funksion të komunikimit më të qëndrueshëm për lexuesin.

Në këtë vepër studimore për krijimtarinë prozaike, dramaturgjinë dhe kritikën publicistike, Bardhyl Maliqi do të ndalojë më gjatë në kapitullin tjetër “Romanet për të rritur të Mexhid Mehmetit”, duke i shpalosur pesë nga gjashtë romanet e tij, me analizimin e të cilëve na krijon ndjenjën e rileximit të kësaj proze romanore që nga fillimi. Derisa romanin “Lëmë derrash” shpreson se do ta trajtojë në një rast tjetër, “për shkak të dëshirës së vetë autorit Mexhid Mehmeti, sepse këtë roman, që ai e quan antiroman, ka filluar ta shkruaj në vitin e largët 1982, por që e konsideron ende të papërfunduar!?” (po aty, fq. 124). Në këtë rast duhet ta kemi në konsideratë arsyetimin e autorit, meqë ky version i romanit është eksperimental, prandaj askush nuk e ka të drejtën e botimit, për ta sforcuar vendimin e tij se “Një gjë e tillë do të lejohet vetëm 50 vjet pas vdekjes së autorit!” (po aty, fq. 124). Një rast i rrallë, për të mos thënë i vetmi që njohim në letërsinë tonë kombëtare, që mbetet enigmë me shumë të panjohura, por doemos duhet respektuar! Në këtë kapitull kemi një analizë të gjërë për romanet: “Shtatë ditë pas vdekjes”, “Furtuna”, “Kalvari”, “Tuna” dhe “Ishulli i vdekjes”, ku trajtohen tema e ngjarje nga më të ndryshmet, duke krijuar kështu një ngjarje interesante të shtjelluara tek çdonjëri roman. Kështu, derisa te romani “Shtatë ditë pas vdekjes” studiuesi do të zbërthejë shumë ngjarje e veprime, që bën për ta kuptuar më mirë “personazhin etik” dhe “vdekjen vertikale”, ku Kryepersonazhi i këtij romani “shikon, flet dhe vepron, ka ndjesi gjatë gjithë veprës, por duke qenë hije, duke mos u ndjerë prej të tjerëve, ai nuk mund të veprojë” (po aty, fq. 133), në “Ishullin e vdekjes” do të përballemi me tematikën e atdhetarisë, ku simbolika e këtij ishulli, “që disa herë quhet edhe Ishulli i parajsës, i ëndrrave apo i dëshirave, është pikërisht Shqipëria etnike, herë e bërë pjesë e perandorive romake, bizantine, sllave e turke, austro-hungareze a italiane. Apo, ashtu, siç është, një vend i të parëve tanë, i ndarë në pesë shtete” (po aty, fq.147). Studiuesi me shumë përkushtim do të venerojë gjithë atë arsenal personazhesh dhe ngjarjesh që ndërtojnë fabulën e romanit, duke sfiduar kohën dhe veprimet që ndikojnë në zgjidhjen e shumë çështjeve të vendit, pavarësisht imponimeve të njerëzve matrapazë, servilë, etj., për t’iu gëzuar mendimit të saktë të studiuesit, se:

“Një zgjidhje ka: Të pritet burimi ku pinë ujë, ose të përmbysen ata vetë.

Nëse vepron kështu, ky Ishull i vdekjes fillon e bëhet Ishull i Jetës!” (po aty, fq. 163).

Studiuesi Maliqi me poaq përkushtim do të analizojë edhe tri romanet tjera, që këtu i përmbledh në studimin “Trilogji e pazakontë”, ku, si do ta shohim që në fillim të këtij studimi, ai sjell tematikat që shtjellohen në çdonjërin prej romaneve, për t’i analizuar pastaj në hollësi. Kështu, “Kalvari”, gjithnjë sipas vlerësimit të Bardhyl Maliqit, “është një vepër e tmerrit dhe terrorit, pra e realizmit ekzistencial, ndërsa “Tuna” një vepër romantike, erotike, realiste, kritike dhe magjike njëkohësisht”. (po aty, fq. 164). Ndërkaq romani “Furtuna” trajton “tronditjen e madhe historike që ndodhi në këtë hapësirë dhe në mënyrë të veçantë për pasojat e saj, pra për luftën, por njëkohësisht edhe për alternativën e saj, për dashurinë”. (po aty, fq. 166).

Mbas një leximi të vëmendshëm të këtij studimi të zgjeruar për prozën e Mexhid Mehmetit, sidomos për romanet e tij, gjithnjë e më shumë ndihet nevoja e gjetjes dhe leximit të këtij thesari romanor.


Dramarturgjia dhe kritika letrare në fokus të vrojtimit


Përveç prozës, në këtë studim voluminoz i është bërë një analizë e vlefshme edhe dramave dhe kritikës letrare të Mexhid Mehmetit. Kështu, në kapitullin “Mendime për Monstrumiadën si dramarturgji e absurdit me temën e vdekjes” të gjitha dramat e Mehmetit: “Zibardhët”, “Monstrumiada”, “Ëndërroj për një ditë” dhe “Vdekja e hijshme”, i gjejmë të analizuara në hollësi, duke i veçuar elemente dhe karakteristika të shumta mbi të cilat janë ndërtuar ato, si: tema e vdekjes, absurditeti, sakrificat, besa e dhënë, pastaj dramatizimi i baladës (“Hasan Aga dhe Çika Potureshë”), etj. Sipas studiuesit Bardhyl Maliqi, në këto drama do ta takojmë të trajtuar “gërshetimin në formë mes të vjetrës dhe të resë, e të bardhës me të zezën, e të ndyrës me të pastrën, e të fundmes me të pafundmen” (po aty, fq.56). Por jo vetëm, se aty ka edhe frymë lufte, ankth, frikë, etj.

Studimi trajton edhe çështje tjera që e përcjellin këtë krijimtari. Shikuar nga prizmi i realizimit skenik, këto drama, disa prej të cilave nuk kanë pasur fatin t’i paraqiten publikut të inskenuara, çështje kjo, të cilën do ta pikas studiuesi duke e veçuar një karakteristikë që e thotë hapur: “Kjo është arsyeja e mos arsyes që autori t’i kthejë dramat e veta në novela, kështu që në pamundësi që të sigurojë spektatorë, siguron lexues!” (po aty, fq.56). Në përgjithësi, mendimi i tij vjen si përkufizim “se e gjithë krijimtaria e Mexhid Mehmetit, si në poezi e prozë, ashtu edhe në dramarturgji, përshkohet nga realizmi, ekzistencializmi, realizmi magjik dhe absurdi” (po aty, fq. 57), që e përcakton gjithë materjen embrionale të dramaturgjisë së tij.

Edhe shkrimet nga kritika zgjojnë kërshërinë e lexuesit për shumëçka, meqë Mexhid Mehmeti gjatë gjithë karrierës së tij është përpjekur që krah veprimtarisë së tij krijuese në letërsi, të përcjell edhe zhvillimet e artit, kulturës, e sidomos kahet dhe zhvillimet e letërsisë që krijohej në kohën kur do t’i ketë shkruar shumë shkrime e analiza për autorë dhe vepra të botuara, që këtu analizohen në kapitullin e radhës “Mexhidi përballë vetes dhe të tjerëve”, të ndarë në dy pjesë: “Gjykime e vlerësime veprash dhe autorësh” dhe “Vitrina”. Kësaj lënde i është bërë një interpretim i mirë studimor, ku janë analizuar mbi njëqind autorë shqiptarë dhe të huaj dhe veprat e tyre, duke përfshirë edhe krijues të rinjë, që sapo kanë filluar jetën krijuese me publikime të librave të parë.


Në vend të përmbylljes


Bardhyl Maliqi, në fjalën përmbyllëse për veprimtarinë krijuese në letërsi, publicistikë dhe kritikë letrare, Mexhid Mehmetin e cilëson autor modern dhe shumëdimensional, veprimtaria e të cilit ka lënë gjurmë të pashlyera për tematikat, ngjarjet, mënyrën e çasjeve dhe, mbi të gjitha, për vlerat e pakontestueshme letrare dhe për mesazhin e fuqishëm që përçon.

Në mbi dyqind e pesëdhjetë faqe libri me studime e analiza për prodhimtarinë artistiko-letrare të Mexhid Mehmetit, lexuesi do të njoh në plotni opusin krijues, përkushtimin dhe vlerat që sjell kjo vepër artistike, fal punës së palodhshme e ngulmëtare të studiuesit të devotshëm, Dr. Bardhyl Maliqit, i cili, ashtu si edhe e mësojmë që në fillim, i ka dhënë vetes një “detyrim” ta prek deri në thellësi këtë veprimtari krijuese të eruditit Mexhid Mehmeti, që tash e pesë dekada nuk rresht së gërmuari në thellësitë shpirtërore, për të sjellur vepra e vlera që na bëjnë të përjetojmë çaste të bukura leximi.

69 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page