top of page

“Stë-bleva”, mrekullisht e duhur dhe e bukur tek “Mall që djeg”




Vendosja e tërë asaj që nis e mbaron në romanin “Mall që djeg” të autores Nexhi Baushi, është një përshkrim që mes tërë zhbirimeve të memorjes, po aq atyre që ka kërkuar të shpjegojë, rrëfen se ku dhe kur ndodh ngjarja. Ky është mjedis, që ka tharë lotët, ka njomur buzët, ka shtrënguar dhimbjet, ka lënë pas e mban me vete udhën e kujtimeve. Ky është mjedis ku dheu peshon si flori, aty ku ai nuk blihet, ashtu sikurse nuk është blerë nga shekujt tërë ai vend i mrekullueshëm, i bukur dhe i pazëvendësueshëm me toponimin mjaft domethënës Steblevë. Aty është rudha e ballit punëtor të babait të autores, thinja e pazbardhur e kokës së tij që u tret duke u përkujdesur për familjen, aty është edhe mahija e shëndetplotësisë së bereqit që bekoi dhe betoi udhën e jetës nga katragjyshi i saj, Salem Tamizi. Aty është vetë shenjëza e hijëza e një jete që u nda midis kryeqytetit dhe atij vendi të bukur e me plot mall që djeg.

Dhe ka një mrekulli në këtë pjesë të letërsisë, që nis si huazim nga Amos OZ, për të cepitur fund e krye lirishtën e një fizionomie që mbushet plot dhe mbahet e freskët nga legjendat, mitet, përrallat, këngët dhe të gjitha ato që vijnë si pasqyrë për ta parë të bukurën e origjinës së dashur. Janë të gjitha këto aspekte jete që përbëjnë vendosjen. Aty në këtë vendosje është gjeografia, moti, koha e ditës, kushtet sociale, është majaja dhe thelbi i themelores së vlerave që tregojnë se çfarë roli luan vendosja në histori. Ajo është një pjesë e rëndësishme e komplotit dhe e vetë temës. Ajo në romanin “Mall që djeg” të Baushit, nuk është thjesht një sfond kundër të cilit zhvillohet veprimi. Autorja gjithashtu ngul vëmendjen e saj dhe studion tërë periudhën kohore, e cila është gjithashtu pjesë e përcaktimit.

Kur u shkrua historia, ndoshta është një lehtësi për ta kuptuar, por një zhdërvjelltësi e saj shkon si në majë të gjilpërës për të kuptuar se historia e shkruar është tharë në lotë malli, e është trazuar e bazuar në një të folur ndryshe, aty ku rrënjët shkulen arbërisht dhe flasin mes trungjeve të dygjuhësisë, nga aty ku thuhet e thurret një ndodhi deri aty ku vjen një mesazh i ri.

E gjitha është një gërshetim që zhvillohet në të tashmen, në të kaluarën dhe që sugjeron edhe për të ardhmen?

Si ndikon periudha kohore në gjuhën e shkruar e të bazuar tek ajo e folur, është një çelës magjik që cek dhe transferon vetë atmosferën apo rrethanat shoqërore të romanit.

Karakterizimi ka një pikë të veçantë në këtë roman. Karakterizimi mund të shihet në këtë roman jo thjesht si trajton dhe se si përshkruhen personazhet, por si një qëndisje në rolin e tyre që vjen në mendjen e lexuesit përmes dialogut, nga mënyra se si flasin, pamja fizike dhe mjaft mendime të tjera dhe ndjenja.

Bashkëveprimi i karaktereve është një karakteristikë tjetër e këtij romani, që vjen nga vetë mënyra se si ata veprojnë ndaj personazheve të tjerë, që nuk janë ata thjesht personazhe statikë që nuk ndryshojnë, por vlera të vetë narrativit ku diskursi përforcohet me mesazhin e tyre. Të gjithë personazhet kanë kufijtë e tyre të prezencës, por ato zhvillohen deri në fund të tregimit. Personazhet në këtë roman janë mjaft efikasë, elastikë në prurje dhe të mjaftueshëm për tu kuptuar në rolin që ata marin përsipër në narrativ. Dallohen se janë lokalë, po aq kanë një lidhje dhe një ndërveprim global, si në rastin e Ataturkut, kanë cilësi që dallohen, nuk janë vetëm stereotipe, janë personazhe të besueshëm dhe paraprijnë në komplot e strukturë.

Komploti dhe struktura kanë një tipologji më vete në vetë mënyrën e të ndërtuarit të këtij romani. Komploti është sekuenca kryesore e ngjarjeve që përbëjnë tërë këtë prurje të thjeshtë, por tërheqëse, aty janë ngjarjet më të rëndësishme që lidhin dhe funksiojnë si materiale të gërmuara thellë në ekzistencën e një zone mjaft të debatuar, aty pikërisht është i strukturuar komploti, që mbetet linear, kronologjik dhe ndonjëherë në një linjë jolinerare, që lëviz përpara e mbrapa. Në roman ka pika kthese, një kulm madje mund të thuhet se ka dhe antiklimaks, dhe natyrisht me plot gojën mund të themi se është komplot i besueshëm, pasi vjen nga vetë jeta, nga vetë kujtesa, kthimi në vite dhe tek ajo që dihet dhe është zbuluar për Steblevën në tërësinë e saj.

Treguesi dhe këndvështrimi është një pikë ku qëndron vetë autorja. Narratori është vetë personi që tregon ngjarjen, kështu ai mban dhe pushton kohën në detyrimin e leximit, që nga

pika e parë: ose ajo ku ushqehen vetë sytë e atyre për të cilën rrëfehet kjo histori, aty ku shpeh në roman ndodhet vetë narratori ose folësi në të.

Hera-herës kuptojmë të kundërtën, edhe pse narratori nuk është personazhi kryesor, kur autorja u flet ngjarjeve dhe i zhbiron ato përmes një a më shumë ndodhish, prej dhe përmes personazheve. Kështu tek “Mall që djeg” i autores Nexhi Baushi historia më së shumti është e shkruar në këndvështrimin e personit të parë, por jashtë një skematizmi “Unë’.

Përmes konfliktit apo tensionit të mesazhit në këtë roman kuptohet qartë se ajo që është zakonisht zemra e romanit dhe lidhet me personazhin kryesor është një gjuhë e thjeshtë, e bukur, e kuptueshme, e cila na ndihmon në jo pak raste të kuptojmë dhe përshkruajmë konfliktin kryesor, pasi ai është vetë autorja jo vetëm që ka derdhur gjithë mushtin e mbledhur prej një jete për njerëzit e kësaj treve, duke mos harruar dhe përjashtuar gjakun e vet, por njëkohësisht jep dhe mesazhe simbolike të një dashurie të veçantë që ata kanë dhe mbartin, të një përkrahjeje, të një mbështetjeje dhe të një krahu të zgjatur që rri përherë i nderë drejt bashkëvendasit, dhe vetiu thua: Sa të dashur dhe të gjendur për njëri tjetrin qenkan këta karaktere të një jetë të harruar, nëpërkëmbur e të braktisur nga mjaft rrethana.

Ajo është vetë një e brendshme, ekzistente edhe kur personazhi vuan nga brenda, edhe kur ajo, pra dhimbja është shkaktuar si e jashtme nga rrethina, apo mjedisi ku personazhi e gjen veten. Tema e ekzistencës, është ideja e vetë mbijetesës, mësimi apo mesazhi kryesor që jepe jetë në roman. Në romanin e Baushit është një ide fine, universale për gjendjen njerëzore, shoqërinë dhe jetën, për të mos përmendur vetëm disa. Kjo na jep vetë atë diksurs që në mënyrë transparente na rrëfen se si ndriçon tema në histori, nëse janë përsëritur ndonjëherë elementet që mund të sugjerojë këtë temë ndryshe, cilat tema të tjera ekzistojnë dhe ku anon stili. Stili i autores është kompleks, lirik, rrjedhëardhës, sepse natyrshëm ka të bëjë me fjalorin e autores, përdorimin e figurave, tonin dhe ndjenjën e tregimit që ajo merr përsipër të mbajë gjallë në romanin në fjalë. Në fakt këtu ka të bëjë me qëndrimin e tij ndaj temës. Në disa romane toni mund të jetë ironik, me humor, i ftohtë ose dramatik, por këtu është shumëdimensional dhe i gjallë.

Teksti i romanit është plot gjuhë figurative, ku autorja përdor shumë simbolikë, metafora, krahasime kohore dhe historike e të tjera.

Një shembull i një metaforë është kur dikush thotë: “-Dashuria është e ëmbël djalo! Por kujdes me atë që po bën! Mund edhe të të hidhërojë e të kesh pasoja të padëshirueshme!”. Një shembull i një imazhi është “Dashuria e tyre u mbajt e fshehur për një kohë të gjatë. Ishin të ndërgjegjshëm se përpara tyre do të kishte pengesa të pakapërcyeshme, bashkimi i tyre pothuaj ishte i pamundur për shkak të opinionit, që vinte nga përkatësit e ndryshme fetare e që nuk pajtoheshin me të, dhe kjo gjë rrezikonte përplasjen e madhe mes dy familjeve. Por Dimjana me Salemin tashmë i takonin njeri tjetrit e nuk donin t’ia dinin për opinionin dhe kundërshtimet që do të hasnin në familje, e në mënyrë të veçantë Dimjana. Ata takoheshin shpesh, herë ditën e herë natën”.

Imazhet e tjera që janë përdorur i përkasin vetë jetës, vrullit tësaj, larmisë dhe bukurisë së Steblevës.

Analiza jonë letrare e këtij romani, vjen pas fjalëve të mrekullueshme të lexuesve të parë të këtij narrativi, mjeshtres së fjalës së shkruar, Vllasova Musta dhe Vlerës së padiskutueshme të artistit të kësaj fjale dhe të atij imazhi që qaset në narrativ, Esat Musliut, që mbetet të jetë në formën e një raporti të këtij libri që nuk kërkon thjesht të jepen mendimet për atë që e shkruara përqafon, por për të strukturën e realizimin e këtij romani të domosdoshëm, jo thjesht për atë zonë. Për të përfunduar, elementët që krijuan përshtypjen më të madhe natyrisht janë ajo që duhet të jetë si një ftesë për leximin e gjerë të këtij romani. Thuajse të gjitha personazhet janë të pëlqyeshme dhe të stiluara më së miri, ku gjithmonë janë dhe argumentet. Ky roman mund të shihet qartë si një prurje në vetë strukturën që shoqëron romanin, pra në tërësi dhe themi se kjo është një përpjekje e asaj që kërkon gjithnjë të jepet si një analizë e ekuilibruar.

178 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page