top of page

Spektakli i rënies humbëmadhe të Bashës


Fatmir Terziu


Dorëheqja e Kryetarit të Partisë Demokratike, që qëndroi kokëfortësisht në krye të PD-së, Lulzim Basha nuk ishte befasi. Që nga refuzimi i tij për të dhënë dorëheqjen në kohën që „Foltorja“ e udhëhequr nga ish-Presidenti Sali Berisha provoi disa herë, madje dhe me zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit se ka në kontroll shumicën e demokratëve aktivë, ikja e Bashës ishte një „mundësi e mirë për të varrosur lajmet e këqija, që e shoqëronin si një humbës rekord të pakapshëm në krye të PD-së“, tek një skandal politik me të cilin dëmtoi rëndë PD-në, duke marë vendimet i vetëm si ndonjë diktator në kohë demokratike, ka pasuar me këtë rast "skandalin tjetër", që duket se fshihet vetëm pas dorëheqjes. Por skandalet humbëse nuk janë vetëm tek humbja, por tek lista e gjatë e tyre.

Lista e gjërave që shoqërojnë Bashën, tashmë dihet, dhe se ka bërë thjesht gabim është pothuajse shumë e lodhshme për t'u përsëritur. A e kërcënoi me dëshirë rregullatorin e demokracisë brenda PD-së, që është Statuti, duke thënë se ai kishte autoritetin për të marrë përsipër vendimet? Ai e detyroi shkrirjen masive të asaj që ishte statutore, deri në vendosjen e bravave dhe betonizimit të PD-së, që dhe vetë diktatori më i regjur nuk do ta kishte bërë këtë. Dhe më së shumti Basha krijoi ndasinë më të madhe në PD, që nga koha tranzicionale, kur persona të pakënaqur shkëputeshin dhe krijonin minipartiza. Ai kërkoi të fuste PD-në, këtë arritje të madhe demokratike, në arkivol me këto e me qindra të tjera. Ai ishte vetëm një gozhdë e përdorur që ngulte bravat e largimit të demokratëve.

Dhe gozhda e fundit në arkivol: a e autorizoi Basha atë rrëmujë paraelektorale të skrupullt në zgjedhjet e fundit të përgjithshme elektorale, që të flitej vetëm „Basha Kryeminstër?!“ në një sfond humoristik dëmtues, apo ai thjesht kishte ndjekur këshillat e ndonjë zyre jashtë PD-së? Ai kësisoj kishte kohë që kishte filluar „gjuetinë e shtrigave“ në PD, duke larguar pa shkak figura mjaft të rëndësishme të kësaj force politike. Por gjuetia e shtrigave të Bashës, kishte pak të bënte me atë që ai bëri me gishtin e tij arrogant, dhe thoshte tinazi se nuk bëri asgjë me atë gisht. Basha në krye të PD-së me këtë të fundit dukej se ishte një personazh imagjinar i krijuar nga euforia e tij, i përdorur nga skenaristët anti-Berisha dhe më në fund, siç tregoi një sondazh i medias, ai ishte bërë pjesë e folklorit popullor. (Basha bëri një përpjekje të dobët për të hedhur poshtë këtë personazh imagjinar në deklaratën e tij të dorëheqjes: „Unë po e bëj për të ringritur PD-në“.)

Tani për tani, ne po dëgjojmë qarjen e atyre që nuk kanë dashur dhe nuk kanë paqtuar rënien e tij: buzëqeshjet e Sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi; titujt fitimtarë të skenaristëve të ngarkuar e të ndërtuar heshtazi si „hije“ nga vetë Basha, kënaqësia marramendëse e ndonjë zellmatësi personal, si disa kryetarë degësh të PD-së në mbledhjen që linçoi dorëheqjen, dhe deri tek Lideri demokrat Sali Berisha që i vetëm kërkon të bëj ndryshimin "Bashkë për një PD më të fortë“, pra „Rikthimi tek vota e lirë, rruga e vetme e bashkimit dhe fitores". Në këtë mes ka një eufori, ka dhe një strategji të mistershme përsëri. Në dorëheqjen e Bashës, katër pika janë nënshkruar dhe njëra prej tyre kërkon që Berisha të mos marë pjesë në vendimmarrje. Eufori ka dhe në mesin e poltikës dhe në media me këtë rast.

Por kur euforia shuhet, disa mund të kuptojnë se sa e pakënaqshme ka qenë e gjithë çështja kaq e zgjatur e një dorëheqjeje të një humbësi të madh, sepse gjëja me humbjet brenda PD-së, është më thuajse e njëjtë me skandalet e ndyra në të cilat Pozita e sotme ka shtruar vjedhjet masive, e vërteta është se askush nuk përfiton, me kokëfortësi dhe me humbje të përsëritura.

Sidoqoftë ajo që dyshohet tashmë është se prapaskenat mund të jenë akoma më të mëdha e më të mistershme. Demokratët në kulmin e këtyre prapaskenave dhe kësaj dorëheqjeje, nuk do ta kenë përmirësuar pozitën e tyre politike mjaft shpejt, ose nuk do ta kenë bërë dikë t'u besojë më shumë. Përkrahësist e Bashës dhe bashkëideatorët e tij ushqeheshin në mënyrë parazitare me imazhin qesharak të tij, në vend që të bënin pikat e tyre politike në kohën e duhur. Nëse disa paraprinë me dorëheqje në krahun e Bashës, të tjerët ende janë pjesë e kulisave të panjohura.

Sidoqoftë, Mediat janë të kënaqura që Basha dha dorëheqjen, por për çfarë do të flasin tani që ai është larguar? Kur asgjë nuk ndodh shumë në botën e politikës, kokëfortësia dhe humbjet e njëpasnjëshme të Bashës të paktën jepnin një pamje debati dhe polemikash. Siç ishte rasti me zgjedhjet e fundit të pjesshme, kur në pamje të parë dukej një demon i ndyrë i cili nxirrte dhëmbët në kahje të Bashës, dhe ku media menjëherë shkonte në kërkim të një tjetri, që dukej strukur në panjohje.

Në terma më të gjerë, këto nuk janë vetëm humbje në PD, por skandale që vazhdojnë të ushqejnë cinizëm dhe dyshim publik, jo vetëm ndaj Bashës tashmë, por dhe ndaj mjaft politikanëve individualë, po dhe aq dhe ndaj politikës në përgjithësi. Një sondazh i fundit nga një program perëndimor britanik zbuloi se politikanët ishin profesionet më pak të respektuar. Këto raste tipologjike shqiptare me Bravat e Bashës dhe me humbjet e tij e tejçojnë këtë, e tejbëjnë, në vend që të qetësojnë, një cinizëm të tillë.

Pasi e shkatërroi PD-në me cinizmin e tij, pas mjaft skenave të turpshme humbanake, më në fund u duk sikur tha se “duke mbetur në detyrë dëmtoj Partinë”, pak a shumë e ngjashme në deklaratën e dorëheqjes. Kjo ishte e vërtetë, por dorëheqja e vonuar do të jetë shumë më e diskutueshme në planin afatgjatë. Sa herë që PD do të kujtohet, sa herë që pranon të rizgjedhë një kryetar të ngjashëm për të qetësuar gjakrat, herën tjetër do të jetë më keq. Do të jetë më e vështirë për Bashëvazhduesin e ardhshëm që ta nxjerrin atë jashtë.

Si vetë Basha, ashtu edhe ata pranë tij mbrojtën rekordin e tij si humbës dhe skandalizues i demokratëve. “Kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme politike, Basha ka marrë vendimet e duhura”, tha një servil i tij. “Unë qëndroj pranë vendimeve kryesore politike që kam marrë”, tha Basha duke shkuar në një vijë me servilizmin e tij. Kjo e bëri faktin e dorëheqjes së Bashës edhe më keq, pasi ai dha dorëheqjen për të frenuar kritikat ndaj këtij grupi humbës, jo sepse mendonte se kishte bërë gabime të mëdha.

E gjithë kjo paraqet probleme për momentin. Nuk mund të ketë më kryetarë të zgjedhur që të krijojnë egon e tyre e të shpërfillin statutin; nuk mund të kryejë spastrime sipas standardeve të tilla arbitrare një kryetar i një force politike, që solli demokracinë dhe shembi mitet e diktaturës në vitet 90-të. Për të drejtuar një PD të vërtetë demokratike dhe për të marrë vendime politike, politikanët demokratë duhet të jenë në gjendje ta mbajnë atë së bashku. Basha, dhe së fundi ndoshta dhe Bardhi e kuptuan këtë, kjo është arsyeja pse ata i lanë jashtë skandalet e tyre për kaq gjatë.

Sidoqoftë edhe nga strofkëngrohësit e tij nuk do të derdhen lotë për Bashën, ai ishte një humbës dhe strateg humbjesh vërtet briliant dhe besnik: i qeshur fallco, teknokratik, pragmatik. Politikës aktuale dhe medias që kërkonte lajmin nuk do t'i mungojë pak. Ajo që është shqetësuese nuk është humbja e Bashës, por spektakli i rënies së tij humbëmadhe që nuk do të ketë më kush ta zëvendësojë.

119 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page