Specifikat e një analize ndryshe të një romani



Sejdi BERISHA:

KUFIRI SI FORMULË E STUDIMIT TË DHEMBJES DHE LUMTURISË

(Muharrem Kurti: “Kufiri i gjakut”-roman, botoi “Bogdani”- Bruksel-Prishtinë, 2020)

Romani “Kufiri i gjakut” e ka peshën e veprës moderne, dhe si i tillë mund të lexohet edhe si roman, edhe si tragjedi, edhe si dramë, edhe si melodramë, e që të gjitha këto janë të fiksuara në çelësin e lumturisë dhe të qëndresës.

Ai, paraqet më vete mesazhin e veçantë për temën që shtrohet e trajtohet...

___________

Në temat bizare mbase edhe të frikshme e ndonjëherë pa rrugëdalje, gjithnjë mund të dalin shumë komente por edhe dilema për historinë, për njeriun dhe karakterin e tij, duke përfshirë këtu edhe kombin dhe fatin e tij, i cili, jo rrallë, vetveten dhe të gjitha ngjarjet e tragjeditë e veta, në vend se t’i luftojë vendosmërisht dhe me përkushtim e mençuri, ndonjëherë sikur krijon vetë korniza të forta për të mos dalë nga to. Apo, nganjëherë na krijohet përshtypja se njeriu, mbase edhe komuniteti, e ka “traditë” për t’i krijuar dramat e tilla të çuditshme, e që, padyshim duan studim të thellë shkencor, psikologjik, social dhe historik. Që të gjitha këto që i theksova, i hasim dhe i vërejmë që në nismë të romanit, që, si gjithnjë, njeriu i ynë përherë frikësohet së shqiptarëve do t’u ndodhë ndonjë ogur ose e papritur!

Andaj, romani më i ri i shkrimtarit, Muharrem Kurtit, “Kufiri i gjakut”, nëse largohemi pakëz nga ngjarja që na ofron autori, na shndërrohet edhe si formulë provokuese, apo edhe si detyrim që fenomenin “kufi” ta zbërthejmë në shumë rrafshe socio-filozofike, por edhe si çështje të pastudiuar si e sa duhet, apo edhe fare, dhe atë pothuaj se në të gjitha aspektet jo vetëm lokale dhe rajonale. Ndoshta, pikërisht nga kjo “pykë” e së keqes historike, autori duke na i prezantuar shumë ngjarje, na sjell shumëçka për ta kuptuar pak më ndryshe temën dhe materien që e shtjellon, e cila, padyshim se në spikamë ka historinë, armiqësinë, okupimin, ndarjen fizike të kombit, por edhe copëtimin e atdheut.

Kjo ngase, kufiri ka shumë kuptime, ka shumë ndrydhje e ngufatje të të gjitha natyrave dhe formave të njeriut, ka shumë plasaritje po ashtu të formave të ndryshme, të cilat evoluojnë me rebelimin e shpirtit, e ndoshta (edhe pse po dua të besoj) në numër shumë të vogël për tradhti, për ligësi të lloj-llojshme, që edhe sot dikujt-dikujt u ngjajnë në desert për të kënaqur shpirtin për ta “rritur” namin, duke mos e par vetveten si një krijesë e cila nuk di rrugë as drejtime, e cila ngritë pallate mjegullash, rebuse famëkeqe etj. Dhe, “garezi”, kuptohet se është tek fjala “kufiri”!

Në të nëntëmbëdhjetë kapitujt të romanit, çështja e kufirit përmes ngjarjeve dhe rrëfimeve thua se shndërrohet në formulë, e cila ndoshta edhe nuk ekziston fare, sepse, historia është aq këmbëngulëse por edhe aq e luhatshme dhe dinake, sa që askush ndoshta kësaj çështjeje kruciale edhe nuk ia vë veshin sa duhet, por vetëm bëhet dhe mbetet dhembje e njeriut, e familjes, e kombit mbase edhe e vetë botës: ...Ishin të bindur se, të dyja shtetet, nuk e lejonin lirinë e lëvizjes, siç kishin bërë mbi katër dekada. Gjithçka mund të ndodhte, por kufiri nuk i hapte portat, -mendonin shumica e qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë.


Madje, mund të qe një kurth, ku do të binin atdhetarët të cilët do të kalbeshin burgjeve të Jugosllavisë.

Ndërsa, lajmsjellësit po e thoshin me bindje se plogështimi i kufirit kishte ndodhur, plasaritja e tij ishte bërë...”!

Dhe, pikërisht kjo damkë të cilën e ka shkaktuar koha por edhe njeriu, sjell gëzime edhe të rreme, edhe të shpresës, sjell ëndrra e disponime të “lumtura” që, në të njëjtën kohë edhe e mobilizojnë, edhe pse, “hapja e kufirit” gjithnjë apo shpesh ka qenë dhe mund të jetë kurth për ta çrregulluar jetën e secilit, dhe atë në mënyrat më të ndryshme... Sepse, siç thotë autori: ...Kurrsesi nuk harrohet se nuk u morën pak jetë të njerëzve(andej e këndej kufirit) që u kapën në kufi, në të dy drejtimet...”!

Dhe, prej këtu, ngjarja zhvillohet në shumë dimensione të jetës për të treguar tërë atë histori trishtuese, gjithë atë llahtari, tërë atë mall e etje, gjithë ata lot e këngë të thurura në kushte specifike, që këpusin shpirtin, por, edhe trimërojnë e japin shpresë...!

Dhe, shih. E tërë kjo, po ta trajtonim ndryshe, kjo temë do të dukej ose do t’i ngjante formave të gjeometrisë deskriptive, nga të cilat forma vështirë se mund të dilte me qartësi e me dritëjete! Sepse, përthurjet e jetës i kanë shkaktuar dhe i shkaktojnë regjimet dhe shërbimet, të cilat, sa herë që i kanë “begatuar” dosjet e tyre, sikur kanë ndier kënaqësi edhe shpirtërore, edhe pse, një “begati” e tillë tek ta nuk ka ekzistuar kurrë. Andaj, edhe për këtë autori i librit thotë: “...se qeveritarët e shtetit jugosllav thoshin: ...se Shqipëria është armiku ynë, e unë do të thosha se, armiku ishte i përzier, i cili thellonte hendekun e jetës së pastër dhe normale.