top of page

Sot, pas 108 vitesh të Pavarësisë de facto të Shqipërisë


Fatmir Terziu



Të paktën nga sa ka mbetur në shënimet historike. Të paktën nga sa na kanë lënë këto shënime. Të paktën… Do të vazhdoja më gjatë, por u ndala të bëjë shënimin mbi këto shënime. Dhe nëse këto shënime e ndjejnë se mbesin të vetmet e asaj që na ka ndjekur dhe njohur Bota, natyrisht është kjo Botë që ende na mban larg shënimeve të duhura. Them kështu pasi shënimet njohin një arsye të fortë, atë të 28 nëntorit të vitit 1443, por çuditërisht nuk e bëjnë këtë një faktor më të ndjeshëm, më adekuat, më të duhur e më jetëgjatë për fatet të tilla të një populli që asnjëherë nuk ka synuar të fusë hundët në punët e Tjetrit, në fatet dhe jetën e të tjerëve, ndërsa ka punuar, shërbyer dhe sakrifikuar trupin, mundin, djersën, trurin dhe forcën në dobi të Tjetrit. Ja pra njihet botërisht në shënimet historike se më 28 Nëntor 1443 „Shqiptari George Kastriotis Skanderbeg dhe forcat e tij çlirojnë Krujën në Shqipërinë e Mesme nga Osmanët dhe ngrenë flamurin shqiptar.“ Dihet dhe njihet dhe ky fakt se më datë 13 Prill 1909 „Në Konstandinopojë, Korpusi i Parë i Ushtrisë së Parë shqiptare kap ndërtesën e parlamentit dhe zyrat e telegrafisë, duke detyruar shtetarin osman Hilmi Pasha të jepte dorëheqjen“. Po pse nuk bëhet një arsye tjetër më e fortë se këto shënime, kur dihet dhe mbahet në këto shënime historike anembanë Botës se në 15 Shtator 1912 „Në Shqipëri filloi lufta midis Turqisë dhe Malit të Zi“?

Kjo rrjedhë ndoshta është jo vetëm një dëshirë e cunguar, por dhe një dashuri e munguar nga të Tjerët, ata të cilët kanë shkruar dhe ngatërruar herë pas here shënimet e fatet e këtyre shënimeve, ndërsa mbesim me fat që të paktën dihet se më 27 nëntor 1912 pas shumë debatesh dhe përpjekjesh është „miratuar Flamuri Kombëtar Shqiptar“. E më tej ajo që na mban disi ende në vazhdën e shënimeve të mbetura, të patretura se „Ismail Qemali shpall Shqipërinë të pavarur nga Turqia në Vlorë“ në datën tonë historike Kombëtare të 28 nëntorit 1912, edhe pse „Pavarësia de facto e Shqipërisë nga Perandoria Osmane njihet në Konferencën e Ambasadorëve në Londër“ në një datë si kjo më 17 Dhjetor 1912.

Por misteri dhe çudia vazhdon kur ndjek këto shënime, që edhe pas kësaj date të mbesin të tilla:

22 Prill 1913: Trupat e Malit të Zi marshojnë në Shkodër, Veri-Shqipëri.

6 Maj1913: Mbreti Nikita I i Malit të Zi liron Shkodrën, Shqipërinë e Veriut.

30 Maj 1913: Traktati i Londrës i nënshkruar nga Fuqitë e Mëdha, Perandoria Osmane dhe Lidhja Ballkanike fitimtare (Serbia, Greqia, Mbretëria e Bullgarisë dhe Mali i Zi) duke i dhënë fund Luftës së Parë Ballkanike.

29 Korrik 1913: Pavarësia e Principatës së Shqipërisë e njohur nga Konferenca e Londrës.

Atëherë kujt shënuesi dhe cilat shënimeve historike duhet t'u mbetemi peng, ne ndoshta më shumë, se sa shënuesit e tjerë modernë të kohës së sotme, ata që i sillen me gomë e kalem ende Botës së teknologjisë dhe formës dixhitale moderne?

Pra më shumë se kurë sot, çdo shqiptar kudo që gjendet, në truallin gjeoetnik dhe në diasporë, natyrisht i ndodhur mes problemeve të shumta, por dhe këto të fundit me Covid-19-të ka një aryse të mbetet e të jetë në një dilemë të vërtetë mes këtyre shënimeve, të cilët Bota dixhitale i mban si historike, si shënime të pasuara nga mbetja e shënimeve. Kohët bëjnë kohërat dhe kohët e kohërave shkojnë në ravijëzimin e shënimeve, shënimeve që përcaktojnë dhe shekujt. Pararendësi i shekullit në të cilin ne jetojmë shekulli XX ishte shekull i kthesave dhe i proceseve të mëdha progresive të njerëzimit, si rezultat i zhvillimit material e mendor të paparë deri atëherë, i të arriturave shkencore, i industrializimit të shoqërisë, i modernizimit të teknologjisë, i ekspansionit mjekësor e sanitar. Por ishte ky njëkohësisht edhe shekull i brutaliteteve e barbarive deri te ndërmarrjet gjenocidale në përmasa botërore (dy luftërat botërore), në rrafshin rajonal (konflikte e luftëra midis vendeve e popujve) dhe në nivel nacional (diktaturat vendore komuniste). Vendet dhe popujt në këtë shekull i cilësuan fluktuime në shkallë të ndryshme të evolucionit shoqëror: ngritje dhe rënie, suksese dhe dështime, ecje të organizuara dhe anarki, qeverisje demokratike dhe diktatoriale, ndarje të dhunshme të gjeografive etnike nga historitë etnike e kombëtare përmes forcës ushtarake dhe politikës së “spastrimeve etnike” etj.

Në këtë shekull shënimet u trazuan nga shkrime të tjera, të ndaluarat u bënë dhe fate jetërash, dhe kështu prapë Bota na shënoi sikurse dihet, me shënimet e saj. Në përmasa rajonale sikur goditje më të mëdha jo vetëm këto 108 vitet e fundit, por shumë më tepër, pati kombi shqiptar në gjithë hapësirën e tij etnike, ku shquhet lufta kundër faktorit demografik shqiptar përmes spastrimit etnik të shqiptarëve dhe kolonizimit të trojeve të tyre me element sllav. Megjithatë, brenda këtij harku kohor, kombi shqiptar pati edhe shpërthime produktive. Pikërisht para 108 viteve Shqipëria ”bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme” – thuhet në Deklaratën e Pavarësisë të 28 Nëntorit 1912, të mbështetur dhe firmosur nga delegatët e të gjitha krahinave shqiptare dhe të të gjitha shtresave të tyre shoqërore dhe konfesionale. Mjerisht, kaloi një shekull dhe shumë çështje dhe zhvillime të kësaj periudhe mbetën pa u ndriçuar shkencërisht në shkallën e nevojshme. Të tilla janë proceset që i paraprinë aktit madhor, Pavarësisë së Shqipërisë, përfshirë kryengritjet e shqiptarëve të Kosovës dhe të trojeve të tjera etnike në tërë kompleksitetin e tyre si ngjarje të cilat i hapën rrugë dhe e përshpejtuan pavarësinë e Shqipërisë. Nuk u ndriçuan dhe nuk u shënuan sa duhet as proceset, dhuna dhe plojat në trojet e mbetura jashtë Shqipërisë që pasuan pas vitit 1912, sikundër që nuk u studiua sa duhet as qëndrimi i fuqive të mëdha ndaj çështjes shqiptare para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë. Pra shënimet ishin dhe nuk ishin tonat, nuk ishin as … ato shënime që duhet të mbeteshin si të tilla. Në të shumtën e rasteve ende kemi dhe ka dilema.

Ajo që na është e njohur relativisht mirë këto 108 vitet e fundit dhe shumë më herët, nga fillimet e Rilindjes Kombëtare, veçanërisht nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, është fakti se shqiptarët e të gjitha trojeve, me luftëra të armatosura e të përgjakshme, me penë, me luftëra politike e paqësore, sollën një ditë të madhe historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, sikundër që 96 vjet pas, shqiptarët e Kosovës sollën 17 Shkurtin e Madh të vitit 2008, ditën e pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës. Këto data të mëdha historike, pra, nuk pikën nga qielli, por lanë shënimet të sfumohen, lanë fatet e një populli në dy kahje, në dy dana të shënuara nga shënimet e të Tjerëve.

Sikurse dihet, brezat luftuan për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët kombëtar, por rrethanat ndërkombëtare nuk ishin në favor të shqiptarëve. Dhe sot është momenti që në të dy rastet t’i falënderojmë dhe t’u jemi shumë mirënjohës brezave që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë që po e gëzojmë ne sot, për krijimin e dy shteve shqiptare nga një komb, por t’i falënderojmë edhe qarqet dhe miqtë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe kryetarët e tyre: Vudrou Vilsonin (1920), Bill Klintonin (1999) dhe Bushin e Ri (2008), që qenë faktorë me rëndësi në të dy pavarësitë.

Kur shqiptarët u gjetën para rreziqeve si komb, pas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit3 mars 1878, që shkonin në favor të Rusisë dhe shteteve sllave të Ballkanit, dhe vendimeve antishqiptare të Kongresit të Berlinit (1878), krerët e Lëvizjes kombëtare u vunë në krye të rezistencës për gjetjen e rrugëve për status të veçantë të trojeve shqiptare dhe për administrim autonom brenda Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim shqiptarët formuan besëlidhjet, kuvendet, siç ishte Kuvendi i njohur i Junikut, i mbajtur nga 21-25 maj 1912, pastaj komitetet, klubet kombëtare dhe shoqëritë atdhetare me organet e tyre. Kulmi u arrit me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qershor të vitit 1878 dhe të Lidhjes së Pejës në fund të janarit 1899, me programe përparimtare politike, shoqërore dhe kulturore. Nga fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX aktivitet të madh kombëtar, kulturor dhe politik dhe rrjedhimisht për pavarësinë e Shqipërisë zhvilluan diaspora dhe kolonitë shqiptare. Edhe për pavarësimin e Kosovës diaspora jonë luajti një rol shumë të madh me ndihma materiale, morale dhe ushtarake.

Në funksion të autonomitetit, pavarësisë dhe emancipimit të përgjithshëm shoqëror e kulturor të shqiptarëve para 28 Nëntorit 1912 ishte dhe Kongresi i Manastirit në vitin 1908 për njësimin e albabetit të gjuhës shqipe, të cilin e organizoi dhe financiarisht e ndihmoi klubi i njohur “Bashkimi” nga Manastiri. Mirëpo, rol vendimtar për pavarësinë e Shqipërisë luajtën kryengritjet e njëpasnjëshme të shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malësisë së Mbishkodrës në vitet 1910-1912, të cilat pastaj u shtrinë në gjithë territorin etnik shqiptar. Për kryengritjet e vitit 1912 politikanët objektivë evropianë të kohës theksuan se shqiptarët ishin ata që “i shembën pirgjet e Perandorisë Osmane mbi kokën e tyre. Janë shqiptarët ata të cilët i shpartalluan turqit, e jo serbët, as bullgarët dhe as grekët”. Këtë të fundit a e dinë të gjithë, a e pranojnë shënimet e sotme historike?

Viti i Madh 1912 ishte dhe vit që prodhoi pasoja të tjera të rënda për shqiptarët: në pikëpamje politike-shtetërore trungu gjeoetnik u nda, me ç’rast Kosova dhe viset përreth mbetën jashtë Shqipërisë politike. Pazarllëqet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 e lanë Kosovën dhe viset e tjera etnike shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, të okupuara nga Serbia me forcë ushtarake. Ushtria serbe bëri mizori të papara mbi shqiptarët. Për fat të keq, këtë gjendje të arritur me dhunë, e verifikoi Konferenca e Versajës në vitin 1919, duke e favorizuar jashtë çdo mase Serbinë. Hilet e disa vendeve evropiane dhe të Rusisë karshi çështjes shqiptare ishin shumë të hapëta dhe po të mos ishte presidenti i atëhershëm amerikan Vudrou Vilson, i cili kundërshtoi planet sekrete të Marrëveshjes së Francës dhe Anglisë të janarit 1920 për copëtimin e mëtejmë të Shqipërisë, nuk do të ishte as kjo Shqipëri e sotme, e rrudhur në 28.748 km². Mirëpo, pa këtë Shqipëri, kështu të rrudhur, sigurisht se nuk do të ishte as kjo Kosovë, njëherë si një autonomi dhe sot si shtet i pavarur dhe sovran, por edhe pa Kosovën, nuk ka dyshim se nuk do të ishte as kjo Shqipëri.

Midis dy luftërave botërore gjendja e shqiptarëve jashtë Shqipërisë politike u përkeqësua edhe më shumë në çdo pikëpamje. Territori shqiptar u copëtua në tri banovina (e Moravës, e Zetës dhe e Vardarit), ndërsa popullsia iu nënshtrua përndjekjeve, shpronësimeve, shpërnguljeve të detyrueshme deri te shfarosja fizike. Gjatë Luftës II Botërore ky territor u nda në tri zona okupuese (italiane, bullgare dhe gjermane). Pas kësaj lufte nuk u bë bashkimi i hapësirës etnike shqiptare në një shtet të vetëm në frymën e Rezolutës së Bujanit (1943-1944), por Kosova, kundër vullnetit të popullit shumicë, në korrik të vitit 1945 u fut me forcë ushtarake nën Serbi/Jugosllavi si “krahinë autonome” (autonomna oblast), me status konstitucional-politik më të ulët se të Vojvodinës. Me këtë pozitë mbeti deri në Kushtetutën e tretë të Jugosllavisë (1963), kur u barazua me Vojvodinën, ndërkaq territoret e tjera shqiptare nuk iu bashkuan Kosovës, por mbetën në tri republika të tjera (të Maqedonisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi). Nga ndarjet e imponuara e të dhunshme pasuan tragjedi të mëdha në rrafshin kombëtar, politik, ekonomik, social, familjar etj.

Fatkeqësisht, rikomponimi territorial i Kosovës mbi bazë të planeve të ndryshme vazhdon të mbetet një kaptinë e hapur deri te kërkesa e fundit e Serbisë zyrtare për pavarësinë e Veriut të Kosovës si entitet autonom serb dhe për pavarësinë territoriale-administrative të enklavave të brendshme serbe, së bashku me monumentet e tyre fetare. Kjo kërkesë mjerisht po gjenë mbështetje edhe te disa qarqe të caktuara ndërkombëtare.

Pavarësia e Shqipërisë dhe Dita e Flamurit erdhën në kontekstin shoqëror shqiptar me kundërthënie të mëdha dhe pa vizione të qarta për ardhmërinë e kombit edhe pse ata defacto u shënuan më 17 Dhjetor 1912 jashtë Shqipërisë, aty ku shënimet ishin në duart e të tjerëve. Pavarësia e Shqipërisë ndodhi në mjedisin e pazhvilluar e të paarsimuar, të diversifikuar në pikëpamje ideologjike, politike e fetare. Kjo gjendje lente mundësinë për ndërhyrje më të mëdha nga jashtë, çfarë ndodhi gjatë tërë shekullit XX (varshmëritë dhe nënshtrimet e njëpasnjëshme nga Austro-Hungaria, Italia, dy Jugosllavitë, BRSS-ja, Kina).

Katër Jugosllavitë, në dimensione të ndryshme, hapësinore e politike, e Versajës më 1919, e Titos më 1945, e Millosheviqit e vitit 1992 dhe e Koshtunicës (Unioni Serbi-Mal i Zi) e vitit 2003, ashtu siç u krijuan mbi bazë të forcës ushtarake dhe të politikës hegjemoniste serbe, ashtu edhe u shkatërruan nga veprimi i konceptit unitarist e militarist. Meritë e shqiptarëve të Kosovës ishte se ditën ta gjenin veten në projektet dhe proceset e perëndimit me të cilat ra sistemi komunist dhe u shpërbë ish-Jugosllavia, sikundër që edhe forcat demokratike dhe antienveriste në Shqipëri u ngritën kundër diktaturës së egër që e la vendin të izoluar dhe më të pazhvilluar në Evropë.

Sot, pas 108 vitesh të Pavarësisë de facto të Shqipërisë, shënimet ende mbesin shënime të tilla, herë të dhimbshme e herë të drithshme, por ne duhet natyrshëm të bëjmë atë që duhet, atë që të gjitha Kombet e bëjnë nga vetëdija dhe arsyeja, jo thjesht nga patriotizmi, se fundja fundit jo më kot George Bernard Shaw e ka thënë bukur „Patriotizmi është, në thelb, një bindje se një vend i veçantë është më i miri në botë, sepse ju keni lindur në të ....“. E pra ne kemi lindur në atë Dhé të dashur dhe sigurisht nga të gjithë ne duhet të bëhet më e mira për të, edhe nga shënime të tilla të vogla, edhe nga shënime që duhet të shkruhen e të dihen nga brezat e nga të Tjerët.

56 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page