Sot në Bruksel...


Bajame Hoxha-Çeliku

Bajame Hoxha-Çeliku

Sot në Bruksel, më datën 14/12/2019, nën drejtimin e deputetit Amet Gjana, u inaugurua qendra kulturore dhe ekonomike “Vatra”, dhe njëkohësisht, u festua dhe festa e shtyrë e 28 nëntorit nga tërmeti që goditi Shqipërinë më 26 nëntor. Në këtë urim, morën pjesë autoritetet më të larta rajonale, si Ministri-President i Rajonit të Brukselit z. Rudi Vervoort dhe Ministrja rajonale e kohezionit social znj. Nawal Ben Hamou, dhe znj. Catherine Moureaux, Kryetarja e komunës Molenbeek! Ishin të pranishëm dhe anëtari i kryesisë z. Abderrachid Azdad dhe shoqatat e ndryshme, në veçanti Iliria Tongeren! Nga Kosova nderuan këtë event, profesor Nusret Pllana, autor librash e kronikash mbi temën e kujtesës së gjenocidit serb ndaj shqiptarëve dhe një përfaqësues i ambasadës së Kosovës! Nga bota e biznesit, një kontribut të veçantë për ngritjen e qendrës “Vatra”, dha z. Nurijet Ebibi të Brico Alma, i cili mori të gjitha falënderimet! Prindërit e nxënësve të shkollës shqipe dhe pjesëtarët e komunitetit shqiptar morën pjesë në mënyrë masive në këtë përurim të jashtëzakonshëm, ku nuk munguan këngët e vallet patriotike nën himnin e flamurit kombëtar nga nxënësit e shkollës shqipe, që drejton z. Gjana! Nxënësit e shkollës shqipe dhe pjesëtarët e grupit “Vatra” mahnitën publikun me performancat e tyre, me veshjet kombëtare të përgatitura nën drejtimin e znj. Vaile Shkodra - Azizi! Ajo që më bëri përshtypje e që më ra më tepër në sy, qe prezantimi ndryshe nga herët e tjera, më e madhërishme festë, dhe që u paraqitë si një surprizë mjaft e bukur dhe shumë domethënëse, ku syri i mprehtë i një artisti nuk do t’i shpëtonte dot pa u ndalur e pa e studiuar atë çfarë ka dashur të japë e të thotë autorja e një pikture aq madhështore. Aty në mes flamujve kuq e zi që valëviteshin, u prezantua flamuri ynë edhe në një formë tjetër, që vinte si një përqafim i ngrohtë, afronte paqe, dashuri, me shqiponjën dy krenare, po për çudi, në mes mbante një zemër të madhe të rrethuar nga një garniturë e verdhë, dhe përsëri në mes të kësaj zemre të sheh syri dy duar që formojnë krahët e shqiponjës të pikturuara, dhe në njërën dorë është pikturuar harta e Kosovës, e në tjetrën e Shqipërisë. Në atë zemër, në atë flamur shqiptar, në ato ngjyra aq bukur të kombinuara, jo pa një qëllim ishte shtuar rreth zemrës kordoni i verdhë, brenda atyre tre ngjyrave shpalosej edhe flamuri Belg. Kjo ide ishte e një shqiptareje e cila e pikturoi me dashuri për të tre shtetet, dhe kjo zonjë ishte bashkëshortja e deputetit shqiptar në belgjikë znj.Sylbie Gjana. Në përfundim të aktivitetit, u pre shiriti inaugurues nga deputeti i mirënjohur dhe kontribuuesi kryesor z.Amet Gjana! Qendrës kulturore dhe ekonomike “Vatra” i urojmë mbarësi dhe aktivitete të shpeshta në favor të komunitetit shqiptar në Belgjikë!


#Bajame Hoxha-Çeliku

11 views

Shkrimet e fundit