Lajme Shkurt 07 Prill 2020:
Sot është dita ndërkombëtare e mjekëve
Mjekët dhe punonjësit e tjerë shqiptarë të shëndetësisë janë krahas mjekëve të tjerë britanikë në frontin e parë të luftës me Covid – 19. Ata kanë merituar duartrokitjet dhe respektin e të gjithëve këto ditë.
Bizneset shqiptare të ndërtimit
Disa nga bizneset shqiptare të përqëndruara në fushën e ndërtimit ende po vazhdojnë punën e tyre duke respektuar rregullat e caktuara në këtë kohë të luftës me coronavirusin.
Këngë për koronavirusin
Ndërsa koronavirusi vazhdon të mbajë ende në izolim vendet e prekura prej tij, një frymëzim folklorik ka ngjallur tek disa këngëtarë, tek disa amatorë dhe disa parodistë që ti përkushtohen me këngë e parodi.
Më miqësorë
Rrjetet sociale të këtyre ditëve kanë zbuluar mjaft arsye që na bëjnë të jemi tashmë më njerëzorë dhe miqësorë me njëri-tjetrin.
Biznesmeni Aqif Neli
Biznesmeni shqiptar Aqif Neli, shkruan në statusin e tij se Vitin tjetër ai kërkon që tapeti i kuq të shtrohet për punonjësit e shëndetësisë që janë në frontin e parë të luftës me covid-19. Ai shprehet se “Vitin tjetër dua të shoh infermierë, mjekë, ushtarakë, njerëzit e frontit të parë, mësues, kujdestarë, punonjës mbështetës, punëtorë dyqanesh, shoferë kamionësh, farmacistë, punonjës socialë të jenë meritorët e mëdhenj e të respktuarit e radhës. Ne duhet të nderojmë heronjtë e vërtetë në shoqërinë tonë për një ndryshim!”
Humanizëm i biznesmenit shqiptar
Një tjetër biznesmen shqiptar, Gazmend Cufaj, që këto ditë është në ndihmë të njerëzve në nevojë për shkak të situatës së rënduar sidomos tek disa nga klientët e tij, ka shprehur nga larg iniciativën e tij për të paguar ai shpenzimet e shqiptarëve të bllokuar në kufirin midis dy shteteve Greqi dhe Shqipëri.
Koronavirus në Londër:
Në të gjithë Anglinë, u regjistruan gjithsej 403 vdekje ndërmjet orës 17:00 të së Shtunës (4 Prill) dhe 17:00 të Dielën (5 Prill), sipas shifrave të fundit të publikuara. Nga të 403, 129 janë regjistruar rreth kryeqytetit, ku përhapja e virusit është më e rëndë se pjesa tjetër e vendit. Deri më tani, një total prej 4,893 kanë vdekur në Angli, dhe 5.373 në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Pak më shumë se gjysma e vdekjeve të lidhura me koronavirusin e njoftuar nga spitalet në Angli deri më tani kanë qenë njerëz të moshës 80 vjeç e lart, sipas NHS England. Numri i përgjithshëm i jetëve të humbura në Londër tani ka arritur në 1.353.
Koronavirus në Londër:
Kryetari i bashkisë së Londrës, Sadiq Khan konfirmon se 8 shoferë të autobusëve në Londër dhe 1 punonjës i Undergroundit kanë vdekur. Kjo vjen pasi u njoftua në fundjavë se pesë shoferë të autobusëve në Londër kishin vdekur.
Pamje nga Croydon:
Croydon nuk ka qenë kurrë më i qetë. Qendra e qytetit duket plotësisht e transformuar ndërsa shkojmë drejt fundit të dy javëve nën rregullat e ndryshimit të jetës që mund të zgjasin deri në verë. Shumë dyqane dhe biznese janë të mbyllura, vetëm në rastin e atyre që shesin sende thelbësore, duke kufizuar ndjeshëm numrin e blerësve të lejuar në çdo kohë.
Ngjarje dite:
Një burrë në të 40-tat u transportua urgjentisht në spital pasi u godit disa herë me thikë në afërsi të Kilburn High Road të Londrës. Oficerët nga Policia Metropolitane u thirrën në incidentin e rëndë në Rrugën Quex pas raportimeve për përdorimin e thikës. Një mashkull në të 20-tat është arrestuar pasi dyshohet për vrasje në tentativë dhe u mor në paraburgim në Veri të Londrës.
Nga politika:
Deputetja e partisë Laburiste për zonën e Tooting dhe doktoresha e departamentit të emergjencës në Spitalin e St Georges, Dr Rosena Allin-Khan, ka arritur një klasifikim të papritur në konkurimin për udhëheqjen e Zëvendësit të Partisë Laburiste.
Pavarësisht se ishte relativisht e panjohur jashtë Tooting para konkurimit, Dr Allin-Khan fitoi një popullaritet të madh, duke u mposhtur vetëm nga pararendësja Angela Rayner për pozicionin në fjalë. Vendimi erdhi në raundin e tretë të votimit i cili u shpall këtë fundjavë.
Këtë mëngjes Dr Allin-Khan u emërua Ministër Hije për Shëndetin Mendor nga Udhëheqësi i ri i Partisë laburiste, Sir Keir Starmer dhe do të punojë së bashku me Ministrin e Shëndetit i Qeverisë Hije, Jonathan Ashworth.
Comments