Vështronte siprinën e bardhë të tryezës. Tryeza ishte e madhe, por nuk u morr me përmasat. Ajo ishte e bardhë, kjo i mjaftonte për kënaqësinë. Ishte edhe e zbrazët. Edhe kjo i bashkëngjitej kënaqësisë. Një siprinë tryeze e mbushur me sende nuk është për shijet e tij. Filloi ta kalonte vështrimin shumë herë mbi siprinë. Asnjë pengesë nuk i ndeshi vështrimi. Nuk donte të ndjente asgjë tjetër. I mjaftonte që siprina e tryezës ishte e bardhë, e zbrazur dhe e madhe. Ishte i kënaqur që po e vizitonte me vështrim të bardhën, zbrazësinë dhe madhësinë e saj. I doli një Ah! E bardha, zbrazëtia dhe madhësia e tryezës i ishin bërë thelbet e kënaqësisë. Ajo “Ah!” i kishte shpërthyer ndjesitë. Për këtë arsye iu shtua dëshira për ta këqyrur siprinën e tryezës. Që në fillim kishte mbetur në këndin e majtë të saj dhe s’donte ta shkëmbente atë kënd. Prej andej e këqyrte gjithë siprinën e bardhë. Po ndjente se ndjesitë po i rriteshin dhe e bardha po bëhej më e bukur. Zbrazëtia i bashkëngjitej së bardhës dhe i dukej si cilësi e lindur prej saj. Edhe madhësinë e ndjente si cilësi të së bardhës. Tani e bardha ishte bërë më e bukur. Nuk i kishte lodhur kurrë sytë me vështrim të pëqëndruar. I pëlqente që ta kalonte vështrimin shpejt mbi sendet. U merrte ngjyrën në kujtesë dhe, ndonjëherë edhe trajtat, dhe kaq i mjaftonte. Kishte kujtuar sende të tjera dhe e bardha e siprinës ra në qetësi. Edhe ndjesitë i ishin tkurur. E kishte ngjyrën e tij të dashur të bardhën dhe donte që ajo të bëhej gjithnjë e më e bukur. E pa përsëri siprinën. E bardha e saj u gjallërua. Ndjeu se edhe ndjesitë ia goditën trupin me amzat e tyre. Përsëri ndjeu se kësaj të bardhe i shkonte shumë zbrazëtia, se madhësia e tryzezës i ndihmonte, edhe bardhësinë edhe zbrazëtinë, dhe përsëri lëshoi një Oh! Vështrimi iu bë më i gëzuar dhe më i lehtë dhe i kaloi mbi gjithë sipërfaqen e siprinës. Ja ndalën vështrimin dy krujtëse dhëmbësh në këndin e majtë, përballë. Oh-ja s’mundi ta mbulojë me kënaqësinë e saj gjithë siprinën. Ndjesitë ju mrolën. Vështrimi i syve iu bë i shqetësuar. Dy kruajse dhëmbësh mbi bardhësinë? Dy kruajtëse dhëmbësh mbi zbrazëtinë? Dy kruajtse dhëmbësh mbi madhësinë? Tani i dha më shumë rëndësi zbrazëtisë që ishte prishur nga dy kruajtse dhëmbësh. E kishte kaluar vështrimin shumë herë mbi siprinën e bardhë, por nuk i kishte vërrejtur kruajtëset e dhëmbëve. Ato kishin qënë të bashkuara me bardhësinë, me zbrazëtinë dhe me madhësinë e siprinës. Kruajtëset, në këndin e majtë, përballë, ishin afër njëra – tjetrës, njëra qëndronte shtrembër me vijën kufizuese të tryezës. Nuk deshi ti këqyrë kruajtset. Ato i kishin prishur kënaqësinë e së bardhës së tij të dashur, i kishin prishur lidhjen e së bardhës së tij të dashur me zbrazëtinë, i kishin prishur edhe lidhjen e tyre me madhësinë. Donte të kujtonte emrin, por ndjesitë i kishin ikur, i kishin marrë edhe emrin. Ju kujtua një emër, Durim Kalbaj. Mund të ishte i tij. Pa jashtë dritareve. Ai nuk i kishte lodhur kurrë sytë me vështrim të përqëndruar.
Patra 30 dhjetor 2020.
Comments