top of page

SHËNIME PËR JETËN NË IKJE


ADRIANA MYRTAJ SHËNIME PËR JETËN NË IKJE (2004-2014)

E Dielë, 9 Maj 2004 U bënë shtatë muaj që e lamë Shqipërinë, janë shënimet e para që kur ndodhemi në Kanada. Akoma nuk jemi përshtatur as me ajrin e as me diellin që rreh faqet e kësaj ane të planetit. 7 dete kaptuar! Edhe në ëndërr mezi e shoh Shqipërinë!

Si ndodhi që iu vumë udhës së emigrimit familjarisht? Ka gjithmonë arsye për vendimet e mëdha. “Diçka-ja” që nuk funksionon dhe pengon elementët përbërës që ka jeta, të kërkon të bësh ndryshime që të dalësh prej kushteve ku të kanë vënë rrethanat e një-pas-njëshme. Vendimi i madh megjithatë nuk është produkt i momentit, por përmbyllje e një mendimi dhe shqetësimi të shtrirë në kohë. Më në fund e vendos se çfarë ane do të mbash për të dalë nga rrethana e pafavorshme apo nga situata ku janë ngatërruar të gjithë elementët e jetës tënde.

Marrja e vendimit ka filluar në të vërtetë diku brenda teje, vetëm shfaqja ndodh kur vjen momenti që kushtet e detajet të jenë gati për ta lejuar të ndodhë.

Vendimi për emigrimin është si një lloj kundër veprimi ndaj faktorëve që ti ndjen se janë duke kërkuar “kokën” tënde. Koka nuk është kjo që mbajnë shpatullat, por e gjithë brendia që je. Vendimet e mëdha, edhe pasi janë marrë dhe janë hedhur hapa për t’i përmbushur, mbeten të shoqëruara me pasiguri.

Po sikur situata të mos jetë kuptuar drejt? Njeriu në përgjithësi i sheh gjërat të dyzuara, herë bardhë e herë zi. Mund të ketë ndodhur që ke parë e besuar vetëm njërën prej tyre. Se kë, varet nga këndvështrimi i momentit ku je ndodhur dhe cilës anë pate vendosur t’i japësh rëndësi. Vetja të kërkon të vendosësh për hapin më të mirë që të mundësojnë rrethanat. Për asnjërën anë nga vendos të mbash drejtimin tënd nuk je në gjendje të parashikosh detajet. Megjithatë, duhet të veprosh shpejt duke bërë përpara e duke i besuar vetes, asaj që njeh e di që je së brendshmi. Dita shtrihet përpara pa e pasur alternativën e të qëndruarit mënjanë i pa përfshirë në të. Me gjithë pasigurinë se ç ‘mund të sjellë ajo ditë, duhet të zgjedhësh e bësh përpara me të.

Koha në të cilën fati më pruri të jem dëshmitare është e turbullt. Toka, si oqeani në të cilin mblidhen ujëra të kohërave e mbeten në të, mban të grumbulluara çështjet e pazgjidhura të njeriut që prej fillimit të kohëve. Indiferenca dhe pasiviteti i njeriut që shkon përditë në to më ngjasojnë me sjelljen e një të sëmuri që nuk e kupton më se ku dhe çfarë i dhemb...

Jeta është një përmbledhje ngjarjesh të pafundme, marrje vendimesh për secilën. Integriteti është shtysa e parë e brendshme që përcakton brendinë në të. Në atë fund ku je dhe ku gjithçka që ti dëshiron të kërcënohet, çfarë mund të humbasësh?

Aty mbaron vetja...! Përtej s’ka gjë tjetër. Ikja është vendim i madh i njeriut që nuk e pranon dështimin!

E Hënë, 10 Maj 2004 Shqipëria doli e varfër nga sistemi i Hoxhës. I varfër dhe i lënduar së brendshmi, I ndarë në kampe me etiketime, viktima dhe xhelatë, të akuzuar dhe akuzues, shërbëtorë të së vjetrës dhe servilë të së resë. Një varg ngjarjesh të trishtuara politike dhe pak shpresë se Shqipëria do ndahet shpejt prej së shkuarës… E duam Shqipërinë si gjithë Evropa. Evropa nuk e provoi diktaturën pesëdhjetë vjecare të komunizmit. Hyri dalëngadalë në rrugën e zhvillimit, bëri një tjetër mbret e idhull, megjithatë, paranë. Punët e saj, janë të sajat. Evropa do kuptojë për veten kur të jetë ora për të… Ata që e morën përsipër ta drejtojnë, klasa politike në përgjithësi, menduan se janë në garë vrapi për të dalë në krye pa treguar kujdesin e detajeve, pa u thelluar në to. Duke parë se cilët ishin, nga cfarë e shkuare vinin, mendja të thotë do kërkohej kohë. Duket, fati i një populli është përgjegjësi kolektive, përvojë kolektive…

Zhvillimi s’vjen me të rënë të shkopit si në përralla: “Susam, hapu!”. Nuk hapet, deri sa të jetë kuptuar se të mirën e kemi të përbashkët. Kush vrapon për të dalë përpara e mbledhur favore për veten, është pjesë e së shkuarës, që dëmton përparimin e ndaj nuk duhet besuar të vetë shpallet i pari ynë…

Unë zgjodha të iki. Jam grua e nënë. I shoh dhe i kuptoj ngjarjet që ndodhin përreth. Zemra më regëtin për fëmijët që solla në jetë. Dua t’i mbroj ata duke i mbajtur larg interesave dhe garës për privilegje të një klase të re politike që është shëmbëlltyrë e së shkuarës, larg urrejtjes… Urrejtja është e akullt. Urrejtja nuk afron, as nuk bashkon shqiptarët për ideal, nuk ndërton asgjë të mirë, por veç e vonon të ardhmen...

Fëmijët duhen ndihmuar të jenë në tokë të sigurt. Të rriten e piqen në demokraci. Shqipërinë e kanë me vete në gjakun e tyre. Në ëndrrën qe rritin për të, të ketë prosperitet. Një ditë do u duhet të na kthejnë të paktën ne të dyve atje. Duke mbetur vetë të lidhur pazgjidhshmërisht me baltën e vendit ku u lindën.

Pse vendimi ynë për emigrim? Pa shih sa arsye dhashë për “përse-në”. Asnjë prej ne të dyve nuk zgjodhi rrugët e para që ndoqën shqiptarët masivisht. Do ta kem këtë pjesë në kujtimet e mia të jetës, ngjarjet e anijeve, të mbushjes së ambasadave, të mundësive për karrierë politike e pastaj për privilegje në Shqipëri. Në kohën që mundoheshim të siguronim një strehë për veten në Tiranë, duke provuar të ishim deri edhe mes ish të persekutuarve e ish të burgosurve që dolën nga kampet e burgjet e sistemit të komunizmit dhe zunë magazinat për t’i përshtatur për banim. Edhe unë me Farukun mes tyre, provuam të vëmë një dryn në një ngrehinë të tillë, që nuk e gjetëm më aty një minutë më pas.

Ndërkohë, e pata plotësuar disa herë formularin për lotarinë amerikane pa e pasur bindjen e brendshme se fitohet ndonjëherë nëpërmjet lotarive. Dëgjova për mundësi emigrimi në Kanada, që ndryshe nga lotaria amerikane, nuk varej tërësisht prej fatit, por ishte një mundësi gjysmë për gjysmë, ku unë vetë isha “palë” në të.

Në veten duhet besuar, se veten e ke në dorë ta “urdhërosh” të bëjë ndryshimet që beson se duhen bërë. Veten e aprovon apo e kundërshton, e këshillon, i kërkon të ketë edhe disiplinë. Vetja nuk keqkupton, por i bindet vullnetit të saj të brendshëm.

Në këto kushte ngjarjesh dhe pasigurie, ia “dhashë” aprovimin vetes të lëvizë, të bëjë diçka, të marrë qoftë edhe një vendim të madh sa ikja, duke e lënë të shkuarën dhe veten e njëhershme pas shpine. “Sa të jetë gjallë, njeriu do përpiqet të rregullojë. Edhe lopa, e rregullon me këmbë vendin ku bie të flejë”, thoshte im atë.

U interesova për formularët e aplikimit. Pyetjes nëse e njihja anglishten iu përgjigja pa hezitim “Po”. Në pritje të përgjigjes paraprake prej konsullatës kanadeze fillova një kurs të anglishtes krahas punës së rregullt dhe tjetrës part-time.

Nuk iu mërzita Farukut që s’e mori asnjëherë seriozisht idenë e ikjes, madje duke e kuptuar kur një ditë më tha se: “I vinte turp edhe ta mendonte emigrimin!”. Jeta e njeriut është si një shtëpi e vendosur mbi rrota. Duhet të jesh gati ta ndjekësh duke guxuar!

Jemi këtu tani. Me ndihmën e miqve tanë, Adriatikut dhe Elenit, që na pritën e mbështetën sa arritëm, (përgjithmonë mirënjohës) u rregulluam. E shkuara është pas. Përpiqem të kuptoj ku jam dhe të mbetem e përqendruar në ditët përpara. Ndjesia se jeta ka të njëjtën rrjedhje pa u thyer a mbajtur gjëkundi, është e fortë. Jeta, si uji, rrjedh, konsumohet dhe derdhet në ujërat e Pa Shterësi-së. E djeshmja dhe e sotmja janë kapur e ngatërruar në njëra tjetrën sa është zor ndonjëherë të kuptoj se ku jam momentalisht: në atë dje, apo në këtë sot.

40 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page