top of page

Shqiptarët drejt Autonomisë Janar-Gusht 1912


Në kontekstin promotor të këtij diskursi të influencës mund të konsiderohet edhe autori Muhamet Shatri me botimin e tij „Shqiptarët drejt Autonomisë Janar-Gusht 1912“ (Prishtinë, 2022). Ky libër që fuknksionon si monografi, ka sjellë një sërë risish faktologjike dhe analitike, të mbështetura kryesisht në doku-mentet arkivore të pabotuara dhe të botuara. Sikurse dihet autori është mbështetur në arritjet e deritanishme të historiografisë shqiptare dhe asaj të huaj, veçanërisht në veprën e historianit të njohur, Ramiz Abdyli, me titull Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1912, në të cilën ai ka trajtuar në mënyrë të gjithanshme, përpjekjet dhe luftën e popullit shqiptar për liri e pavarësi nga Perandoria Osmane. Kjo vepër, e përkthyer edhe në gjuhën maqedonase, është pritur me shumë interes nga qarqe shkencore të vendeve fqinje dhe më gjerë. Ajo më ka shërbyer si një bazë orientuese metodologjike edhe për hartimin e kësaj monografie. (Fatmir Terziu)


PARATHËNIE

Punën për hartimin e kësaj monografie e kam filluar shumë vite më parë, kur Kosova rënkonte nën thundrën e pushtuesit serb, por ajo u desh të ndërpritej, sepse atëkohë kërkohej që çdonjëri prej nesh të angazhohej me aq sa kishte mundësi për të dalë një herë e mirë nga errësira e robërisë. Pas çlirimit të Kosovës u përfshiva në një punë afatgjatë për të realizuar pjesë nga projektet e Institutit të Historisë së Kosovës, Institutit të Historisë të Shqipërisë, etj. Angazhimin më me ngulm për përfundimin e kësaj monografie e kam vazhduar kur u aktualizua shumë çështja e raporteve shqiptaro-osmane dhe kur u kërkua rishikimi i përmbajtjes së teksteve shkollore të his-torisë për këtë çështje.

Nëpërmjet kësaj monografie jam përpjekur të ndihmoj sado pak për të sqaruar, në mënyre objektive shkencore, kushtet dhe rrethanat, por edhe rrjedhat e Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912, trashëgiminë dhe rëndësinë e saj. Krahas kësaj, kam bërë përpjekje për trajtimin edhe të politikës së shteteve fqinje dhe të Fuqive të Mëdha ndaj Shqipërisë, sidomos synimet ekspansioniste dhe veprimet e tyre antishqiptare.

Nxitje për të kryer këtë studim monografik kanë qenë edhe disa autorë të huaj, të cilët, edhe përkundër faktit se shqiptarët asnjëherë nuk u pajtuan me robërinë osmane, kanë shprehur habinë pse ata, si i vetmi komb me shumicë myslimane në Evropë, donin të shkëputeshin nga Perandoria e Kalifati dhe të jetonin të lirë e të pavarur, ashtu si fqinjët e tyre të krishterë. Megjithatë, duhet theksuar se kohët e fundit po vërehet një qasje më objektive (Noel Malcolm dhe të tjerë) për traj-timin e historisë shqiptare.

Autorët e vendeve fqinje kanë publikuar shkrime që kanë përmbajtje antishkencore dhe paragjykuese ndaj së kaluarës se shqiptarëve, duke i mohuar lëvizjes shqiptare çdo “vulë kombëtare” dhe popullit shqiptar çdo aftësi për një jetë politike të pavarur dhe për ngritjen arsimore e kulturore. Autorët serbë, grekë, malazez e maqedonas po vazhdojnë me injorimin e historisë dhe të drejtës së shqiptarëve, për të qenë zot në trojet e veta. Kohët e fundit Akademia së Shkencave të Maqedonisë ka dalë me një “Enciklopedi”, në të cilën shqiptarët trajtohen si ardhacakë në trojet e veta, kurse në “Enciklopedinë” e Malit të Zi e mohojnë prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe autoktoninë e tyre dhe i paraqesin ata si albanizues të popujve të tjerë. Këto publikime fatkeqësisht nuk patën ndonjë reagim të merituar nga asnjëra prej Akademive shqiptare, përveç reagimeve që bënë studiues të veçantë.

Për hartimin e kësaj monografie jam mbështetur në arritjet e deritanishme të historiografisë shqiptare dhe asaj të huaj, veçanërisht në veprën e historianit të njohur, Ramiz Abdyli, me titull Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1912, në të cilën ai ka trajtuar në mënyrë të gjithanshme, përpjekjet dhe luftën e popullit shqiptar për liri e pavarësi nga Perandoria Osmane. Kjo vepër, e përkthyer edhe në gjuhën maqedonase, është pritur me shumë interes nga qarqe shkencore të vendeve fqinje dhe më gjerë. Ajo më ka shërbyer si një bazë orientuese metodologjike edhe për hartimin e kësaj monografie.

Monografia “Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare e vitit 1912” ka sjellë një sërë risish faktologjike dhe analitike, të mbështetura kryesisht në dokumentet arkivore të pabotuara dhe të botuara. Dokumentet malazeze i kam hulumtuar në arkivat e Malit të Zi, i angazhuar nga Instituti i Historisë në Tiranë, në kuadër të projektit për Historinë e Shqiptarëve gjatë shekullit XX. Dokumentet serbe i kam hulumtuar shumë vite më parë në Arkivin e Jugosllavisë dhe të Serbisë, si dhe në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd. Mirëpo, pjesa më të madhe e dokumenteve është hulumtuar dhe përzgjedhur në Arkivin e Institutit të Historisë në Tiranë. Ato janë fonde të tëra dokumentesh të hulumtuara nga studiues të mëhershëm në arkivat austriakë, francezë, rusë, italianë, britanikë, jugosllavë, bullgarë. Një pjesë e këtyre materialeve janë të përk-thyera në gjuhën shqipe prej intelektualëve të anatemuar nga sistemi monist, të cilët nuk kanë pasur të drejtë të shënojnë as autorësinë e angazhimit të tyre. Ndërkaq, një sërë vëllimesh me dokumente franceze, britanike, dhe austro-hungareze janë botuar nga Instituti i Historisë në Tira-në, nën drejtimin e akademik Beqir Metës. Edhe Instituti i Historisë në Prishtinë ka botuar dy vëllime me dokumente franceze e ruse të cilat e kompletojnë korpusin e dokumenteve të përzgje-dhura nga arkivat e Fuqive të Mëdha më të angazhuara në çështjen shqiptare. Krahas këtyre, kam shfrytëzuar edhe dokumentet serbe, të botuara nga Akademia e Shkencave të Serbisë dhe ato që janë botuar në gjuhën shqipe nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, të përzgjedhura dhe të redaktuara nga Zekeria Cana. Ai, në bazë të këtyre dokumenteve dhe erudicionit si shkencëtar, ka arritur t’i njohë shumë mirë rrjedhat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë dhe politikën antishqiptare të Serbisë. Gjithashtu, kam shfrytëzuar gjerësisht edhe dokumentet e botuara shqiptare, si Përmbledhje artikujsh nga shtypi, Akte të Rilindjes Kombëtare, Përmbledhje doku-mentesh për Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, për shoqëritë patriotike jashtë atdheut, për Çështjen shqiptare në Aktet Ndërkombëtare, Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare etj.

Të dhëna me interes ofrojnë edhe kujtimet e botuara dhe të pabotuara të protagonistëve dhe të vrojtuesve të tjerë të rrjedhave dhe të epilogut të Kryengritjes së Përgjithshme.

Për hartimin e këtij studimi kam shfrytëzuar edhe shtypin e kohës. Nga shtypi shqiptar, i jam referuar kryesisht gazetës Liri e Shqipërisë, e cila ishte tribunë e ideve më të përparuara për shkëputjen e plotë dhe sa më parë të Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Nga shtypi serb kam shfrytëzuar gjerësisht gazetën gjysmëzyrtare Politika të Beogradit si dhe gazetën Vardar, që botohej në kryeqytetin e vilajetit të Kosovës në Shkup. Kjo pjesë e shtypit ka përcjellë vazhdimísht rrjedhat e kryengritjes dhe zhvillimet rreth saj, duke u bërë jehonë atyre momenteve që ishin në funksion të synimeve pushtuese të qarqeve drejtuese të Beogradit dhe të vendeve të tjera ballkanike. Disi më objektiv ka qenë shtypi i opozitës serbe, sidomos ai i Partisë Socialdemokrate (Gazeta Radniçke Novine). Kjo gazetë i bënte jehonë kryengritjes, duke e trajtuar si revolucion të vërtetë dhe i njihte popullit shqiptar të drejtën për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Mirëpo, as kjo pjesë e shtypit nuk shprehej qartë për fatin e Kosovës dhe të territoreve që pretendoheshin nga Serbia dhe Mali i Zi.

Kam shfrytëzuar, në një masë më të vogël, një pjesë të shtypit evropian, sidomos atë të Austro-Hungarisë, Francës dhe të Anglisë, të cilin e kanë përzgjedhur dhe përkthyer atëkohë diplomatë të akredituar në kryeqytetet e këtyre shteteve dhe që gjendet në trajtën e shtojcave në dokumentet diplomatike që kam shfrytëzuar.

Monografia Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare Kundërosmane e vitit 1912, përshkruan shtrirjen territoriale dhe numrin e banorëve në trevat shqiptare në prag të saj; ndarjen territoriale-administrative osmane; gjendjen ekonomike dhe kulturo- arsimore në Shqipëri, por edhe në Perandorinë Osmane. Në vazhdim, përshkruhen shkaqet dhe përgatitjet për fillimin e kryengritjes si dhe përpjekjet e drejtuesve të lëvizjes kryengritëse për të bashkëpunuar me popujt fqinjë dhe me popujt e tjerë, që ende lëngonin nën sundimin osman. Megjithatë, boshtin e monografisë e përbëjnë kryengritja dhe rrjedhat e saj nëpër të gjitha trevat shqiptare si dhe qën-drimi i shteteve ballkanike dhe i Fuqive të Mëdha evropiane ndaj saj.

Dua të theksoj me këtë rast bashkëpunimin dhe ndihmën e pakursyer të miqve dhe kolegëve të nderuar, të cilët, me sugjerimet, sigurimin e të dhënave dhe mundësimin e kontakteve me pasardhësit e protagonistëve dhe me njohës të këtyre ngjarjeve, por edhe me përcjelljen e punës, kanë bërë që të ndihem më i sigurt në rrugën e mundimshme për hartimin e kësaj monografie. Në këtë pikëpamje çmoj ndihmën e miqve Xhevat Lloshi, Skënder Gashi, Hysen Matoshi, Lulëzim Lajçi, Vehap Shita, Iljaz Rexha, Anton Pançev, Fazli Hajrizi, Bardhyl Selimi, Xhemajl Ahmeti dhe Fetah Bahtiri, Metë Shatri et., qoftë lidhur me përkthimin nga gjuhët e huaja, qoftë lidhur me sigurimin dhe redaktimin e një pjese të të dhënave plotësuese që janë vënë në formë shënimesh nën tekstin themeltar, ndërkaq kolegun Iljaz Rexha edhe për ndihmesën në hartimin e Fjalorthit të termave osmane. Ia di për nder edhe redaktores dhe korrektores gjuhësore, znj. Meliha Balla për punën e kryer me profesionalizëm e shumë përkushtim. Falënderoj edhe mbesën Hyrë Jasharaj për ndihmën e pakursyer për rregulli-min e indeksit të emrave.

U shpreh mirënjohje të thellë recensentëve e miqve Izber Hoti, Beqir Meta dhe Xheladin Shala, që e vlerësuan këtë monografi si mbështetje për konkurrim në grandet e Ministrisë së Arsimit Shkencës e Teknologjisë (MASHT) dedikuar veprimtarisë botuese. Kolegët e përmendur, me sugjerime konkrete dhe me redaktim e disa pjesëve, i kontribuuan përmbajtjes së monografisë.

I detyroj një falënderim të veçantë drejtorit Bajram Shatri, i cili e pa të udhës që kjo monografi të botohet nga Libri Shkollor në kuadër të bibliotekës Botime të veçanta.

Për përgatitjen teknike falënderoj kryeredaktorin Refik Bekteshi dhe redaktorët teknik Nijazi Hashani e Blerim Hasanaj.

Për angazhim dhe përkujdesje në procesin e konkurrimit falënderoj Ukë Osmanajn, udhëheqës i Divizionit për Shkencë të MASHT-it. Falënderoj, gjithashtu, Sabile Keçmezi - Basha dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Shkencor, si dhe Divizionin e Shkencës të MASHT-it që e përzgjodhën këtë studim për botim.

Falënderim të përjetshëm për profesorët nga Tirana, Arben Puto, Stefanaq Pollo dhe Zija Xholi, tek të cilët i kam ndjekur ligjëratat gjatë studimeve pasuniversitare e të cilët kanë lënë gjurmë në formimin tim profesional. Gjithashtu, ndaj tyre kam qenë gjithmonë mirënjohës që më përzgjodhën të jem në radhët e studiuesve, duke më rekomanduar si kuadër shkencor në Institutin e Historisë së Kosovës.

Falënderim dhe respekt të pakufishëm për njërin nga themeluesit e shkollës sonë të historiografisë, profesorin tim të nderuar, akademik Ali Hadrin, që me pranoi në Institut, mu në kohën kur donin të më largonin nga procesi edukativ-arsimor dhe më zgjodhi si njërin nga tre asistentët të periudhës me të cilën merrej ai, duke më bërë kështu bashkëpunëtorin e tij në rrugën shumë të mundimshme të veprimtarisë shkencore dhe të qëndresës intelektuale. Falënderoj për mbështetje edhe kolegët e Institutit me të cilët qëndruam bashkë të papërkulur dhe kontribuuam që ky institucion të bëhej vatër e angazhimeve kundër dhunës e terrorit serb, duke u vënë në funksion të përpjekjeve për pavarësinë e Kosovës, për çka nga organet politiko-shtetërore, shtypi e mjetet e tjera të informacionit, u quajt vatër e nacionalizmit dhe e irredentizmit shqiptar, ndërsa, më vonë, me këtë motivacion edhe e mbyllën. Mirëpo, pjesa më e madhe e kolektivit tonë, sikurse edhe ai i institucioneve e tjera arsimore, shkencore e kulturore të Kosovës, nuk iu nën-shtrua diktatit të pushtetit serb, përkundrazi vazhdoi të punonte dhe ta mbante gjallë frymën kombëtare të historiografisë sonë.

Kjo monografi, e cila po e sheh dritën e botimit në kohën kur tashmë jam në një moshë të shtyrë, më nxit ndjenjën e një respekti të veçantë për mikun tim të moçëm, Ramiz Abdylin, të cilit i jam thellësisht mirënjohës për ndihmën e pakursyer profesionale, për dashamirësinë e pafundme ndaj meje, që nga fillimi i veprimtarisë sime kërkimore shkencore e deri më sot.

I shpreh falënderim të posaçëm edhe bashkëshortes sime, Havës, e cila gjatë pjesës më të madhe të kohës, sa jemi bashkë, mori mbi vete barrën e përkujdesjes për fëmijët dhe prindërit e mi, si dhe për ekonominë familjare, duke më mundësuar kështu veprimtarinë shoqërore dhe punën kërkimore-shkencore. Falënderoj edhe vajzat Nexhmien dhe Albanën, djemtë Luanin e Kushtrimin dhe mbesat Aurelën, Aurorën, Alisën, Lean, Elsën dhe Ronelën si dhe nipat Engjëllin, Lionin dhe Norik Emin Shatrin, që më dhuruan ngrohtësi e dashuri gjatë kësaj pune të lodhshme, por edhe përgjithësisht në jetën time të ngarkuar më shumë halle e sakrifica.

Posaçërisht, falënderoj Mbretërinë e Suedisë dhe njerëzit e saj zemërbujarë, të cilët, kur u detyrova të largohesha nga Kosova, më strehuan bashkë me familjen dhe për më tepër me mundësuar që të kontribuoj për vendim tim në kuadrin e komunitetit shqiptar në këtë vend dhe më gjerë. Po kështu më mundësuan edhe të vazhdoj veprimtarinë kërkimore shkencore, kurse pasar-dhësve të mi iu siguruan mirëqenie sociale dhe ardhmëri të sigurt.


SHËNIME PËR AUTORIN



Muhamet Shatri u lind më 17 korrik 1946 në fshatin Tomoc, Komuna e Istogut. Shkollën fillore e mbaroi më 1961 në Muzhevinë dhe në Gurakoc, ndërsa gjimnazin më 1965 në Pejë. Studimet universitare i ndoqi në Fakultetin Filozofik - Dega e Historisë në Prishtinë, të cilat i kreu më 1972. Po aty finalizoi edhe magjistraturën më 1977 dhe doktoraturën më 1982.

Prej vitit 1965 deri në fund të vitit 1977 punoi si mësimdhënës i historisë dhe gjeografisë në shkollën fillore në Gurakoc, pastaj në Gjimnazin e Istogut, në Normalen e Prishtinës dhe në Qe-ndrën Shkollore Teknike në Kastriot (Obiliq). Në vitet 1978-1989 ishte punonjës shkencor i Institutit të Historisë së Kosovës në Prishtinë. Për shkak të ndjekjes e keqtrajtimit nga regjimi i kohës, në korrik të vitit 1989, u detyrua të largohej nga vendlindja. Emigroi në Suedi, ku prej vitit 1990 e deri më 1999 ka qenë në krye të organizimit të Komunitetit Shqiptar në këtë vend; si kryetar i Degës së LDK-së (1990-1995); kryetar i Komisionit Qendror të Fondit për Ndihmë Kosovës (1991-2005); kryetar i Komisionit Qendror për Organizimin e Regjistrimit të Shqiptarëve në Botën e Jashtme (1992); kryetar i shoqatës “Kosova” në Malmö (1993-1995); kryetar i Këshillit të Emergjencës (1998-1999); anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”-Dega në Suedi (1992-2006); anëtar i redaksive të revistave Qëndresa e Besa (1992-1998), që botoheshin në Suedi. Në korrik të virit 1999 u kthye në Kosovë dhe vazhdoi angazhimin për rindërtimin e Kosovës dhe punën shkëncore në Institutin e Historisë në Prishtinë. Ai ishte sekretar shkencor i Institutit të Historisë (2003-2007); anëtar i Komisionit Qendror për Standardizimin e Emërvendeve në Kosovë (1999-2005); anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (2003-2008); kryetar Shoqatës Mbarëshqiptare të Intelektualëve “Trojet e Arbrit” (2004-2016) dhe redak-tor përgjegjës i Edicionit, E djathta shqiptare në mbrojtje te Shqipërisë Etnike; Zyrtar i Lartë në Ministrinë e Mërgatës dhe Diasporës (2012-2015) për grumbullimin e lëndës arkivore dhe muzeore të krijuar nga veprimtaria e mërgatës në botën e jashtme; anëtar i Redaksisë së projektit “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX” të Qendrës së Studimeve Albanologjike, të Institutit të Historisë në Tiranë. Është autor i monografive: Lëvizja Nacionalçlirimtare në Prizren dhe rrethinë 1941-1945, Prishtinë, 1984, Kosova në Luftën e Dytë Botërore 1941-1945, Instituti i Historisë, Prishtinë, Dukagjini, Pejë, 1997, ribotuar nga Toena, Tiranë, 1997), Jeta dhe veprimtaria atdhetare e Ibrahim Graincës, Libri Shkollor, Prishtinë, 2006, si edhe i vëllimeve me dokumente: Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912, Vëllimi I, Instituti Historisë, Prishtinë, 2005; Dokumente ruse për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më 1912, instituti i Historisë, Prishtinë, 2006 (bashkautor); Dokumente italiane për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (janar-shtator) 1912, Shkup, 2008 (bashkautor); Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912, Vëllimi II, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Botimet Albanologjike, Tiranë, Toena, 2012; Dokumente britanike për çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-1913, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Botimet Albanologjike, Tiranë, Toena, 2012; Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare Kundërosmane e vitit 1912, Prishtinë , Libri Shkollor, 2016. Muhamet Shatri ka botuar artikuj e studime në revista shke-ncore të Kosovës, Shqipërisë e të vendeve të tjera. Ishte pedagog i jashtëm në Universitetin e Tetovës (2003-2004). Disa projekte punimesh të tjera shkencore të tij priten të finalizohen së shpejti.

20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page