„Shqipëria Fiton!“ I pakapshëm…britmuesi ynë, ky Pastruesi ynë
Fatmir Terziu
Ikje dhe venitje. Venitje dhe ikje…, por duke lënë asgjë pas. Asgjë?! Nga të dyja ato që kanë mbetur shihen letrarisht vetëm plazma tymnaje. Stigma mjegullnaje. Më saktë ka mbetur vetëm tymi. Efekti i tij brenda një pusulle të palexueshme shkrimi. Mungon Oksigjeni. Më qartë mungon Fryma e pemëve. Intrigon ajo që mbetet të jetë një karburant për një zjarr të furishëm. Dhe tymi bëhet roje e qiellit?!
Kërkuesi i së vërtetës shëtit në botën e tij imagjinare. Pas gënjeshtrave mashtruese të dëshpërimit, rikuperon „dhimbshëm“, (me gjasa dhimbjeje) fjalët lënduese që zemra (juaj) nuk mund t'i durojë. Dhe bërtet mes gëzimit të dalë nga flakadanët në „Air Albania“: „Shqipëria Fiton!“ E kështu britmën e fitores e trefishon: „Shqipëria Fiton!“ „Shqipëria Fiton!“ „Shqipëria Fiton!“
Ndodh kështu sepse edhe ekselencat e dëgjojnë. Edhe ekselencat janë në atë tym. Në atë zhurmim flakadanësh. Në atë gëzim… „Shqipëria Fiton!“
Kjo është gëzimtare. Është një shenjë e madhe. Por tjetra… ikja dhe ardhja. E të gjithë kanë një gazetë përpara. Aty lexojnë dhe ndjejnë gëzimin e fitores…. Por kjo është jeta! Ndonjëherë e vërteta, është thjesht e neveritshme. Diktohet syrazi duke djegur tek ata që afrohen shumë. Më shumë e më shumë. Vetëm duke ndjekur. Vetëm duke djegur. Asgjë nuk ndryshon. Nuk ndryshon edhe kur … fabula metohet nga Ndotja. E Ndotja shëtit me Torbën e Mëkatit në krahë të ekselencës.
E ekselencat janë tribunë. Në stadium është zhurma. Zhurma. Heshtja e zhurmuar. Fitorja… Goli … Pritja…, kjo kërkon të arratiset nga sytë e rrojtarëve me rrogë. Kërkon dhe mbetet në pritën e Pritjes. Pritja ka ndodhur: „Shqipëria Fiton!“ „Shqipëria Fiton!“ „Shqipëria Fiton!“
Kaq. Nuk ka tashmë pritje. Por ende ka pritje. Në pritje. Në pritje për britmën e radhës. Dhe deri atëherë „Shqipëria Fiton!“ fiton tashmë në të shtatat e ditëve me ikje. Shtatë ditët e mbushura të idealit. A do të harrohet? E stadiumi i stolave të thyera do të pastrohet. E flakadanët do të pastrohen… „Shqipëria Fiton!“ Fiton prapë. Fiton … prapë.
Kush kishte biletat? A keni ndonjë biletë, or mik, or vëlla, or … A keni ndonjë biletë?! Pastruesi hesht. Habitet. Nuk kërkohet më punë. Nuk duan më ushqim për fëmijët. Nuk duan më ulje çmimesh. Nuk duan më… Ja kështu është ideali. Ideali që ndizet në të shtatën e javës.
E pastruesi shfryn mes vetit. Shtatë ideale përtej dertit. Të shtata të shtrembëruara, dhe në mes tyre mblidhet djallëzia. Djallëzia dhe babëzia e përfytyruar në errësirën e Torbës së Pastruesit. Dhe kjo është simbolika e Torbës. Gjithnjë e më konsumuese. Torba sjell grykësi.
Grykësi përçmuese, ashtu si yjet e padukshme, „shkëlqen“ Krenaria. E nevojshme?! Lukunia si një bimë qorre pret dritën. E drita e pakapshme, si hëna pas reve. E hëna pret që Zemërimi të largohet. Ashtu si zjarri. Epshi digjet në erë. Ata janë gjithnjë Një, edhe kur duket se janë Dy.
Dhe më përtaci habitet. Ai as që u shfaq. Nuk u shfaq kurrë. Të gjithë ata, të 140-tët kishin mbiemrat para emrave, ndërsa u betuan dhe u votuan. Të gjithë ata ishin ëndërrimtarë.
Torba u rishfaq. Ai ishte i pakapshëm… I pakapshëm…, i pa fshirë nga batica e sallës. Diku turfullon me vullnetin e tyre. Vetëm Torba (ri)kujton. Gjithmonë në pritje të një Pastruesi Tjetër. Një pastruesi tjetër që të bërtasë mes fshirjes „Shqipëria Fiton!“
Comments