
SHQIP Nga Fatmir Terziu
Kudo ku ndodhem dhe dëgjoj shqip unë mbushem me frymë thellësisht. Më zbret në shpirt një Korab i lartë dritë e artë më feks trupin nga Lart.
E ndjej ëmbëlsinë, dhe kur me trisht dikush në panjohësi e bën me gisht! Në zemër atëherë më shtohen rrahjet edhe pse e di se gjuhët i ndajnë fatet.
Fjalori yt më pret të mbajë gjallë, dashuri, nënë e babë, Atdhe, mall. Ndaj rrugës mjaft herë flas me vete përsëris në shqip mjaft kujtime jete.
S’më lodhet goja, as kur flas shumë me Ty i lutem Zotit edhe në gjumë. Një ditë kur Ti më mungon në zyrë të kërkoj ndjesë i skuqur në fytyrë.
Dhe vërtet nga fryma më e ndjeshme Ti mbetesh robinja ime e përjetshme. Kur jeta më vërtit gjuhëve vërdallë pa Ty, shqipja ime, jeta më duket përrallë.
Të ndjej dhe tani. Flas sikur universi me yjet shqip, vetëm shqip i bëjmë më të forta lidhjet. Ndaj ti qofsh e bekuar, Gjuha Shqipe në shekuj! Unë të dua me shpirt. Për ty jam tretur!
Comments