top of page

SHQETËSIMET E Z. KASHTA



Vangjush Saro




Tregim


Në dhomën e vogël, të cilën Kame Kashta e quante studio, ngase atje shkruante, nuk pipëtinte asgjë. Macja, e vetmja që e shoqëronte në aktin e krijimit, ia kishte marrë me gjumë; prej një copë here. Kurse Kamja po rrinte vuv mbi tastierën e kompjuterit, sikur të ishte përpara një dileme të madhe.

Kohët e fundit, ai ndjehej disi i turbulluar kur ulej përpara kompjuterit; sidomos kur qasej te faqja e vet. Dikur kishte qenë më e thjeshtë. Ai jepte e merrte me disa portale në internet: publikonte analiza, por edhe vargje, proza. Në Fb gjithashtu postonte pareshtur ç’të mundej. Por dikur kuturisi të kishte një faqen e vet, blogun, gazetën personale. I biri ia formatoi pas njëmijë lutjesh. Kjo faqe hapej me një nga fotot më të bukura të tij, ndër të shumtat që publikonte. Ishte një foto që djali, gjithnjë ai, gjithnjë pas shumë lutjesh, ia kishte ribërë duke e latuar mirë e mirë fytyrën e plakur të Kames. Fotoja ishte kompozuar më pas në një sfond mjaft të pasur: Në krah të saj dukej një kompjuter; përpara ishin disa libra, por edhe në dorë e mbante një aso; syzet qëndronin ca më tutje, ndërkohë që pak më në thellësi dukeshin disa buste të vegjël të njerëzve të mëdhenj... Pastaj, gjithnjë në sfond, kishte lule, kurora, tigra, një fragment ylberi... Ajo foto ishte bota vetë.

Mirëpo Kame Kashta e kishte humbur qetësinë. Nga njëra anë, ndjehej mirë: Ai ishte redaktor, kryeredaktor, pronar; ishte zot i lavdisë së tij. Publikoi atje gjithë ç’i kishin mbetur pa dërguar andej-këtej: komente/ opinione/ skica/ tregime/ novela/ cikle me poezi/ ese/ kujtime/ diagrama... (Këtë të fundit se ku e kishte dëgjuar a lexuar njëherë dhe i kishte mbetur në mendje. I pëlqente si fjalë.) Pas disa javësh lumturi, Kame Kashta vuri re me dhimbje se në ‘gazetën’ e tij nuk po ndryshonte asgjë; nuk po afroheshin shkrues të tjerë, mandej, askush nuk po i drejtohej me ndonjë letër apo shënim për krijimet e tij. Mbase diçka nuk po shkonte si duhej. Në fillim, ai kishte menduar do të vërshonin lexuesit; ata do të linin kokën për krijimtarinë e tij. Kolegët po se po. Por edhe të tjerë të interesuar: Përkthyes. Botues. Antologjistë. Bie fjala, njëri mund të shkruante: “Z. Kashta, ju lutemi dërgoni urgjentisht novelën tuaj të fundit “Dashuria e përbaltur”; ne do ta botojmë atë; kemi marrë masa për ta përkthyer. Për të drejtat e autorit, do të bisedojmë më vonë.” Kurse një tjetër: “Z. Kashta, vjershat e tua po i presin mijëra lexues; ju duhet të shpejtoni për të gjetur titullin e librit. Për tirazhin dhe pagesat, komunikojmë javën tjetër.”

Mirëpo të tilla ndodhi a letra s’po kishte në ‘gazetën’ e tij. Rrethanat ishin disi asfiksuese; ato flisnin që ai duhej të gjente një zgjidhje që të ndryshonte faqen e tij të internetit; ç’faqe mo, fatin e tij më mirë. Për ta shkundur sadopak heshtjen dhe për ta vënë në lëvizje këtë mekanizëm jo-rentabël, ai mund të shpikte bedelë, dikë që të ‘publikonte’ në faqen e tij një analizë, studim. Bie fjala, sa për fillim, dikush mund të hidhej përpjetë pas leximit të analizës së gjatë me titullin “Shqipëria, zgjedhjet e fundit, çështjet e kombit tonë, krijimtaria ime para dhe pas demokracisë, e nesërmja si do të jetë dhe pse...” Në të vërtetë, ai sapo e kishte filluar atë shkrim, por kishte në dorë titullin. (Në variantin e parë, ky pat qenë më i gjatë; por si një shkrues me përvojë, Kashta druante se lexuesit mund të lodheshin nga një titull kaq këmbëngulës, sado që i goditur.)

Uau! Befas ia bëri mendja hopa (!) E kishte gjetur. Analizën për analizën e tij, mund ta publikonte si letrën e një kolegu nga... Gjermania të themi. Pse jo! Dhe ky, mund të ishte... Dale të gjente një emër. Thimi. Thimi Thoi. Ja u bë. Pasi erdhi mirë deri këtu, ‘kolegu i Thimit’ filloi të vriste mendjen nëse përbri emrit të tij duhej të kallte tani përcaktorin ‘i njohur’ apo epitetin ‘i shquar’. Pra, Thimi nga Gjermania, do të thoshte se publicisti i njohur shqiptaro-amerikan Kame Kamber Kashta po shfaqet papritur si një, si një… Deri sa të nxirrte kokën ai dreq krahasimi, bënte mirë të mendohej njëherë. Ndoshta nuk duhej ta vendoste atje edhe emrin e babait. E mund të shkonte më mirë ‘i shquar’ se sa ‘i njohur’, përveçse duhej shtuar ndajshtimi ‘shkrimtar’. Pra, fraza duhej ribërë dhe mund të shkonte më mirë kështu: “Shkrimtari dhe publicisti i shquar shqiptaro-amerikan Kame Kashta...” Prit! Pse shqiptaro-amerikan dhe jo amerikano-shqiptar, pra: “Shkrimtari dhe publicisti i shquar amerikano-shqiptar Kame Kashta…” Prapë kishte diçka që nuk shkonte. Po sikur (Thoi gjithnjë) të shkruante pak më thjesht dhe me njëlloj modestie: “Mendimtari, publicisti, shkrimtari dhe poeti dimensional amerikano-shqiptar Kame Kashta…”

E vështroi macen teksa flinte e kish filluar të gërhiste dhe prapë ia shkoi dorën në kurriz, si për ta përkëdhelur. Kjo sjellje prej aristokrati, i zgjoi mendime të tjera. Me siguri, lexuesit do ta kuptonin shkruesin nga Gjermania, Thimi Thoin; dhe do të gjykonin edhe në lidhje me vlerat e Kames. Prit! Mos vallë qe më mirë sikur eksperti të ishte nga Zelanda e Re? Madje, Australia mund të ishte edhe më e besueshme. Pse jo. Pra, publicisti Thimi Thoi kishte shkruar nga Australia: “Si e kuptova unë artikullin e jashtëzakonshëm “Shqipëria, zgjedhjet e fundit, çështjet e kombit tonë, krijimtaria ime para dhe pas demokracisë, e nesërmja si do të jetë dhe pse...” të mendimtarit, publicistit, shkrimtarit dhe poetit dimensional amerikano-shqiptar Kame Kashta.”

Prapëseprapë, fraza nuk po e ngopte sa duhej. I dukej disi e thatë, pa jetë. I mungonte shpirti. Ngjyrimet. Po po. Ai kishte të drejtë; duhej ngrohur pak. Po sikur të thoshte: “Mendimtari, shkrimtari, publicisti, poeti mbarëkombëtar Kame Kashta ka tronditur zemrat e bashkëkombasve të tij me shkrimin e jashtëzakonshëm “Shqipëria, zgjedhjet e fundit, çështjet e kombit tonë, krijimtaria ime para dhe pas demokracisë, e nesërmja si do të jetë dhe pse...””

Ej! Çfarë i mungonte kësaj analize, që ai s’po e gjente dot? Mos ishte më mirë që analisti, ai Thoi, të ishte nga Shqipëria? Gjithsesi, një nga polet kryesore të kësaj figure të stërmadhe, ishte vendi amë. Por analisti mund të ishte edhe nga Kosova. Do të dukej edhe më e natyrshme. Vetëm se i duhej ndërruar emri. Le të themi se ishte analiste. Quhej... Vlora Ademi. Jo? Saranda më mirë. Shëngjin?... Hm, ndërroi gjinia. Pse jo Velipoja? Mati. Kooorça. Pogradeeeci.

Atij po i vinte gjumë. Sido që të ishte, vlerësimi për shkrimin e tij “Shqipëria, zgjedhjet e fundit, çështjet e kombit tonë, krijimtaria ime para dhe pas demokracisë, e nesërmja si do të jetë dhe pse...” duhej të fillonte me një gong. Për shembull: Rrufe në qiellin e publicistikës shqiptare. Vetëtimë mund të shkonte më shumë. Papritur, u kujtua që ai ende nuk kishte filluar ta performonte vetëtimën. Hë për hë ai kishte vetëm faqen dhe titullin e shkrimit. Që ishte: “Shqipëria, zgjedhjet e fundit, çështjet e kombit tonë, krijimtaria ime para dhe pas demokracisë, e nesërmja si do të jetë dhe pse...”

Po i hapej goja. Ç’vuajtje, o Zot! E shtyu macen pak më tutje, se fundja edhe ai kishte të drejtë shtrihej pak. E zëmë se do të fillonte ta thurrte artikullin. Çfarë do të shkruante? Prit ore, prit! Pyetja e parë që shtrohej ishte nëse analisti nga Gjermania, nga Zelanda e Re, Australia... domethënë nga Tirana, Kosova në daçi, duhej të rendiste në fillim fjalën ‘shkrimtari’ apo fjalën ‘publicisti’? Në këtë rast, z. Kashta po paraqitej si publicist... Apo jo? Iu var koka të ziut shkrues, por s’hiqte dorë nga kërkimi... Dhe papritur, u gjend atje ku kishte filluar. Pyetja më e fundit që po i drejtonte vetes dhe atij analistit nga... Australia, ishte: Duhej thënë ‘i spikatur’ apo ‘i lavdishën?’ Për Kamen. Prit! ‘I madh’ më mirë? Pra, shkrimtari, publicisti dhe poeti i madh shqiptaro-amerikan Kame Kashta drithëron lexuesit me veprën e tij të re... Dale mo, ç’vepër! Ishte fjala për atë artikullin...

Atij i ra koka mbi tastierën e kompjuterit. Megjithatë, vazhdoi të mendonte për fatin e tij dhe të web-it*. Analisti në fjalë (duhej të) vinte në dukje edhe sensin patriotik në shkrimin e jashtëzakonshëm të publicistit, poetit, shkrimtarit të përmasave... Pas një copë here, ai filloi të gërhiste nga pak. Tani u bënë dy që gërhisnin në atë kthinë. Ndërsa në monitor, ndriste ende fotografia e tij; ai kishte pozuar mendueshëm, i fshehtë, i thellë, në një sfond mjaft të pasur: në krah dukej një kompjuter; përpara kishte disa libra, por edhe në dorë e mbante një aso; syzet qëndronin ca më tutje, ndërkohë që pak më në thellësi dukeshin disa buste të vegjël të njerëzve të mëdhenj... Pastaj, lule, kurora, tigra, një fragment ylberi...

Natën e mirë, z. Kashta!


.................................................................................


*Një nga kuptimet e fjalës ‘web’ (angl.) është: varg gënjeshtrash.


83 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page