top of page

SHPULLA E ËMBËL



Vullnet Mato

Tregim Sapo dola në korridor nga dera e klasës së katërt A, ku mbaroi ora e mësimit, befas më shkuan sytë te vendpushimi para kabinetit të biologjisë. Aty në gjysmerrësirë, Ermali i së katërtës B, tentoi atë çast të puthte me zor, Luljetën dhe ajo e goditi me shpullë. Kjo sjellje e pazakonshme e tij, më la pak sekonda të menduar, madje dhe të tronditur. Sepse ai nxënës ishte krijesa ime model, me të cilën kisha punuar veçmas katër vjet radhazi, për ta formuar si njeri dinjitoz, nga i cili mund të merrnin shembull të gjithë të tjerët. E thirra Ermalin, që u nis të vraponte shkallëve dhe i thashë, të vinte patjetër të më takonte te kabineti im i letërsisë në fund të orëve. Ai e kuptoi plotësisht se kisha parë gjestin e tij të mbrapsht me shoqen e klasës dhe u skuq, që kishte rënë në lakun e syve të mi. Solla në kujtesë, se qysh ditët e para të ardhjes së tij nga fshati i largët malor, unë e kisha zgjedhur atë djalë të zgjuar, trupvogël, si një brumë njerëzor të pastër, për t’i dhënë formën e një njeriu me intelekt të zhvilluar, me kulturë të bollshme letrare dhe me edukatë të spikatur qytetare. Kisha ushqyer dijet e tij sistematikisht, me libra nga biblioteka ime, duke e mbajtur pranë më këshilla të domosdoshme. Më pas e kisha bërë "koleg" për matematikën, ku ai shkëlqente, t’u shpjegonte problemat e vështira nxënësve të klasës sime në kujdestari gjatë orëve të studimit. Të gjitha këto i bëja, edhe për të testuar veten time, se deri ku mund të arrinin aftësitë dhe mundësitë e mia njeri-formuese, si mësues me përvojë njëzetvjeçare. Por gjesti i tij i sotëm më la paksa të zhgënjyer, për këtë segment të karakterit të tij të panjohur prej meje. Sepse në drejtime të tjera, ai shquhej si nxënës i dhjetës absolute në të gjitha lëndët. U ndjeva tepër i befasuar prej tij, jo se isha aq strikt e pedant, sa të mos merrja parasysh, se ai djalë, që tashmë kish marrë pamje burrërore, me pushin e zi në mjekër dhe me shtatin e hedhur djaloshar, nuk do të lakmonte vajzat, madje edhe t’i puthte ato. Por kurrsesi të bëhej një dhunues femrash, si ai që më kishin zënë sytë pak më parë. Në fund të orës së gjashtë Ermali më priste kokulur te banka e parë dhe u ngrit në këmbë, sapo hyra në klasë. I thashë të ulej dhe mora karrigen time u ula përballë tij. Dukej paksa i turpëruar, por pa ndryshuar ngjyrën në atë fytyrën e njohur mirë prej meje, ku si në një ekran lexoja sesi ravijëzoheshin në ngjyra dhe shprehje të mimikës, gjithë ndjenjat e tij. Ai, me pendim të thellë, më qëndroi më i bindur se kurrë, me një përulje, sikur të isha prindi i tij i vërtetë.

Si fillim i hodha vetëm një vështrim serioz të pjerrtë. Por ende pa arritur të hap gojën, për sjelljen e tij të padenjë, ai nxitoi të më thotë: -Më keni thënë prej kohësh, profesor, se sinqeriteti është e vetmja dhuratë që mund t’i falim njëri-tjetrit dhe unë e kam pasur këtë, si të vetmin parim në gjithë komunikimet me ju... -Këtë e kam konstatuar me kohë, - e ndërpreva kënaqësish që ma kujtoi atë kërkesë, - Prandaj dhe duhet të më flasësh sa më sinqerisht sot, pse ke filluar të bësh akte të tilla rrugaçërie me vajzat e klasës? Aq më keq, me Luljetën, me atë vajzë të urtë e të ndershme që nuk i pranon nga askush këto lloj sjelljesh? Kur dëgjoi fjalën ”E ndershme” ai formoi në fytyrë një nënqeshje të lehtë paksa ironike. -Ju lutem të më falni, profesor, por jam i detyruar të flas fare hapur, se nuk kam si të shpjegohem ndryshe. Unë Luljetën e kam dashur dhe kam shkuar me të... Shqeva sytë mbi fytyrën e tij aq të qetë, sikur të kish thënë kam pirë një kafe me atë vajzë. -Si the, more, si the, ma thuaj edhe një herë? -Kam pasur marrëdhënie intime me dëshirën e saj... Deri në ato çaste, dija se Luljeta ishte shembulli më i qartë, që na jep natyra me përsosjen e bukurisë femërore në moshën e adoleshencës, kur ajo piqet si e tillë. Madje me një pamje aq ekspresive, ajo vajzë fshatare, edhe me një fustan të thjeshtë, tregonte hire vajzërore, me të cilat mund t’i prishte mendjen çdo djali. Padashur m’u kujtua, viti i parë, kur organizova një mbrëmje vallëzimi me klasën në kujdestari, për t’i qytetëruar fëmijët fshatarë, Luljeta e turpëruar, i hiqte duart nga supi i djalit, me të cilin kërkoja të mësonte vallëzimin në çift. Si ishte mundur, ajo vajzë kishte shkuar tani deri në ekstremin fundor të formimit qytetar?!... -Shkova me Luljetën, pas një mbrëmjeje që bëmë deri vonë në konvikt, dhe ajo ma kërkoi vetë. Duke më treguar dhe mendimin e shoqeve të saj, se ajo ndershmëri për të cilën flitej shumë, ishte vetëm një xham akulli që duhej thyer, për të mos penguar të dukej ana femërore e një vajze. Unë u stepa në fillim. Por duke kuptuar dëshirën dhe vendosmërinë e saj, nuk mund të mos i përgjigjesha me dashurinë time. Pastaj kur mbaruam, ajo më tha papritur: “Nuk të vij më. Kjo që bëra me ty sonte do të jetë e para dhe e fundit herë... - Pse? - e pyeta i çuditur në kulm. “ Nuk më pëlqen ta bëj prapë këtë gjë.” - Po pse më erdhe, kur s’të pëlqente?... “Meqë e kishin bërë shoqet e ngushta, u bëra kurioze...” -Do vish se s’bën, se ti më do mua!- i thashë duke qenë i sigurt për këtë. “Nuk të dua kushedi se çfarë, kisha vetëm simpati për ty dhe kaq.” Më erdhi shumë inat nga ato fjalë që nuk i prisja kurrsesi prej saj dhe u tregova egoist: - Do më vish, se po nuk erdhe, këtë që bëmë sonte, do ua tregoj të gjithë shokëve të klasës!... Ajo ngriu pak sekonda, duke më vështruar me habi, pastaj tha me zemërim të madh: “Po më hape namin, do u them edhe unë tërë shoqeve të mia, që t’u thonë edhe djemve të tyre, se ti e kishe sa çunat e kopshtit të kalamajve...” -U tërbova nga ato fjalë të tmerrshme që nxori goja e saj dhe menjëherë ia futa me shpullë turinjve. Ajo më vështroi me sy të shqyer dhe pasi u bë spec e kuqe në fytyrë, iku me vrap. Tani jo vetëm nuk më flet fare me gojë, po edhe ikën sa më larg nga unë. Po me thënë të drejtën, profesor, tani sepse kam filluar ta dua më shumë dhe i penduar për shpullën e asaj nate, që ishte një aksident i imi, desha ta afroj me puthjen, që pikasët ju. Por mesa duket, ajo sot mori hakën. Dhe qoftë ashtu siç e kuptova unë, një shpullë e ëmbël, vetëm sa për hakmarrje... E dëgjova Ermalin duke mbajtur frymën pezull nga habia dhe nuk gjeta frymë tjetër, për të ndërhyrë me këshilla të panevojshme në intimitetet e moshës së tyre. Duke menduar se me ndryshimet e reja, që po u bënte koncepteve rinore faktori i jashtëm formues, me të gjitha mjetet e fuqishme elektronike të kohës, unë kisha dalë jashtë lojës. Aq më tepër, atë çast ndjeva plotësisht, se tashmë, pak para mbarimit të shkollës së mesme dhe marrjes së dëftesës së pjekurisë, ata ishin bërë vetëveprues, sipas botëkuptimit të tyre për jetën. Teksa unë gjendesha veçse në pozicionin e një spektator, me një pikëçuditje e madhe në mes të trurit, si me hurin e vetëm të një gardhi të rrëzuar, ku qengjat e dikurshëm ishin shpërndarë livadheve.

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page