
XHAHID BUSHATI, për frymëzimin, procesin krijues, kohën...
SHPIRTI BRENDA SHPIRTIT TË SHKRIMTARIT
Para disa ditësh, dorëzova për botim librin tim më të ri “Magjia e një letërsie…”, studime dhe ese për letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj (vëllimi i parë), në një shtëpi botuese në Shkodër. Vepra në tërësinë e vet do të jetë prej 10 vëllimesh. Një punë e nisur në vitin 1986, kur mbarova specializimin pasuniversitar në Tiranë, për kritikë letrare. Mbrojta temën: “Letërsia fantastike- shkencore dhe fëmijët”.
Si për këtë vepër, ashtu edhe për ato 37 vepra që kam shkruar, edhe për të tjerat që kam në planet e mia krijuese (duke shpresuar…), komunikimi me veprën është jetik për shkrimtarin dhe veprën e saponisur a sapo të përfunduar. Ky komunikim është dialog, por në fakt është monolog, sepse ka parakohën, kohën dhe pas kohën. Me këto “bisedoj” në laboratorin tim krijues. Sot, e kam përjashtuar moshën e rinisë, jam bërë më i maturuar fal eksperiencës, talentit në rritje dhe i të ballafaquarit me studime e lexime e të një optike që zgjerohet vazhdimisht, teksa shikon “ecjen” e realitetit ekzistues.
Shkrimtari përmend çdo dukuri e detaje të komunikimit me veprën, përmend sekretet (sa të shkrimtarit aq dhe të veprës), paharruar, edhe ‘Frymëzimin, këtë personazh që frymon dhe mbart, e bën të jetueshëm shpirtin e krijuesit. Për mua ‘Frymëzimi’ është shpirt brenda shpirtit të shkrimtarit, edhe pse nuk përmendet e që rri “i heshtur”. Rri i heshtur, dritëdhënës brenda lavdisë apo dështimit të krijuesit. Ai jeton gjatë brenda shpirtit të shkrimtarit, si dhe pas vdekjes së tij.
Edhe kur ‘Frymëzimi’ nuk përmendet, ai, në fakt, përmendet. Është i thirrur përjetësisht, i pashpjegueshëm e magjik. Edhe sot e kësaj dite nuk arrij ta shpjegoj ardhjen dhe “jetesën” e tij tek unë, edhe pse çdo ditë kësaj letërsie të shenjtë për fëmijë i fal shumë orë. Në këtë marrëdhënie me frymëzimin jam fatlum, sepse kohës dhe lexuesit të vogël i fal të sotmen dhe të nesërmen e tij. Ç’dua të them? Në marrëdhënie me letërsinë, pra me krijimin, unë jam plotësisht i lirë. Për mua kjo është liria e vërtetë, se shprehem i ndershëm në lirinë time e për lirinë time për t’jua dhënë, po kështu në këtë dimension, edhe lexuesve të mi. Në një farë mënyre edhe frymëzimi që “vjen” tek unë si pakuptuar e i domosdoshëm më fal lirinë e vërtetë. E, kjo liri shpesh është në konflikt me kohën dhe realitetin ekzistues. Shenjtëria e lirisë së krijimit dhe ajo e frymëzimit, ende i pakuptuar, e sfidon kohën reale, triumfon mbi të; ndonëse krijuesit të vërtetë shqiptar në udhëtimin e tij dinjitoz e dimensional, i paraqiten shumë mure, disa falë talentit të tij i kapërcen, disa nuk i arrin t’i kapërcejë sepse nuk e lënë forcat regresive, provincial e mentalitetet e mykura, disa mure të tjerë (gurë e tulla) i bien përsipër. Por shkrimtarin e vërtetë nuk e lënë të vdes vepra, liria që ai prodhon dhe frymëzimi fatlum që e jetëson. Këto drita janë udhërrëfyese për mua. Më ndriçojnë dhe i ndriçoj!
Comments