top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: In memoriam



PIRRO DOLLANI MIKU I DITUR QË NUK E TREMBTE VDEKJA

In memoriam


    Ishte gati e pabesueshme, kur shihje se te trupi i brishtë i Pirro Dollanit qe futur gati e gjithë bota. Pas atyre xhamave të trashë të syzeve, qe fshehur një kulturë e madhe. Le pastaj që tek ai njeri, aq sa kishte zënë vend dashuria për jetën, aq edhe spikaste guximi për t`u përballur me sfidat e saj. Se ai, pasi shkoi familjarisht në Las Vegas të SHBA dhe u sistemua me punë në Universitetin e atij qyteti marramendas, u godit nga fatkeqësia; u diagnostikua me kancer në mushkri. Ndër vite iu nënshtrua shumë operacioneve, por asnjëherë nuk e pamë të ligështuar. Se ai vinte shpesh në Durrës, ku bleu dhe një apartament, atje buzë detit. Ai rrethohej nga shokë e miq të shumtë dhe gjithmonë do ta shihje të qeshur dhe me një humor të freskët. Humorit të tij, i bashkangjitej shpesh edhe një ironi e mençur e ngacmuese, që në natyrën e tij përdorej si përkëdhelje. Ne që nuk kishim ndonjë problem serioz shëndetësor, ashtu larg e larg përpiqeshim t`i jepnin kurajë, duke i thënë se gjithçka do të kalonte lehtë, se spitalet e mjekët në Amerikë ishin shumë të përparuar. Ai fliste me simpati të madhe për ata, por shpejt e ndërronte temën e bisedës.

Niste të fli



ste për kulturën e sidomos për letërsinë. Na tregonte edhe librat e përkthyer prej tij në shqip, nga autorë me emër. Parapëlqente krijimtarinë me prirje filozofike. E admironte shumë edhe muzikën; kjo ndofta për faktin se dikur qe marrë me violinë. Më pas kishte studiuar për gjuhë - letërsi dhe kishte përfunduar mësues në gjimnaz. Nuk ishte vështirë të kuptoje se ish nxënësit e tij dhe kolegët e donin me gjithë shpirt. Si pakkush, Pirro ishte i sinqertë dhe shumë komunikues me të tjerët. Kur erdhi demokracia, Pirron e caktuan me detyrën e shefit të Kulturës së rrethit, ku edhe mua më ngarkuan detyrën e shefit të Mbrojtjes Civile. Zyrat i kishim pranë, por më shumë se ato, na lidhi letërsia. Unë isha nënkolonel, pra ushtarak, por nuk rrija pa organizuar lloj - lloj veprimtarish kulturore dhe letrare. Por çuditërisht, të dy Pirrot e Kulturës (se atje punonte dhe poeti Pirro Minguli), më gjendeshin për çdo nevojë që kisha.

Ata bisedonin me drejtorin e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, ku kishte njerëz të mrekullueshëm si Bardhyl Agasi, Enver Plaku e Naim  Nova e më pas Bujar Qesja me shokë, të cilët angazhoheshin me gjithë mundësitë e tyre që aktiviteti të dilte sa më mirë. Se duheshin bërë ftesat, duheshin njoftuar gazetarët, televizionet, posterat, fotografitë, konferencierja, aktorët e deklamimeve e ku di unë. Kushdo, se kjo është natyra njerëzore, do të thartonte fytyrën duke thënë me vete: Po këtij ç`i duhet kjo punë. Nuk i mjaftojnë vendstrehimet e bunkerët... Por, Pirro Dollani asnjëherë nuk shfaqi ndonjë shenjë pakënaqësia nga marrja e komptencave të tij. Ai, ishte i ndershëm, i pastër dhe i pa vese si vetë vesa e mëngjesit, dhe si i tillë, të bënte ta doje më shumë. Vendi sapo kishte dalë nga një skamje spektakolare, por ne e gjenim kohën dhe mundësinë për të organizuar ndonjë drekë a darkë me shokët tanë.

Kryetari i Këshillit të rrethit, Bashkim Kopliku, ishte një drejtues i rrallë, serioz dhe kërkues llogarie, por edhe mjaft shoqëror. Sa herë i shkonim në zyrë me Pirron dhe i thonin se do shkojmë diku, nuk na e prishte. Veç të ishe dhe të shihje se farë situatash gazmore krijonte Pirro. Realizoi lidhje të forta me përfaqsues të kulturës italiane dhe sidomos me Presidentin e CICAL në Brindizi, të ndjerin Franko Bruno i cili ka bërë aq shumë për të përkrahur artistët tanë dhe për t`u krijuar mundësinë që të shpalosnin në Itali aftësitë dhe talentin e tyre. Qeshnim përherë kur kujtonim sa i kishte ngjarë një natë kur e priti Frankon në shtëpi për darkë. Se ku kishte gjetur nja dy kile kajsi dhe fëmijët që kishin kohë pa ngrënë të tilla, i luteshin që ta hanin nga një kokërr pa ardhur miku. Por ai nuk i la, me arsyetimin se pas darke, kur të ikë Frankua, ju do t`i hani të tëra. Mirëpo ato ishin aq të shijëshme, sa edhe Frankua i tha të zonjës së shtëpisë, Fridës së urtë, që t`i fuste në një plastmas se do t`i merrte me vete në hotel, pasi kajsi të tilla nuk kishte parë kurrë. Kuptohet se ato aso kohe ishin bio. Më vonë Pirro u caktua në detyrën e drejtorit të Bibliotekës.

Tani edhe marrëdhëniet tona erdhën duke u shtuar. Këtu gjeti një kolektiv të mrekullueshëm, por ndërkohë ca miq amerikanë me të cilët kishte bashkëpunuar i propozuan të shkonte në Amerikë. Kështu, atij i bëhej mirë, po të mendosh se fëmijëve u çeleshin perspektiva për shkollim e punësim. Ata miqtë ndërhynë dhe Pirro u largua. E ndienim mungesën e tij dhe çdo ditë mes shokësh e kujtonim. Por edhe ai nuk na harronte. Ndërkohë u përhapën celularët dhe interneti krijoi hapësira të mëdha komunikimi.

Flisnim dhe shkëmbenin mesazhe, por na mbante në korrent edhe motra e tij me të shoqin, Dragushin që flisnin dendur me të. Jeta po i ecte mirë, kishte punë me personalitete të shkencës e kulturës së Las Vegasit, fëmijët u shkolluan dhe u rehatuan, megjithë atë një herë më tha: “Do t`i vija flakën gjithë Amerikës, veç të pija një kafe me ty atje tek ai kylyshi”. Kylysh, ishte një nofkë që e përdorte dëndur dhe na e kishte lënë një i njohuri ynë që në kushtet e reja, nuk na doli burrë i mirë. Mbante lidhje të ngushta miqësore me familjen e Vasos (Goga), të kunatit, me çiftet simpatike Teuta e Avni Mulaj dhe Petro e Ema Luarasi. Dhe pastaj erdhi ajo dita fatale e atij lajmit për sëmundjen. Ishte lajm i rëndë, por kishim besim të patundur se atje ku ishte Pirro, gjithçka do kalonte lehtë, pasi kishin një mjekësi ku e ku më të mirë se tonën.

Me kohë, biseda rreth sëmundjes së rëndë u bë si rutinë. Kjo edhe ngaqë Pirro fliste për të si diçka krejt normale. Pastaj ai duke ditur se na i kishte thënë të gjitha rreth saj, nuk zgjatej shumë dhe e çonte bisedën gjetkë. Krijova bindjen se tani ishte ai që po na ngushëllonte ne shokëve të tij për shqetësimin që kishim rreth shëndetit të tij. Dhe ai, sapo e merrte disi veten nga operacionet e vështira, dhe hop e në Shqipëri. Këtu e kishte mendjen. Herë i hipte temperatura, herë ndihej fare i këputur se imuniteti i qe shkatërruar, por ai nuk rrinte pa na takuar. Shkoja me Gëzim Agasin, Luan Jaupin, Përparim Manen për ta pirë ndonjë kafe me të.

Ai gjallërohej dhe sytë i qeshin, sido që dukej se nuk qe ai i pari; shihej që po tretej. Herën e fundit, verën që shkoi, na tha se mjekët e spitalit i kishin thënë se kemi bërë gjithçka mundemi për sëmundjen tënde, ndaj tani duhet të shkosh në një qytet tjetër të madh. Se atje janë akoma më të specializuar për gjendjen ku je ti. Kur u ndamë, më pa me një dëshpërim që më ka mbetur në mendje. M`u bë se donte të më linte të kuptoja se qe takimi ynë i fundit. Kur u ktheva në shtëpi pashë edhe një herë vidiot që më dërgonte nga Amerika. Ishin ato me këngët e Enrico Macias “Zingarella”, koncertet e Andre Rieu, “Netë moskovite” të Vladimir Troshin, përmallimi i Shufutinit, violina e David Garretit, Boleroja e famshme parisiene, dansi i Alen Delonit, Ricchi e Poveri të Xhenifer Lopesit, Perhaps të Doris Dey, vijon me atë vallzimin e paharruar mbi akull, Adriano Çelentano e plot të tjera himne që i këndonin bukurisë dhe madhështisë së jetës.

Por nuk vonoi dhe më shkroi ndër të tjera: “...Përqafime, Pirro që para dy ditësh i shkuan rrahjet e zemrës 186... Kjo është jeta! Thonë që Krishti ka thënë (Unë jam 100% ateist): “Unë kam thënë që jeta është e bukur, unë vetëm kam thënë që ia vlen të jetohet” (Sh. E saktë!!!). Më kishte përgatitur disi, kur jo shumë kohë më parë më çonte mesazhin: “Shpendi i dashur!U bë kaq ditë që më ke çuar shkrimin për Sabriun, por unë ende s`e kam lexuar, pasi këto dhimbjet e plagëve të operacionit po më marrin shpirtin, paçka që kam Oxycodone, një painkiller shumë i fortë që e marr çdo 8 orë, por përsëri mbasi kalojnë nja 4 - 5 që marr ilaçin ajo e mbaron efektin dhe unë ndiej dhimbjet që s`janë të lehta. Për bela, shkronjat e shkrimit janë kaq të vogla sa që s`mund t`i lexoj në celular. Duhet të çohem nga shtrati që t`i lexoj në kompjuter. Sidoqoftë, posa të bëhem më mirë do ta lexoj, pasi për Sabri Tuçin kam simpati dhe natyrisht për autorin e shkrimit z. Topollaj që nuk e shpjegoj dot pse e dua. (Mund të ma shjegosh ti? Apo edhe ti s`mundesh!).

Këtu ora sapo ka kaluar 12 e natës dhe unë, si idiot, jam shtrirë në shtrat në orën 10 pm dhe rri me sy mbyllur me shpresë se Perëndia do t`më ndihmojë që të flas ...(e pa qartë. Sh.T.)! S`mbaj mend ndonjë rast që Perëndia ka qenë në anën time!!! Të përqafoj fort Shpendi, por jo aq fort sa të të le pa frymë!” Por nuk arrit të më përqafonte as fare lehtë, pasi më erdhi mesazhi që më tronditi, por jo nga ai, nga e shoqja: “Gëzuar Vititn e Ri Shpendi! Jam Frida. Pirro po jeton momentet e fundit të jetës. Zoti qoftë me të”. Dhe unë ju përgjigja: “Pse nisi ky vit me një lajm kaq të trishtë? Si mund të ndihem i gëzuar... Ndofta ka dhe mrekullira, të paktën për njerëz të mirë, të mençur, të kulturuar dhe të thjeshtë si Ai, shoku im besnik e optimist. Më shkruaj.”

Nuk vonoi dhe: “Çfarë të them o Shpendi. Ju prehtë shpirti në paqe! Frida”. Pasi mori ngushëllimin tim, Frida përfundoi: “Të donte dhe të çmonte shumë!” Ndaj dhe unë për atë njeri dhe intelektual aq paqësor dhe aq stoik, nuk i mbajta dot lotët e nxehtë. Ishte Vitit i Ri që jam ndierë më bosh se kurrë. Shtatë vjet më parë librin tim “Urat e librave” ia kushtoja atij. Kisha botuar një foton tonë dhe poshtë saj kisha shkruar: “Pirro Dollanit, mikut tim të shtrenjtë me trupin në Las Vegas dhe shpirtin në Durrës”. Por mësova se ai kishte lënë amanet që të mos kishte varr. Kërkonte t`ia digjnin trupin dhe hirin ta shpërndanin në lumin aty pranë që të dashurit e tij ta kujtonin sa herë të shkonin e të qëndronin në stolat në breg të atij lumi. Sidoqoftë e di se shpirti i tij endet këtu, ndaj dua, s`dua sa herë kaloj nga ajo shëtitorja ku dilnim të dy, ngre kokën dhe shoh nga ballkoni se mos ka dalë ai, miku im që nuk kishte frikë nga vdekja, por e quante atë pjesë të jetës.         

13 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page