
KENGE PER SHOTE GALICEN
Të gjithë trima gjokserreshkur
Hijerëndë e ballëlart’,
Ty të kishin vënë në krye,
Moj burrnesha pushkëgjatë !
Nëpër shtigje, buzë qiellit,
Ti me çetën ikje larg
Nënat sokëllinin pragjesh,
Ndër oborre piksej gjak.
Të rrethonin , të plagosnin,
Shembnin strehët kosovare;
Lart ndër oda, ti në këmbë,
Në bedenë ktheje dritaret…
Dhe të ndiqnin gjer në male,
Teksa çeta ikte larg.
Hëna, si fener që s’shuhej,
Përmbi udhë t’hidhte ar…
Luftë në mal, prehje në mal,
Shi dhe erë dhe, shtegtime…
Shkrepëtinin patkojt’ dhe qiejt,
Shkrepëtinin pushkët trime !
Qave burrin , qave trimat,
Lidhe plagë, të lidhën plagë.
Sa e rëndë jetë e malit,
Moj komitja pushkëgjatë !
Gjithë ndjenjat femërore
Diku thellë i ndrydhe ti,
Në një nyje që rëndonte
Si një medalion kujtimi…
Përmbi kalë i ndjeve vitet,
Në mes luftërash me rrebesh;
Kali yt trokoi ndër male ,
Jelebardhë mes jele resh.
Përmbi kalë, për lirinë,
Shkrepe zjarr shkrep më shkrep.
Nuse dymbëdhjetë ditë,
Luftëtare dymbëdhjetë vjet !
1967
ANTAGONIZEM
Dramaturgu i mpreht’Breht,
Sa entuziazëm ka në vjershën tëndë,
Ku rrëfen me patetizëm kronikën
E të burgosurve të revoltuar
Liridashës,
Që shkruan me gërma të kuqe kapitale
Emrin Lenin,
Mbi murin mbyllës të qelisë…
Me gëlqere, rreptësisht gardianët
Leninin e mbuluan
Por kur ajo u tha,
Përsëri si diell qenkësh shfaqur
Lenini i Revolucionit…
Dhe vazhdon e vazhdon,
Bertolt Breht,
Loja e ashpër
Mes gardianëve gorilla
Dhe të dënuarëve…
Por…
Leninin kishin ata simbol frymëzues
Të Lirisë dhe Demokracisë;
Ai i ngrinte n’aksion politik t’organizuar
Kundër oligarkëve luftënxitës?
Lenini që masakroi miliona e miliona
Të popullit të tij të madh
Dhe,gojën ia mbyllte kujtdo
Që rrekej të shprehte një mendim ndryshe?
Dramaturgu i mpreht’Breht,
Këta të burgosurit në vjershën tënde të përndezur
Dhe,të bukur në vetvete,
Këta gjermanë t’angazhuar majtas
Më mizorisht se Hitleri,
Lenini,idhulli i tyre ideologjik dhe…
Yti Breht,siç ç’kuptohet leht’,
Do t’i kish goditur,
Nëse do të rronte ca më tutje
E nëse do t’i kishte pasur
Në tokën e sovietëve…
Edhe sot Breht,më trishton
Dhe më nervozon
Ky rebelim
I aktivistëve të mashtruar,
Për më tepër kur më del në kujtesë,
Propozimi nga një vend
I Europës kapitaliste
Për ta lauruar Proletarian Lenin
Me Çmimin Nobel të Paqes…
Lili Brik,Breht,
Ikona e praruar e Majakovskit,
Sot,e kush s’e di si e komentoi
Vetëvrasjen e poetit,
Veçse ca vite pas vdekjes së
Liderit Lenin?
E parapërgatitur për vetëvrasjen,
Ftohtësisht mes miqsh ajo u shpreh: