top of page

„Shlyerja e rigonit“


Nga Petrit Malushi


„Shlyerja e rigonit“

Atë vit në kujdestari kisha një prej maturave. Ndër tridhjetë e katër nxënës gjashtë ishin me përkrahje sociale. Gjendja e tyre ekonomike nuk arrinte në nivelin e duhur. Arseni vinte nga një zonë e largët rurale dhe ishte me më pak të ardhura në familje. Nga gjeneralitetet e hedhura në regjistër, prej dokumenteve zyrtare, kisha vënë re se ishin shumë fëmijë dhe të dy prindërit merreshin me blektori. Ai ishte sistemuar në konvikt. Niveli i tij i jetesës kuptohej edhe nga paraqitja e përditshme. Por në frekuentim përpiqej të mos bënte mungesa, për çfarëdo lloj arsye. Në përparim arrinte te niveli mbi mesatar. Tregonte vëmendje gjatë orëve të mësimit. Ishte sistematik në përgatitje dhe këmbëngulës. Futej në grupin e nxënësve që pretendonin për të vazhduar studimet e larta.

Lënda që jepte mësues Dhori kishte hyrë në program vitet e fundit. „Edukim karriere“ zhvillohej vetëm një orë në javë. Ishte futur si lëndë eksperimentale. Realisht nuk ishte shumë e vështirë. Por nxënësit prej saj kishin frikë më tepër se nga lëndët e tjera. Edhe nga Matematika e Letërsia që ishin lëndë provim pjekurie, apo Fizika dhe Kimia. Veçanërisht nxënësit që pretendonin të vazhdonin më tej. Nota e saj u ulte mesataren dhe pikët. Këtë mesa dukej shfrytëzonte mësuesi që e zhvillonte për t´ia rritur peshën, ndaj u kërkonte materiale jashtë programit dhe „ i shtrydhte“ gjatë kontrollit të njohurive. Nxënësit këtë tepëri e vlerësonin si tendencë. Disa e kishin ngritur edhe në mbledhjet e senatit. Mësuesi nga ana e tij argumentonte se teksti kishte nevojë për materiale shtesë. Flitej se kishte miq dhe nuk i trembej askujt aty në shkollë. Kështu, nxënësit për të mos e pësuar e për të marrë notat që dëshironin, pa u ndjerë kishin gjetur forma të tjera. Shkonin te kabineti, gjenin rastin dhe i linin mësuesit një dymijë lekësh. Këtë ai e praktikonte mjeshtërisht.

Kohë para provimesh. Maturantët ishin të ngarkuar me detyra kontrolli e punë me projekte për shlyerjet përfundimtare. Çantat për ditë i kishin të fryra me libra,fletore dhe materiale shtesë. Ishin ditët kur mësuesit merreshin me mbylljet e evidencave. Arseni kishte ditë që nuk përqëndrohej sa duhej.Të enjten më kërkoi leje për të nesërmen, pra të premten, për të shkuar në fshat. E pyeta se përse e kishte të nevojshme lejën, pasi ishte hera e parë që ma kërkonte një gjë të tillë.

– Mos ke probleme nga familja ?- e ngacmova më tej që të më tregonte shkakun.

– Jo mësues,- ktheu me gjysmëzëri,- po ashtu kam një punë.

Dyshova se diçka më fshihte. E vërejta me kujdes.

-A mund ta di edhe unë se, jam mësues kujdestar dhe mbaj përgjejgjësi për lejën që të jap ?- këmbëngula.

-Ke të drejtë, por e kam të vështirë të ta them. Jo të gjitha gjërat tregohen.

-Atëhere bisedojmë si shokë, jo si mësues e nxënës.

Heshti për tre-katër minuta. Mendoi se do tërhiqesha. Unë nuk po lëvizja.

-Jemi ngushtë nga ekonomia,-filloi të fliste ngadalë, i skuqur në fytyrë. -Ku banoj unë është vend i thellë malor. Bagëtitë janë i vetmi burim jetese. Disa prej tyre i shesim për të siguruar drithrat e bukës.

Ndiqja me vëmendje fjalët e tij. Po më dukej më i burrëruar nga çkishte moshën.

–Sakrifikoni edhe pak vite sa të mbarosh studimet e larta. Pastaj jam i sigurt se do t´i bëhesh krah familjes…

-Ashtu, ashtu mësues por - …dhe sikur iu këputën mendimet.

- Ka ndonjë gjë që nuk u shkon si duhet ?- e nxita për të vazhduar.

-Ju kërkova leje,- e uli më tepër zërin ,-pasi më duhen patjetër disa lekë. Gjatë beharit mblodha rigon për një firmë bimësh mjekësore. Babai më mori në telefon dhe më tha se javën e kaluar kishte ardhur shlyerja financiare.

–Më fal ! Përse të duhen lekë tani që shkolla po mbaron dhe javën tjetër do të shkosh në shtëpi ? Apo i ke marrë kujt lekë borxh ?

-Jo,jo,- u revoltua. – Kam shlyerjen e fundit në “Edukim karriere” …

-Shlyerja është me detyra jo me lekë…

-Ah more mësues ! Në atë lëndë shlyerja bëhet vetëm me …,- dhe fërkoi gishtat për të treguar dhënien e lekëve.- Përndryshe, o vlerësohesh me notën pesë, ose mbetesh për në vjeshtë.

Unë nuk u habita nga ajo që dëgjova. Nga biseda me kolegë më kishte rënë në vesh se, mësues Dhori dhe nja dy të tjerë, e kishin bërë praktikë pune një veprim të tillë. Shqetësimi i ngritur në senat dhe në drejtori nuk kish dhënë efekt.

Mu dhimbs Aleksi. Po të mbetej në atë lëndë ose të merrte notë të ulët, humbiste shanset për studimet e larta. Hapa portofolin nxorra një dymijë lekësh dhe ia lashë në dorë. Insistoi të mos i merrte, por e theva duke i thënë se nuk do t´i jepja leje dhe nëse ikte pa leje do ta penalizoja. I prekur në sedër mbylli dorën duke shqiptuar “Të faleminderit shumë mësues !”. U ndamë, ai për në konvikt, unë për në shtëpi, duke i thënë njëri-tjetrit “Mirë u pafshim!”





Nga Petrit Malushi

„Rritje e nivelit të jetesës !!!“

E shtunë. Ditë pushimi. Ora dhjetë. Një shok, koleg pune, më ka ftuar për kafe. Më pret poshtë pallatit, te „Rruga e Kavajës“, në kryeqytet.

– Ku do ulemi, në cilin lokal ?- e pyes sapo e takoj. – Bëjmë një shëtitje deri nga „Myslym Shyri“,-pastaj vendosim. Ecim dhe... . Ata na përshëndetin. Përshëndetin edhe të tjerët, këdo. Kudo. Në çdo kohë. Me mirësjellje. Nuk e ke mendjen. Nuk i njeh. S´ua di emrin. Nuk e di ku banojnë. A kanë shtëpi ? Janë vendas apo të ardhur ? Por të gjitha këto janë fare të parëndësishme. Ata jetojnë dhe „punojnë“ vetëm në qytete. Më të shumtët janë „punësuar“ në kryeqytet, Tiranë. Fytyrat e tyre nuk mund të harrohen. Portrete të përvuajtur. Sjelljet lutëse. Komunikojnë me ndrojtje, me zë të ulët. Fjalëpakët. Qeshjemunguar. Janë pa pretendime.Vendet e qëndrimit i ndryshojnë rrallë, disa janë shëtitës. Buzë rruge, mbi trotuare, cepave të pallateve, nëpër lokale, pranë ndërtesave ministrore, në “Rrugën e Kavajës”, “Rrugën e Durrësit”, “Rrugën e Dibrës”, “Rrugën e Elbasanit”, “Myslym Shyri”...Mjetet e punës; një copë kartoni ose një gazetë e zhubruar, ku rehatohen si mbi një kolltuk të kadifejtë, në shi e në diell, në dimër e në verë. Veshje mjerane. Dorështrirë. Nuk debatojnë për „fitimin“. Kënaqen me çdo shpërblim me vlerë mbi zero. Nuk paguajnë detyrime aktiviteti. Nuk janë të organizuar në shoqata. Askush nuk e di të saktë numrin e tyre. Me moshë, nga pesë vjeç deri në të tretën madhore.Te “21 Dhjetori” një grua me të zeza, afër të gjashtëdhjetave; te “Kisha Ortodokse” një tjetër grua me një këmbë; te "Kisha Katolike" një burrë që përulet; te "Xhamia", një i moshuar fytyrë pa rruar; te “Myslym Shyri” një vogëlush që i merr mbarë tavolinat e lokaleve, një djalosh që rri para një furrë buke…Fjalori i tyre është i kufizuar : „Sa të mundesh zotëri, zonjë !...“, „Njëqind lekë të lutem !...“, „Ndihmoni fukaranë !...“, „Zoti ta shpërbleftë !...“, „Pafsh hajr nga fëmijët !…“, „Bëni sevap për... !”…. Kalimtarët i respektojnë. Para tyre ndalojnë, kruajnë xhepat, hapin portofolat, me majat e gishtave kapin monedha, sa t´u thotë zemra, dhe ua vendosin mbi kartonë e gazeta. Kështu bën edhe shoku im. Unë nuk i shpëtoj ritit të të tjerëve. Teksa, mbi gazetën e palosur, zgjyruar, shtruar si syprinë, lëshoj lehtë monedhën dhe drejtohem ngadalë, sytë më lexojnë “…sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies, niveli i jetesës së qytetarëve tanë është rritur ndjeshëm !!!…“

- Hë,- më përmend shoku,- ku do të ulemi ?

– Ja,-shtrij dorën tutje pa orientim,-tek ai lokali në cep.


Nga Petrit Malushi

Drejtues në vite

. Porta kryesore me dy pjesëza brenda kornizës metalike, lyer me bojë gri, ndodhej nga faqja ballore e ndërtesës trekatëshe. Njera, më e madhja, hapej dhe mbyllej kur hynin automjete, tjetra, më e vogla kërciste për njerëzit. Pas saj shtrihej oborri. Një palë shkallë të mermetra mbanin në krye platformën e qëndrimit. Për të shkelur në koridorin e katit të parë duhej të kaloje derën dykatëshe prej duralumini, ngjyrë kafe. . Ai, atje kishte qenë mësues historie njëzet vjet. Që prej shtatë vjetësh ishte transferuar në një tjetër shkollë. Po plotësonte dosjen e atestimit. I duhej një dokument edhe për ato vite pune. U kthye në anën e djathtë të koridorit, për nga sekretaria. Mbishkrimi te dera “kryejmë veprimet pas orës 12.00” e frenoi për të trokitur. Duhej të priste edhe tridhjetë minuta. . Moria e stendave në faqet e mureve të koridorit e tërhoqi për të mbushur kohën. Orari i mësimeve, rregullorja e brendshme, dispozita normative, pjesë nga rregullorja, aspekte nga orët e mësimit, talentet tona, aktivitete, pjesmarrës në olimpiada, më të mirët… Si në ato vite kur kishte qenë edhe ai, por gjthçka e freskuar dhe me tjetër plan-vendosje. Por jo tamam ashtu. . Treçereku i faqes së murit në të majtë mbulohej nga një kornizë e madhe. U afrua. Në krye të saj shkruhej “Drejtues në vite”. Fytyra serioze me kostume e kollare. Poshtë tyre emra e mbiemra dhe nën ta dy vite të ndara me vizë në mes, i marrjes dhe i lënies së detyrës. “Kjo qenka e re”,- tha me vete. . Fotot e drejtuesve, për vitet kur kishte qenë mësues në atë shkollë, fillonin nga i teti dhe mbaronin tek i shtatëmbëdhjeti. Deri tek i fundit, që kishte të shënuar vetëm vitin e fillimit, pra për shtatë vitet që ishte larguar, këtu ishin ndërruar edhe gjashtë drejtues të tjerë. Portretet e kthyen në ato vite. Shkundi kujtesën. “Drejtor Kujtimi njeri i matur, komunikues me të gjithë,… Aleksi paqësor, kishte durim të dëgjonte edhe kur dilje jashtë temës së bisedës,… Silvana kompetente, shembull për zbatimin e rregulloreve,… Selmani fjalëpeshuar, drejt zgjidhte çdo situatë,..Irma rigoroze, e sinqertë… Pirua i qetë,nuk nxitohej në gjykime,… Gëzimi energjik, përherë gazmor,…”. Në çast u zbraps një hap. Vështrimi iu mjegullua. Ndjeu edhe përzierje në stomak.

“Ç´pata ?!,- tha me vete. “Ah !.. Ja,… Ndoshta nga këta të tjerët …“ “Drejtor Pici u pezullua për korrupsion. Kaloi deri në ndjekje penale. Ishte edhe pa nivelin arsimor përkatës,…Selimi u shkarkua si arrogant, rryshfetmarrës e i paaftë. Emërimin e kishte arritur me ndërhyrje e miqësi,…Raqi, njeri i pamoraltë, intrigant e mashtrues,…”.

Largoi vështrimin se filluan t´i dhimbnin sytë. Nuk pati durim t`i shkonte deri në fund tabelës, për të parë fotot e drejtuesve të mëpasëm. „E si mund të qëndroni ju në këtë tabelë,-ndjeu revoltë nga brenda,- në krah të më të nderuarve ?... Për ne mësuesit ishte fatkeqësi që u kishim drejtues. Emrin e kësaj shkolle e nëpërkëmbët. Tundoheshim midis kolegësh...” “Palo drejtues !”-shfryu dufin, si atëhere kur debatonte me ta, për probleme që i stisnin herë pas here.

Shtyu këmbët për më tej. Mendimet nuk po i ndaheshin. “Nëpër shkolla ka shtatëdhjetë a tetëdhjetë mësues dhe vetëm një drejtor. E ky “Një” që mund të jetë një “Hiç” eklipson punën e të gjithëve. Pa le, po u bëjnë vend në tabela nderi edhe kur lënë pas hije të sterrosura ! Këta lloj duhen varur në tabela të zeza, jo të nderohen !…” “Edhe këtu me “Mësues në vite” nuk ka asnjë tabelë !!…” „Zotëri u hap sekretaria !“,- dëgjoi zërin e portierit.

13 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page