top of page

Shkrimtarët mediokër i nënshtrohen qeverive





Letërsia shqiptare duhet të ndryshojë udhë qasjeje, prezantimi, (ri)leximi dhe mesazhi. E shkuara ka humbur kohë me struktura të thelluara në mjedise që vetëm letërsisë nuk i shërbejnë. Natyrisht, ajo duhet të mbetet tek strukturat, që bota e përparuar i njeh me kohë. Nuk mund të them, se letërsia shqiptare nuk i njeh, por dua të theksoj se koha që i ka njohur në fakt nuk ka qenë e dedikuar si e tillë, nuk i njihte dhe ende nuk i njeh periudhat letrare si të tilla. Pos kësaj, ajo që duhet theksuar se ato periudha të krijimtarisë duhet të jenë kryesisht periudha letrare dhe jo periudha biografike. Dhe kur them duhet të jenë periudha letrare, unë nuk preferoj ti ndaj as sipas moshës, as sipas vendbanimit, as me ndonjë kriter tjetër teknik të jashtëm. Prandaj e interpretoj thjesht me afinitetin letrar. Afiniteti letrar nuk ka të bëjë, as me ndryshimin në këtë rast. Ai është një pikë në studimin krahasues. Në studimet krahasuese, pyetja mbetet a duhet vënë theksi te ndryshimi, apo tek afiniteti midis gjërave që ne i krahasojmë? Kjo është një pyetje që jo vetëm që bëhet shpesh, por ka edhe implikime reale metodologjike. Gjërat janë natyrisht, ose të ndryshme, ose të ngjashme, dhe shumë shpesh ato janë të dyja të ndryshme me veçori dalluese dhe të krahasueshme në disa aspekte. Çështja e dallimit, apo afinitetit është një çështje e përgjithshme dhe është diskutuar nga mendimtarët perëndimorë të kaluar dhe të sotëm. Edhe në Lindje ka ndodhur kjo, madje me kohë. Mencius, për shembull, besonte në të përbashkëtën e natyrës njerëzore dhe universalitetin e shijes, shije në kuptimin gastronomik dhe, metaforikisht, në një kuptim estetik. Ai pohon se “të gjitha shijet kanë të njëjtën preferencë në shije; të gjithë veshët në tingull; të gjithë sytë në bukuri. A duhet që zemrat të jenë një përjashtim duke mos pasur asgjë të përbashkët? Çfarë është e përbashkët për të gjitha zemrat? Arsyeja dhe drejtësia… Kështu arsyeja dhe drejtësia kënaqin zemrën ashtu si mishi kënaq qiellzën.” Por tek të gjitha ka një gur kufiri.

Guri i kufirit që vendos është vetëm aftësia, talenti, e veçanta, leximi dhe mesazhi letrar. Nuk dua të më keqkuptoni: veprat para kësaj strukture nuk janë të gjitha pa vlerë letrare, këtë nuk do ta thosha kurrë. Ato janë në një nivel të atillë, që dihet dhe është interpretuar, që është tipik për letërsinë shqiptare në këtë periudhë. Por duhet të diktojmë dhe të synojmë që kjo periudhë i ka të gjitha mundësitë, të thuhet që është tashmë një periudhë shumë më e pjekur dhe më e madhe në mundësitë prurëse, të cilat natyrisht koha sipas vlerës do ti seleksionojë dhe kodifikojë si vepra të mirëfillta letrare, pos bumit të madh prurës dhe botues. Në këtë bum duhet të kihet parasysh, se kushdo qoftë autori, duhet të arrijë një sërë përgjithësimesh për kuptimin e pranisë sonë tokësore, për kuptimin e qenies, ekzistencës, identitetit tashmë të dualizuar me Atdhe letrar brenda dhe jashtë tij, sidomos në emigrim, ku luhet marëdhënia dialektike midis unitetit dhe diversitetit.

Ideja e një marrëdhënieje dialektike midis unitetit dhe diversitetit bëhet një parim i rëndësishëm në të menduarit perëndimor. Nga kjo duhet të arrijmë në përfundimin se dallimi dhe afiniteti, e veçanta dhe ajo e përgjithshme, ajo e larmishme dhe universale, të gjitha janë plotësuese të njëra-tjetrës me theks të vënë në njërën anë ose në tjetrën, kështu që nuk duhet të mbisforcojmë njërën në kurriz të tjetrës. Dallimi, apo afiniteti nuk ka vlerë në vetvete, prandaj është e kotë të pyesim, pa një kontekst specifik, nëse duhet të theksojmë dallimin, apo afinitetin në studimet krahasuese.

Po të lexosh sot mjaft autorë krijues të dedikuar të bëjnë letërsi do të gjesh shumë mesazhe qytetare kritike, që nuk ishin aspak të natyrshme në atë kohë për letërsinë shqiptare (flas për letërsinë shqiptare para vitit 1991), e cila, siç dihet, ishte pak a shumë në funksion të propagandës ideologjike partiake. Letërsia direkt, ose indirekt i shërbeu ideologjisë partiake. Kjo letërsi nuk shërben më si e tillë. Romani dhe proza, poezia dhe poema, nga njëra anë, lënë mënjanë shumë çështje aktuale dhe adekuate dhe, nga ana tjetër, tregojnë një pjekuri letrare. Shohim që kemi të bëjmë me një autorësi të një formati të veçantë, një autorësi me potencial letrar shumë të jashtëzakonshëm. Në këtë kuptim dua të them se që nga 1991-shi e këtej, duke përfshirë edhe ndonjë krijues, apo krijim të para kësaj periudhe, letërsia shqiptare, që është mjaft e rëndësishme, shkel ndjeshëm në mënyrë të palëkundur në territorin tonë letrar kombëtar. Me këtë arsye krijuesi i përfshirë në të bëhet një shkrimtar i njohur, jo thjesht nga biografia, apo nga të dhënat, por nga forca e talenti i mesazhit. Nuk është rastësi që pas 1991-shit, siç e dini, vlerat e tilla mesazhiere kanë një pikëtakim të konsiderueshëm. Dhe pa pritur, që është një precedent, i cili duhet parë mjaft profesionalisht në shkrime dhe dedikime të tilla. Dhe ka një arsye. Në këtë kuptim, shkrimet, krijimet, librat më të rëndësishëm, që do të mbeten në historinë letrare kombëtare dhe në një masë të madhe në historinë letrare shqiptare, pse jo dhe në një stand të asaj evropiane, ndoshta edhe më tej, janë shkruar pas 1991-shit, edhe pse ato libra janë mbytur nga euforia dhe egoizmi i shkruar pesëdhjetëvjeçar, që ende dominon, ushqehet dhe e ka vështirë të shkëputet nga ajo kohë. Emrat e dala nga ajo periudhë ende mbajnë si metastaza fatet e shkrimtarëve të rrinj. Emrat e tyre mbahen mend se pensionohen nëpër kafene, ekrane, apo dhe mjedise që kanë marë fonde nga struktura financiare ende të pasqaruara. Të gjithë që japin mend, qoftë midis tyre edhe akademikë me diploma e disertacione të kohës së diktaturës e kanë një lugë çorbë të prishur nga ajo kohë. Të gjithë, padyshim ende synojnë me atë strukturë poetike të quhen shkrimtarë të pakapshëm, poetë të mëdhenj, e të mos kapërcejnë dot në emra të rrinj, të cilën natyrshëm kanë privilegjin e dritares së botës së talentuar. A ka konkurencë? Natyrisht kjo është temë më vete. Vini re se pas kësaj periudhe një vepër, sado që të jetë e dobët ka një frymëmarrje më të gjerë se ajo e periudhës kur frymëmarrja e veprës ishte nën aparaturën distiluese të propagandës. E ajo ishte një formë që duhej të mbushte faqet e kritikës, që sot thuhet se nuk ekziston, ose që prodhon lavërime për shoku-shokun, por që atëherë ishte një shkop i gjatë në çantën e kritikut që e tundte në afërsi të kolonave të Pallatit të Madh të Kulturës, si karshillëk me Bulevardin që të pikëtakonte me Godinën famëkeqe dhe me Universitetin që kontrollohej nga ish-nomenklatura.

Po, edhe talentin shkrimtari i kësaj periudhe e shfaq në të gjitha gjinitë letrare në të cilat shkruan. Gjithçka letrare që është shkruar është ndryshe. Nuk e kam fjalën për gjërat joletrare, që në mjaft raste janë për bukën e gojës, por që dhe ato janë ndryshe, më të lexueshme, më fine, më letrare në aspektin e të shkruarit. Nuk po flas për faktin se shumë krijues, shkruajnë, përkthejnë dhe botojnë reportazhe, skica, rëfenja, lajmet aktuale për media, gazeta, agjenci, radio dhe televizione të botës, por që krijojnë me talent dhe lexohen nga miliona të tjerë në gjuhë të ndryshme si produkt shqiptar. Unë nuk i numëroj këto raste, as ato tekste, por që duan dhe kërkojnë respekt.

Kjo është edhe një veprimtari letrare serioze. Dhe për të përfunduar në këtë pikë them se kjo ndarje e trashëgimisë krijuese letrare, është bërë sipas konsideratave dhe kritereve thjesht letrare, nuk është bërë nga struktura dhe forma të diktuara biografike, si ajo që për disa shkon tek përshtaja me biografizmin, por nga natyra e veprimtarisë së mirëfilltë letrare dhe jo pra nga biografizmi e përvuajtjet e përkëdheljet e kohërave. Pas kësaj mund të flasim për të gjithë ata që janë angazhuar në një botë të tillë krijuese, që janë padyshim, gjithësecili një autor i vetëafirmuar, jo i katapultuar, apo i seleksionuar, dhe jashtëzakonisht serioz, pasi aty i determinon konkurrenca e një udhe plotë krijues, aftësia dhe përkushtimi sipas talentit dhe lexueshmërisë së gjithësecilit. Padyshim që gjithkush në këtë pikë e deklaron veten si shkrimtar shumë serioz dhe në mënyrë të qëndrueshme në të gjitha zhanret në të cilat shkruan, kur dihet se ka më shumë arsye të tjera të kuptohet serioziteti dhe ajo që e bën një krijues, një shkrues të jetë shkrimtar.

Dua të them se këta janë krijues, që vetëquhen brilantë në të gjitha zhanret. Raportet në mungesë për Shqipërinë, Kosovën, apo trojet etnike shqiptare, dhe ata jashtë vendit për mua janë një vepër letrare brenda kornizave terminologjike, asgjë brilante nuk shkon përtej, pavarësisht nga natyra e saj dokumentare dhe mesazhet dokumentare që mbart. Jo më pak të vlefshme janë edhe veprat e tjera të të krijuara në struktura të ngjashme.

Ndër dramat e shkruara në Shqipëri edhe pse me shumë racion, dallohen dramat që kanë më shumë hapësirë mesazhiere, drama ku bota dhe semantika janë një frymëmarrje e lirë, ku dashuria është dashuri e lirë, e karakterizuar nga thelbi i saj. Nuk është rastësi që dikur dashuri të tilla u hoqën nga qarkullimi, dhe dashuria e lirë u hoq nga skena, sepse shkrimtari i lirë, ndryshe nga kolegët e tij letrarë në hapësirën tjetër të lirë të Globit, nuk mund të dashuronte përtej dashurisë së kodifikuar nga lartësia e kontrolluar. Dhe kështu ai që nuk i heroizoi komunistët, por i tokëzoi dhe shfaqi dramën e tyre personale, u degdis dhe u shua në penën e tij. Librat iu dogjën. Jeta iu shkurtua, u degdis, u burgos. Shkrimtari i lirë nuk i ngre disa ideale të zbrazëta në një piedestal dhe kështu i vret ato gjatë jetës së tij me talentin e tij, ai e kërkon njerëzoren dhe dramatiken në to dhe e gjen në mënyrë të shkëlqyer, pa shkuar në biografizim. Por ky shkrimtar nuk ekszitoi gjatë, dhe u shua pasi u shuan emra të mëdhenj që kishin ardhur para tij, para se të kërciste pushka. Kështu shkrimi dhe shfaqja e tij u hoq nga qarkullimi sepse i dha fund atij brezi heroik që guxonte. Te kjo letërsi që i përket lirisë nuk ka heroikë dhe patetikë, ka dramë, ka dhimbje, ka bashkëjetesë. Ka letërsi!

Me këtë rast mungoi gjatë thelbi i romanit psikologjik në letërsinë shqiptare. Romani bëhej reminishenca e një loje, një direktive të paracaktuar, ku loja ishte më e përsosur se jeta. Në të vërtetë, kështu rezulton. Gjurmoni dialektikën dhe gjenezën e personazheve nga fillimi i lojës deri në fund të saj, si i zbulohen jetët dhe fatet e jetës personazheve që luajnë njëri-tjetrin në mjaft romane të periudhës së Realizmit Socialist. E këtu kishte përjashtime? Vetëm një mjeshtër i klasit të lartë mund ta bënte këtë?! Tek një e ndaluar tjetër ka anticipitet. Imazhet dhe personazhet në vend që të kombinohen, që të dyja, loja dhe reminishenca, që të thuhet korrespondojnë ato kurrë nuk korrespondojnë me njëra-tjetrën, dhe i bie që nuk plotësojnë njëra-tjetrën, por dhe që kundërshtojnë njëra-tjetrën.

E shkuara nuk mund të quhet vetëm e shkuar. Koz Dynjaja i „Lumit të Vdekur“ mbeti i mbështetur mbi dorakun e bastunit të tij dhe studentët e letrësisë, shkrimtarët e arshshëm e mësuan përmendësh me detyrim. Aty lindi dhe u qas disharmonia, në formën e propagandës. Kjo ndërthurje e harmonisë dhe disharmonisë e rrit vazhdimisht tensionin. Kjo e bën punën jo shumë thelbësore, sikur po e prek fizikisht, materialisht. Kjo është një vepër e famshme?! Vetë botimi i këtij libri tregon se me gjithë dogmat partiake dhe regjimin e censurës mbi sferën shpirtërore që dominonte në Shqipëri, ende kishte të çara. Mjaft tregime të shkurtra të asaj kohe përshtaten në një çarje të ngjashme, sikurse do të lexohej tek „Sytë e dashurisë“. Në këtë tregim ne vëzhgojmë gjuhë të zotëruara vetëm nga penelata të patejkalueshme të diktatit. Më duket se në disa vende është i krahasueshëm me Floberin në aftësinë e tij për t'i nënshtruar faktorët e jashtëm dhe mjedisin ndaj dramës së brendshme dhe evolucionit psikologjik të imazheve. Në mjaft përmbledhje me tregime, shkrimtari i asaj kohe përshkruan në masë të madhe "Unë" e tij (përvoja personale). Është e qartë se ka mjaft momente autobiografike në mjaft tregime, romane, novela, poezi, poema. Atëherë çfarë tipare autoriale gjen te personazhi-narrator një vepër autobiografike? Sigurisht që ka momente, që duhet të jenë biografike. Në masën që autori vendosi të vetëzbulohej brenda vetvetes dhe të shkonte tek procesi biografik, e bënte këtë në libër për të treguar se ishte i devotshëm, i bindur, i edukuar dhe i brumosur me mësimet e Partisë. Nuk do të zbuloj më shumë se kaq, edhe nëse di më shumë, pasi kjo i përket secilit të vetëzbulohet. Nuk dua të hyj në një biografi personale të shkrimtarit të asaj kohe që nuk është objekt studimi letrar.

Pyetja është a u shfaq ndonjëherë shkrimtari i asaj kohe me psikologjinë e tij të thellë? Sqarojmë që në fillim se jo çdo mendim filozofik është letrar. Ka filozofë gjenialë me mendime të thella që janë stilistë të këqij dhe shkruajnë me gjuhë vulgare. Pra, jo i gjithë mendimi filozofik është letrar, por e gjithë letërsia e vlefshme është filozofi dhe psikologji. Nuk ka letërsi të vlefshme që të mos jetë edhe filozofi e vlefshme. Sepse veprat e mëdha letrare prekin gjithmonë themelet e qenies. Përtej kësaj, thjesht nuk ka letërsi. Psikologjia e thellë në një krijim të mirë gjurmon evolucionin: si mund të vrasë e vërteta. E vërteta në fakt vret vetë jetën, vetë Njeriun. Këtu është dilema themelore që shpreh pyetja dramatike: "Cila është e preferueshme: të fshihet e vërteta, që është jetëshpëtuese, apo të zbulohet e vërteta, që është vdekjeprurëse?" E vërteta e vret njeriun shpirtërisht dhe fizikisht. Në fund të fundit, para se të shkruhej kjo letërsi, Njeriu ishte një njeri i lumtur në lirinë e tij, por a ishte kjo vërtet një e vërtetë? Njeriu i një leximi të lirë është i lumtur siç është e lumtur një pemë, siç janë të lumtura krijesat e tij, për të cilat ai kujdeset me një dashuri kaq të vërtetë parësore. Ai është në harmoni me natyrën dhe veten. Kështu jeton përditë e në vazhdim shkrimtari që u shua nga skena dhe jeta pse mendoi ndryshe. Kështu synon të jetojë me penën e tij ende ai dhe disa të tjerë si ai, në dhimbjen e tij letrare dhe vetëm letrare, jo biografike. Shkrimtari i shkrimit, krijimit dhe krijimtarisë, letrave dhe letërsisë jeton një jetë të plotë dhe harmonike. Njeriu i lirë vjen dhe bashkë me të qytetërimi hyn në botën e pacënuar natyrore. Njeriu i lirë i leximit të lirë zbulon një botë tjetër, një kozmos të tërë, i cili nga njëra anë magjeps, por nga ana tjetër e bën t'i bëjë vetes pyetjen: "Për çfarë djalli kam jetuar? A mjaftojnë këto gjëra për mua? A më mjafton kjo natyrë?". Njeriu është i pangopur në lirinë e tij, ngjallet si një laik, me dashuritë e tij, me aventurat e tij, me një jetë plot gjak në një qytetërim shumë të gjallë. Pse Njeriu jo i lirë sheh veten të humbur në fund? Sepse e kupton sa shumë ka humbur, sa të papërvojë ka përballë dhe sa më tej ka shkuar Tjetri, duke iu përkushtuar dashurive të tij. Aty Njeriu ka humbur më thelbësoren, duke iu përkushtuar tërësisht direktivave të dedikuara ndaj jetës të tij. Drama e tillë është gjithashtu produkt i faktit se ai tashmë është shumë i vjetër dhe nuk ka kohë fizike për të korrigjuar dhe plotësuar biografinë e tij, për të kapur atë që i ka munguar dhe çfarë ka përjetuar në rini. Kjo në një perceptim. Po me mjedisin letrar dhe vetë shkrimtarin? Natyrisht që është një skenë e panjohur nga të Tjerët. Ata nuk vuajtën në sistemin e gardhit. Dhe ata që e trajtuan këtë gardh mbetën në enigmën e pjesës tjetër. Kështu dy anët e një molle mbetën të kafshuara me frikën e një krimbi nga brenda. Krimbi ende është një perceptim në realitetin e tij të krimbur.

E gjithë kjo është në sferën e hipotetikes, ndërsa në sferën tokësore mbetet pyetja themelore që bërtet në kontekstin e jetës: “Ne përpiqemi për të vërtetën, por a është e dëshirueshme e vërteta me çdo kusht? A është e saktë se e vërteta që vret, preferohet më shumë se gënjeshtra që shpëton jetë?" Mund të gënjejmë jo vetëm duke folur por edhe duke heshtur. Atëherë nuk do të kishte asnjë komunikim, dhe në përputhje me rrethanat nuk do të kishte asnjë vepër letrare. Kjo ndodh sepse të dyja e plotësojnë dhe e kundërshtojnë njëra-tjetrën. Ndërsa në një krijimtari të Realizmit Socialist, nuk dua ta përmend autorin, bariu është në hapësirën e tij të njohur, i rrethuar nga delet e tij të dashura, ai ndihet si një mjeshtër i plotfuqishëm, por në të njëjtën kohë ai është i pambrojtur si një fëmijë i vogël, sepse nuk di absolutisht asgjë për botën jashtë gardhit. Po kështu, ndërsa ky Njeri ndodhet në hapësirën e panjohur, ai është jashtë zonës së tij të rehatisë (dielli e djeg ditën, gjarpërinjtë e trembin natën), por ndihet si një njeri i kompletuar sepse ka përjetuar kënaqësinë e përvojave të tij aventureske, dhe shihet shkëlqimi i botës së jashtme.

Në një krijimtari të perceptuar të lirë duket qartë se personazhet ndërtohen të përmbushin në mënyrë të alternuar rolet e rrëfimtarit dhe dëgjuesit. Kjo varësi është e pandryshueshme, sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë një letërsi të gënjeshtrës dhe të së keqes. Nuk ka dhe nuk mund të ketë një literaturë të rregullimit politik publik. Edhe nëse kjo rregullore nuk është rregullim i gënjeshtrës dhe i së keqes. Edhe në shoqëritë demokratike, letërsia funksionon kundër saj. Mund t'i kundërvihet, le të themi, elementit konsumator, kësaj shoqërie të sëmurë nga çpopullimi real, dhe mbipopullimi letrar, që ka humbur çdo ndjeshmëri estetike, por letërsia është gjithmonë opozitë. Lidhur me këtë, Solzhenicini shkruan se shkrimtari i madh, do ai, apo ajo, luan gjithmonë rolin e një qeverie të dytë, alternative në vendin e tij. Dhe për shkak se qeverive nuk u pëlqen të kenë alternativa, ato mbështesin vetëm shkrimtarët mediokër, jo shkrimtarët e mëdhenj. Shkrimtarët mediokër i nënshtrohen qeverisë, shkrimtarët e mëdhenj i nënshtrohen talentit dhe gjenialitetit të tyre, moralit të tyre dhe vetes së tyre.

Jam i bindur se krijuesit, apo edhe vetë lexuesit modernë si unë, që nuk kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me epokën socialiste, do të donin ta imagjinonin shkrimtarin e duhur dhe të domosdoshëm tashmë, jo vetëm si emrin e një të devotshmi e të talentuari, por edhe si një person të gjallë prej mishi e gjaku, që vërtetë duhet të konkurojë në mjedisin e letërsive të mëdha. Ky shkrimtar natyrisht me ardhjen e tij i këshillon të gjithë shkrimtarët që të mos lejojnë askënd të zgjedhë komplotet dhe idetë e tyre, domethënë të jenë gjithmonë të vërtetë me veten dhe ta pikturojnë realitetin ashtu siç e perceptojnë. Këshilla do të ishte që shkrimtarët thjesht të përpiqen të qëndrojnë jashtë çdo konjukture. Mjafton një gjë e vetme, e cila është plotësisht nën kontrollin e tyre, pra të jenë vetvetja. Asgjë më shumë. Pastaj le të shkruhen biografitë, vuajtjet, parcelizimet, duartrokitjet, çmimet, dekoratat, sfilatat sipas arsyeve që arsyetohen në shkrime të dedikuara nga të Tjerët.

60 views6 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page