top of page

SHKREPTIMA NË GJUMIN E MESNATËS


Vullnet Mato

SHKREPTIMA NË GJUMIN E MESNATËS

Mbrëmë në gjumin e mesnatë u përplasën retë,

teksa qielli me shkreptima zuri të bubullojë.

Disa hieroglife të zjarrta shkruanin rrufetë,

mes tyre lexova: “O, sa të lumtur jetojmë!”

Brofa nga shtrati i brengës, kërceva përpjetë,

duke rrëmbyer shpatën time të vetëtimës.

U ngjita sipër në qiell, ku kacafyteshin retë,        

zura t’i çaj mespërmes, me tehun e flakërimës.

Ç’ke, or bir, që po vetëtin aq fort, këtu lart?

më thërriste nga parajsa, nëna flokëbardhë.

Me kë je zemëruar aq rëndë, or vëlla i madh?  

pyesnin tre vëllezërit, ikur nga jeta vite më parë.

Pse e nxore nga milli shpatën e fjetur në mur?

më qortoi motra, që shkoi në Eden, pas nënës,

ne nuk jemi më në sofër, aq sa ishim dikur,

që e ndave në shtatë thela, pjeprin e hënës?...

Pse, or babë, u zemërove me qiellin e zotit!

klithën me lot shiu, djemtë dhe vajza e vetme,

duke u munduar të më zbutnin me fjalë koti

dhe shkallën e jehonave, më tundnin nënvete...

Me cilin zihesh egër, ti që nuk grindesh kurrë?...

Ushtonte gruaja e mahnitur nga nervat e mia;

mbaje zemërimin dhe zbrit nga qielli, or burrë !

se zgjove lagjen në këtë orë, kur u flenë fëmija!...

Nuk zbres, vringëlloja shpatën e vetëtimës me zjarr,

do t’u djeg fijet e shpirtit, lidhur mes qiellit e tokës,

të gjithë të korruptuarve dhe oligarkëve shqiptarë,

që nuk na lënë të ngjitim dhe ne, lartësitë e botës!...

Zbrit, or jahu, thanë tërë familja, ti je veç një shpatë!

Nuk zbres, or jo, sonte jam tërbuar dhe do ia bëj fora,

pavarësisht se gjithë burrëria, fle rreth e qark!...

Por, ah, dielli mëngjesit, ma rrëmbeu shpatën nga dora!

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page