top of page

Shkallët


Shkallët

Nga Fatmir Terziu


Në qytetin e Elbasanit ndodhet Lagjia “Banesa”.

Lagjja ku banojnë të ardhur, elbasanas, të ngulur vitesh,

emra që shkruhen ende në lista votimesh,

të lindur, të vdekur, të ikur,

ku komunitetet njihen nga “shkallët”,

jo më nga hallet.


Shkallët u ndërtuan dhe i vunë emrin kësaj pjese të qytetit,

jo pse u bënë vendpushim i fëmijëve,

as se me to ngjitej ndonjë malore. Jo.

Ata u quajtën prej shkallëve me këtë toponimi

e kjo iu ngjiz

u mbeti emër i ri...


Një emërtesë e rastësishme.

Nuk u pre ndonjë shirit i kuq. As nuk u hodhën valle,

nuk u veshën rroba të bardha,

nuk u kënduan këngë, nuk u dëgjuan halle,

buka u lye si gjithnjë me pak sheqer e ujë,

ndoshta me pak vaj ulliri dikund për hatër

edhe pse Ullishten e kishin afër,

loja me “rrollpllaka” nuk u ndal

as loja me të qëlluar të lehtë,

u luajt edhe kukamshehtë.

Këtu ku janë shkallët, fatkeqësisht më s’i ndjen,

në të gjithë hapësirën ku bredh

dhe dëgjon “Jam bir tek shkallët”

por vetëm në telefon,

kur metohet ndonjë zë dashurisht “ikanak” i largët.


Këtu nuk ka më shkallë,

nuk bëjnë më këmbët mbi to,

kushërira e babait nuk shkel më,

as shoku im i rinisë, nuk shkel as Ajo.

Nuk shkel më askush.

Shkallët nuk shkelen më.

Shkallët nuk janë më shkallë,

si gjithë vendi edhe shkallët janë në hall?!


Këmbët që i shkelnin kanë humbur,

e humbën njerëzit shkallën?


Kjo nuk është pyetje.

Kjo nuk duhet bërë të paktën për shkallët.

Shkallët? Ato thjesht paguajnë qiranë.

Paguajnë dhe faturën e dikujt që i bëri për vete

të ngjiten “allaryshfet” në majat e kësaj jete.


Trokamat e heshtura përhumbën reflektimet e tyre.

Shkallët. Shkallët. Shkallët.

Mbaje mendjen këtu:

“....sapo na thanë se jetokan ende mes vetmisë

si një frakturë e grabitur me shpirt si të vrarët,

pa dashurinë e fëmijërisë...”

Pa dashurinë e fëmijërisë?

Përgjigjju! Pse na i rrëmbeve dhe shkallët?!

29 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page