top of page

Shitësi i sendeve të kota


Fatmir Minguli

Duke mos pasur një dyqan ai kishte zënë një cep të rrugicës dhe pranë një peme poshtë saj vendoste çdo ditë në mëngjes herët sendet që donte të shiste. I nxirrte për ditë. Kishte gati tridhjetë vjet që e bënte këtë punë. Ndoshta njëzet e pesë vjet, ndoshta dhe njëzet, por prap ishte një kohë e gjatë. Aty në atë cep shitjeje vendoste një tavolinë të vogël, që dukej si lodër fëmijsh e mbi të, në dy katet e saj të brishtë vendoste ca xhingla -mingla, korniza të thyera, këpucë burrash, dekorata të kohës moniste, kapele të ushtarëve sovjetikë, tokëza rrypash të lojës keç prej letre, natyrisht, etj.

Normal, në se ato do ishin të rregullta, patjetër që nuk do të ishin të kota, por sendet e shitësit, emrin e të cilit asnjëherë nuk e mësova, ishin të cunguara. Kështu tek kapelja e ushtarve sovjetikë ishte vetëm pjesa e sipërme dhe yllin e kishte vënë vetë nga mbrapa, ose kornizat e ndryshme ishin me tre krahë dhe krahu i katërt lidhej me spango.

Shitësi çdo ditë u ndrronte vendin sendeve, sidomos atyre, të vetmeve palë të këpucëve. Ato herë vareshin në trungun e pemës, e herë ndaheshin nga njera tjetra. Mesa duket ai i jepte të kuptonte ndonjë blerësi të mundshëm se ato këpucë kishin vlera të mëdha dhe ai do të mundohej që t'i bashkonte të majtën me të djathtën, me mundim por do t’i bashkonte.

Nga sendet më të çuditshme ishin paketat "DS" dhe " Partizani" , të cilat i kishte nga një copë dhe çuditërisht me cigare brenda. Kuti shkrepsesh bosh, lapsa të shkurtër fare, fletore të grisura, tavlla duhani të thyera, letra të grisura fletoresh arithmetike etj, etj.

Dukej sikur kishte marrë sende nga shtëpia e tij dhe i shiste. Po a shiste vallë? Një zot e di.

Por a kishte kalimtarë në atë rrugicë? Kjo është dhe pyetja më interesante. Rrugica ndodhej në një nga qendrat e pushimit në breg të Adriatikut. Një rrugicë jo shumë e gjatë, e ngushtë rreth tre metra. Ishte gati njëlloj si ato rrugicat e romanit "Mont Oriol" të Mopasanit. Anash saj ishin disa mure me kangjella që ruanin vilat e bukura një apo dy katëshe, tashmë të lëna pas dore. Nga të dy anët kishte rreshta me gëmusha dekorative, pemë të larta, pisha që e mbushnin me aromë atë rrugicë gati të shkretë.

Në fakt, aty kalonin ata pak pushues që shfrytëzonin hijen e rrugicës e cila lidhte pjesën e thellë me pallate të pushuesve me bregun e detit. Ishte një rrugicë e mrekullueshme në këto ditë të nxehta të korrikut, prandaj përpiqej ta shfrytëzonte dhe shitësi i sendeve të kota.

Atë ditë tek po kthehesha nga plazhi, mund të ishte ora 14.00, pashë te cepi i dyqanit një blerës. Ai po shihte një medaljon nga ato të kinezëve që u përhapën në Shqipëri, medaljone me llamarina të lyera me ngjyrë ari. Ai blerësi po negocionte për çmimin, por aty mes klasikëve të marksisëm leninizmit mungonte Engelsi.Ndoshta ishte prodhim skarco...

Unë ecja si me përtesë por dhe kurioz për të ditur çmimin...ngadalsova hapin dhe…

” Eshtë e mrekullueshme, nuk gjen tjetër si kjo, kanë kaluar dyzet vjet, bleje se e ke me çmim gati falas. “ ….ishte shitësi që fliste me një gjallëri që binte ndesh me pamjen e tij aq të qetë.

Ai njeriu tjetër e bleu.

Rrugica kishte jetën e saj dhe ashtu e heshtur sikur gjallërohej nga dora e shitësit i cili hiqte edhe një gjethe të tharë të posa rënë nga pema. Ai kishte mbjellë ca lule si këmbana rrëzë mureve të vilave të braktisura. Gjithë ditën e kalonte duke i vëzhguar me kujdes por sytë i mbante për nga tavolina e sendeve të kota.

Megjithë këtë gjallërim, rrugica seç fshihte në brendinë e saj, një mister të madh. Ndoshta ai pluhuri i madh që ngrihej nga këmbët e pushuesve ishte një nga treguesit e kësaj fshehtësie e rrugica e ngrinte shumë më tepër atë pluhur sikur kërkonte t’i shtynte ata anash mureve me kangjella të ndryshkura apo t’i përplaste pas trungjeve të pemëve. Një hakmarrje!

Gjithçka në këtë rrugicë kishte filluar të ndërtohej në vitet 1991-1993. Më parë ajo ishte thjeshtë një fushë me rërë e me shkurret që mbijnë pranë detit. Ishte një fushë e lirë dhe e pavarur e mbi sipërfaqen e saj frynin puhizat që vinin nga bregu. Mbi trupin e saj nuk kalonin këmbë njerëzish.

Por kjo i përket të kaluarës. Gjithçka tani dukej si skenat ku xhirohen filma të viteve 1800. Edhe dy restorantet poshtë dy pallateve ishin të mbyllur. E vetmja gjë e gjallë ishte një mace e dobët e cila kur kalonte pranë shitësit të gjërave të kota, mjaullinte si më të qarë.

Edhe shitësi i gjërave të kota vazhdonte i qetë punën e tij. Vallë a ishte ai në dijeni se në Vjenë vitet e fundit ishte hapur “Muzeumi i sendeve pa vlera”! Por jam i sigurtë se ai edhe po ta dinte me siguri do të thonte se ndonjë turist austriak që kishte kaluar nga dyqani i tij, e kishte kopjuar.

Ai dilte me panatallona të shkurtra dhe me një këmishë të hekurosur, çuditërisht të hekurosur shumë me kujdes. Vinte pak i dobët nga trupi, fytyra pothuaj nuk shprehte asgjë. E vetmja gjë që binte sy në tërë qenien e tij ishte kujdesi i tepëruar që tregonte gjatë sistemimit të sendeve mbi katet e tavolinës.

Me të nuk bisedonte njeri. Të gjithë kalonin pranë tij në mëngjes e nuk e kishin mendjen te ai por te plazhi aty pranë e kur ktheheshin mendjen e kishin të shkonin sa më shpejt në shtëpitë e tyre e të pushonin e të shpëtonin nga rrezet përvëluese të diellit.

Ndoshta vetëm pasditja e vonë i jepte mundësinë atij që të kapte ndonjë blerës e për t’i folur vetëm për sendin që ai shihte apo i kishte tërhequr vëmendjen. Në ato momente ai të fliste gjithë gjallëri por vetëm për sendin që rrotullohej në duart e blersit në tentativë.

Më ishte krijuar ideja e një simbioze mes atij dhe vetë rrugicës. Nëse rrugica kishte të fshehtat e saj e që i reflektonte me ngritjen e pakuptueshme të pluhurit të saj, edhe ai me siguri do ta kishte një të fshehtë. Por ndërsa rrugica e tregonte inatin e saj, ai nuk reagonte për asgjë. Kishte kaq vjet që nuk reagonte. Mua mu fiksua mendimi se ai ishte martuar me rrugicën. Çdo gjë që bënte e bënte vetëm për të. Prandaj edhe dikujt i dukej sikur ai ishte pronar i krejt rrugicës, gjë që nuk ishte e vërtetë.

Vonë, kur pushimet mbaruan dhe isha larguar nga ajo qendër pushimi pranë detit, mësova rastësisht si ai shitësi i gjërave të kota ishte pronar i një pallati me pesë kate e me restorant poshtë. Pikërisht i atij pallati ku përpara tij ai organizonte çdo ditë shitjen e gjërave të kota. Kishte rreth njëzet e pesë vjet që e bënte këtë punë, dimër e verë. Edhe në dimër kur në rrugicë nuk kalonte njeri vetëm macja e dobët i vinte rreth e qark këmbëve të tij e mjaullinte si më të qarë.


Gusht 2020



74 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page