VITA BLLOSHMI
SHAMIA ME TRËNDELINË
-Tregim-
-Klara, Klara,- dëgjoi ta shkundte Bardhyli nga supet.
-Çfarë ke?...Klara hapi sytë dhe ndjeu që ishte e tëra e mbuluar me djersë. Filloi të dridhej dhe dy lotë si sumbulla të mëdha i rrëshqitën faqeve.
-Pe ndonjë ëndërr të keqe?- e pyeti Bardhyli.
Ajo struku kokën në krahërorin e Bardhylit dhe nuk foli. Ai i përkëdheli flokët dhe me dorën tjetër i fshiu lotët që vazhdonin të binin... Me siguri ndonjë ëndërr mëngjesi, mendoi ai duke u larguar të bënte kafenë dhe nuk e ngacmoi më.
-Më duhet të shkoj disa ditë nga mamaja,- tha Klara, duke gjerbur kafenë që Bardhyli ia kishte sjellë në shtrat.
-Ku është problemi?- i tha ai, - këtë fundjavë të shoqëroj unë dhe shkojmë.
-Jo, nuk mund të pres fundjavën, po nisem sot,- e bëri fakt të kryer ajo...Paska parë në ëndërr të ëmën mendoi Bardhyli...
-O.K., zemër shko, e mos u shqetëso për butikun, kujdesem unë. Mamaja e Klarës jetonte e vetme në një fshat të largët nga qyteti ku banonin ata.Babai i Klarës kishte kohë që i kishte lënë, një vëlla dhe një motër e Klarës jetonin në Amerikë dhe vinin shumë rrallë.Me gjithë këmbënguljen e Klarës për të ardhur e për të jetuar me ta në qytet, ajo kurrë nuk e lëshoi shtëpinë e saj. -Nëse një ditë do ta ndiej të nevojshme të vij, do të të them,- e qetësonte Klarën me një buzëqeshje të ëmbël. Kishte goxha kohë që Klara nuk kishte vajtur ta shikonte.I telefononte çdo ditë dhe një kushërirkë që banonte afër shpesh e informonte për çdo gjë.
Edhe pse fëmijët nuk jetonin me Klarën dhe Bardhylin, njëri nga djemtë akoma studionte jashtë shtetit, ndërsa tjetri, sapo u diplomua, e mbajtën pedagog në të njëjtin universitet ku studioi, Klara përsëri ishte shumë e ngarkuar me butikun.Kishin rroba mode dhe prania e Klarës me buzëqeshjen e ëmbël dhe mënyrën e sjellshme që e karakterizonte ishte e domosdoshme në butik.
Ishte gati pas dreke dhe autobusi që e solli Klarën në fshat të linte pak larg nga shtëpia, por Klara, sa herë që kthehej, e bënte me kënaqësi më këmbë atë copë rrugë. Aty çdo gur sokaku i fliste me dashuri për fëmijërinë e saj. Ajo njihte çdo kërcitje porte, çdo zë.... Sa herë që vinte aty, pa e kuptuar, ajo kthehej në tjetër njeri, përqafonte nënat në çdo portë, përkëdhelte kokën e fëmijëve e kthente shpotitë e bashkëmoshatarëve të saj tashmë gjyshër, për qytetaren trendi që dashuron fshatin... Këtë radhë diçka e shtynte të shkonte sa më shpejt në shtëpi të përqafonte nënën. Ëndrra e mëngjesit i kishte lënë një shije të keqe.Shtyu portën e shtëpisë dhe u gjend sakaq në oborr.U çudit kur nuk e pa nënën të ulur nën hijen e hardhisë ku rrinte zagonisht. Mbajti vesh, nga brenda dëgjohej zëri i kushërirës. Ajo mori frymë e lehtësuar dhe u drejtua në derën e shtëpisë, e hapi me një lëvizje të shpejtë të dorës dhe, përballë në divanin e dhomës së ndenjës pa të ëmën. Ajo u shtang kur pa Klarën të hynte dhe menjëherë iu drejtua kushërisës me ton qortues:
-Lili!!! …
-Jo, ngriti supet ajo,-nuk e kam lajmëruar unë.
-Mama, çfarë ke?,- pyeti e shqëtesuar Klara...
-Po asgjë, moj bijë... Pimë nga një kafe me Lilin dhe u shtriva pak e po bëjmë muhabet,- gënjeu ajo.
Lili uli sytë që të mos zbulonte gënjeshtrën e sapo thënë.Klara e përqafoi fort nënën dhe ndieu që i kishte munguar shumë. Kushërira i solli kafenë dhe bashkë me të edhe një copë pengjir që e kishte sjellë nga shtëpia e saj në mëngjes...
Nëna mundohej të buzëqesht,e por dukej hapur se e bënte vetëm që t'i mbushte mendjen Klarës që ishte mirë. Lili, kur po lanin sëbashku enët e darkës në kuzhinë, i tha që mamaja kishte disa ditë që nuk ndihej mirë, nuk hante si më parë dhe kishte një kollë që i shkulte mushkëritë gjithë natën. Por ajo e kishte ndaluar rreptësisht Lilin që t'i tregonte Klarës, sepse, sipas saj ishte diçka e lehtë që do të kalonte shpejt.
Kur u kthye në dhomën e ndenjes, Klara pa që nëna dremiste dhe iu mblodh një lëmsh në grykë kur e pa ashtu të vogël, të dobët dhe një hije e lehtë e zbehtë i kishte mbuluar fytyrën. Ajo nuk ishte ankuar kurrë për faktin që jetonte vetëm, nuk u kishte dhënë asnjë problem fëmijëve të saj me kërkesa e me ankime të kota. Klara e mbuloi me një batanije të hollë dhe u shtri te divani tjetër.Nuk po e zgjoj, mendoi, po flemë këtu.
Atë natë nëna u kollit shpesh, disa herë u mbulua me djersë dhe Klara u detyrua ta ndërronte.- Ke marrë të ftohtë,-i tha Klara, ndërsa nëna, si fëmijë e zënë në faj, i thonte që nuk kishte asgjë e të nesërmen do ndihej më mirë...
Atë mëngjes Klara i telefonoi mjekut të fshatit, që erdhi menjëherë. Ai e vizitoi gjatë, aq sa nëna po e ngacmonte duke i thënë se “ti rri kaq gjatë me mua, po me te rejat sa rri?”. Ai i buzëqeshi lehtë, mbushi një recetë shpejt e shpejt dhe ia zgjati Klarës, duke i thënë që mjekimi duhej të fillonte që sot. Klara mundohej të ishte e qetë përpara nënës, doli të shkonte në farmaci dhe rrugës i telefonoi Bardhylit e i tha që nuk do të kthehej për disa ditë derisa nëna të bëhej më mirë. Mori ilaçet e mamasë në farmacinë e vetme të fshatit dhe u kthye rrëmbimthi në shtëpi, sikur nuk donte të linte asnjë moment pa shijuar me mamanë. E gjeti të përkulur në arkëzën e saj në fund të odës. Ishte një arkëz druri e gdhendur me motive floreale që u shërbente nuseve për të mbajtur pajën. Sa herë që nëna hapte atë arkëz kur ishin të vegjël shtëpia kundërmonte erë trëndelinë. Edhe sot kjo aromë e mbushi dhomën. Klara iu afrua ngadalë dhe pa që në dorë mamaja kishte një shami. E vështronte dhe dukej sikur po e përkëdhelte me sy. Ajo e vuri re ardhjen e së bijës dhe filloi të tregonte:- Kjo është shamia që më ka dhuruar babai juaj. Ishte koha kur akoma dashuritë dhe martesat nuk ishin njësoj si në kohët e sotme.Atëherë njerëzit dërgonin mblesë për t'u fejuar.Dhe një ditë në portën tonë trokiti një burrë i pashëm rreth të pesëdhjetave që të gjithë në fshat e mbanin si njeri të mënçur.Pasi u përshëndetën me babanë, u futën në odën e miqve. -Grua,- kafenë, -dëgjova zërin e babait,- shko edhe në qilar e na merr atë shishen e rakisë së parvjetshme. Nëna hynte e dilte nga oda me një buzëqeshje që nuk dija ta dalloja në ishte e lumtur apo ndihej në faj... Pasi ai burri iku, nëna erdhi drejt meje me një shami të purpurtë me trëndafila.- Bijë, të ka kërkuar i biri i Gjergjit për nuse,- më tha duke më zgjatur shaminë. Unë u drodha e tëra dhe më ra gjergjefi nga dora. Sapo i kisha mbushur të gjashtëmbëdhjetat. Kisha dëgjuar për të birin e Gjergjit, vajzat në krua flisnin gjithmonë ,ai ishte një djalë i bukur bojalli, me shpatulla të gjera, shkonte e vinte me karvanet që merrnin e përcillnin njerëz për në Stamboll, siç thonin njerëzit në fshat, unë e kisha parë vetëm një herë shkarazi por nuk mendoja kurrë që ai mund të më kishte vënë re...Nëna vazhdonte të tregonte, duke shtrënguar fort shaminë në duar.- Me këtë shami unë isha fejuar dhe babai kishte dhënë pëlqimin e tij. Shkoja çdo ditë, nxirrja shaminë nga arkëza, i merrja erë, e përkëdhelja dhe përsëri e futja aty. Ai ishte gjithmonë i ikur,në shtegëtimet e tij me karvanet. Një herë, kur u kthye, më gjeti te kroi i fshatit dhe, me një buzëqeshje prej djali çapkën më kërkoi ujë. Unë u hutova aq shumë sa më ra shtëmba nga duart dhe u thye. Ai qeshi e më pëshpëriti: “në javën e parë të vjeshtës së dytë do të kemi dasmën” dhe u largua. Mbas disa ditësh mblesi erdhi në shtëpi dhe prenë ditën e dasmës... Isha një grua e lumtur, ai ishte një baba dhe një bashkëshort i mrekullueshëm.E doja shumë dhe pas punëve të ditës mezi prisja të binte mbrëmja e të vinte ai moment i bukur të mbeteshim vetëm në dhomën tonë.Vetëm se jeta e tij qe shumë e shkurtër. Në një pritë nga kaçakët në një natë gjatë udhëtimit ai kishte humbur jetën dhe nga ai më mbeti vetëm kjo shami dhe ju... Vështrimi i nënës u bë më i përhumbur dhe në sytë e saj dallova dy lotë që kishin vështirësi të zbrisnin në faqet e rreshkura të nënës. Ajo i mori erë përsëri shamisë, e shtrëngoi në duart e saj të fishkura dhe, papritur, ma zgjati mua... -Merre bijë... Dhe ruaje shaminë e stambolliut... Pas këtyre fjalëve e zuri gjumi.
Unë e shtrëngova fort shaminë dhe gati më erdhi turp nga vetja për unazat e shumta që më mbulonin gishtat. Bardhyli më dhuronte nga një në çdo përvjetor e unë nuk kënaqesha kurrë
E pashë mamanë në atë gjumë të paqtë e mendova që ilaçet kishin filluar të bënin efektin e tyre e ajo po përmirësohej. Por në mendje më mbeti ai rrëfim i saj aq i bukur për rininë dhe jetën e vet.Asnjëherë nuk më kishte folur kështu, me detaje të tilla, sidoqë e njihnim jetën e saj mirë.E mbulova ngadalë dhe, për të mos e shqetësuar gjatë natës, u shtriva në krevatin tjetër që ndodhej në dhomën e madhe. Shamia me erë trëndelinë përhapte aromën e saj mbi jastekun tim. Gjatë natës nëna nuk u kollit asnjëherë.
Të nesërmen u ngrita me ngadalë, vajta e përgatita kafenë dhe ia solla në dhomë tek shtrati. Hapa perdet dhe dritaren, nga ku hynë rrezet e një dielli të ngrohtë që u derdhën deri në shtratin ku flinte nëna.U afrova ngadalë për ta zgjuar. Por dora e saj e ftohtë më dha sinjalin më të dhimbshëm të jetës sime. Mamaja nuk ishte më. Ishte shuar në heshtje atë natë mes kujtimeve të bukura për stambolliun e saj.
Në dhomë vazhdonte të parfumonte shamia me trëndelinë.
Comentários