top of page

SHËNDETI MES TREGUT DHE SOLIDARITETIT...


Dr Shefqet Deliallisi

Iniciativa private, tregu i lirë, konkurrenca, privatizimet shpesh paraqiten si “çelësi i artë” për zgjidhjen e problemeve të sistemit shëndetësor. Sigurisht që është një kundërpërgjigje radikale ndaj super-centralizimit të sistemit që lamë pas, apo ndryshimeve mbresëlënëse në sektorë të tjerë, në sajë të forcave të tregut. Por, a janë forcat e tregut i vetmi mekanizëm rregullues i sistemit shëndetësor?

TË GJITHË NË REFORMË…

Të gjitha vendet janë të pakënaqur me sistemin shëndetësor. Dikush kërkon më shumë mekanizma tregu, dikush më shumë solidaritet social. Dikush thotë sistemi vuan nga mungesa e konkurrencës, dikë konkurrenca e tepërt e dëmton. Ndryshe mendojnë ekonomistët, që e shohin kujdesin shëndetë- sor si një industri shërbimesh dhe fokusohen në aspektin “industri”, duke nënkuptuar treg, konkurrencë, por dhe pabarazi. Ndryshe politikëbërësit dhe qytetarët, që fokusohen në aspektin “shërbim”, duke nënkuptuar nevojë, detyrë, drejtësi sociale. Të gjitha vendet janë në reformim të sistemit shëndetësor. Reformim pambarimisht i gjatë. Politikat shëndetësore janë në gjendje fermentimi, tronditjeje dhe konfuzioni… asnjë zgjidhje e lehtë nuk propozohet, mbasi, asnjë e tillë nuk ekziston. Duke u përballur, nga njëra anë, me presionin e financimit të sistemit shëndetësor, nga ana tjetër, me dështimin në ofrimin e tij, politikëbërësit kërkojnë zgjidhje radikale.

REVOLUCIONI DHE KUNDËREVOLUCIONI

Në librin “E ardhmja e politikave shëndetësore”, më tërhoqën vëmendjen dy kapituj, renditur njëri pas tjetrit. “Revolucioni i konkurrencës i viteve 80-të” dhe “Kundërevolucioni i financimit të kujdesit shëndetësor”. Në kapitullin e parë flitej për “revolucionin” e sistemit shëndetësor të viteve 80, funksionimin e tij sipas koncepteve të industrisë, ligjeve të tregut të lirë, konkurrencës. Në të dytin, 20 vjet më pas, bëhej fjalë, tashmë për nevojën e një “kundërrevolucion”, mbasi “revolucioni”… kish dështuar!!! Po le të kthehemi në vitet 80-të. Ishte koha kur në vendet e zhvilluara, mjekësia shkencore, pa zhurmë, po zhvendoste funksionin social dhe “apostolik” të mjekësisë, rolin ngushëllues, këshillues, me pak fjalë, efektin “placebo”, apo “ilaçin doktor”. Ishte koha, kur si pasojë e shpërthimit të dijeve mjekë- sore, komercializimit të praktikës mjekë- sore, sistemi shëndetësor doli jashtë kontrollit. U bë më i pabarabartë dhe shumë më i shtrenjtë… Ishte koha kur Regani në Amerikë dhe Thatcher në Britani, adoptuan ideologjinë ekonomike, sipas së cilës kontrolli dhe drejtimi i gjithë aspekteve të jetës mund të realizohej nëpërmjet forcave të tregut, të cilat mund të kontrollonin rezultatin, shpërblenin apo penalizonin ekonomikisht individët për arritjet apo dështimet. Principet e tregut u konsideruan universale. Madje, u shkua deri aty sa, nëse diçka ishte gabim, “ishte jo-mjaftueshëm si tregu!”. Kjo ideologji ekonomike u aplikua edhe në sistemin shëndetësor. Avokati më i fuqishëm i saj ishte këshilltari i Reganit, sekretar i Shëndetit, Edukimit dhe Çështjeve Sociale (1977-79) Joseph Califano, i cili idetë e tij i shprehu në librin “Revolucioni i Kujdesit Shëndetësor Amerikan” Kush jeton? Kush vdes? Kush Paguan?” (1986). Califano impononte një set levash ekonomike si promovimi i fuqishëm i pagesave DRG, menaxhimin e kujdesit shëndetësor, kontrollin e mjekëve nëpërmjet incentivave ekonomike. Sipas tij, zgjidhja ishte: më shumë treg, më shumë konkurrentë dhe më shumë presion konkurrence. Califano u përpoq që “sëmundjen” e sistemit shëndetësor ta shërontem duke përdorur “ilaçin” treg. Por koha tregoi se ky “ilaç” nuk e përmirësoi gjendjen. Gabimi themelor ishte moskonsiderimi i shëndetit si një mall i veçantë.

SHËNDETI MALL, POR EDHE E DREJTË NJERËZORE

Në sistemin kapitalist shëndeti, si çdo gjë tjetër, kthehet në mall mbasi hyn në përdorim, furnizimi me të nuk është pa kufi, kërkesa për të është në raport të zhdrejtë me çmimin e tij. Duke u konsideruar mall, përdoruesi duhet të paguajë për të. Por, shëndeti ndryshe nga mallrat e tjera është më pak i qartë, është vështirë të tregtohet ndërmjet personave, në masë të madhe vetëprodhohet, kërkon bashkëpunimin njerëzor mjekpacient dhe jo marrëdhënie të ftohta komerciale shitës-blerës, ndikohet fuqishëm nga konsumimi i mallrave të tjera. Të gjitha këto vështirësojnë matjen, vlerësimin e shëndetit. Bëjnë që tregu i shëndetit të jetë jo një treg i rregullt konkurrence, sipas modelit tradicional të konkurrencës së pastër që përshkruhet në tekstet e ekonomisë. Në të njëjtën kohë, sipas shumicës, shëndeti konsiderohet një e drejtë njerëzore. Si e tillë nuk duhet të alokohet si mallrat e tjerë, në bazë të aftësisë për të paguar. Dhe, kur një shërbim shpërblehet si e drejtë, pa u siguruar në treg, s’është më mall. Por ndërsa mallizimi i plotë i shëndetit në sistemin kapitalist është i mundur, demallizimi i plotë i tij, jo. Konsiderimi i shëndetit si një mall i paçmim (“I paçmuar”) krijon probleme në prodhimin dhe furnizimin me të. Pra, njëkohësisht kërkohet që shëndeti të gëzojë, edhe atributet e drejtës njerëzore, edhe ato të mallit. Të jetë një “ishull” socialist në “oqeanin” kapitalist. Është pikërisht ky dualizëm që e bën shëndetin mall të veçantë dhe ndërlikon problemet.

ROLI I TREGUT…

Sipas ideve neoliberale, tregu i lirë i bazuar në kërkesë-ofertë, rregullon në mënyrë natyrale prodhimin dhe furnizimin me shërbimin e kujdesit shëndetësor. Në sajë të konkurrencës natyrale, ai siguron shërbim cilësor, madje me kosto të ulët. Ndonëse idetë neoliberale janë përqafuar gjerësisht, asnjë sistem shëndetësor perëndimor nuk është plotësisht i rregulluar, sipas sistemit të tregut të lirë (madje edhe Amerika ka kujdese shëndetësore publike si Medicaid dhe Medicare). Ende në vende të ndryshme perëndimore sistemet shëndetësore janë të organizuar rreth vlerave të solidaritetit. Në Europë zakonisht flitet për një sistem shëndetësor “quasi-market”, ku sigurimi i kujdesit shëndetësor i është lënë konkurrencës së tregut, ndërsa financimi dhe në disa raste edhe shitja e tij, bëhet nga shteti. Kjo për faktin se tregu i lirë e ka të pamundur të sigurojë një alokim social optimal të resurseve.

ROLI I QEVERISË…

Ajo që sot tërheq vëmendjen është se pothuaj në të gjitha vendet e industrializuara vërehet zgjerimi i ndërhyrjes së qeverisë në sektorin shëndetësor. Ndonëse këto vende kanë përqafuar politika liberale, tregun e lirë, privatizimin, etj., kur flitet për sigurimet shëndetësore dhe kujdesin shëndetësor, qeveritë e tyre luajnë një rol të konsiderueshëm rregullues si subvencionuese, rimbursuese, blerëse direkte apo prodhuese të kujdesit shëndetësor, apo ofrues të tij. Dhe kjo ndodh, ndonëse dihet që kontrolli burokratik që shoqëron ndë- rhyrjen e qeverisë, nuk favorizon një kujdes shëndetësor kosto-efektiv me cilësi të lartë, kur është provuar se kontrolli i gjithanshëm i qeverisë mbi kujdesin shëndetësor nuk ka mirëfunksionuar në asnjë vend. Në fakt, ekonomistët i kanë kushtuar vë- mendje ndërhyrjes së qeverisë dhe pasojave. Ndërsa M.Fridman e ka argumentuar ekspansionin e qeverisë, si një politikë mjaft të gabuar, Stigler (1975) është më racional: “Nëse një politikë ekonomike përqafohet nga shumë komunitete, apo ndiqet nga shoqëria në mënyrë të vazhdueshme, për kohë të gjatë, është mirë të pranohet, mbasi tashmë efektet reale të saj janë të njohura dhe të dëshiruara”. Madje, edhe Von Hayek (2000), një prej avokatëve më të mëdhenj të noeliberalizmit, mendon se fushat ku shteti mund të luajë një rol të rëndësishëm, pa dëmtuar liritë individuale janë pikërisht shëndeti dhe arsimimi. Problemi, sipas tij, krijohet kur shteti, qeveria, kalojnë masën si ridistributor i të mirave materiale, shërbimeve dhe të ardhurave. SI

PËRFUNDIM…

Sigurisht, tregu është një mekanizëm i fuqishëm rregullues, konkurrenca një komponent i rëndësishëm që ai të funksionojë mirë. Por konkurrenca në kujdesin shëndetësor duhet të menaxhohet dhe qeveria duhet të jetë menaxhuesja kryesore. Ndryshe nga reformat e kryera te ne në sektorin farmaceutik, apo stomatologjik, që ua lanë për zgjidhje tregut dhe ai e zgjidhi më së miri, pjesa e mbetur për t’u reformuar (më e rëndësishmja), është shumë më e ndërlikuar. Nuk mund të zgjidhet thjesht me mekanizmat e tregut. Redelmeier & Fuchs (1993) shkruan: “Unë jam në favor të përpjekjes për të futur më shumë frymë konkurrence në sistemin spitalor… por dyshoj se kjo industri mund të lihet e sigurt në duart e një tregu të lirë të pastër. Tregjet e spitaleve i shmangen në mënyrë substanciale konkurrencës ideale, disa herë në mënyrë të paevitueshme”. Nga ana tjetër, reforma shëndetësore në çdo vend duhet t’i përshtatet kushteve konkrete. Në kushtet e vendit tonë, dy faktorë duhet të konsiderohen veçanërisht. Fakti që nuk jemi vend i varfër dhe fakti që jemi vend i vogël. Këto bëjnë që roli rregullues i qeverisë të jetë vendimtar, edhe për shumë kohë. Kjo nuk do të thotë se praktikat e tregut nuk duhet të inkurajohen, përkundrazi, por përvojat kanë treguar se në sistemin shëndetësor nuk duhet të fetishizohen. Të gjithë vendet moderne përdorin kombinimin e mekanizmave rregullues. Por, proporcioni ndryshon së tepërmi nga një vend në tjetrin, madje dhe nga një kohë në tjetrën, në të njëjtin vend. Ruajtja e një ekuilibri të domosdoshëm ndërmjet rolit të qeverisë (politikës) dhe rolit të tregut (ekonomisë) është e domosdoshme. Sipas Stiglitz (nobelist në ekonomi 2001): “Një Rrugë të Tretë, midis kapitalizmit global të sotëm dhe socializmit të diskredituar të djeshëm, nuk duhet të jetë më vetëm një ëndërr”.

27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page