top of page

Sfidat e të rinjve dhe studenteve përgjate COVID-19.


Enxi Mokrëri

Gjithçka nisi para 17 viteve kur une isha 5 vjeç dhe dëgjoja tim atë teksa fliste me aq ngazëllim e nostalgji per periudhen kur kish nisur studimet e larta e “i mbushej goja plot” kur shqipëronte fjalën “ student”. Si fëmijë me shume ambicie doja të kalonin menjëherë vitet e të shihja veten duke hedhur hapat në shkallet e universitetit. Në mendimet e mia ngrihej një perandori njohurish e akademikesh të shquar prej të cileve do të kisha privilegjin të merrja shënimet e mia e të degjoja me orë te tera leksionet e tyre aq të vyera. Kaluan vitet e unë sot një studente, e cila përfundon ciklin e dytë të studimeve. Teksa mijëra si unë ecim në një litar mbi humnerën e të ardhmes misterioze, gjunjët dridhen e dhëmbët kërcasin, përballim frikërat drejt e në sy për të kapërcyer drejt tregut të punës. COVID 19 do të ishte “përbindëshi” që për një muaj do të shkërmoqte gjithë piedestalin e idealeve që me aq besim e vullnet kishim ëndërruar. Por ku gjendemi ne, rinia dhe studentet e Shqipërisë sot? Ne sot e gjejme veten të gozhduar nga pamundësia ekonomike për të përballuar kostot e studimeve, nga një burg i minimizuar i quajtur kompjuter dhe nga një ushtri injorance që presim të na pushtojë pas 5-6 vitet të ardhshme. Së pari shenjëstrohemi nga tarifat e kripura të njësive të akomodimit, nga universitete private që kërkojnë pagesa të plota pa shkelur asnje ditë në oborrin e fakultetit dhe një indiferentizëm i akullt i instancave për mungesën e pajisjeve tek të rinjtë për të mundësuar ndjekjen e studimeve virtualisht. Dorëzohemi para konvikteve me minj ne koridore, me tualete pa uje me muret plot insekte. Kurrsesi nuk besoj se ndonjëudhëheqës yni, anëtar i qeverisë e fle fëmijën e vet në nje shtrat të thyer dhe me dyshek dhjetra vjecar, i mbushur plot rrecka të vjetëruara.Kjo barrë po i peshon sot rinisë shqiptare. Së dyti do të mëshoj fort tek gjurmët psikologjike dhe sociale që po le COVID -19. Ashtu si unë dhe çdo student tjeter është i detyruar të jetë i kthjellet përpara kompjuterit përgjatë katër ose pesë orëve rresht për të ndjekur leksionet e dites. Po kryqezojmë veten para detyrimeve tona si studente duke sakrifikuar edhe shikimin. Ju lutem na shmangni paragjykimet e daljeve për një kafe sepse përpost gjithë këtyre pasojave nuk do jetë cudi kur t’ju perplaset në fytyre një derë me mbishkrimin “Çmendinë.” Për më tepër po i lejoj vetes t’ju permend se ne të rinjtë dhe studentet më shume se cdo gjë tjetër kemi nevoje për mbështetje, për mundësi ,për vlerësim, por mbi te gjitha kemi nevojë për VËRTETËSI. Kursejini provimet me alternativa dhe praktikat fiktive të firmosura brenda 5 sekondash. Na i mohoni edhe leksionet për trajnime dhe projekte të shemtuara që grisen para syve tuaj. Sot rendim për të prekur tregun e punes me shume se cdo herë tjetër. Vuajmë për të “merituar” profesionin! Recitimet përmendësh të teorive të sociologëve apo ekonomistëve duhet të jenë një teknikë e shekullit të shkuar. Studentëve përcilluni praktike po aq sa teori sepse kur COVID të jetë një kujtim i hidhur, nipërit tuaj nuk do të kenë çfarë të hanë. Shqiperise sot i vyejnë thonj më të pistë e mendje më të pastra. Nga ana tjeter nuk dua të anashkaloj zhvillimin e teknologjisë në funksion të mësimit nga shtëpia. Ndërkoh që dje nuk e imagjinonim dot një realizim të tillë, sot është e prekshme nga kushdo që ka një pajisje smart. E gjithë kjo për të na dhënë mundësinë të kryejmë detyrimet tona si studentë duke shmangur në këtë mënyrë pasojat katastrofale të humbjes së vitit. Dua ta mbyll me reflektim. Ende nuk është vone për të pastruar njollat e pista të së kaluarës me të cilat është perlyer arsimi si shtylla më themelore e një demokracie . Nuk do të rresht së besuari në idealet e mia se do të rikthehet lavdia dhe shkelqimi I “titullit “ student. Por jo duke luftuar INJORANCËN, duke luftuar INTELIGJENTËT e zhytur kokë e këmbë në KORRUPSION.

13 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page