Sfida e një përkthyesi adoleshent


Sotir Athanasi



(Gruan e moshuar, sapo mbërriti në spital nga azili, e shpunë menjëherë në reanimacion. Në çastin e fundit erdhi edhe djali i saj funksionar në pushtet. Ajo i bëri shenjë infermieres, e cila shtypi butonin e celularit dhe në atë qetësi reanimative u përhapën tingujt e një kënge PËR NËNËN. Shumë e bukur. Tejet e dhimbshme dhe po aq rrëqethëse, edhe pse frëngjisht. Në mbarim të saj nëna, me vështirësi, mundi t’i thotë:

– "Kjo këngë më zgjon çdo mëngjes dhe më kujton që të kam ty, bir. Unë po e lë këtë botë. Por ti interesohu që azilet të kenë ngrohje në dimër, freskim në behar dhe ushqim të mirë për të moshuarit. Se… kur të të sjellin ty këtu, do të vuash. Mua edhe e vdekur do të më dhembë shpirti".

Pas kësaj, ajo mbylli sytë.

(Marrë ngaxnjë bisedë gojore në reanimacion).


Makina na la në autostradë. Ne morëm poshtë monopatin. Këtej zbrisnim përherë. Njëqind metra më tutje ishte shtëpia e tezes sime; një dykatëshe e bollshme, me oborr të shtruar dhe pemë frutore rreth e qark. Për ngritjen e saj një ndihmesë të madhe monetare kishin dhënë djemtë që punonin e jetonin në Itali. Dhe kjo qe derdhur pa kursim, që në themel, siç thuhet. Veçse, do të ishte më e saktë të nënkuptohej, që në projekt, të cilën e kishte siguruar Gentiani, i cili prej motesh jetonte dhe studionte tashmë në Padova. Aty kishte përfunduar vitin e fundit të maturës, arsimin e lartë universitar për inxhinieri elektrike dhe qe emëruar diku në këtë specialitet.

Për vajtjen në Itali të Genit (kështu e thërrisnim të gjithë) unë do të shkruaja edhe një tregim interesant nën titullin kurdisës:

Sfida e një përkthyesi adoleshent.

Kuptohet, isha tre vjet më i madh se ai. Me maturë të mbaruar dhe një kurs për shofer, ku kisha shumë dhunti. Por ajo që spikaste më tepër që në gjimnaz tek unë ishte letërsia dhe hartimet. Nuk është se i qaja, siç edhe m’i cilësonin, por unë shkruaja për shokët e mi dhe kapja thelbësoren e dukurisë, duke u ngritur nga e veçanta për ta përgjithë- suar atë. Dhe kjo qe e mirëpritur jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga redaksitë, ku i shpija shkrimet për botim. Edhe ky shkrim mbase flet për një gjë të tillë. Ju, miqtë e mi, do të jeni ata që do të pajtoheni me këtë përfundim ose jo. Pra, provën e kam me Ju.

Gjithsesi, papunësia dhe mungesa e perspektivës më shkurajonin vijueshmërisht. Për më tepër se kisha kryer dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe ankthi ia kishte lënë vendin plogështisë.

Atëherë, le të nisim tregimin tonë:

1.

Ishte fundi i viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar. Vendi ynë, në njëfarë mënyre, po bënte kinse hapjen ndaj botës. Në qytezën ku banonte tezja ime kishte ardhur një grup turistik italian. Ata thjesht kishin lënë gjumin e pasdites në hotelin Adriatik në plazh dhe me një autobus urban kërshëria i kishte sjellë në qytezë.

Atë behar, thuajse çdo javë, grupe të tilla pasonin njëri-tjetrin. Dëshira për të shkuar në Itali, si mua edhe Genit, na digjte gjoksin. Jo si turistë. Aq më pak emigrantë. Kurrsesi të paligjshëm. Por me vizë të rregullt, për të ndjekur studimet. Unë të lartat, kurse Geni të përfundonte maturën në Itali, e cila do ta favorizonte pastaj për në universitet. Sepse ky e zotëronte italishten shkëlqyeshëm. Atë e kishte mësuar thjesht duke ndjekur kanalet italiane në TV, frekuencat e të cilave nuk mund të pengoheshin nga zhurmuesit për arsye strategji-ke.

Për rastësi (dhe fatmirësisht ), atë behar u ndodha edhe unë në qytezën e vogël dhe së bashku me Genin kishim thurur plane. Kinse hapja për ne nuk qe frëngji në “kullën tonë të lartë e të pamposh-tur”. Ajo do të bënte që shikimi ynë të rrokte një pamje të paktën sa një baxhë a mazgallë, se që të komunikoje me turistët, kur dije gjuhën, mjaftonte që ata të kishin ardhur të paorganizuar a si për kënaqësinë e tyre. Dhe këtë e kuptonin të gjithë po t’i shikoje se ata vinin me autobusin urban e jo me Alb-turistin luksoz të hotelit Adriatik në Durrës. Shkurt, njohja me një të huaj mund të bëhej çengel për t’u ngjitur në anijen e tyre të kthimit matanë detit. Por për këtë, veç gjuhës, duhej pak guxim. Ky nuk i mungonte Genit. Rasti qe i për- kryer. Me turistët nuk kishte as përkthyes dhe as ndonjë kalec a sigurims. Duhej shfrytëzuar kjo mundësi vështirë e përsëritshme. Dhe ashtu bëmë.

Të huajt u futën në Pallatin e Kulturës së qytezës dhe kur vunë re se përveç kafes në sallën kryesore, që tymoste nga duhani me të dredhme dhe fytyrave të trembura, shtoju këtyre bufenë mbushur me “ingranazhe”, as coca-co- la, as raft frigoriferik, që të dilnin menjëherë përjashta. Iu drejtuan sheshit përpara kinemasë së vjetër, së cilës nuk i qe bërë asnjë makijazh për të fshehur, në njëfarë mënyre origjinën e saj prej kapanoni të ushtrisë pushtuese fashiste. Më e dhimbshmja, por edhe më sebepi për ndërhyrje qe se ata iu

afruan asaj dhe shpërthyen në një gaz kolektiv, kur panë nga larg afishen e filmit që do të shfaqej atë mbrëmje dhe që titullohej:

"Nuk ka paqe nën ullinj".

Dhe përbri për javën tjetër filmit francez:

"Fan-Fan Tulipan"

Vizitorët e përtejdetit këmbenin shpenguar me njëri-tjetrin dhe gajaseshin. Geni më përkthente zëulur dhe ne, që atë rast prisnim t’u zbrazeshim për shpërfilljen e tyre në dekada karshi vendit tonë, menduam se në këtë pikë duhet t’i thumbonim, ashtu me naivitetin e adoleshencës së Genit.

Së pari t’i përgjigjej ironisë për distancën e prodhimit të filmit dhe shfaqjen e tij pas katër dekadash. Këtë Geni duhet ta bënte dhe të tregonte se ne, megjithatë, dinim më shumë për ta se sa ata për ne. Dhe duhej të nënvizohej, me takt edhe fakti që mund të mos kishin dëgjuar as për historinë e Skënderbeut.

Për të gjitha këto ne kishim folur gjatë me njëri-tjetrin dhe djali i tezes sime, të cilin e kisha edhe shok, ishte thuajse i mbushur.

Kur më në fund të qeshurat e tyre u platitën dhe rà një heshtje, nga ato që s’është lehtë të dalësh kur je zhytur në mallin që të grishin pamjet e filmit e fotot pas qelqeve të kornizës, Geni ndërhyri:

– Më falni, zotërinj!

Ata kthyen kryet papritmas dhe nuk u besohej që zëri kishte dalë nga ai djalë trup'paktë, por tejet tërheqës, me ata flokë