top of page

SFIDA E AHMET PRENÇIT PËR T’U RENDITUR ME ELITËN KRIJUESE TË KOMBIT

Updated: Oct 23, 2023



“BRENGA E PROKURORIT”, SFIDA E AHMET PRENÇIT

PËR T’U RENDITUR ME ELITËN KRIJUESE TË KOMBIT

Halil Rama – Mjeshtër i Madh



Qoftë dhe nga jehona në tregun mediatik shqiptar, intervistat televizive apo dhe opinionet e komentet e shumta në rrjetet sociale, edhe ata që s’e patën mundësinë e pjesëmarrjes në prezantimin e bujshëm në një nga sallat më të mëdha të Hotel Tirana “International” (19 tetor 2023), me praninë e qindra personaliteteteve, jo vetëm të letrave, por edhe jurisprudencës (siç qe pothuajse e gjithë trupa e SPAK dhe nga strukturat e larta të Policisë së Shtetit) do të vlerësonin se me romanin “Brenga e Prokukurorit”, Ahmet Prençi po befason botën letrare të kryeqytetit.

Si një nga miqtë e tij të shumtë, para fatin ta kisha dhe lexoja që në dorëshkrim këtë roman (kur ende autori nuk e kishte shtuar edhe një kapitull të tij) dhe sinqerisht jam befasuar me subjektin interesant, me ndërtimin kompozicional ku lëvrijnë aq bukur artistikisht ngjarje e personzhe që të mbeten në mendje.

Ashtu si me romanin “Anja”, botuar dhe ribotuar tre vite më pare (përkthyer dhe botuar edhe në turqisht), me të cilin u shpall fitues i çmimit “At Gjergj Fisha”, ndërkohë që qe finalist i çmimit kombëtar të letërsisë për vitin 2020, edhe me romanin “Brenga e prokurorit”, Ahmet Prençi përçon mjeshtërisht konceptet filozofike për vazhdimësinë e jetës, për familjen dhe shtetin e së drejtës, të shprehura aq qartësisht e që e bëjnë këtë një vepër letrare që sjell risi në prozën e sotme shqipe.

Nëse në eventin kushtuar 150 – vjetorit të lindjes së poetit të madh dhe korifeut të Rilindjes sonë Kombëtare, At Gjergj Fishta, organizuar nga Bashkia dhe Biblioteka e Lezhës (tetor 2021), poeti dhe prozatori Ahmet Prençi u vlerësua me Çmimin e Karrierës “Gjergj Fishta” për romanin “Anja”, me romanin e tij të dytë “Brenga e prokurorit”, ai vjen me portretizime e përshkrime brilante të personazheve, të ngjarjeve e rrethanave, veçanërisht të përjetimeve të personazhit kryesor nga çaste të përballjes me eksponentë kryesorë të krimit.



BRENGA E PROKURORIT TË VRARË SI BRENGË E AUTORIT


Të skeduara e përshkruara si rrëfime ngjarjesh e episode përsonazesh që veprojnë në tempullin e drejtësisë, autori si njohës perfekt i fushës, i jep lexuesit jo vetëm profilin e Martin Gurit, simbol i prokurorit që përçon sinjale të qarta se edhe në këtë vend drejtësia mund e do të bëhet, por njëherësh edhe brengat e tij.

Në këtë roman mbresëlënës është brenga e shokut të tij, prokurorit Artur Rrasa të vrarë pabesisht nga dora kriminale…është dhimbja për atë me të cilin, ndonëse në të njejtin profil, netëve të vona inskenonin skena teatrale, kur Arturi luante kriminelin e Ai prokurorin. Ndaj dhe ishte betuar t’i shkonte gjer në fund dosjes së madhe të kriminelit me damkë Marjan Broja.



Por edhe në këtë betejë spikat profili i tij njerëzor, siç është shprehur A.Prençi në disa intervista televizive, sepse edhe prokurori është njeri parasëgjithash. Gjithsesi ai sjell episode nga çaste kulmore të shoqërisë me shokun e rinisë qoftë dhe nga fotoja me të e atë të fëmijëve që mbante në zyrën e tij të punës.…në foton me Arturin ishin në këmbë, pranë e pranë, me një buzagaz pak të sforcuar, të nxitur kryesisht nga fotografi… Por, sado i sforcuar si moment, ajo buzëqeshje tashmë e mbante të gjallë Arturin në zemrën e tij. Fotoja qe shkrepur një javë para se ta ekzekutonin në pabesi. Këto dy fotografi shërbenin shpesh si dy kolona të forta, ku mbahej gjatë ditës së tij prokurori Martin Guri. Aty merrte forcën, frymëzimin dhe motivimin për të ecur përpara me urtësi dhe drejtësi, me mençuri e profesionalizëm, me guxim dhe respekt për gjithçka që e rrethonte, brenda e jashtë asaj zyre. Ndaj edhe i mbante ndër sy, gjithë kohën e gjatë që qëndronte në zyrë. Ato foto e nxisnin gjithmonë të reflektonte, të ishte i kthjellët, i fortë, por dhe njerëzor në vendimet që merrte….”,-shkruan autori Prençi.

Në lëndën tejet jetësore e të pasur është këndvështrimi objektiv i autorit për luftën pa kompromis ndaj krimit, edhe kur ndodhet përballë kërkësave ultimative si ajo e Arjanës.

Ai e kishte varrosur bashkë me ëndrrat e rinisë së hershme, ngjarjen me Arjanën. Nuk gjente asnjë shpjegim për veten. Kishin kaluar rreth 30 vjet. Martini e kishte të fshirë takimin e parë dhe të fundit me Arjanën. Për dreq, ajo iu shfaq për t’i tronditur të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ajo bisedë ia kishte nxirë e përmbysur gjithçka kishte para e rrotull vetes. Të gjitha ç’kishte ndërtuar në jetë, ishin tronditur si në një përplasje pllakash tektonike që rrëmbejnë e përpijnë njerëz dhe godina, prej një energjie të jashtëzakonshme, pas një kohe të gjatë gjumi. Po, kështu thuhej në shkencë, tërmetet dhe vullkanet kishin kohën e tyre të gjumit dhe kohën e tyre të zgjimit ”.


AHMET PRENÇI, ARKITEKT LIGJËRIMESH TË KËNDSHME


Si një arkitekt i vërtetë ligjërimesh të këndshme, Ahmet Prençi përcjell nëpërmjet këtij romani edhe mesazhin e shenjtërisë së familjes dhe ruajtjes së traditës. Kësisoj ai dëshmon për vlerat e rralla ideoartistike që ai përçon tek lexuesi. Dhe këtë e bën edhe nëpërmjet portretizimit të bashkëshortes së tij, Eliza kur shkruan se Sytë e Elizës ishin sy të vërtetë, për atë dhe fëmijët e tyre ” . Dhe më tej, pasi përshkruan bukurinë e saj fizike e shpirtërore dhe vlerat e spikatura intelektuale e njerëzore, shkruan se: “....pavarësisht të gjithave, fundjavat dhe ditët e pushimeve Martini ia kushtonte familjes së tij, me ndonjë përjashtim të rrallë. U dedikohej tërësisht atyre, sepse kishte nevojë të zhvishte lëkurën e prokurorit për të gjalluar si njeri i thjeshtë dhe familjar i përplotur”. Qoftë edhe nga ky perifrazim konstatohet se si Ahmet Prençi, me romanin e tij e afron lexuesin shumë pranë me personazhet. Ai i përgatit ato për një ngjarje të madhe dhe, sa më pranë saj janë ato, aq më i rreptë është sprovimi i tyre dhe më dramatik përcaktimi.



Ndërsa evidenton kaq kaq bukur rolin e prokurorit të ditëve të sotme, po aq bukur ai përshkruan edhe terrin e drejtësisë së para tri dekadave, kur viktima të pafajshme dënoheshin në emer të Partisë dhe të popullit. “Në të ri Martin Guri pyeste veten: Pse nuk thuhet thjesht ‘Armik i popullit’. A nuk ishte edhe partia pjesë e popullit? Po populli, a nuk e përfshinte brenda partinë? Pse duhej ai togfjalësh dallues dhe kundërvënës ndonjëherë?”fq.61).

Kësaj enigme autori Prençi i jep shpjegim me arrestimin nga përbindëshi Piro të karrocierit Rushan me një mal me halle,, vetëm e vetëm pse zhvaste për bukën e fëmijëve misër nga ai i kooperativës dhe se kur pinte ndonjëherë, nga gjendja mjerane dhe i pashpresë i jepte ndonjëherë gojës.

Qasje interesante të autorit në këtë roman janë edhe përshkrimet e lutjes së gjyshës, në ato kohë kur nuk lejohej as lutja, as falja tek Zoti, por vetëm besimi tek Partia. “Gjyshja e mençur vazhdonte në të vetën ‘Te Zoti duhet të falemi përditë, jo vetëm kur troket moti i keq”.(fq.55-56). Dhe në këtë linjë, me gjuhë mjaftë të pasur e mjete shprehëse interesante A.Prençi përshkruan më pas ngjarjen makabër të një të mbyturit në lum, Hajri Kacani, për të cilin u mbloddhën gjithë burrat e fshatit t’ia nxirrnin kufomën nga lumi…dhe më vonë për të u kënduan këngë, por “Hero i Punës Socialiste” nuk u bë, se na doli me problem në biografi…

Teksa sjell në memorie dhe skalit me mjeshtri të rrallë ngjarje e episode të tilla dëshëpëruese, autori Prençi, padyshim qasje kryesore ka brengën e Prokurorit…

Tani ishte vetë Martini në rrjedhë të frikshme, jo e dukshme si uji, por këmbët dridheshin pa gjetur dot taban. A do të bëhej ai viktima e një lumi që fryhet papritur? Sepse, ashtu krejt papritur erdhi Arjana në zyrën e tij dhe, si një rrebesh vere u lëshua mbi të pa mëshirë. A do të binte ‘dëshmor’ prokurori me një ‘cen’ në biografi, ashtu si djaloshi Hajri Kacani që e kishte dajën armik të Partisë?”(fq.61)


PRETENCA PARA DREJTËSISË DHE PRETENCA PARA ZOTIT


Pikërisht mbi këtë shtrat romancieri tashmë i sprovuar Ahmet Prençi, i përvijon ngjarjet deri tek zgjidhja e enigmës, kur ai vendos sipas ligjit, pavarësisht nga ngjizja e një fëmije nga një flirt dashurie me Arjanën në rininë e tyre, të cilën ia tregon ajo pikërisht kur ky fëmijë tashmë i rriur me emrin Marjan Boja ishte bërë nga kriminelët më të rrezikshëm. Përballë kësaj dileme, triumfon ligji, vënja në jetë e drejtësisë. Pra prokurori Martin Guri nuk zbrapset nga ndëshkimi i krimit, përpara cilitdo që ta ketë kryer atë. Dhe idenë e kësaj sprove e përçon me mjeshtri të rrallë qoftë edhe nga ana kompozicionale, duke i vendosur kapitujt njëri pas tjetrit me titujt sinjifikativë (sipas imagjinatës dhe trillit artitik): Një klithmë nga errësira”, “Triptik kujtimesh…”; “Një kafe në teh të briskut”; “Në kirurgjinë e drejtësisë”; “Plumbi i tradhëtisë në shtëpinë e drejtësisë”; “Një kopil në derë”, “Shfletime nga një sagë kriminale”; “Me bombë në prehër”; “Pretenca para ligjit” e “Pretenca‘ para Zotit”...

Po. Ashtu siç shkruan botuesi - Shtëpia Botuese: “Mediaprint”, me rrëfimin e protagonistit Martin Guri autori Prençi “zbulon gradualisht një sistem drejtësie të kontaminuar nga krimi dhe korrupsioni e bashkë me të “Brengën e Prokurorit”, në rezistencën për të ruajtur idealet edhe kur presionet janë të mëdha. Si një njeri i drejtësisë autori Ahmet Prençi, shkruan i inspiruar nga një realitet i afërt, ku siç thotë, ka ende njerëz të ligjit e rendit që punën e tyre e shikojnë si mision”.

Dhe jo vetëm kaq. Siç vlerëson poeti laureat Rudolf Marku, në romanin “Brenga e prokurorit”, ashtu si dhe te romani “Anja”, duket se pika më e fortë e autorit është krijimi i karaktereve, metaformizimi i tyre nga të qënurit real në të vërtetë fiktivë…”. Si të tillë profilizohen, jo vetëm prokurori Martin Guri,, por edhe bashkëshortja e tij Eliza, kur autori vë në gojën e saj fjalët: “Mos me pas fatin e Rozafës, Martin!” (Kjo në kontekstin e shenjtërisë së familjes).

Dhe përderisa ky roman merr vlerësime maksimale edhe nga personalitete të letrave, si Rudolf Marku, – Poet laureat, shkrimtar i cili është dhe një nga recensuesit e librit “Brenga e Prokurorit”, Behar Gjoka, një nga zërat më të spikatur të kritikës së sotme letrare, publicisti dhe diplomati Arben Çejku, gazetari e shkrimtari i mirënjohur Shefqet Meko si dhe profesori, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, nga shkrimtaret e mirënjohura Flutura Açka, Entela Kasi e dhjetra të tjerë, jam i bindur në vlerësimin tim se Ahmet Prençi po e kalon dinjitetshëm sfidën e renditjes me elitën krijuese të kombit.



80 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page