top of page

Sfidë perballë shtypjes

Updated: May 16, 2023



Ishte shkrimtare dhe disidente. Ajo u burgos dhe vuajti poshtërimin nën një regjim despotik që kishte vrarë vëllezërit e saj, dhe e mbajti nën vëzhgim dhe internim në pjesën më të madhe të jetës. Ku tjetër veç në Shqipëri këto gjëra kanë ndodhur? Por në shkolla, fëmijët ende njihen me gënjeshtra të shpifura të shpikura nga propaganda parti-shtet.

Musine Kokalari (1917-1983) shkroi dhe veproi në një nga periudhat më të rëndësishme të zhvillimeve politike në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte themeluese dhe figura kryesore e Partisë së parë Socialdemokrate të Shqipërisë, e cila ishte në të njëjtën kohë një nga organizatat e para të rëndësishme politike kundër regjimit enverist.

Historia e saj e guximshme mund të tregohet tani pasi u publikuan dosjet e policisë sekrete që zbuluan detaje rreth një dështimi tronditës “të drejtësisë” që i privoi botës shkrimtaren e madhe. Kokalari ishte shkrimtarja e parë femër e shquar e Shqipërisë që vinte nga periudha para-komuniste.

Pjesën më të madhe të jetës e kaloi si e burgosur dhe e torturuar për shkak të bindjeve nga të cilat nuk u tërhoq kurrë. Kështu, në histori, Musine ishte një nga intelektualet e para që sakrifikoi rehatinë në dobi të demokracisë, si një grua që nuk pranoi t'i nënshtrohej regjimit të hekurt. Për më tepër, Musine ishte një nga të parët e më të rrallat që kundërshtoi dhe refuzoi kategorikisht konformizmin, dhe totalitarizmin. Ajo iu kundërvu hegjemonisë dhe monopolit të partisë-shtet-parti që këmbëngulte në të menduarit uniform dhe aktivizëm njëdimensional, sipas diktatitit nga lart-poshtë për mënyrën se si dhe çfarë është atdheu, patriotizmi dhe e mira e përgjithshme. Kur u arrestua më 23 janar 1946 nga regjimi i Enver Hoxhës u dënua si “sabotatore dhe armike e popullit” nga Gjykata Ushtarake e Tiranës me 30 vjet burgim (2 korrik 1946), dēnim që më vonë u reduktua në 20. Ajo zgjoi dhe tronditi sallën dhe trupin gjykues me këto fjallē që vlejne kaq shumë edhe sot në këtë gjysmë-demokraci:

“Nuk kam nevojë të jem komuniste që ta dua vendin tim”.

Në personazhin Musine gjejmë të ndërthurur - veprim; liri njerëzore: intelekt; vendosmëri; qëndrueshmëri; ajo shkruante atë që besonte, vepronte siç ishte e bindur dhe frymëzohej ndërsa fliste. Kështu, mendonte lirshëm, angazhohej lirshëm dhe jetonte e lirë. Pikëpamja e saj më e gjerë për të ardhmen e vendit si një demokraci nuk është aspak e vjetëruar. Në thelb, mbrojtja e fjalës së lirë është çelës për pjesëmarrjen dhe kontributin në shoqërinë civile (sot vegla të partisë, patronazhist) dhe duhet të shërbejë për të na kujtuar se demokracitë janë ende në zhvillim. Gjyqi i saj dhe gjyqet e bashkëkohësve të saj tregojnë se sa i brishtë mund të jetë sundimi i ligjit.

Musine Kokalari lindi në Adana të Turqisë. Në vitin 1921, së bashku me familjen e saj, u kthyen në Gjirokastër, qytet i prejardhjes së familjes. Musineja e re pati rastin të vendoste kontakte me botën intelektuale falë edhe 3 vëllezërve të saj: Hamit, Vesim e Muntaz — Libraria “Venus”, në pronësi të Vesimit, ishte pikë e rëndësishme referimi dhe thellimi kulturor në kryeqytetin shqiptar. Nga Shtëpia botuese “Mesagjeritë shqiptare” e drejtuar Mumtazi, janë përkthyer dhe botuar vepra bazë si ato të Edgar Allan Poe, Walter Scott, Shakespeare, Omar Khajami, Vicente Blasco Ibnez. Në vitin 1943 Hamiti botoi librin "Kosova djepi i shqiptarizmit" në shqip dhe frëngjisht. Emri i tij rezultoi të ishte në listën e personave që duhej të ekzekutoheshin nga guerriljet komuniste. Më 12 nëntor 1944 forcat e “mbrojtjes së popullit”, pararendës të sigurimit të Shtetit, shkuan ta merrnin në banesë, ashtu si vëllezërit, por ishte i sëmurë shumë rëndë dhe nuk mundi të çohej nga shtrati. Kjo e shpëtoi nga vdekja

Në vitin 1937, Musine filloi të botojë një sërë artikujsh mbi çështjet sociale në gazetën me emrin Muza, një lojë fjalësh me emrin e saj Musine.

E shkolluar fillimisht në Tiranë, ajo studioi në Fakultetin e Letërsisë Moderne në Universitetin La Sapienza në Romë, Itali. Atje mbajti edhe një ditar; Jeta ime universitare, i cili u botua më 2016. Në vitin 1941, ajo botoi librin e saj të parë; Siç më thotë nënoja plakë. Libri flet për betejat e përditshme të një gruaje që jeton në një shoqëri thellësisht patriarkale. Libri ka 80 faqe me dhjetë përralla në dialektin gjirokastrit: Ky koleksion historik, i frymëzuar fuqishëm nga folklori dhe nga betejat e përditshme të grave gjirokastrite, mendohet të jetë vepra e parë letrare e shkruar dhe botuar ndonjëherë nga një grua në Shqipëri. Vlera konsiston në dialektin shumë të gjallë të Gjirokastrës dhe zakonet mbizotëruese të rajonit. Kokalari e quajti librin “pasqyrë e një bote të shkuar".

Në mesin e vitit 1943 Musine së bashku me Nexhmije Xhuglini Hoxhën themeluan revistën e grave "Shqiptarja e Re" — Dhe kur Musinea u arrestua dhe gjatë gjyqit të saj në qershor 1946, pikërisht kjo revistë e quajti atë terroriste dhe bëri thirrje që "Drejtësia Popullore" t'i jepte Musine Kokalarit dënimin më të rëndë. Organizata e Grave nga cila kjo revistë botohej kryesohej nga Nexhimie Hoxha.

Tre vjet më vonë, megjithë peripecitë e Luftës së Dytë Botërore, Kokalari tashmë njëzet e shtatë vjeç, mundi të botojë një përmbledhje më të gjatë me tregime dhe skica të titulluar Sa u-tunt jeta, Tiranë, 1944, prej 348 faqesh, të cilat e vendosën atë – aq shkurtimisht – si shkrimtare kalibri. Një vëllim i tretë i përrallave të saj popullore titullohej Rreth vatrës, Tiranë, 1944.

Kokalari dalë në një pullë më 2017, ishte një nga 30 shkrimtarët e burgosur që u rendit në vitin 1960 nga PEN Case Musine Kokalari - Albania, Incarcerated.

Krahas veprës së saj letrare, ajo ndërmori edhe nisma të rëndësishme publicitare. Gjatë gjithë vitit 1942, emri i Musine Kokalarit u përfshi në Enciklopedinë Italiane si shkrimtare e talentuar me potencial të lartë letrar. Si pjesë e nismës antifashiste në Shqipëri, në qershor 1943 ajo kontribuoi në botimin e revistës “Gruaja shqiptare” me pseudonimin “Tacitta”. Në vitin 1944, Musine botoi dy veprat e saj me titull "Rreth atdheut" dhe "Si u trondit jeta”.

Që nga fillimi i vitit 1942, Musine Kokalari u angazhua në lëvizjet antifashiste dhe antikomuniste në Romë. Në vitin 1943, ajo ishte një nga themelueset dhe frymëzueset kryesore të Partisë Socialdemokrate. Në kuadër të këtij projekti politik, më 1 janar 1944 ajo botoi numrin e parë të gazetës “Zëri i Lirisë” si gazeta zyrtare e Partisë Socialdemokrate. Në shkurt 1944, Musine publikoi programin e Partisë Socialdemokrate, ku bën thirrje për lirinë politike, të drejtën e çdo qytetari për të praktikuar lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit dhe lirinë e votës: “Arsyeja kryesore e kufizimit të lirisë politike është mungesa e drejtësisë sociale”. Vëllezërit e saj, Muntaz dhe Veisim, u pushkatuan pa gjyq më 12 nëntor 1944. E persekutuar nga pushkatimi i vëllezërve dhe si themeluese e Partisë Socialdemokrate dhe organit të shtypit “Zëri i Lirisë”, Musine Kokalari u arrestua dy herë gjatë nëntorit 1945. Në të njëjtin muaj ajo u angazhua në një lëvizje intelektuale dhe politike të cilën e quajti “Koalicioni Demokratik”. Kjo lëvizje përfaqësonte të gjitha grupet opozitare që kërkonin shtyrjen e zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, ku asnjë parti, përveç asaj komuniste, nuk mund të regjistrohej me kandidatët dhe platformat e saj. Musine ishte figura kryesore politike e këtij koalicioni. Kërkesa e saj nënkuptonte zhvillimin e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri. Të gjithë nënshkruesit e saj u arrestuan në janar 1946. Musine u përball me torturat e tmerrshme të regjimit. Në dosjen e sigurimit të shtetit, lëshuar më 2017, një foto e saj gjatë kohës kur ndodhej e arrestuar, Musine tregohet

me flokë të shkulura nga një turmë e eksituar njerëzish, taktikë që qeveria e përdorte për të sulmuar kundërshtarët e saj. Gjithashtu një foto e Musines me vello të zezë, e ATSh në atë kohë, për dy ditë me radhë bëri xhiron e saj në faqet e gazetave të vendit, derisa regjimi e kuptoi se duhej hequr.

Në vitin 1964, pas 16 vitesh burg në burgun famëkeq të Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgimin e rreptë të agjentëve të sigurimit, Musine Kokalari kaloi edhe 19 vite të tjera të jetës së saj në internim në Rrëshen, nga ku doli në pension me një gjysmë page. Për 11 vjet ajo punoi si pastruese në një ndërmarrje ndërtimi, mes tullave, llaçit dhe betoni; me shaka thoshte se “ishte çmontuese minash”.

Me gjithë persekutimin e vazhdueshëm dhe mungesën e kushteve minimale, Musine Kokalari arriti të përfundonte librin e saj të fshehur, me titull “Si lindi Partia Socialdemokrate”, ku shpjegoi alternativën e saj progresive dhe demokratike.

Në vitin 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer në gji. Asaj iu refuzua trajtimi në spitalin shtetëror onkologjik. Mos shërimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta nën persekutim i shkaktuan vdekjen në izolim të plotë në gusht të vitit 1983. Ajo u rivarros në vitin 1991 në Shish – Tufinë. Në vitin 1993, Musine Kokalari u shpall “Martire e Demokracisë” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Në Tiranë, emri i saj i është vënë një shkolle. Në Prishtinë është Musine Kokalari Institute for Social Policy.

19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page