Sepse …, është Covid-19


Sepse …, është Covid-19


Fatmir Terziu


Unë mund t’a kisha zgjuar veten time ndoshta më herët në mëngjes. Ndërsa dielli herë gudulis retë e herë luan symbylltazi këtu me ne, unë mund të kisha ngritur dorën me gjithë celular dhe të të kisha thirrur. Do të të kisha “gricur veshët” sikurse thua shpesh herë edhe vetë. Unë mund të të kisha bërë një ftesë, thjesht …, për ndonjë kafe. Por, koha do të ishte me rregullat e Covid-19 dhe prapë do të kishte justifikim për të ta bërë ftesën. Koha është me ne. Ne të dy jetojmë në një vend ku nuk e bën kurrë dita pa Lirinë e Njeriut. Po, ja që në këtë kohë edhe kjo e fundit është në varësinë e Covid-19.

Pra, po të mos kishte qenë Covid-19, unë mund të të kisha marrë në muze, të paktën dy prej linjave të transportit publik, ku unë kam punën afër, qenë të disponueshme. Epo thashë, e para, do të më duhej të merrja autobusin, por i pari do të më ikte shpejt, sepse dua t’u them se unë jam shumë i ndjeshëm për të vrapuar, por për të dytin, unë me siguri do ta kisha nxënë, se kam bërë stërvitje në kushtet e shtëpisë, në këtë kohë me Covid-19.

Ngasja ime do të më shikonte sikur jam në gjendje të dehur në vendin e pasagjerit. Sidoqoftë nëse do të ndodhte, nuk ishte se do të bezdisja më me libra, por me një kuti me lapsa, pako me letra dhe diçka për të shkruar.

Unë me siguri pastaj do bëja fotografi me ti në hapësirë, ndoshta me një maskë në fytyrë, se kështu e do tashmë Covid-19. Dhe pastaj do të kisha kohë të kontrolloja fotografitë. Do të zgjidhja disa më të mirat dhe do të ju thoja: “Faleminderit prej jush!, që u gjendët me mua në atë vend, në atë kohë edhe pse na kishte gjysëmndaluar Covid-19. Dhe më pas do t’i dërgoja ato edhe tek ty, edhe kudo, por në mënyrë fine, në mënyrë që fotografitë të mund të shiheshin të paktën në dy forma të artit.

Njëra, më kryesorja, në atë formën tradicionale të fotos, atë që ju me siguri do ta kërkonit dhe atë që unë me përkushtim do ta shikoja. Tjetra me anë të mesazhierit dhe formës më të thukët tinëz.

Unë mund të kisha biseduar me ju gjatë natës nën yje, nën të njëjtin tavan ku unë ju thashë se më pëlqente përvoja vetjake për të bërë atë që mund të kishim bërë. I njëjti tavan ku do të kishim biseduar për jetën tuaj, të paktën disa pjesë të saj (nëse do të isha me Ty). Dhe tjetra, ajo me cilësinë e rrëfimit (nëse do ta kishim një të tillë në këtë kohë me Covid-19).

Unë mund të të kisha sjellë në vendin ku do të mësoja se kemi arsye të jemi përsëri aty, edhe pse arsyet na i ka privuar Covid-19. Ne mund të kishim ecur nëpër sallat që më shikonin, sikurse vetë studentët, se ishin shumë të vetmuara dhe shumë të vetmuar ishin edhe muret, vetëm kështu që do të ndodhte t’u tregoja mureve, “Hej, këtu është, edhe heshtja, edhe zhurma, edhe njohja, edhe mosnjohja, edhe e ngrohta, edhe e ftohta … më në fund.” Dhe muret mund të më buzëqeshnin, sepse e dinë sa kohë dëshira zgjat për t’i imituar ata, aq më shumë binjakëzohemi edhe me muret.

Ne mund të kishim marrë një shëtitje në hijen e pemëve ose mund të kishim realizuar një piknik aty afër korifejve, duke shikuar vrapuesit e Maratonës Londineze dhe muzgun që kopjohet duke ngelur për vjeshtën që na pret si të ndikuar pranverësisht me Covid-19 në Tamiz.

Unë mund të të kisha prezantuar me miqtë e mi, nëse nuk do të më ndaonte ky, pra ky Covid-19. Ata me siguri do të kishin dashur t’ju takojnë. Ata gjithashtu do ta dinin sa kohë kam unë, duke qenë i mbërthyer në një ishull të mistershëm mendimesh. Ata e dinë se kush isha kur isha njëmbëdhjetë vjeç, dhe kur isha gjashtëmbëdhjetë vjeç. Ata e dinë se kush jam tani… Vë bast, se nëse u jepnim atyre një shans, ju do të kishit dëgjuar gjërat e çmendura që ne bënim, kur ndanim kafshatën mes nesh.

Dhe ndoshta ata mund të të pëlqenin ty.

Ata mund të më tregonin se sa me fat kam qenë që të zgjodha ty të të shkruaj në këtë kohë me Covid-19.

Dhe ndoshta do të më kishin paralajmëruar se nëse të kisha lënduar. Ata do të qëndronin me ty, sigurisht edhe me mua. Unë mund t’ua prezantoja familjen time. Familja ime është detyruar të punjë nga shtëpia. Dhe e gjitha është nën rregulla të forta qeveritare pos Covid-19.

Dhe mendja do të më shkonte tek Familje e Madhe. Edhe atje do të ishte vetëm mendja, se edhe atje ka rregulla me Covid-19.

Edhe atje, atje pra, nëna ime do të të pëlqente … edhe atëherë do të fliste se si e ngucja macen kur isha tre vjeçar. Babai do ikte me siguri të na tregonte ndonjë një gjë nga arkiva e tij e madhe.

Unë mund t’ju prezantoja pastaj me babain, vëllezërit, motrat dhe … ndoshta do të ju flisja edhe për Gjyshin tim, të cilin unë do ta konsideroja si trajnerin më të madh dhe më të rëndësishëm të karakterit, sepse besoj se fëmijët mund t’ja kenë ndier mirësinë e tij, që bekon ende me fjalët e tij të shtrenjta në njerëz dhe ai mund ta kishte bekuar këtë ditë me Covid-19 si një ditë ndryshe nga atje larg në errësirën e tij.

Unë mund të kisha shkruar letra. Mund të kisha lënë shenja të rastësishme të vogla që do t’i kisha përdorur për të gjitha rastet tona, dhe fjalët që nuk mund të thoja, mund t’i bëja disa piktura, shenjëza zemre, apo dhe buzësh. Unë mund të kisha luajtur kitare për ju, edhe pse di vetëm…, deri në 3 këngë. Edhe pse i ngatërroj ende notat dhe do të më dukej sikur s’kam prekur ndonjëherë kitare, hiç, fare. Unë mund të të prezantoja me artistët që më pëlqejnë dhe unë mund të dija më shumë ku rahin dëshirat, instiktet, tuajat synime. Unë mund t’i kisha dëgjuar ato dhe do të kisha dashur të të kujtoja çdo herë. Unë mund të ta kisha puthur edhe dorën, mund të kisha ngrënë mëngjes me ty, mund të të kisha lexuar një poezi nga ato për dashurinë tonë. Unë mund të të kisha dashur! Mund të të kisha … nëse do të më jepej shansi. Por, unë isha dhe mund të isha i lodhur, por nuk e dija, dhe nuk e ndjeja lodhjen duke të rishkruar Ty, romani im i preferuar. Dhe vazhdoj të të shkruaj në mesnajën e hidhur të Covid-19. Nuk e dija se ishte vetëm në mendjen time që të hedh me duart e penën time në letër, nuk e dija që jetoje dhe jeton edhe mnë këtë kohë me Covid-19 në tastierën që e pastroj disa herë në ditë. Por unë të shkruaj e të rishkruaj …, jo sikurse ti je vetëm dita e fundit. Të shkruaj me kohëvirus dhe të pastroj me kujdes. Të shkruaj… se pse më mban gjalllë, në jetë dhe të zgjuar. Më fal që të telefonova për të të takuar. Të kam këtu në letrën time të shtrenjtë.

37 views1 comment

Shkrimet e fundit