top of page

SABRI TUÇI – NJË NJERI DHE ARTIST I PAHARRUAR


SHPENDI TOPOLLAJ

(Rreth albumit të Idriz Balanit kushtuar jetës dhe veprës së “Skulptorit të Merituar”

Sabri Tuçi)


Kur vite më parë, atje pranë Torrës veneciane u përurua ai portreti në bronz i mjeshtrit të daltës Sabri Tuçi, mbi atë gurin e stërmadh marrë nga vendlindja e tij, dhe i punuar me aq dashuri e profesionalizëm nga ish nxënësi i tij Idriz Balani, vetiu më erdhën ndërmend fjalët e Guy Kawasakit që thosh: “Nëse do të krijoni statuja për njerëzit e rëndësishëm, krijoni për mësuesit. Ata janë heronjtë e shoqërisë tonë”. Dhe pandeha se duke e përjetësuar atë njeri dhe artist të madh, Idrizi e kishte shprehur deri në fund mirënjohjen ndaj tij dhe veprës që ai la pas. Por kur pashë në proçes pune, ekipin e Sh.B. “2M Printing” aq të angazhuar në nxjerrjen sa më estetike të albumit kushtuar Sabriut, po nga ky autor, përsëri para syve më doli Henry Adamsi, shkruesi i historisë së SH.B.A. i cili shprehej se “Mësuesi prek përjetësinë. Kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon influenca e tij”, dhe për pasojë edhe nderimi për të. Duke e parë dhe lexuar këtë album kaq dinjoitoz, tashmë të përfunduar, jo vetëm mësova plot gjëra të panjohura nga jeta dhe vepra e profesorit, por edhe m`u shtua respekti për vlerat e larta njerëzore të artistit të palodhur Idriz Balani. Por a ishte, sipas opinionit të Kawasakit, një hero i shoqërisë tonë profesor Sabri Tuçi? Mendoj se ishte më shumë se kaq, po të kemi parasysh jo vetëm kohën kontrolluese dhe pa liri krijuese kur jetoi dhe punoi, por edhe dramën që ai sistem imponues i shkaktoi. Më shumë se njeri, një artist i shquar si Sabri Tuçi, ishte një shpirt, pasi ishte formuar si i tillë në mes të Romës, asaj kryeqendre të qytetërimit botëror, ku ngado që të ktheheshe dhe kudo që të futeshe do ndesheshe me mrekullitë që dolën nga mermeri i Karrarës, prej dorës së kollosëve të pavdekshëm, me të cilët ndër shekuj do mburret njerëzimi. Dhe këtë shpirt të ndjeshëm, që dashurinë e kishte të shenjtë, atë djalosh që kapërceu mbi mentalitetin anadollak të kohës dhe solli në atdheun e tij italianen e bukur Marie, e plagosën rëndë. Me akuza absurde, ja burgosën dashurinë e tij të pastër, duke e detyruar ta vajtojë në heshtje fatin e saj të zi, i lanë pa nënë një vatër me fëmijë, e bënë që pa asnjë faj të ulte kokën para të tjerëve, pra ja vranë shpirtin e tij delikat. Vendosini përballë njera - tjetrës bustin “Gruaja” (pra Maria), e realizuar në vitin 1942 nga Sabriu dhe atë të Costanzza Buonarellit të Gian Lorenzo Berninit të vitit 1635 që ndodhet në Museo Nazionale del Bargello të Firences, dhe në të gjitha planet, ku krahas hireve femërore, dallon ajo e shprehjes së fytyrës, do të shihni se mjeshtri ynë nuk bije aspak më poshtë se bashkëkohësi i famshëm i Francesco Borrominit. E njëjta gjë mund të thuhet për djaloshin bari që e quajtën Davidi shqiptar. Dhe ja, ky mjeshtër, duke mbajtur si Sizifi, peshën e rëndë të turpit, i shtyrë nga talenti që ja kishin konstatuar qysh kur ishte fëmijë atje në Krujë, nga dashuria që kishte për jetën, nga nevoja për t`i rritur me nder fëmijët e tij, u detyrua të pranonte porosi që ndofta formimi i tij si evropian i lirë, nuk do t`i zgjidhte kurrë. Pranoi shpesh që talentin e tij ta konsumonte me disa Mao Ce Dunë, Enver Hoxhë e ca karikatura të tjera historike, të cilët asnjë mendje normale nuk mund ta pranojë se i donte. Shto këtu edhe kërkesat obskurantiste të rreptësisë çmendarake së formës e përmbajtjes socialiste, të dyshimeve të paprera, të kontrolleve e miratimeve nga aparatçikët mediokër që të kuptosh se në ç`kushte punonte ky njeri i cili nuk gjente qetësi duke bredhur studio më studio. E megjithatë, gjen forca mbinjerëzore, dhe mbledh rreth vetes fëmijë e të rinj që e duan artin, i ndihmon ata, duke i rrethuar me dashuri prindërore dhe e ndjek ecurinë e tyre në jetë. Dhe ajo që flet më shumë se gjithçka, është fakti që sjellja e tij, sinqeriteti, shpirtmadhësia dhe natyrisht vepra e jashtëzakonshme, triumfuan mbi meskinitetet dhe ligësitë e kohës. Ai mbeti i vlerësuar dhe i respektuar nga kushdo që e njohu apo pa ato që na la si trashëgimi kulturore, dhe këtu nuk po them ndonjë gjë të panjohur. Ajo që desha të theksoj është se ish nxënësi i tij Idriz Balani, më shumë se një album, na ka dhënë mundësinë për të shkruar në të ardhmen një roman për jetën e një njeriu që duke qenë edhe profesori i paharruar i brezave të tërë artistësh të qytetiut tonë, do t`i shkonin aq bukur fjalët e mendimtarit dhe letrarit kinez Konfucit se “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë”.

25 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page