S H Q I P Ë R I A
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 26, 2019
- 2 min read

Nga Agim Shehu
S H Q I P Ë R I A
Udhëton drejt një prralle që i thosh gjyshja te djepi; shalon valën për udhë, vdes te guaca e detit.
Egërsohet te gërxhi, bën pajtim me gjitonin në një pllajë dëbore ku puth pisha limonin.
Kap rrufenë nga reja, e vë hark përmbi derë, kur s'ka bukë, pi dritë te një reze e prerë.
Përmbi mjegulla, 'Lindjen' e shtyn drejt harrimit, buzë detit lan sytë të shohë mirë Perëndimin.
Truri i tij me diamant, shpirti i tij me fosfor, flë në dhè si fshatar, zgjuhet majë - Perandor.
Pi një dhallë...e ngrë luftë për liri me tre shtete, rebelohet nën hënë e bën gjumë mbi tërmete.
Nuk mban mënd se ç'fe ka kur i prekin vatanin; në xhami nderon pashkët e në kishë bën bajramin.
Zër' i tij - zë Zeusi në trojet e veta, i del krismë nga pushka, i hyn këngë te gërneta.
Dritën botës ia pa aq sa bota ia la - nga një shkronjë abetareje te dyfeku në krah.
Vjen nga gjaku i të parëve që kaq zot i rri vëndit me dremitjen e tigrit nën lëkurën e qëngjit.
I flijuar i luftës, i 'mashtruar në paqe, u rrëfehet të rënëve te një fletë manushaqe.
Aq bekim që i dha Qielli, 'mallkim' toka ia mbajti - zvogëluar te trojet, i madhuar te inati...
PËRCJELLJA E CAMIT
Po e përcillnin në udhën e fundit. Te sytë e mbyllur në një paqë të qetë vështronte si i lëvizte brënda gjumit një udhë drejt Jugut që po bënin retë.
Një buzëqeshje e hollë, e ngrirë qe ulur përmbi buzë të tij - po shihte ëndër në hapsirë se po e çojnë në Camëri!...
VALLJA E GRAVE LABE
Ua njihni vallen grave labe ?... një rreth i rëndë pa dredhka supesh, thua, në mes të valles kanë bijtë me plagë të rënda lufte.
Burrat matanë lënë këngën posa jep shënjën një i parë, "Pushoni, gratë zunë vajin, mbi vaj ngarkojnë bijtë e vrarë!"
Gratë në vënd e presin këngën sa u jep shënjë shoqja në shpinë: "Pushoni, po këndojnë burrat, venë në luftë e s'dimë në vinë!"
Këndojnë labet - zgjohen malet, çdo gjë lëviz e trazon shekujt: të vdekurit dridhen të ngjallen, të gjallët dridhen për të vdekur...
Comments