top of page

Rrëfim tregonjës për kohërat e ditëverës e të tjera kohëra




Puna me shkopin dhe 31 filxhanat

(Rrëfim tregonjës për kohërat e ditëverës e të tjera kohëra)


Nga Fatmir Terziu


Ende kishim disa thërrime të ballokumeve të 14 Marsit të atij viti. E, pra të Ditës së Verës, apo Festës së Luleve sipas zonave… E pas kishim lënë lojërat e asaj dite. Arsyet janë si lojërat. Eh, lojërat!? Nuk e di a e keni luajtur. Unë po. Ia kam nxjerr bojën. E ku i nxirret boja shkopit më thanë ndërsa kalonim, Ngushticën e Kanalit. Po unë heshta. Nuk dija nëse duhej të heshtja. Po pse vallë të përgjigjesha. Fundja, shkop ishte. Shkop sade. Shkop i këputur nga një filiz në jetë e sipër. E gjuha e bën shkop. Thjesht shkop, pra! Shkopi nuk kishte bojë, por dhe nëse do të kishte, boja edhe mund t'i ndryshonte. E pastaj ai ishte shkopi i lojës sonë atje. Loja jonë s'kishte emër tjetër. Lojë me shkop. Ca e quanin me cingël. Ca nuk e di pse e pasonin si të mos ishte loja jonë. Atë e kishim ne atëherë. Shkopin. Dhe kur shakatonim me të, thoshim, ja na erdhi ky shkopi. Si shkop është bërë tani. Pse?

Një të dielë ne të gjithë kërcyem vallen që të mbyllin, pra „dhëndër“. E pasi kërcyem edhe atë e mbyllën. E mbyllën dhëndër … dhe ai s'doli deri në të gdhirë. Ne u nximë duke shkatërruar filxhanat në tepsi. Tridhjetë e një ishin. Të gjithë pa bishta. Dhe një shkop i gjatë bëhej gjithnjë në vend të një disiplinuesi. Në këtë rast shkopi nuk kishte të bënte me lojën cingël. Ishte lojë filxhanash, lojë dasme.

Kësaj i thoshim xhumbush. Ne djemtë dhe burrat mblidheshim në një dhomë. Vajzat dhe gratë në një dhomë tjetër. Ata u binin dajreve dhe kërcenin. Ne përhumbeshim mbi 31 filxhana për gjetjen e një unaze. Unaza strukej në errësirë. Ai që zgjidhej e mbulonte kokën me xhaketë. Në disa raste me një velence. E kështu ndodhi. Prapë ata nuk e besonin. E gjithnjë shkonin tek rena. Renë është kjo! Kështu thoshin. O ne ishim të sinqertë dhe u tregonim të vërtetën. E vërteta?! E ku i njihnin ata matanë Kanalit të vërtetat tona?

Pastaj fjalët ndryshuan. I ndryshova unë. U thashë se e pashë atë natë. Kë, më pyetën ata. Më thanë, na thuaj më shumë! Unë pashë përqark. Ishte ujësi. Deti trazohej si një valle të çmendurish me kokat tona që përplaseshin, sa andej e këndej në gomonen tonë. Pastaj heshta. Ata prisnin. U thashë se pasi u mbyll, ai e zhveshi atë. E pastaj, kërkuan ata më shumë. Nuk pashë më asgjë. Jo më thanë ti gënjen. Duhet të kesh parë më tej. Jo u thashë përsëri. Ai kishte ardhur vetëm për dhjetë ditë me leje nga kufiri. Ishte ushtar në muajin e tij të tretë. E kishin fejuar që në klasë të tetë. Pastaj edhe ajo ishte bërë e rritur. Gratë kalimtare flisnin me fjalë të thella. Nuk i kuptoje më shumë. Ja që flisnin. E kështu ndodhi. Nuk duhej folur më. E ai erdhi me leje. U martua para të gjithëve.

Kur iku nuk u takua më me ne. Iku natën. E shoqja, një nuse e re, luante me guriçka me vajzat e tjera. Ajo e mësoi menjëherë atë lojë. Pesë ishin gjithsej. Të gjithë të rrumbullakëta. E kur luanin përhumbeshin. Ne i shihnim nga poshtë telizit të shtëpisë. Ajo i hapte këmbët dhe ne përhumbeshim aty. Ishte më e bardhë se të tjerat.

Gënjen! Thanë ata. E ku duhej folur më. Heshta. Por në Ngushticën e Kanalit nuk mund të heshtje. Djemtë më të rrinj kishin një sy tek unë. Një tjetër e përhumbi diku. E fundja ku mund të shihja tridhjetë e dy sy përnjëherë. Krisma kishte çarë matanë Grykës. Zhurma e saj kishte tmerruar gjithkënd në atë zonë.

Pse? – pyetën ata.

Unë tunda trupin gati si i grabitur nga mornicat. Nuk dija se ç'të flisja. Nuk dija… Aty kishte gjak, por ato ishin vetëm në sytë e mi. Ata nuk e shihnin dot.

Gënjeshtër! – thanë ata.

Unë heshta.

Nuk mund të flisja. Më dukej se i bezdisja. Ishte loja e filxhanëve ende në veshët e mi. Ishte bardhësia e atyre këmbëve në sytë e mjegulluar. Atje..., atje kishte mbetur zhurma dhe krisma. Atje kishte mbetur ngjyra e gjakut… Tashmë kishim kaluar Ngushticën e Kanalit dhe treni Eurostar bënte punën e tij në stacionimin e fundit në Uaterloo.

Fshiva sytë. Nuk e besoja se gjithë atë natë kisha qenë me atë punën e shkopit dhe me 31 filxhanat. Sa shpejt udhëtoka koha?

Gënjeshtër, thashë me vete. Kështu i thashë vetes. Prerë, fare prerë, si ndonjë kolonel. Tashmë isha i disiplinuar. Në Ngushticën e Kanalit u disiplinova sipas tyre, më në fund.

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page