Vullnet Mato
Mblidhuni o Sizifë të arratisur
të ngremë gurin shpopullimit,
pasi ka marrë të rrokullisur,
për në humnerën e rrënimit!
Gurin e rëndë të shqiptarizmit,
ta vendosim në vend të vet
ta ngjitim në majën e lartësimit,
ku ka nderimin e tij përjetë!
Se tatëpjeta e kësaj gremine,
po na lë atdheun shkretuar,
të vajtojnë qyqet, çdo krahine,
me plaka e pleq të vetmuar.
Ky gur i rëndë, shqiponjash,
do shkërmoqet nga përrenjtë,
do bëhet baltë zgërbonjash,
për varrin e Atdheut të shtrenjtë.
Si mund të lihet ky vend, vallë,
me disa mijëra shekuj histori?...
Kjo tokë dhe nëntokë e rrallë,
si të lihet e gjithë kjo pasuri?...
Të vidhet, shitet nga hajdutë,
me terror plumba kriminelësh,
të mbretërojnë të patrutë,
banda parazitësh e dembelësh...
Sepse kur një truall, braktiset,
bari dhe ferrat, lëshojnë mjekër,
bëhet strofka, gjithë mjediset,
për ujqër dhe derra të egër.
Këtë gjëmë, të shpopullimit,
s’e bëri dot pushtimi grabitqar,
e bëri arratisja drejt perëndimit,
punësimi emigrant, hyzmeqar.
Të ngrenë mure, shtrojnë rrugë,
zotërinjtë bosë, për të pasuruar,
të lënë nënë e baba në muzg,
të presin vdekjen të përmalluar.
Kjo është krenaria e shqiptarit,
të hajë kokulur, kotheren në jetë,
nën diktate urdhrash të pronarit,
kur zot prone, duhet të jetë vetë?...
Si të lihet vendi për muhaxhirë,
sllavë e arabë vendesh të shkreta,
të lindin breza, me tjetër fytyrë,
të lulëzojë për shkretëtirat jeta?
Të rënët, nën dheun e rëndë,
do shpërthenin klithma me ulërima,
se për ta bërë të lirë, këtë vend,
dhanë jetën nën breshër krismash.
Me ikjen vjetore, disa mijëra,
këtë fundshekull, të emigrimit,
mbetet sa një qytet, Shqipëria,
aq sa kishte qenë para çlirimit...
Zotër këtij vendi, kurdoherë,
kanë dalë të vetët, bij e bija,
që kanë dhënë jetën si me lerë,
vetëm të mbijetojë Shqipëria.
Mblidhuni Sizifë të arratisur,
të ngremë gurin shpopullimit,
pasi ka marrë të rrokullisur,
për në humnerën e rrënimit!...
Comentarios