top of page

Rrjedha nën Çinar


Rrjedha nën Çinar

Tregim nga Fatmir Terziu



Thoshin se do të vinte stuhia. Do të vinte rrjedha. E kështu netët dhe ditët e pritjes kishin ditë që ishin bërë si pikatoret e biberonëve të bebeve, që i shtonin natës të qara të tjera. Nga njëra anë mendja shkonte te rrjedha, nga ana tjetër tek pikatorja. E kështu mendja e Njeriut për herë të parë ndodhej në një midisje të tillë. Në këtë midisje kishte mbetur vetëm Fjala. Me Fjalën mbahej jeta. Me jetën lidhej shpresa. Me shpresën mbetej Njeriu. Ato anë kishin krijuar këtë zinxhirr dhe me të thuajse mbanin kohën. Nëse ndodhte që njëra nga hallkat e këtij zinxhirri të këputej, ndodhte kiameti. Kiameti ishte diçka e ngatërruar. Njësoj si të thuash me fatin e përroit. Herë të merrte përpara, e herë thahej, aq sa të vinte keq dhe për zhabat. E fundja, sa herë ishin të mallkuara zhabat e atij përroi, kur mblidheshin në korr e bënin poterë.

„Vetëm rrjedha do ti ndreqte gjërrat“, mendonin andej. Po ku ishte ajo? Pse s'po dukej gjëkundi?

Këndej kishte bërë zullum. Andej kishte lënë të tjerët me sytë në qiell. E përsëri nga të dy anët e Çinarit ndihej vetëm Fjala. Fjala ishte kthyer në shushurimë. Shushurimat ishin bërë të padurueshme. E padurueshme ishte pritja. Pritja ishte më shumë se një sëmundje. Sëmundja tashmë kishte ngjizur emër tjetër. Ky emër ishte vetëm në letër. Në atë letër shënohej e thikta. Tek e thikta ishte e gjitha. E gjitha lidhej me rrjedhën.

„Duhej pritur rrjedha.“, nisën të mendonin edhe këndej, edhe andej Çinarit.

„Rjedha do të jetë shpëtimi ynë.“, mendonin të gjithë ata që varnin shpresat si vetë jeta e atij trungu në degët e tij të trasha e të holla.

Thua të gjithë? Disa nuk e besonin se rrjedha do të pastronte tërë ato papastërti. Ata, edhe pse ishin pakicë, prapë mendonin se rrjedha ishte një truk. Kështu edhe puna e rrjedhës dukej se po dilte huq. Në ato vende të harruara nuk i shkonte mendja të tjerëve, sidomos të Huajve, që vinin e tundnin atë shop nën Çinar me leksionet e tyre të fryra, për halle të tilla. Halle të tilla, atje larg në ato anë, dukeshin misterioze. E sytë e Çinarasve mbetën tek Përroi.

Misterioz dukej dhe lajmi, se Përroi ishte tashmë i ngrirë dhe i ftohtë, qëndronte si një masë e qeltë në një humnerë. Përroit i kishte dalë një shkëmb i madh si gungë dhe hamëndësohej se mund t'i ndryshonte rrjedhën. E kështu rrjedha mund të ndahej, copëtohej, shkërrmoqej. E në këtë mënyrë edhe vetë ajo që pritej, nga rrjedha tashmë ishte një mister.

Mbi këtë mister thuhej se do të duhej të investohej për një tunel të nëndheshëm. E tuneli do të duhej të mbahej sekret. Ai do të bënte bashkimin e minirrjedhave. E kështu thuhej që një tunel kur të ndërtohej, nuk do të quhej më një tunel, derisa të shembej.

„A mund të qëndrohet kundërr rrjedhës?“ – thshte një palë

„A mund ta mbajmë Përroin jashtë ligjit të rrjedhës?“ humbërrinte pala tjetër e vënë në sikletin e vetë rrjedhës.

„A mund të quhet tunel, një tunel që herë ngrihet e herë rrëzohet?“ – vazhdonin disa të tjerë.

E të gjithë formonin grupet e rrëndësishme nën Çinar. Ishin pesimistët, optimistët dhe realistët ata që bënin këtë poterë. Dhe vetë e quanin si të pavlerë. Pesimistët shikonin vetëm tunelin. Optimistët shikonin dritën në fund të tunelit. Realistët shikonin tunelin dhe dritën, madje dhe tunelin tjetër. Por rrjedha ende ishte larg…Ajo kishte ndodhur vetëm në Fjalë.

„Eh, kjo ndodhi që ndodhi…“ – thuhej me një grimë nën Çinar.

„Stuhitë nuk do të zgjasin përgjithmonë... Kanë gjithmonë atë dritën në fund të tunelit.“ – pëshpëritej disi me një shpresë nën Çinar.

E Çinari, si një Rrap Madhështor ende lazdronte gjethet e tij. Flashtiste mendjet nën tymin e duhanit që gëlonte llullat e rrudhat. Tashti aty, nën Çinar, pritej e kërkohej drita në fund të tunelit. E drita kishte kohë që kishte dhënë një sinjal të largët në sytë e tyre tëlodhur e të mpakët. Sinjali vinte nga e errëta e mufatur në largësi të syrit të Njeriut. E syri i tillë i largët ishte vetëm në ëndërra.

„Kur hapet e mbyllet një sy i tillë, ëndërrat ikin, fiken, nivelohen me dritën që sheh.“ – vazhdonte leksioni i radhës i Njeriut me Shkop. Ata mbanin shënime me laps të mprehur mirë.

„E atë që sheh e ke ndryshe nga një shkëmb në mes të përroit, ndryshe nga një tunel që shkërrmoq rrjedhën, ndryshe nga një rrëmujë që prodhon vetëm mister.“ – shtonte shkombajtësi. Ata ëndërronin një dritë dielli në dritën e vërtetë të diellit. Duhet ta besonin se ishin aty, ishin nën Çinar, e drita e diellit vinte ngadalë…, e ngadalë.

Aty në atë dritë të diellit, të ngadaltë, vërtet nëse ndodh të dalë, në atë kohë, pikërisht kuar ai mësyn mes degëve dhe gjetheve dhe del, syri mbetet vetvetiu në një tunel. Dhe ata e dinin, nga leksioni më i fundit, se në një tunel të tillë edhe ëndërrat errësohen dhe e gjitha shkon përtej mundit.

„Ëndërrat prushiten, ndizen, zveniten e shkërrmoqen deri në fundësi të vetë shtjellës. E shtjellës që mbeti në një ëndërr me tunel sikurse vetë kjo e Përroi në pritje të rrjedhës.“ – u mbyll dhe fleta e fundit e ditës për të rifilluar prapë në një ditë tjetër të mbarë, leksionin e Shkopit të huaj nën Çinar.

E ata shukuritnin letrat dhe bëbin rrokadë lapsat mbi veshë me cigaret e sapolagura me pështymë.

„Stuhitë nuk do të zgjasin përgjithmonë... Kanë gjithmonë atë dritën në fund të tunelit“ – vazhdohej në korr.

19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page