Rreth librit “Triumfi i Kombit” të Skënder Kapitit


Rreth librit “Triumfi i Kombit” të Skënder Kapitit


NGA VLADIMIR MUÇA





1.-FILOZOFI E KARAKTERE NDER KOHERA


Brënda një harku kohor prej 3 vjetësh, patëm kënaqësinë të marrim nëpër duar librin e tretë të karakterit filozofik me një stilistikë psiko-analitike “Trumfi i kombit” të studjuesit të filozofisë tashmë të mirnjohur Skënder Kapiti.


Një libër që u prit mirë si nga lexuesit e thjeshtë por dhe nga qarqet akademike në Kosovë dhe në Shqipëri.


Ky libër vjen disi më ndryshe. Ai vjen si një thirrje proklamatë me nocionet e një manifesti që buron bindshëm e rrjedhshëm nga subkoshienca e autorit , disi më prakticist me evidentimin e punës së bërë e që duhet bërë në filozofinë e kohës që po kalojmë.Çdo gjë vjen konkrete si vetë jeta e jonë, pa stërhollime filozofike, e prekshme në mendje , në sy e në zemër.


Me sa duket filologu social-politik Skënder Kapiti nuk rresht së ndjekuri hap pas hapi jetën me të gjitha zgiqet e saj;nxjerr prej saj deduksionet përkatëse ku mirësia dhe e keqja ndeshen në një rodeo sociale me ashpërsinë e demave të egër e të toreadorëve socialë.


Libri është një filozofi e karakterit popullor pa ngarkesat e referencave filozofike e traktateve të saj.Gjithçka jepet në dritë të diellit si një e thjeshtë popullore.

Xhorxh Fred Uilliams, një mik i madh nga Amerika Demokratike, që para afro 100 vjetësh, më 1915 , në një miting në Boston e perifrazon shumë bukur karakterin dhe personalitetin e shqiptarit :

“Ata janë korrekt, të dashur kundrejt njëri tjetrit dhe reciprokisht të sjellshëm.Në momentet më të rënda ata janë plot respekt për superiorët e tyre.Ata zbatojnë urdhërin e tyre me saktësinë më të madhe .Fjalët e tyre dhe sjellja shoqërohen nga dinjiteti.”


Ku jemi sot me këtë perceptim filozofik të karakterit të shqiptarit nga Fred Uilliams? E kemi forcuar duke shtuar valencat e besushmërisë në forcimin e karakterit apo kemi vajtur në një prapakthehu në vitin 1915?!

Cilat janë sot raportet shoqërore ndëretnike? Cili është perceptimi i sotëm shtetformues e zhvillimi shoqëror ? Ç’raporte janë sot , mbas 100 vjetësh ndërmjet shtetasit dhe shtetarit? Cili është evolimi i tyre i pritshëm , perspektiva?


Këto dhe shumë shumë pyetje e shqetësime shtron për zgjidhje në faqet e këtij libri, autori Skënder Kapiti .


Ndoshta me telepati të thellësive shekullore me fjalimin e para 1oo vjetëve të Xhorxh Fred Uilliamsit për kombin vital shqiptar, aq shumë të respektuar që atëhere nga mendimtarë anë e kënd botës , autori vendos një gur këndor ,pastron myshkun e vënë nga vitet e pushtimet në këtë panteon të kombit tonë.


2-MORALI PARTIAK E MORALI EKONOMIK


Ashtu sikundër tek libri “Moralokracia” edhe në këtë libër , autori zbërthen moralin partiak dhe moralin ekonomik si një unison i pandarë nga njëri tjetri , ku politika e ndjekur nga grupime të ndryshme partiake, s’është gjë tjetër veçse shprehja e koncentruar e ekonomisë që ata synojnë të gllabërojnë e ta përfaqësojnë.

Që këtu fillon dhe shitja e moralit e cënimi i themeleve të kombit, nga padrejtësitë social –ekonomike ,nacionale, të cilat , sipas Skënder Kapitit përbëjnë thembrën e Akilit të qenësisë të një kombësie e të një shteti të fuqishëm.Janë pikërisht këto agravime që lindin nga diskordancat e këtyre aspekteve ndërvepruese e që e bëjnë popullin shqiptar të vuaj sot të ashtuquajturin “tranzicion të tejzgjatur”.


Autori S.KAPITI,fare açik , pa dorashka , e thotë hapur se janë partitë ato, që për interesa të ngushta të individëve që e drejtojnë dhe e agravojnë më shumë këtë diskordancë gjer në një papajtushmëri e në mohim të mohimeve.Gjithçka ngjan me një mekanizëm të sajuar që u shërben kastave në një përfitim individual , larg shtetit social.


Autori në ngulmimet e tij i përcakton qartas këto semafore kuq e blu,verdhë e jeshil që ndizen hera herës si në kohë fushatash por dhe në artikulime pas zgjedhjeve, duke u bërë mbartëse e përfitimeve të momentit e jo afatgjata e masovike.Autori këto përfaqësues të këtyre grupimeve në konceptin frojdian na i paraqet me disa personalitete , ku sipas situatës , kohës dhe buxhetit korruptues , ata ndërrojnë fytyrat , karakteret,shërbesat.


Si kundër vënie autori u referohet librave kuranorë dhe biblikë, si koncentrate të urtësisë popullore ndër shekuj, të cilët kanë lojtur një rol të rëndësishëm si rregullatorë të jetës sociale ndër shekuj.Kjo evidentohet si një risi në konceptimet filozofike në kuadrin e një katarsisi ndërshoqëror.


Shumë tema interesante shpalosen në këtë libër në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare e të kujtesës historike; duke bërë një sinonimitet të periudhës totalitariste dhe të demokracisë së cunguar, të cilat më shumë i afrojnë përngjasimet sesa diferencat dallimore ndërmjet tyre.


Qëndrimi ndaj pronës, punës dhe të ardhurave që vinë prej tyre, trajtohen nga autori si amalgamat bazë të qenësisë e të triumfit social të shtetit e të një kombi.


Në hedhjen e traktateve filozofike si tek kapitujt “Qeverisja, komuniteti dhe shteti”; ”Shteti dhe drejtësia”; “Përse realiteti ynë vazhdon të pengojë e të persekutojë”, mbi këto probleme fondamentale për shoqërinë , autori ka ditur të ndërthurë bukur idetë dhe eksperiencat reformiste të vendeve të përparuara demokratike ,duke sjellë të praktikuara idetë dhe eksperiencat e teoricienëve europianë dhe amerikanë, por të natyralizuar në habitatin shqiptar sipas kushteve specifike që imponon resursi social pos totalitarist.


Në këtë libër të tretë të një formature e stilistike krejt të veçantë, më befasoi guximi (që Skënderi e ka me tepri) për ti bërë një karshillëk studimor e referencial ,gjëndjes ekonomike –shoqërore e politike “bablokore” të dhjamosur të akademisë së shkencave dhe institucioneve , të cilët rrinë të shushatur e presin nga të fryjë era e të kthejnë kurrizin .


Nocionet praktikante që libri përcjell tek lexuesi dhe më i thjeshtë më dhanë mundësinë që të përcjell disa refleksione siç mund ti ndjente dhe një lexues i zakonshëm.Mesa duket Skënderi këtë libër e ka bërë apostafat për masat e gjera të popullit si një flakadan në ndriçimin e rrugës drejt një prosperiteti mbarkombëtar , në mënyrë që çdo bashkëkombas të japë kontributin në “Triumfin e kombit” mbi padrejtësitë që i bëhen si nga jashtë dhe nga plangprishësit e tij.


Skënder Kapiti nëpërmjet këtyre produkteve librore ka sfiduar trafikun e madh të prurjeve çoroditëse të masmedias si dhe disa “vepra madhore”me tirazhe marramendëse në tregun e librit suportuar nga qarqe të caktuara oligarkiko-politike.


Ai vjen disi i veçantë duke përfaqësuar një prurje të çiltër,shumë të kuptueshme,autoktone, pa filozofikime të tepruara në metodën e të shkruarit ;një produkt që paraqet realitetin shqiptar, si një pasqyrë ku reflektohet jeta shpirtërore , sociale e materiale e vendit dhe popullit të tij.


Për mua si një lexues jo shumë i apasionuar pas këtij zhanri , libri “Triumfi i kombit” është nektari i krijimtarisë së tij studimore, me një tranzacion ardhur nga një izolim i gjatë nga një ndarje klasore që vazhdon e thellohet gjithnjë e më shumë , në suazat e një pseudo-demokracie.


Këtë libër, më shumë se çdo botim akademik e karakterizon ideali, ëndërra e një mendjeje të kthjellët e të ftohtë , udhëhequr nga shpirti bujar e fisnik.Suksesi i produkteve të Skënder Kapitit është: se ai di të kapë linjat e oportunitetit ndërshoqëror, të zbusë kontradiksionet e të riaktivizojë mendimin shoqëror të masave në nocione pajtushmërie, pa mohim të mohimeve që të çojnë tek kërkundi .


Autori shkruan të vërtetën lakuriqe , siç ia dikton llogjika filozifike dhe imagjinata e saj për ardhmërinë.


Tek lexon kapitujt (traktatet do thoja unë) të librit “Triumfi i kombit” të shkon në mend se tek ky autor , origjinaliteti,konçiziteti ,e vërteta, nuk janë gjë tjetër veç se një reflektim i llogjikshëm i asaj që shohim dhe ndeshim përdita.Po të lexosh me vëmëndje edhe filozofët e mëdhenj japin e marrin tek njeri tjetri ide dhe perceptime .


Ndërsa Skënderi flet me një lirshmëri, pa sforco,pa mllef, natyrshëm për atë çka ndodhur e çfarë ndodh tek ne, si në asnjë vend tjetër të botës, gjithnjë “si një fener ndriçues” në botë.Shumë qartazi, në perceptimin filozofik të jetës e botës shqiptare , pas shkëlqimit të rremë të dukshmes, të fasadës që na shfaqet përdita, fshihet jeta reale me problematikat e saj, me fenomenet negative të cilat çdo ditë e më shumë po bëhen në modë e po shndrohen në plagë të shoqërisë, duke kryer funksionet e indeve patogjene, duke e ç’bërë shoqërinë, duke humbur traditat shtetformuese të përfituara me aq mund nga brezat.


Janë këto fenomene që e shqetësojnë autorin sepse mbi gjithçka ligjin e bën paraja si “veziri i mehqemesë, që rri sipër sixhadesë”.

Ndaj dhe në këtë vepër të tretë mbas librit “Moralokracia”, spikat një trimëri morale që është shprehje e virtutit që as nuk shitet dhe as nuk blihet.


Pikërisht ky është dhe virtut-thagma që e çon njeriun në mbrojtjen e së drejtës sociale.

Autori zotëron një trimëri dhe koshiencë të ftohtë e të qetë(ndoshta ky është dhe karakteri fisnor i brujtur në shekuj), ku spikat mjeshtëria tradicionale fisnore në interpretimin popullor të filozofisë shoqërore.


Ai nuk shan ,nuk mallkon, nuk përbuz, por tregohet stoik në mendimet e veta. Guximi dhe kurajo civile janë cilësi të një karakteri të lartë .Nga përvoja autori e di mirë se mëria sjell më pas ç’mendimin total, duke mos lënë pas asgjë të risisë , por vetëm pendimin për atë çka përjeton.Në këtë koncept në kuadrin e terminologjisë e filozofisë klasike ai ka futur dengshëm filozofinë popullore; ”Kur të vinë mend,nuk t’i hanë as qentë”.Ndaj autori gjatë gjithë librit bën thirrjë proklamative se atëhere pendimi ynë nuk do të ketë asnjë vlerë.


3-SI AMALGAMA GJITHE TREGUESE E TRAKTEVE FILOZOFIKE TE KOHE


Nga sa lexojmë autori sugjeron e evidenton se politika profesionale(mos të ngatërrohet me atë popullore) është një femër me dy fytyra: ku përpara gjykatësit popull është një nënë e “dhëmbshur” që kërkon ndihmë nga i biri ; kurse pas tij në monologje mitingjesh “fantastikë” qëndron një femër gjithë epsh qeverisësh , që lakmon gjithçka.Sa më shumë të rrimë afër kësaj femre putanë, aq më shumë largohemi nga këndvështrimi real i jetës sonë. Eshtë pikërisht kjo femër-politikë në këtë libër që nuk lejon këtë popull të shoh përtej së ardhmes ditore.

Këto politikanë të kësaj femre –politikë hedhin njolla turpi jo vetëm në historinë e tyre por dhe në atë të kombit.Fuqia arbitrare e tyre është objekti natyral i tundimit për çdo karrikexhi, ashtu siç është një femër në prostituim , apo siç është një avokat sekseraxhi , apo korrupsioni për gjykatat .Kjo është, mendoj unë, amalgama gjithë treguese e këtyre trakteve filozofike të jetës social –ekonomike e shtet-formuese që përshkon nga fillimi gjer në fund këtë libër në stilistikën e tij narrative.

Trashëgimnia e autoritarizmit komunist ( e ngulitur thellë dhe tek liderët e sotëm)ka sjellë bashkë me mungesën e traditës demokratike probleme serioze ekonomike e sociale të ndërthurura me dështimin total të elitarizmit, për ta parë e pranuar demokracinë nëpërmjet reminishencave të vjetra e brenda interesave të ngushta klanore e nepotikave “bllokmene”.