top of page

Rregjistruesi


Rregjistruesi

Tregim nga Fatmir Terziu


“Eh, tha me vete, në këto anë njeriu ende u rriska si leshi anës veshëve”, dhe pastaj shkundi këmbët e tij të mbushura me riqna bimësh. Nuk e di pse iu krijua kjo bindje në sytë e tij, ndërsa shihte vetëm gardhe e gardhe që shtriheshin pafund. Ndoshta nga gardhet i hamendësoi dhe njerëzit. Ndoshta. Ndërsa bëri të hiqte këpucët dëgjoi një zë. Pastaj një tjetër. Një e qeshur…, dhe pastaj, tjetra. U habit. Kruajti veshët. Provoi dhe një herë dhe…, jo, kishin të drejtë veshët e tij, e qeshura sa vinte e bëhej më e ndjeshme.

“Leshrat e veshëve të mi, nuk duhet të bëjnë pjesë në këtë kashtisje të këtij mileti”, pëshpëriti dhe ia shtoi dhe këtë pëshpëritjeve të vetvetes, sikur të ishte një normë e domosdoshme pëshpëritjesh, që duheshin shënuar në atë fletore të madhe e të trashë, që i duhej për të rregjistruar frymorë e gjësendi në atë zonë. Fundja kështu do të ndodhte. Me kë do të pëshpëriste? Të vetmin udhëtar, që kishte me vete e kishte tashmë të lidhur atje poshtë. Dhe ai ndoshta nga udha e gjatë e kishte gojën plot me sanë.

“Kur tjetri e ka gojën plot, a mund të … pëllasë?”

“Jo, ore jo.”

Sakaq pyeti dhe u përgjigj vetë. Kaq iu desh të dëgjonte sërrish atë çfarë ndodhte aty pas asaj dere në të vërtetë. Duhej të trokiste. Ishte dera e parë dhe duhej t’ia niste detyrës së ngarkuar. Dhe ja, dora e tij e majtë u ngrit bashkë me një të fortë sendi të gjendshëm në atë vend dhe … Duhej të trokiste?

Ndjeu diçka ndryshe.

“Jam në krye të detyrës, pse duhet të mos e bëj?”

“Pse, duhet të mos e vë në përdorim këtë dorë, këtë send të fortë, e …, medet, sa e vështirë qenka të shkosh e të trokasësh orë e pa orë?”

“Por fundja dora e majtë është. A do të bënte ndryshim të ishte e djathta? E djathta ka kohë që e mban këtë fletore dhe duket e lodhur… Le ta provojë!”

Trokitja qe e lehtë dhe dera u hap thuajse vet. U hap me një të shtyrë. Edhe pse askush nuk tha formalisht “Hyr!”, ai bëri në të vetën, ndoshta ngaqë mendoi se tashmë zyrtarisht ishte më i mbrojtur ta bënte një shtyrje të tillë të derës, po aq sa dhe një hap më shumë brenda saj.

Pasi bëri më tej, ndjeu menjëherë se gostia kishte qenë gjithë ajo e trazuar në veshët e tij. Në mes të dhomës ishte një tryezë plot e përplot me të ngrënë e të pirë.

“Eh, sa me fat qenkan këta njerëz? Eh, … sa mirë e sa në terezi e paskan?”

Priti të shihte ndonjë fytyrë, priti dhe pak dhe asgjë. U afrua më shumë. Ndjeu vetëm aromë parfumi, një përzierje aromash të tjera dhe vetëm kaq. U habit pse nuk po ndjente ndonjë erë gjelle, ndonjë shenjë nga gatimet, apo ndonjë erë pijesh, nga gjithë ato shishe që ndodheshin në atë tryezë të begatshme.

“Ndoshta kanë dashur ta shijojnë atmosferën festive ndryshe, ndoshta…”, foli përsëri me vete dhe u shkund duke ia nxjerr tërë inatin fletores që mbante në dorën e djathtë. E pa që kishin ngrënë e kishin pirë. Këtë nuk e dyshonte më.

“Kjo do të jetë koha e tyre pas buke. Me siguri e tillë do të jetë dhe…”

Sakaq dëgjoi prapë të qeshura. I ndjeu se kishin qenë në dush të laheshin. Kësaj here ashtu i shtangur në mes të asaj dhome, në këndin më të mbushur të asaj tryeze, nuk kishte më mendim tjetër. I ndjeu akoma më shumë kur sapo iu drejtuan krevatit. Atëherë e mblodhi veten. I rra tryezës. Dhe menjëherë …, ç’të shikonte. Nuk u besonte syve. Nuk donte t’u besonte.

“Mirë veshët, mirë leshi i tyre, por sytë nuk më kanë lënë kështu ndonjëherë. Si mund të dyshoj tek sytë e mi?”

Ai shtangu dhe gruaja u tremb. Shkoi të mbyllte derën e dhomës tjetër ku ndodhej.... Nga frika i rra mbështjellësja. E pa burrin e saj. E pa të lodhur. Sikur të mos e kishte parë ndonjëherë atë mashkull, sikur të mos e dinte se ai …, ai kishte gjithnjë një fletore në krahun e djathtë dhe një …, një kafshë që e transportonte nga njëri fshat në tjetrin. Ai kishte qenë mot e jetë rregjistrues frymërash dhe gjësendesh zyrtare në atë fletore të madhe.

“Burri!”


Padyshim që ishte burri i saj, i shkurtër, me kostum dhe kravatë. Ishte vërtet burri i saj. Dhe në këtë rast edhe ai e pa se ishte gruaja e tij.

Dhe menjëherë, ashtu i acarruar nisi të bërtasë:

“Paskeni dalë për plazh moj grua!”

“Jo more burrë, jo ashtu… dukem ashtu, por jam komplet e veshur, ty të bëjnë sytë”.

Tjetri erdhi të merrte çakmakun për të ndezur duhanin. Edhe ai sikurse e kishte bërë Zoti. As që kishte dëgjuar nga leshtë e veshëve si deng bari, as që e dinte se ai ishte burri i saj… Dhe as që donte të dinte se…

“Si ashtu, qenkeni veshur?! Çakmakun, ë, çakmakun... E shoh çakmakun...”

“Po, ja na prek po deshe, jemi veshur...”, tha gruaja.

“Si qenkeni moj të veshur?! Do t’ju vras!”

“Ja unë këto rroba kam, siç më sheh, por ama ti ndoshta nuk i sheh. Se mos më ke parë ti ndonjëherë…”, foli gruaja.

“Do të të tregojë se kështu dukesh më bukur?, - i tha Tjetri. “Janë të lehta, të bardha e të tejdukshme dhe madje shkruajnë disa mrekulli në pamjen e tyre ballore. U tregojnë të tjerëve se sa vlera kanë këto rroba të tejdukshme. Janë si shkrimi i kësaj fletores tënde.”

“Po hë de, hë si qenka ky shkrimi i fletores sime, se nuk e ditkam?”

“Ja kështu… Shkrimi i fletores tënde, kur erdhe në këto anë në vitin 1988, na the vetë se ishte pa bojë, pa laps, pa stiroplaps. A po s’e mban mend? Këndej ndejte tre muaj me radhë. Dhe na thoje se …, të duam e ta respektojmë njëri-tjetrin, se njeriu është kapitali më i çmuar, t’i japim njëri-tjetrin edhe atë që duam, dhe na tregoje mesele të shkurtra e të gjata me raki e me meze … A të kujtohet kjo kur na e tregove për një njeri, që shkoi dëshmitar …? Me siguri do e kesh harruar. Po ja po ta kujtoj.”

Një ditë ai shkoi dëshmitar tek një hajdut. Gjykatësi i tha, shkruaj çfarë pe. Ai nisi të lëvizte gishtat dhe tundej e shkundej.

Çfarë bën?- i tha gjykatësi.

Po shkruaj, - u përgjigj ai.

Po nuk shoh gjë.

Eh, po të shihje ti, atëherë kot ishte shkrimi im, do të ishte shkrimi jot këtu. Këtu qëndron meseleja. Dhe kështu gjykatësi u bind se ai ishte shkrimi i fletores së tij. Dhe çfarë i tha ai, Gjykatësi e besoi si të shkruar.”

“Ashtu ë?” – u revoltua fletorembajtësi. “Do të ju vras!”

“Po më mirë, na vrit more se na le kështu të marrim plevit...”, foli Tjetri.

“Edhe po të na vrasësh ti do të kalbesh në këto vitet e mbetura, se …edhe …”, foli gruaja e tij, por ai e ndërpreu duke e ngritur zërin.

“Unë, unë…”

“Ti, ti… e kur ke ekzistuar ndonjëherë? Ti vetë e ke firmosur disa herë…”

“Çfarë kam firmosur, çfarë?”

“Fatin tënd desha të them… Ky ka qenë burri im, ky ka qenë ai me të cilin kam bërë fëmijë, ky ka … Ti kishe fletoren në dorë, detyrën të rregjistroje frymorë. Dhe këtë fletore e ke pasur gjithë jetën me vete, herë në të majtë, e herë në të djathtë, duke kujtuar se jeta është vetëm dolli, mish, bukë e djathë. Dhe a e di që kur e ke firmosur vetë këtë fat? Mban mend si të tha yt Atë atë natë?”

Ne shkuam për gosti tek prindërit e mi, ndërsa kisha tre muaj që isha martuar me ty. Ne shkuam dhe pasi u çmallëm me ta u ngjitëm në dhomën që na e kishin lënë e rregulluar për ne. Gjithë natën ne nuk pushuam. Ti më tregoje barsaleta dhe ne të dy qeshnim me të madhe, se ti nuk dëgjoje mirë nga veshët. Prindërit e mi ndoshta habiteshin. Folëm e folëm, dhe vetëm folëm gjithë natën. Ditës tjetër në mëngjes të parët ishim ngritur ne. U përshëndetëm, hëngrëm mëngjesin dhe u thamë se aq kishim leje nga prindërit e tu, por në ikje e sipër i pyetëm nëse kishin ndonjë porosi për prindërit e tu.

Babai, na tha t’u bënin të fala, ndërsa nëna na tha se donte t’u bënte jo vetëm të fala, por t’u thoshte se paskan një lodër të lezetshme.

Kur u kthyem, ti ishe, e si gjithnjë ti ishe ai që fole dhe u tregove se çfarë na thanë. Babai yt, tundi kokën dhe na tha të dyve në sy: “Ua paskeni çarë veshët gjithë natën, u paskeni çarë daullet e veshëve...”. Ndërsa mua në prani të nënës tënde më tha: “Bijë, të kërkojmë ndjesë, na vjen keq për ty…Tregohu e mençur, se nuk duam të turpërohemi, pasi edhe dy-tre vjet jetë mund të kemi!”

Ai vetëm dëgjonte dhe … natyrisht vetëm dëgjonte duke shtrënguar fletoren e tij rregjistruese në dorën e djathtë.

Ndërsa Tjetri ndërhyri duke i kujtuar atë që ia kishte thënë natën e parë, kur ishte njohur me gruan e tij, ndërsa ata hanin e pinin bashkë në shtëpinë e tij, pikërisht në atë shtëpi.

“E mban mend këtë bisedë? Atë natë ti nise të tallesh me mua, se më kujtoje më të varfër e më të pazgjuar, që të dukesha ‘kastravec’.

“A është më mirë të jesh kastravec apo shelg? – më pyete ti.

“Më mirë të jesh plep, se sa shelg?”, - të pyeta unë. “Ti vetëm qeshje me të madhe.”

“Unë dua të jem kastravec, - të thashë unë, - se kastravec ngado ta çosh nuk e gjen gjë, kurse shelgu, po ta presësh, duhen vite që të rritet.”

Ai vetëm shfryu dhe filloi të fuste të majtën e tij në përdorim. Me të nisi të shkulte leshtë e tij të dendur në veshin e tij të majtë, ndërsa …, nga dora tjetër akoma nuk kishte mëshirë mbi atë fletore.

“Mos e torturo, mos e lodh më atë fletore, po hajde e ulu këtu dhe fillo e shkruaj edhe rrëgjistroi edhe këta njëmbëdhjetë fëmijë …, se këtu një të vërtetë ke thënë në tërë këtë marifet të jetëve, fëmijët vërtet rriten si leshtë e veshëve”.

"Fundja ti je rregjistruesi..., apo jo?" - folën të dy njëzëri.

443 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page