Rrathë mbi liqen
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Oct 1, 2021
- 2 min read

Irini Nanushi
Poeti
Gjysmënjeri, gjysmëshenjtor
Ti vet'e di se ç'heq!
Mban gas e dert në kraharor
Dhe ndihesh mirë e keq.
Gjysmëshenjtor, gjysmënjeri
Në tokë dhe mbi re.
Mes njerëzish gjithë ditën rri,
Mes yjesh ngjitesh fle.
Ti rron e vdes e prapë rron
S'ke thembrën e Akilit.
Nuk dashuron as gradë, as fron,
Por këngën e bilbilit.
Di çfarë urren, di ç’dashuron
Në zemër ke qëndresën.
Ti shkrepëtin dhe zjarr lëshon
Kur të plagosin shpresën.
I bukurive je dashuror
Pa lajka e kurtherënë
Të dehësh botën s’e ke zor
Veç me një majë pene!
Vjeshtë në luginën e Vjosës
Ç’janë këto ngjyra? Vallë ku i gjete,
Vjeshtë moj, që më bën të derdh lot?
Të gjitha, sa pashë, i mora me vete
Dhe prapë nuk ngopesha dot!
Luginës përrallore, ku Vjosa vraponte
Si të kish një të fshehtë takim,
Fshihej e dilte, përsëri gjarpëronte
Gjithçka sikur kish një kuptim.
Në krahët e detit, Vjosa ëndërrimtare
Nxiton me vrull e pasion
Përkëdhel shpejtas brigjet ledhatare
Zhurmon, shkumon e s’ndalon
Dhe binin gjethet si copëza yjesh
Dhe lumi i ngiste në det…
Krenare, shpërfillëse, e bukur sa s'dihet
Kur Vjosa kaltëron në Përmet!
Vrapoj në urën lëkundëse mbi Vjosë,
Ashtu, si dikur një fëmijë e pafrikë
Nuk di, në ti vjeshtë sot mendjen ma more,
A vetë e lashë të më ikë?!
Perëndesha Afërditë
Fluturoi gur më gur
Ishujve të Mesdheut
Perëndesha e dashurisë
E bukurisë së dheut
Nga vendi, ku ajo lindi,
Qipro lule drite
Kaloi detet tej e tej…
Doli në Ohride.
Mbet pa gojë kush e pa
Dashuritë buisën
Trëndafila, perla deti…
Trup e rrugë stolisën.
Thonë; Një dorë, qe xhelozia
I buroi nga zemra;
Mori gurin dhe qëlloi
Të shtrenjtën te thembra.
Perëndesha – Perëndi
Gojën, nuk e hapi
Zemërzezën plot zili
E zuri mëkati…
Pikturat e galerisë
Pikturat e galerisë së qytetit tim,
Peizazhe, kompozime, portrete,
Me fotot e fëmijëve të mi në çdo shtegtim
Unë edhe imazhin tuaj mbart me vete.
Liqeri, Mali iThatë, Voloreku e Shën Naumi,
Motivet lasgushiane e kuteliane,
Qilaret me bute të verës, korani e bodrumi
Në penelin e Tasos1 e në çdo kumbim kambane,
Piktura që ju sodita në galeri
Nga Poradeci, në Bukuresht e në të tjera qytete,
Unë bashkë me fotot e fëmijëve të mi
Edhe imazhin tuaj mbart me vete.
_________________________________________________________
1.Anastas Kostandini, piktori i shquar poradecar
Kush të bën të bukur?
Dikush m’i pati sharë sytë
Me fjalët : "S’i ke të bukur!"
E pati më të lehtë t'i shante
Se sa t’i bënte të lumtur.
Po vitet si zogjtë shtegtarë
Më sillnin ca thënie të tjera
Dhe fjalët që më patën sharë
S'e di si i mori era.
Nuk di?!- një ditë nga më zbrite
Si yll, si zog, si pallua
Në zemër çdo ditë u rrite
Me heshtjen dhe fjalët e tua.
Unë zemrën e ndjeva të lumtur
Kur sytë vraponin pas teje
Dhe vinin çdo ditë më të bukur
Siç bëheshe ti brenda meje.
Se fjalët,shikimi dhe ngjyra
Të bukura bëhen të tria
Atë, që s'e bën dot natyra
E bën dashuria!
Xixëllonjat
I shkathët, si atlet, ti veç vrapoje
Ma mbushje grushtin prush e dritë plot
Dhe mbas çdo feksje e fikje xixëllonje
Më puthje e thërrisje: O Zot!
Dhe për altar nën një qershi më shpure,
Më gjunjë ramë e lart më ngrite,
Mbi buzë një xixëllonjë vure
Pastaj mbi ballin tim e ngjite…
Rrathë mbi liqen
Marr një gur në duar,
E hedh mbi liqen,
Dhe rri e menduar
Se ti nuk po vjen.
Marr një gur në duar
E hedh përsëri…
Rrathë bën liqeni
Një…e dy…e tri…
Ja, po vjen!-më thotë
Një zog në zabel,
Edhe hëna e plotë
Që mbi mal po del.
Rrathë bën liqeni
Një…e dy…e tri…
Rrathët vijnë drejt bregut…
…Drejt meje vjen ti!
Poezi te ndjera. lirika te fresketa. Urime, suksese. Myslim Maska, Athine.