RRËMBYER NGA ‘ I LINDUR BOHEM ‘VËLLIM ME POEZI NGA KLITON NESTURI
Nëse do ta konsideroja “ I lindur Bohem “ një mozaik me dominance specifike ngjyrash, nje e tillë ndjesi më përndoqi gjithë këto ditë ndërsa mbaja në duar ditë pas dite këtë vëllim me poezi nga gazetari, shkrimtari i mirënjohur Kliton Nesturi.
Zemrën e këtij konturi ngjarjesh, ndjesish, shqetësimesh, përjetime e mallkime, lutje, pohime e mohime poetike e përmbush fillesa e vellimit “ Të kthehesh në Atdhe “
Aty ku edhe fillon shqetësimi i thellë i këtij shpirti bohem, që këlthet, këlthet!
“ Bohem “ ku fjalori i shqipes e përkthen në shtresa të qarta kuptimore, ndërsa poetin e kupton të kudogjendur, thellësisht të trazuar për realitetin e vendit të tij. Më shumë se rrebel, është një zemër kërkuese e së drejtës, i pamposhturi do thoja.
Vëllimi i perceptuar në pesë cikle, njëri më i plotë se tjetri, me brendi emocionesh, surprizon një sy i hollë vëzhguesi, shpesh në thellësi dhe perceptim, duke i dhënë hapësisrë gjuhës së qartë, me logjikën e një trajtësie mendimi jo të shpërndarë dhe që i shkon përshtat simbolikës që në titull.
Më pushtojnë shumë njerëzit që shkrihen, treten në përqafim, sepse i tillë është përqafimi, është damar që pulson,- thotë poeti.
Ngatërroj në thellimën emocionale të poetit aromën e ndjenjës si shpirt dhe çastit me aromën e kafesë. Sa i shenjtë çasti se me kë duam ti shijojmë ato dy – tri gllënka shije kafeje, shtrirjet erotike të netëvë me shtretër bosh, me ëndrra apo me “…pasione që përzihen me marrëzinë…
Trishtime që bashkohen me lumturinë, dhimbje me ekzistencën…” Puthje fq.47, për ta njësuar sa të thella në ndjenja, të befta në përfundime, ku vargu i autorit është sfidues brenda vetes ( aty ku lind poezia ) por edhe për të tjerë, në edhe vetë vdekjen, se vjen që edhe kjo… të mos gjejë asnjë peng( fq.51), ku grimcat e mallit e të intimes së autorit, apo të secilit lexues, përbën një shekull të ri.
Ky është morali frymëzues për ta ndriçuar ndjenjën, të bukurën apo dashurinë, kur na vjen dhe na bën unik në udhën ku nxitojmë për ta takuar.
Edhe nëse lëndimi zbret, autori, i pamposhturi i kohës që jeton, poezia “ Fjalët e tua” që do ti shkonte më shumë tituli “ Koha ime “, ndjek një shtjellë qëndrese e cila vjen nga forca njerëzore e një njeriu me përvoja guximi dhe krenarie, që di ti kujtojë vetes dhe botës se…nuk është koha për të vdekur (fq.62) perkundrazi edhe pse nuk është koha e letrarëve, autori e nis një të tillë, sepse elementi kohë eshtë një retrospektivë që ka brenda përjetësisnë, sepse ndjenja ekziston në shumë dimensione ( fq.69) si absolutja e të jetuarit “ Pa ty “ apo Një qytet rutinë, me kronologji objektesh si cdo qytet tjetër por që teatrin më të madh e ka brenda vetes, me braktisjen e përhershme ( fq.15 Qytet pa teatër, titull si antonimë kundërshtie).
Rrugë e skajshme, e vonë apo e largët?! Është kjo ndjesia njerëzore për amshimin jo të zakonshëm por me mission lirinë ?! Poezia “ Fushëbetejë” nuk vjen thjeshtë si retorikë, ajo rrëfen, rrëfen duke ngritur pyetje( fq.18).Edhe në vetmitë e ftohta, poeti ndez zjarre!
Një qytet ku njeriu ndahet nga përkatësia intelektuale që në lindje, që në mëngjes “ Qyteti i xhamtë”( fq.24) Është gjithnjë në kerkim të identitetit të vet, e përditshmja do ushqyer …asnjë shpresë gjelbërimi…ku gjithcka reflektohet, ku xhami është muri që ndan supremen nga e zakonshmja.
Poezi e ndërtuar mbi moralin njerëzor, sa fisnikëri ,“ shoqëri që rend pa mend “dhe sa dhimbje por që jemi shqipëtar nuk e harrojmë dot andaj reagojmë.
“ Himni i poetit “ është shumë tronditës, sepse ne shohim se cfarë bëjnë poetucët e vegjël “ mburoja e shokëve të luftës…- thotë poeti. Poeti dallohet për poezinë social- realiste ndaj vërtetë pyes vetën – Janë kështu poetët ?
Poeti ynë ka caste që jeton lumtur prej dashurise që ndërton, emërton edhe një qytet të tërin për veten simbolikisht, por edhe për të tjerë. “ Bohemi “ i vjetër ( fq.81) vjen si një atavizëm i pandreqshëm në dukje, por thellë me një butësi gati hyjnore, që poeti preferon ta quajmë Njeri, ndërsa end paqen e vet diku stinëve, pllajave, nën lëkurë muzikën rrok dhe mbi lëkurë bluxhinsin, trendin e një zemre të re, jo në luftë me moshën por në një vijë me të bukurën e shpirtit, ndërsa skalit vargun që meriton të mbetet… në jetë dhe në vdekje ,dua të jem përherë unë…
Poeti ynë, universi i jetës, boshti që nuk yshtet, është ai pra, njeriu, është ai që nuk e feston “ Shen Valentinin “.Edhe për shenjtërinë e dashurise ai ka ndjesi unike. Të jesh burre si poeti, është një univers ku nuk pranohen lotët dhe nëse derdh lot vërtetë…jeta brenda tij, thahet, vdes…( Loti i burrit- fq.96), sepse stacioni njerëzor i shpresës së poetit, është ajo “ Dashuria” shkrirë në sa e sa poezi në vëllim.
Vetëdija e përtej e autorit, e pamundura ilustruar me pritje, distanca, dete apo metropole, e bejnë lexuesin të kapërcejë në kohë dhe në hapësirë me pretendimin se edhe mund t’ia dalë i vetëm, sepse gjithcka tretet e shuhet vetijshëm, ashtu sikundër ngre retorikën tronditëse tek “ Të panjohurit”, ato e trembin poetin, ai është njeriu i përballjes, bohemi sfidues, i cili e ndjen veten shpesh jashtë realitetit, sikur shprehet…fatkeqsisht aspak e imja..
Dashuria e mbetur peng shpesh i jep udhë poetit; të tillë janë Bohemët për dashuritë e mëdha, i jetojnë larg në lartësitë e kohës dhe me këmbët në tokë, ku u merr jetë fluturimi i zemrës, skajeve të atdheut, në paqe me veten. Poeti, zoti Njeri që i do miqtë me dhembje deri në fund, mbetur vetvetja, është forma e autenticitetit të besnikut, qëndrestarit edhe me vdekjen për faktin se ia di kuptimin botës.Edhe në intimin e vet, ne çastin e mbramë ai thotë se është…guri i bardhë i shtratit të vet..( Pritje, fq.60) “…çfarë është e të gjithëve, s’mund të jetë e imja kurrë…”
Substanca e te jetuarit me dhimbjen, me forcën e pranimit se çasti rrëzon, drekohet vetëm, e shtuna orë e heshtur që vret, e diela akoma më e vetmuar, qëndrojne në paralele të trembjes edhe nga dashuritë a lumturitë e medha, nga ankthi i të qenit vetëm… se mos pabesia që fshihet diku, nje çast e zgjon vetmuar…”fq.122. Në fakt ky lloj dualizmi i ndjenjës me logjiken e luhat forcën, frymën e qëndresës shpirtërore të poetit qoftë me jetën, marëdhëniet me njerëzit, qoftë me intimin, por kjo nuk e zbeh frymëzimin se ka njerëz kjo botë, mbase pak idealiste, por rrevolta ekziston.Eshtë kjo forcë që e radhit poetin ne Bohemët e vetëdijshëm për furtunën qe shkaktojnë.
Edhe pse me tej, lumturia thotë poeti zgjat vetem një sekondë, sepse në tokë ti marrin të gjitha, gjumin, ëndrrën, forcën, dashurinë. Shtjella e poetit dhe honi i dëshirave, një brengë e shfaqur hapur, një udhëtim logjik, ku cdo lexues brengoset per dhimbjen e intimes poetike, shtrohet nga vetë poeti retorika “ …vallë jam tokësor kaq romantik? “ fq.134. Ndaj ndjenjat e poetit janë vetë rrënja e tij. Autori nuk pranon kompromise as me veten, as me dashurisë. Ato zhvillohen brenda këtij vëllimi vrullshëm, duke u takuar në pikën e gjendjes reale, në pikën më kritike të një bohemi që trazohet vazhdimisht. Në udhëtimin me vetveten ai identifikohet si eksplorator i një shpirti ku natyra është udhëtar i përhershëm, ku ai provon fatin gjithnjë në përpjekje me realitete të rrepta, ku vetja dhe jeta nuk janë vetëm vjeshtë por edhe magji, edhe njeri, edhe mbret, ku mbretërimi me shpirt është i vetmi vend i boshtit human që fton.
Metamorfoza vjen në vëllim si një etapë që e emërton autorin; mund të ulërish sa të duash por shkopi magjik nuk ekziston dhe galopi cinik i fundit shkon moskokëcarës.
Andaj Njeri, bëji minutat e tua të vlera, bëje kupën tënde të etjes të ëmbël, mbushi castet, minutat e tua me hoje gëzimi, duaje dashurinë, mikun, shokun,njerinë, atdhenë dhe gurin e fundit me ekzistencën tënde të vlerë.
T’ia vlejë emri që ke, që le!
URIMET MË TË MIRA DHE SUKSESE KLITON NESTURI.
MERITA KUÇI - THARTORI
24.11.2023
Pershendetje dhe urime per kete shkrim kaq me ndjenja te holla. Ështe nje proze poetike me mjaft figura ltrare dhe mendime te vyera, lidhur me boten e ndjenjave njerezore, shpesh here te neperkembura, por qe gjallojne nga optimizmi: Mjafton kjo shprehje fundore: "T'ia vleje emri qe ke, qe le!" Urime!