top of page

ROMANI ‘UN MORT’




Një libër që bën tok historinë dhe letërsinë


Duke ndjekur kohë pas kohe, me simpati, krijimtarinë letrare, publicistikën dhe përkthimet e Arben Kallamatës, ndjehesha i interesuar edhe për romanin e tij më të ri “Un mort”. Edhe pse jetojmë kohë kur leximi mund të të tërheqë gjithnjë e më pak se më parë, përzgjedhjet e duhura e rivlerësojnë temën, librin-letër, më në fund të veçantën. Dhe ‘Un mort’ është vërtet një libër i veçantë. Është një roman ku historia dhe letërsia kanë bërë pakt, kurse humori dhe drama përplasen nga faqja e parë tek ajo e fundit. Është një libër nga i cili mëson, libër që të argëton dhe njëherësh të trishton e të cilin mund ta lexosh pa pengime - siç thotë një kolegu ynë - dhe kjo është vetë letërsia.

Duke përjashtuar ato që mund t’i quajmë prolog dhe epilog të këtij romani, si dhe personazhet anësore që sjellin rrëfimin - duket sikur ata rastësisht e ‘fitojnë’ atë në një pushim gjatë udhëtimit - në thelb, fjala është për… një ditë ose disa ditë në Shqipërinë e vitit 1975, pastaj tutje në 44-ën dhe sërish në 75-ën, pothuaj në kulmin e mjerimit të rendit që shkoi… Drejtues shteti, politikanë, lakej e shërbyes të tyre, spiunë, punonjës soj-soj, komunistë nga vende të ndryshme të botës, shoqërues grupesh të huaja, ushtarë, turma, frikë, pasiguri dhe pyetje. Shumë pyetje. Që lexuesi mund dhe s’mund t’u japë përgjigje. Ndonjëherë, e shihja librin sikur një film që shkonte nga dokumentari te thrilleri dhe që këtej te komedia… ‘Skenari’ i tij ka në plan të parë një tryezë, ku luhet poker dhe ku gjithnjë njëra nga karriget është pa lojtar. Mandej, filmi merr jetë në mjedise të tjera: ambasadat, Radio-Televizioni Shqiptar, rrugët, pikat kufitare, baret, hotelet, shtëpitë e pushimit, kodet, antenat dhe… raketat, të gjitha në ngjyra të përmbajtura e të ‘vizatuara’ me njëlloj ftohtësie artistike në mos me cinizëm, siç dikton tabloja e kohës së cilës i përkasin personazhet, episodet dhe objektet në fjalë.

Reja dramatike mbi Shqipërinë komike, është e gjithhershme. Zgjedhjet e saj janë të kufizuara dhe të diktuara. Kasta drejtuese, me në krye Hoxhën, e vendosur në tablo pikërisht si një grup pokeristësh, është një barrë e rëndë për vendin. (“Çdo gjë kushton shtrenjtë kur nuk e do.” James Joyce) Karrigia bosh rrëfen më shumë se ç’do ta bënin mbase faqe të tëra. Dhe nëse këtë zhanër* e shohim si një produkt të kërkimit të të veçantave në histori, kjo nuk na pengon që përkitazi të qëmtojmë vlerat estetike dhe ato në shprehi letrare. Është një roman i ndërtuar mbi fakte reale dhe ngjarje historike, por që rrëfehen në mënyrën më letrare të mundshme.

Përplasja e ngjarjeve, e karaktereve, e rrethanave historiko-shoqërore dhe atyre vetjake në pothuaj një ditë (kryesisht në Shqipëri, por jo vetëm atje,) është një gjetje; kurse shtjellimi i ngjarjeve në disa plane - edhe pse së shumti po ajo ditë, po ato çaste - i japin rrëfimit suspans, krijojnë shpërqendrim dhe njëherësh vëmendje, shpërndajnë ngjyra të një rrëfimi modern. Pra, proza në fjalë është rrëfim, por një i tillë jo i zakontë. Megjithatë, këtu dua të ndalem pak. Poeti Rei F. Hodo ka theksuar që autori “kujdeset të mbajë bindjen postmoderne ndaj historisë.” Dhe më tej: “Shprehur ndryshe, postmoderniteti niset nga bindja se e kaluara nuk mund dhe nuk duhet të shlyhet, duke qenë se vetëdija e postmodernes është vetëdija e pranisë së të kaluarës në të tashmen.” Në lidhje me këtë term, edhe më herët, unë personalisht kam shprehur ndonjë objeksion, duke parë (mbase pak me cinizëm) se çfarë vjen pas asaj ‘post’… Megjithatë, i respektoj ato që dëgjoj e lexoj, për më tepër që poeti në fjalë, në vijim të këtij meditimi estetik, citon Umberto Econ, që thotë: “Postmodernizmi i përgjigjet modernes, duke kuptuar se e shkuara, meqë nuk mund të shkatërrohet, sepse shkatërrimi i saj sjell heshtjen, duhet të rivizitohet, por me ironi dhe jo në mënyrë të pafajshme”. Për çudi dhe për kënaqësinë e lexuesit, kjo është kështu edhe në këtë libër.



Përqeshja e atmosferës politike dhe e protagonistëve të saj, vjen si një nga zgjidhjet kryesore që autori i ka dhënë lëndës së mbushur me histori, demagogji, krime, flirte dhe humor të zi. Për të realizuar ‘vizatimin’ e pamjeve të kohës: tufat, tribunat, tunelet, turistët (e tipit të lëvizjes M-L dhe këtu u teprua me ‘t’ por ishte i duhur aliteracioni) autori ka preferuar të flasë me ndihmën e ironisë dhe sarkazmës; ato ai i njeh mirë edhe nga përvoja e mëparshme letrare, edhe nga përkthimet e cilësuara. Këto mjete, që siç thotë një shkrimtar i njohur, janë bërë shumë ‘të modës’ në letërsinë e kohës, e ndihmojnë autorin të rindërtojë tablonë ku shumica shkonte pas berihajt e pak të tjerë shtireshin sikur po ndryshonin dimensionet e botës; në fakt ishin idhtarë e praktikues të një rendi që do të dorëzohej shumë shpejt.

Pothuaj e gjithë vepra është njëlloj grotesku, një shoë ku njerëzit mund të qeshin, mund edhe të meditojnë; ka grintë në të gjitha skenat, rrëfimet, dialogët, gjer dhe përshkrimet e qeta e të sheshta (sikur njëlloj keqardhjeje për atë ‘histori’ sa komike aq edhe dramatike). Dhe s’di pse, duke lexuar episode të caktuara, përtej shpjegimeve e lëndimeve qoftë edhe nga e shkuara, më vinin nëpër mend vargjet e Hermann Hesse: “Lëkundet një varkë/ dhe mes errërave qan me të madhe…” Mund të përfytyrohet edhe kështu. Por dhimbja është diku përqark. Në tryezën e pokerit nuk lejohen lotët; ka vetëm vanitet dhe drithma.

Mendoj se nuk ka qenë një punë e lehtë. Densiteti i ngjarjeve ka kërkuar shumë vëmendje ndaj subjektit dhe rendit të gjërave. Kallamata ia ka dalë, duke ndarë e peshuar mirë njohuritë, të dhënat, faktet, si dhe duke mos e përdorur interpretimin autoresk si ‘qaravitje’ ndaj marrëzive të kohës, çka e shohim në një sërë krijime të sforcuara. Me të drejtë, poeti Skënder Buçpapaj, në shënimin e vet për romanin, shkruan për “një zhdërvjelltësi të pazakonshme dhe një lehtësi të natyrshme alla Arthur Conan Doyle, të kalimit nga një rrafsh rrëfimor në një tjetër, nga një kapitull në një tjetër, nga një episod, një situatë, një personazh tek tjetri, nga një mister tek tjetri, nga një intrigë tek tjetra, nga një labirinth tek tjetri, duke e mbajtur gjithnjë lexuesin nën trysninë e padukshme të adrenalinës së leximit, çka shënon, mendoj unë, tashmë një pjekuri të admirueshme të autorit Arben Kallamata, në fushën e romanit.”

Për ta ulur në tokë problemin, për ta rrëfyer edhe më thjesht mjeshtërinë e autorit dhe përparësinë e shprehisë letrare në këtë roman, po ndalem tek episodi me ushtarin kufitar Mystehak. Ky episod është sikur një novelë më vete: vizatimi i tablosë në incidentin e Kakavijës dhe meditimi i ushtarit të ngratë, me automatik në dorë bri autobuzit me turistë, gati për të vrarë a gati për t’u vrarë edhe vetë, anipse është vetëm punë çastesh, zbulon dhe rrëfen me realizëm e dhimbje atë çfarë është përjetuar e ndjerë për dekada të tëra nën atë rend, nga shumë shqiptarë, nga të gjithë mbase, kudo që ata janë ndodhur, në detyra e pozicione të tilla, apo të përafërta asi, kur shkonte koka e tjetrit ose e vetë protagonistit… Episodi është një nga aktet më të bukura të ‘filmit’ për të cilin fola më lart. Dhe ka aq shumë vërtetësi e drejtësi në realizimin e tij: “Ai donte vetëm të shkonte me lejë te nëna, në Leshnjë. Asgjë tjetër.”

Prozë e mirë. Gjuhë e pasur dhe e pastër; frazat e shkurtëra janë model, të gjatat të habisin me saktësinë e tyre. Edhe pse në një zhanër ku, siç thamë, mbizotërojnë faktet historike dhe interpretimet gjithë aso, autori bën kujdes që të ‘vizatohen’ mirë e në mënyrë bindëse figurat e njohura apo personazhet që mund të jenë më pranë trillit sesa realitetit historik. Kështu ka shkuar kjo edhe me dy nga personazhet kryesore, Fransuaza dhe Ylli, që si një zgjidhje edhe përtej motiveve historike të romanit, bëhen bashkë duke kontribuar në shmangien e një marrëzie që mund të prodhonte katastrofë, punë raketash e luftërash, që prapë - në atë që mund ta quajmë epilog - ciceronët e këtij rrëfimi e shohin ose me humor ose me nënvleftësim.

Libri, përveçse me mjeshtëri letrare, është shkruar gjithaq me përgjegjshmëri dhe frymë qytetare; e qorton dhe e mëshiron atë pjesë të historisë të vendit në ato vite, siç edhe e rrëmben lexuesin me skenat brilante dhe rrëfimin e zhveshur nga çdolloj mbindjenje apo loje me të vërtetën. Dhe që t’i mbyll këto radhë, ishte një kënaqësi që e lexova dhe që më jepet rasti ta vlerësoj; është një vepër e veçantë, pse jo “një risi e kalibrit të lartë në letërsinë bashkëkohore shqiptare”, siç shprehet kolegu ynë Taulant Dedja. ‘Un mort’ i shkrimtarit Arben Kallamata, libri i tij, si letërsi dhe si botim, është vërtet një prurje serioze. Me epitetin disi formal ‘serioze’ kam parasysh kompozimin e romanit, mënyrën e të shkruarit dhe gjuhën, cilësinë e botimit, paraqitjen grafike, standardin teknik dhe elemente të tjerë për shpjegimin e të cilëve, këto radhë ishin pak. ‘Un mort’ është një libër shumë i mirë: kam bindjen se çdo lexuesi do t’i jepte kenaqësi, çdo biblioteke serioze - publike apo vetjake - do t’i rrinte bukur.


……………………………………………………………


*Romani historiko-letrar, rreth të cilit ka disa teori e shtjellime, është një disiplinë ku faktet historike dhe trillimi letrar herë shtyjnë njëri-tjetrin e herë gjejnë gjuhën e përbashkët; është një zhanër në të cilin janë angazhuar shkrimtarë ndër më të njohurit: Edëard Bulëer-Lytton, Ëalter Scott, Alessandro Manzoni, Mikhail Zagoskin, Raffaello Giovagnoli, etj. ndërkohë që mund të kujtojmë se emra të tjerë të ndritur të letërsisë, Leon Tolstoi, Gustav Flober, Stefan Cvajg, për rrethana që s’mund të shpjegohen gjatë në një shënim si ky, i kushtuan këtij zhanri një pjesë të mirë të krijimtarisë së tyre. Në letërsinë tonë mund të përmenden Ndoc Nikaj (‘Shkodra e rrethueme’) për të vijuar me Sterjo Spase e më pas Sabri Godo, etj.

46 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page