top of page

Romani “Frika” dhe profesori


Myzafer Ramzoti

(Një vëzhgim mbi romanin “Frika” të Fatmir Mingulit, botim i 2M, Durrës, 2019)

Sapo e mora në dorë dhe e mendova si një libër interesant dhe nuk u gabova. Nuk u gabova edhe pse aty nuk gjeta atë që kisha menduar. Gjeta pasojat e frikës e jo vetë frikën si koncept, si dukuri shoqërore, psikologjike. Në librin që kam në dorë ajo, frika, jeton në tërësi në çdo faqe të tij por pa shpjeguar shkencërisht vetë fenomenin dhe as që e kish atë për objekt. Megjithatë, ajo është aty si pasojë e veprimit të bërë që bie ndesh apo mendohet, supozohet se bie ndesh me frymën e kohës, me mendimin apo konceptimin e përgjithshëm të bashkë qytetarëve e më gjërë; apo si shfaqje proteste, pakënaqësie ndaj realitetit ose, më saktë, kur mendohet apo gjykohet se veprimi apo qëndrimi i individit apo i grupit bie ndesh me ligjin. Frikën, në roman e gjen kudo, në punën e përditëshme të njerëzve, në udhëtim, në bashkëbisedim duke u interpretuar si kundërshtim apo si kundërvënie ndaj ligjit e sistemit siç thotë vetë autori: “Ç’të kish ndodhur! Pushteti që emrin e kishte të popullit, prishej e rregullohej me shtete të tjerë dhe vetë populli emrin e të cilit kishte marrë pushteti, kishte frikë nga vetja e tij “: (faqe.16).


M’u krijua përshtypja se të gjitha hezitimet, dilemat, frikërat e pikëpyetjet e tij të grumbulluara e të krijuara në vite, autori i kish rrjeshtuar në këtë roman ku mundohet të gjejë fillin e lëmshit për të kthjelluar shqetësimet e tij e përtej tij. Ai ngre teza e hipoteza, të ngritura në shekuj e në vite nga historianë, citon dijetarë për të faktuar të vërtetën apo dyshimet, idetë që shqetësojnë shpirti e tij. Profesori, se kështu e quaj unë autorin Fatmir Minguli, me studimet dhe hulumtimet e tij, shprehet jo si specialist fushe por, si qytetarë patriot dhe, derisa tezat dhe hipotezat i hedh në një roman, pra, në një vepër letrare që mban autorësinë e tij, domethënë se është dakort me atë që shkruan dhe pse, veshur me petkun e enigmës si të gjethes së dushkut, që përgjason, që merr formën e anijeve liburne; merr formën e shqiponjës, simbolit gjerman apo arian me një kokë, dhe të asaj shqiptare, me dy koka; me formën e kryqit të thyer të fashizmit që, fsheh nëntoka pellazge (ilire), me pluhurin e saj mitologjik e enigmatik, me frymën e madhe të optimizmit magjik të dhomave masonike.

Të flisje për këto tema para viteve’90, duhej guxim, sepse frika ishte e gjallë në varësi të interpretimit me frymën e kohës. Më e thjeshta, më me pak pasoja, ishte të të merrnin e të të trajtonin si të çmendur dhe, më e keqja, të të akuzonin politikisht e, atëherë, pasojat ishin të tmerrshme e, jo vetëm personale por, edhe familjare e shoqërore. Për kohën por, edhe për më tej, teoria pellazgjike, përbënte rrezik. Ajo aludon për një të vërtetë, për një trajtim ndryshe të historisë. Ajo aludon për një gënjeshtër e mashtrim të madh ku ishin përfshirë vende të fuqishme prandaj, pasojat do të ishin të mëdha sepse do të cënohen interesa të mëdha. Mendoj se kjo ishte një nga arësyet që vepra e zotit Spiro Konda u zhduk sapo lindi edhe pse jehona e atij libri mbeti e gjallë e po merr vërtetësi nga dita në ditë.

Fatmir Minguli

Zoti Minguli risjell në formë kurioziteti tezat pellazgjike, e në fakt ai është i bindur dhe dëshmon e beson në vërtetësinë e tyre. Në këtë kuptim, dhe pse me nota humori të veshura me kostumin e frikës, romani merr vlera të mirfillta historike që kanë nisur të bërtasin e të thërrasin për ta rishikuar historinë që njohim. Për këtë të vërtetë po flasin historianë në vënde të ndryshme të botës, po flet lashtësia me zbulesat e fundme arkeologjike që përbëjnë fakte të padiskutueshme. Frikërat shërbejnë si fenomene frenuese, për të shmangur e fshehur mëkatin, gabimin, mashtrimin, gënjeshtrën. Ajo kufizon e frenon nisiativën e njerëzve me dëshirën e ambicjen për të vërtetën reale. Frika është aq frenuese sa që edhe Akademia e Shkencave dogmatizon e nuk kërkon të vërtetën sepse, edhe anëtarët e saj kanë frikë nga ajo e vazhdojnë të argumentojnë të pavërtetën. Tre-katër përsonazhet e librit, çuditërisht nuk janë profesionistë, janë amatorë, njerëz me pasione, me dëshira që kapërcejnë rregullat e normat e kohëse e të vendit ku kanë lindur e ku jetojnë. Zafo është dijetar në një shkencë që nuk ka lidhje me historinë por, që ka ambicje e dëshira që mundohet t’i fshehë nga frika e ndëshkimit politik; tjetri, Kurti është një njeri i dyshimtë, pro gjerman, pro hitlerian; tjetri, Toto një i persekutuar e i dënuar, dhe, e vetmja femër, një çifute e shqiptarizuar e paisur me zgjuarsinë dhe ambicjet dominuese të racës së cilës i përket. Këta përballen e luajnë me realitetin, gjejnë rrugë e shtigje në mjedisin e politizuar shqipëtar, ndjekin dëshirat dhe ambicjet e tyre që i bëjnë të ndjehen krenarë duke dëshiruar e ëndërruar që hipoteza të vihet në qendër të vëmendjes për t’u kthyer në tezë. Mendoj se edhe kaq mjafton për të falenderuar profesor Fatmir Mingulin për botimin e librit të tij më të fundit “Frika”! Durrës Tetorë, 2020

48 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page