top of page

Romani “Bunari” është një vepër e fuqishme moderniste


Murat Aliaj: Romani “Bunari” është një vepër e fuqishme moderniste


Mendime të lindura gjatë rileximit të romanit “Bunari” të Dr. Fatmir Terziut


Nëpërmjet internetit isha njohur me një sërë botimesh, por rrëfimet e shokëve krijues, ma shtuan akoma më tepër kureshtjen, per ta lexuar dhe njohur direkt krijimtarinë e tij. Ishte fjala për personin shumëplanësh Dr.Fatmir Terziu, i cili më së shumti në letërsi ndihet si në shtepinë e tij. Flitej shumë për të e ç’nuk thuhej. Thuhej se ai po shkundëte me guxim praktikat dhe konceptet letrare që kishin vënë shtresa të trasha në vëndin e tij. Synimi i tij ishte jo vetëm të mohonte dhe pështynte mbi diçka që nuk i shkonte temperamentit shqiptar, por më tepër për të thënë se në kërkimin e logjikës së fenomeneve shqiptare, ke bërë vetëm një vërë në ujë, po qe se nuk guxon t’ju futesh atyre sa më thellë. Edhe pse kjo ka rrezikun që të futesh e të mos dalish më, ai e mori guximin dhe jo vetëm u fut, por si në pronat e trasheguara nga të parët, shetiti dhe meditoi bukur nëpër to. Nga ajo thellësi që kishte rrezikun të mos dilte më, ai pa të ardhmen. Kjo e ndihmoi të ndryshonte dendur këndin e shikimit, sipas specifikave që i paraqiste pamja. Kjo e bëri të ndjente e të ndryshonte sipas rastit parametrat e ndjeshmërisë, të dhimbjes dhe gëzimit.

E lexova romanin “Bunari” dhe në një farë mënyre u përputha me konsideratat e shokëve, por s’mbeta atje. Kostatova edhe unë ca gjëra që akoma nuk ishin thënë, ndaj nuk e ndjeva të tepërt mundin për t’i hedhur këto shenime, duke dashur njekohësisht të vërtetoj edhe se sa janë brënda linjës, ndjesitë e mia?

Jo se prova të tilla të guximshëme të cilat duhen përshendetur, nuk janë bërë gjatë këtyre 20 e ca vjetëve, por në shumicën e tyre ato kanë mbetur sprova marramëndëse që e kanë të nevojshëme rikthimin në to me qëllim përmirësimi të mëtejshëm. Një pjesë prej tyre mbetën thjesht provëza letrare që të dhëna për publikun e gjerë, të hapin barkun e shkaktojnë spazma neverie. Mendoj se kjo katandisje që vërehet rëndom, vjen për shkakun e parë dhe të vetëm të deklaratave pompoze të dashurisë për atdheun dhe popullin. Duket sikur patriotët janë vënë në garë pa fund me njeri tjetrin se kush e do e kush nuk e do më shumë, njesoj sikur të ishim në fund të shekullit të 19 kur hidheshin themelet e Shqiperisë moderne.

Është fare normale shqetësimi i Fatmir Terziut për këtë temë ku rrjedh dhe ngatërron mendje njerëzish, Bunari. Historia e futur në letërsi, ka shumë domosdoshmëri përdorimin dhe operimin me mjetet e letërsisë. Por më tej se kaq, autori e bën këtë përpjekje i sigurt se ka lumin e tij të veçantë prej të tjerëve, ku pi ujë. Ka atë lumë që herë vjen i rrëmbyer me ngjarje për të shuar etje trimash, herë ndërron ngjyrat si të ishte kameleon, e herë shteron fare. Shih me ç’nuanca interesante operon autori! Origjinaliteti i tij është mahnitës dhe tërësisht në funksion të idesë që do theksojë. Le të mblidhen shkencëtarë nga të gjitha anët e botës që nga Japonia e deri në...Japoni. Për pak sa harrova që globi tokësor është i rrumbullaktë.

E realizuar jashtë kornizave klasike të disiplinimit të ngjarjeve dhe heronjve mbi shpinën e të cilëve rrokullisen ngjarjet, autori e di mirë cilën ide do konkretizojë dhe si do e bëjë atë. Zgjedh më të sigurtën. Merret me gjurmët për të mbrritur tek ujku. Mund të gjëndet vallë ujk i vjetër 100 e ca shekullor e ndoshta edhe më tepër? Ndërsa gjurmët kanë ngelur. Janë stampuar në toponime dhe akoma më tepër në karaktere breznish dhe kombesish.

Duke qënë se ka te bëjë me një periudhe kohe që mund të operojë vetëm me periudhe gjeologjike të kohëbotës (term mjaft sinjifikativ per pasurimin e shqipes). Autori vendos njëfarë rregulli për trajtimin e fazave të ecurisë së njerëzve prej të cilëve rrjedh dhe truallit ku atyre ju plasi koka. Kjo e bën që të krijojë një hero të veçantë e të pa ndeshur asnjëherë më parë në rrjedhën e krijimtarisë sonë, rreth të cilit vërtit ngjarjet që nuk janë thjesht rrëfime letrareske, pasi ato i kërkojnë lidhjen e domosdoshme e shpesh herë të panatyrshëme të epokave që u karakterizuan nga punë të mbinatyrshëme mbijetese, ku përfshihen edhe punët e skllavit, fat të cilin shqiptari, duke qënë gjithmonë nën perandori të lindjes dhe perëndimit, e provoi dendur. Lufta e cila po për të njejtën arsye ishte kaq fenomen normal sa shpesh vendi arriti zgripin e shkretimit. Dashuria e cila gjithnjë u bë vjedhurazi si pjesë që i duhej mohuari këtij kombi të dënuar me çdukje dhe më pas gjumi i gjatë shekullor, për t’ja lënë vëndin zgjimit të vrullshëm dhe përsëritjes pa fund të këtij cikli rreth të cilit është vërtitur jeta e këtyre njerëzve. Të shkuarve dhe të sotmëve, pasi, si rrallë kund gjetkë, në fatin shqiptar nuk është asgjë e përjashtuar.

Të ngjan sikur heroi i librit ka lindur shumë kohë më parë se sa të merrte jetë ky cikël mijra vjeçar i cili vazhdon edhe sot. Ai ka lindur bash në të njejtën kohë kur majmuni preu bishtin dhe u mbështet mbi dy këmbët e prapme. Pasi i pëlqeu e ju duk më e volitshëme kjo pamje për ta përballuar jetën, vendosi qëdy këmbëve të para t’ju ndryshojë përdorimin. Kjo ndodhte shumë kohë më parë se të shteronte Bunari dhe akoma shumë më përpara se Bunari të bënte çudinë tjetër, dhe të fillonte rrjedhjen por këtë radhë me një ngjyrë tjetër të trazuar e të përgjakur. Në vetvete ai përbën shtratin e vetëm të rrjedhës së jetës shqiptare qysh nga katragjyshërit e deri në ditët e sotme, në këtë vënd të ndëshkuar e të lakmuar i cili shpesh herë i është afruar greminës, pa rënë në të.

Romani “Bunari” është një vepër e fuqishme moderniste me mesazhe të shumllojta që nuk e pranojnë rreshtimin, sepse prej njerit degëzim, lindin dhjetra të tjerë dhe kështu ngatërrohet kaq shumë analiza, sa humbet kuptimin i një proçesi të tillë. Vepra të tilla krijohen për tu lexuar e rilexuar, por kurrsesi për t’u vënë në peshore. Në të ka kaq shumë dyer dhe dritare sa sejcila do sherbente për të krijuar një roman më vete. Dhe gjithë këtë lëndë me ide të mëdha kapitale, autori e ka përmbledhur vetëm në 120 faqe libër. Kushedi sa punë i është dashur për ta realizuar këtë koncentrat!

Por e kishim fjalën tek dashuria për njerëzit dhe për atdheun e cila e ka blatuar këtë vepër. Ajo në njërëz të ndryshëm, çfaqet në forma të ndryshme. Tek Fatmir Terziu ajo ka një formë që rrallë kund mund ta ndeshish gjetkë. Për të, duket se është e pabesë dhe e paqëndrueshme ajo dashuri që shprehet me thirrje patetike podiumeve dhe mitingjeve. Dashuria për të, është një plagë që sa në shumë ta gërrvishtish, aq më shumë dhëmb. Por a mund të ketë dashuri të vërtetë, pa dhimbje? Dhe çfarë pikërisht e shkakton dhimbjen e autorit? Duke qënë temë mjaft e brishtë, autori nuk rrëmbehet të mbytet në të, por e anashkalon, duke lënë vetëm problemin, i cili siç ka qënë, vazhdon të mbetet. Sepse mund të krijosh një varietet të ri nëpërmjet fekondimit të dardhës me gorricën, apo mund të krijosh mushkën nëpërmjet ndërzimit të pelës me gomarin, por kurrsesi nuk mund të krijosh dot një qenie të re me natyrë shqiptare që t’i heqish nga geni, predispozicionin shkatërrimtar për t’i parë ngjarjet dhe objektet përmbys. Jemi të ndëshkuar për të patur një atdhe shekullisht të plagosur e të pasheruar, më se shumti prej vetvetes.

Pikërisht kjo e shkakton dhimbjen dhe i rrëmben vëmëndjen autorit i cili e shpreh dukshëm synimin se diçka themelore duhet të ndryshojë që edhe ky komb të begatohet e gëzojë jetën si gjithë të tjerët. Morali është një këshilltar i keq në njërëz që besojnë tek krenaria dhe pasuria e tyre mendore që ju ka falur zoti. Me këtë armë nuk mund të trokitet në të. E vetmja mënyrë është kjo çmenduri që duhet të luftohet me një çmenduri tjetër, sepse jo më kot i pari ka thënë se ai kal që të rrëzon, ai të ngre prapë. Kjo është filozofia më interesante me të cilën operohet në këtë libër i cili mbase do e tërheq vëmëndjen, shumë më tepër se tani, në kohët që do vijnë më pas, sigurisht në se autori do e ndjej të nevojshme që ti rikthehet e të nënvizojë disa momente themelorë të cilat vetëm sa i ka skicuar dhe anashkaluar. Të lind përshtypja se kjo vepër interesante i ngjan atyre majëmaleve të mbuluar nga mjegulla, që s’të lejojnë të shohish se deri ku arrin lartësia e tyre, por më mirë që nuk i shohim, pasi do tmerroheshim prej tyre.

Jo rastesisht autori i vërtit aludimet e tij rreth betejës së humbur të Sfetigradit. Kjo është një humbje pikante që i kushtoi shumë vëndit, por fatkirësisht prej saj u mësua shumë që të fitoheshin të tjerat. Por ç’ndodhi në Sfetigrad? Autorin e gërrvisht deri në dhimbje shitja e fitores me flori. Një shitje që mbeti në traditën e mallëkuar të klëtij vëndi e që vetëm perënditë (në se janë) mund ta frenojnë. A nuk vazhdon edhe sot e kësaj dite e njejta praktikë në kurriz të atdheut. Janë me mijra rastet që mund të renditeshin për ta ilustruar. Por më tepër se për këtë shkak mua më duket se autori i referohet kësaj ngjarje historike për tjetër gjë. Për të theksuar mosambjentimit me humbjet, një nga sëmundjet më të vjetra tonat, prej së cilës nuk mund të shkëputemi dot. Sepse ai e di mirë që fitimtari edhe mund të humbas, por humbësi nuk fiton kurrë.

Mbijetesa e kombit duke kaluar nëpërmjet atavizmave nuk është shqetësim që ndihet së pari në krijimtarinë letrare. Por Fatmir Terziu ka mënyrën e tij dhe lëndën e tij, krejtësisht të veçantë e të kundërt me të të tjerëve. Ai krijon tipin e tij, fëmijën që lind me brirë dhe nuk jeton veç disa ditë. Në një vënd atavik e të përgjakur në çdo betejë mbijetese, këto krijesa të përçudnura, janë të zakonshëme, pasi ato i japin përmasa enigmave si dhe arsyeve që rreken për shpejgimin e tyre. Ky vënd i paracaktuar prej fatit për të qënë atavik, vetëm krijesa të tilla të panatyrshëme mund të krijojë. Njerëz me brirë e pse jo edhe me gjashtë e më tepër këmbë, si akrepat që hanë vetveten. Se jo rrallë fatkeqësitë tona kanë ardhur nga vetvetja. Natyriasht që s’mund të jem dakort me vdekjen e kësaj fëmije vetëm pak ditë pas lindjes, por ç’rëndësi ka kjo. Kush më pyeti mua, dhe pse duhej të më pyeste? Autorit i mjafton logjika shekullore e humbjeve dhe pësimeve të kombit të vet, si një ngushëllim fatkeqësh për shkakun e atavizmave kishte ardhur prej kohësh sentenca idealiste: Ta kthejmë humbjen në fitim dhe dhimbjen në forcë! Kjo është e ngjajshme me sentencën tjetër që ne nuk e thamë asnjëherë me gojë, por e provuam dendur në jetë: Ta kthejmë plehun në çokollatë dhe njeriun në majmun. Këtu dhe vetëm këtu është shkaku i atavizmave që nuk na u ndanë asnjëherë. Por për qeniet njerëzore eshte tmerrësisht e dhimbëshme ta çojë thikën deri në palcën e vet.

Çdo gjë që bëmë në jetë, si ne dhe brezat, e bëmë sëprapthi dhe në kundërshtim me ligjet e natyrës. Ne bëmë mëkatin që shpatit malor, i hoqëm bukurinë e vet më të madhe, dhinë që kulloste mbi të. Ne i hoqëm njeriut blloqet e qershisë, për t’ja dhuruar ato hajdutit që do t’i priste nga rrënjët dhe me megalomaninë më të pashembullt, rrahëm gjoksin se jetuam epokën më të nfritshëme të njerëzimit, se ishim më trimat e botës, më të lumturit e botës. Fatkeqët që s’mundëm dot as të njihnim vetveten! Si për të na e plasur syve këtë lumturi, nëna natyrë i jaradis pjellat e këtij vendi e brirë e plot përçudnira të tjera.

Çfarë tjetër mund të kuptojë një lexues i vëmëndshëm pas asaj morie simbolesh që do të donin volume të tëra për t’u shpjeguar. Unë mora më të dukshmit dhe më ngacmuesit për mua, por s’mund të pretendoj se i trajtova të tëra. Ndihem i pazoti për ta bërë këtë siç duket, madje akoma ndjej dyshimin në isha i saktë në fluturimet që më dhanë këto simbole moderniste të një shkrimtari që e meriton vëmëndjen.

Në këtë kohë të çuditshëme kur si shkak i përçudnirave tona libri po e humbet efektin e vet të magjishëm, ekzistojnë dy lloj librash: Libra që me zor i çon deri në fund dhe libra që s’do të deshe të mbaronin. Pa dashur t’i bëj kopliment autorit, ky roman hyn në këtë kategori të dytë. Për këtë arsye ja vlen edhe që të grindemi pak dashamirësisht me njeri tjetrin, me të vetmin synim që të fitoj vepra.

Rëndësi të madhe në këtë drejtim, ka zgjedhja e këndvështrimit nga i cili do e shikosh veprën, dhe pashmangësisht, një të tillë do e ketë çdo lexues. Këndvështrimet janë të panumurt dhe sejcili prej tyre ka meritën që fokuson njerën anë duke errësuar tjetren, por nuk t’i paraqet kurrë të dyja përkrah njera tjetres. Në këndvështrimin tim, mbetet diçka e mangët e cila kërkon ose të ndryshoj unë këndvështrimin, ose të vijë romani në këndvështrimin tim. Për këtë tip romani, mendoj se do ishte shumë më me ineteres që djali me brirë të mos vdiste qysh pak ditë pas lindjes, sepse kemi faktin që këta përbindsha të përçudnur e kanë shoqëruar mbijetesën tonë dhe duket se s’do të na ndahen lehtë, për ta lënë emrin e tyre si parandjellës fatkeqësish, por akoma më tepër si luftëtarë të vendosur të së keqes. Desha të them se e vdes autori apo nuk e vdes këtë djalë, ai vazhdon të jetë i pranishëm në të djeshmen dhe të sotmen tonë. Ai përfaqësuesi më i denjë i atavizmës, i fatpërmbysjes. Fakti që autori i përqendon zhvillimet e tij në betejën e humbur të Sfetigradit, por edhe zhvillimet e përçudnura që pasojnë në jetën e këtij populli dhe këtij vendi të begatë, ma jep të drejtën e këtij propozimi, por me që nuk kam asnjë të drejtë që t’ja imponoj autorit këtë gjë, po e lë mënjanë si ide të preferuar të krijimeve të mia, duke falënderuar autorin që u bë shkak të bëhem pasues i tij në këtë lëndë që kërkon zhbirim të mëtejshëm.

Nuk fola për gjuhën interesante të romanit të cilën e ka analizuar mjaft mirë shkrimtari Faruk Myrtaj, edhe pse desha të theksoj faktin se autori që ndihet i sigurt ne përdorimin e fjalës me ngarkesë poetike, shpesh herë i lejon vetes përdorimin e fjalës më të rëndomtë të instruksioneve kurative për barna të veçantë. Veçanërisht kjo gjë vihet re kur flet për efektet e hithres që dendur na ka përcëlluar duke na sherbyer ne kurimin e plagëve dhe bishtat e qershisë. Sigurisht që kjo s’mund të jetë pakujdesi e shpëtimit të fillit nga kontrolli i autorit, por e bërë qëllimisht jo vetëm për thyerjen e monotonisë së rrefimit, por e përshtatjes së gjuhës me temën për të cilën bën fjalë. Po kështu nuk mund të ndalem tek konceptimi i përgjithshëm i ndërtimit të romanit , i cili është mjaft i larmishëm, sepse do më duhej të zgjatesha shumë. Edhe pa to si dhe pa dashjen time ky shkrim doli tepër i gjatë.

Me të gjitha këto thjesht desha të them se asgjë nuk është vendosur rastesisht në roman.

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page