Liri Bele
Ky roman, i botuar vite më parë, është një veper letrare e një niveli të lartë artistik, i cili të rrëmben dhe nuk e lëshon nga dora deri te faqja e fundit. Ai është dëshmi e një realiteti të hidhur të përjetuar me dhimbje të thellë prej shumices prej nesh, te cilin faktorë të shumtë, të fuqishëm dhe vendimtarë, përpiqeshin ta fshihnin me forcë, duke e zëvendësuar me pamje dhe episode të një jete të lumtur por, fatkeqësisht, tejet artificiale.
Romani bazohet në një njohje të saktë, objektive, të detajuar hollë, të një periudhe dramatike të shoqërisë sonë, e vështirësuar nga rrethanat e periudhës postkomuniste: kur shumë vajza të reja u trafikuan në Perëndim për të punuar si prostituta për të pasuruar disa njerëz të pashpirt, të cilët i depozitonin fitimet e tyre në banka të fshehta apo ndërtonin vila luksoze dhe kulla shumëkatëshe kudo në Shqipëri. Babëzia e këtyre njerëzve nuk njeh kufi: ata arrijnë të trafikojnë edhe vajza minorene duke i mashtruar. I tillë është fati i hidhur i Borës, personazhit qendror të romanit, e cila merret nga shtëpia e saj me premtimin për një dashuri të çiltër dhe i shitet një shtëpie publike në Londër, ku ajo përjeton vuajtje të mëdha. Romani hedh dritë mbi disa nga prostitutat shqiptare nën thundrën e Tigrit, këtij tutori të egër dhe të gjithëfuqishëm, si dhe të atyre në Soho të Londrës, secila e vizatuar me tiparet karakteristike shpirtërore vetjake.
Galeria e personazheve të romanit është jashtëzakonisht e gjerë, ndër të cilët spikat Gjergji, vëllai i Borës, i cili niset në kërkim të motrës së tij të humbur minorene duke u bazuar në fare pak të dhëna. Gjergji vizatohet me mjeshtri të rrallë dhe detaje bindëse – ai është trim, inteligjent, i vendosur për t’i shkuar gjetjes së motrës deri në fund, duke përjetuar vështirësi panumërta—uri, fjetje nën ura e lulishte, rreziqe për t’u vrarë nga tutorët e prostitutave, e megjithatë ai nuk tërhiqet nga vendosmëria e tij për të gjetur të motrën, të cilën në fund e gjen, por në në një gjendje shpirtërore të traumatizuar për çka ajo përfundon në një një spital rehabilitimi mendor. Shumë të realizuar artistikisht, aq sa të mbeten në mendje dhe të duken sikur i ke njohur nga afër, janë edhe një sërë figurash të tjera -- ajo e Tigrit, e bosit të prostitutave, njeri shpirtkazmë dhe dinak, shumë inteligjent; ajo e prostitutës Ema, një vajzë me shpirt të kulluar dhe ëndrra për jetën dhe për universitetin ku dëshiron të studiojë, por që vritet tragjikisht nga bosi i saj, Tigri, duke guxuar t’i kundërvihet këtij gangsteri; apo figura e Xhonit grabitësit të bankave, që e blen Borën për një shumë marramendëse; e Korabit, e Florensës, (së dashurës së Gjergjit); e mafizove rusë, etj.
Tashmë dihet se një kategori njerëzish të shoqërisë sonë ishin të detyruar te pranonin atë mënyrë jetese anormale me të ardhurat nga trafiku i qenieve njerëzore, çka disa e konsideronin artificialisht si “jetë luksoze” përcaktim i bazuar në botëkuptimin e tyre ideologjik të ngushtë dhe realisht të deformuar .
Përmbajtja e romanit mbështetet në pasqyrimin gati deri në përsosmëri të dy anëve ekstreme te jetes njerëzore mbi te cilat ajo qëndron qysh prej krijimit. Po përmend përmbledhtazi të kundërtat që përbëjnë boshtet e veprimit dhe motivet mbi të cilat ka ecur dhe vazhdon të ecë shoqëria njerëzore, të kundërta që kanë qenë përherë në një luftë antagoniste me njëra-tjetrën, dhe që mishërohen aq natyrshëm në këtë roman: Mirësia dhe Krimi; Dituria dhe Injoranca; Dashuria dhe Urrejtja; Ndershmëria dhe Hipokrizia; Pangopësia dhe Bamirësia (Filantropia); Trimëria dhe Frika…
Kur lexuesi njihet me jeten e emigranteve, në rastin e romanit në fjalë, të atyre shqiptarë, mëson se jeta e këtyre bashkëkombësve ndodhet në fije të perit pa më të voglën vlerë, ajo thjesht shihet si prodhuese vlerash monetare në më të shumëllojshmet forma dhe... pikërisht atëherë i përjeton me dhimbje ato fakte të paimagjinueshme.
Pasuria e gjuhës letrare amtare në roman është një vlerë tjetër, e lëvruar nga autori si rrallë nga shkrimtarët tanë.
Tipari artistik më i rëndësishëm në këtë vepër është ndërthurja natyrshëm e një stili të vjetër klasik, me narracion të qetë, me një stil modern me analiza të goditura psikologjike që e rrëmbejnë lexuesin dhe e bëjnë që ai të njëjtësohet me personazhet; është njohja në detaje dhe shpërfaqja e botës së tyre shpirtërore dhe i raportit të ngushtë te saj me logjikën e kthjellët, e cila e mbetet vendimtare si udhërrëfyese në situata të vështira duke ia dalë me sukses t’i përçojë lexuesit edhe ndjenjat më të holla, të tilla si marrëdhëniet njerëzore brenda një familjeje të thjeshtë shqiptare, me tradita të thella devotshmërie, në të cilën vëllai, Gjergji, i përkushtohet një misioni gati të pamundur për të garantuar jetën e motrës së tij Bora dhe që është i ndërgjegjësuar deri në shkallën e vetëflijimit. Njohja dhe vlerësimi objektiv i pastërtisë së ndjenjave dhe i një intelekti të spikatur prezantojnë botën shpirtërore të Gjergjit tek i cili sundon virtyti i kulluar parak, tipar i më së mirës të kombit tonë në shekuj. Figura e Gjergjit është simbol i thjeshtësisë dhe i mirësisë së natyrshme që karakterizon të riun shqiptar, besën që ai i ka dhënë s’ëmës se do ta gjente Borën kudo që ajo të ishte në botë dhe do t’ia sillte në shtëpi. Romani është një himn për mirësinë njerëzore dhe qortim fshikullues për atë kategori njerëzish që lumturinë e tyre e ndërtojnë mbi fatkeqësinë e tjerëve.
ooOOoo
Rezymé mbi krijimtarinë e autorit Stavri Pone
Letërsi për fëmijë:
Vëllime me tregime e përralla: “Ndodhitë e Egit dhe të Pikut”; “Doni të njihni Dorin?”; “Njeriu prej Bore” “Shpata e zjarrtë”
Pjesë teatrale “Raketa”; “Piktorët e vegjël”
Romane: “Aventurat e Kokëkashtës”; “Kokëkashta në Ishullin e Gurtë”; “Aventurat e Qerosit dhe Eramlit”
Letërsi për të rrritur,
Tregime e novela: “Flladi i Mbrëmjes”
Pjesë teatrale: “Dremitja”
Romane: “Nuk ishte vetëm Ëndërr”; “Lotët e Trëndafilit”; “Bora”; “Ngjyra e Pasionit”; “Mirëmëngjes, e Dashur”; “Armiku i Shtetit”; “Ylli në horizont”; “Hotel Miramare”; “Legjendë Urbane”; “Netët e Parisit”
Romane në anglisht: “ Knocks of Hope”; “Wounded Happiness”; “Love in Dope Land”; “I, Joanna”; “Urban Legend”; “Waiting for Tomorrow”; “Tears Never Dry”
Përkthime nga anglishtja në shqip:
“Liria në Formimin e Kulturës Perëndimore”; “Jashtë Kontrollit”; “Bota që Erdhi prej të Ftohtit”; “Vështrim mbi Letërsinë Amerikane”; “Tradita e së Drejtës Civile”; “Hyrje në të Drejtat e Njeriut”; “Sistemi i Drejtësisë”; “Çështje të Demokracisë”; “Jeta e Myslimanëve në Amerikë”; “Shkrimtarët mbi Amerikën”; “Historia e Greqisë”; “Enciklopedia ‘Usborne’ mbi Botën”; “Trafikimi i Qenieve Njerëzore”; “Gjendja Njerëzore”; “Napoleoni dhe Mari-Luiza”; “100 Tregime Klasike”; “Enciklopedia për Fëmijë A-Z”; “Psikologjia e Arsimit”; “Përrallat e Fermës”; “Refugjatë nën Qiellin e Ri”; “Tregime për Vajzat”; “Getsbi i Madh”; “Romanovët”; “Muhameti”; “Shkruar në Histori” etj.
Nga shqipja në anglisht:
“Historia e Krishterimit në Shqipëri;” “Historia e Shqipërisë dhe Trashëgimia Kulturore”; “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”; “Krimet e Serbisë në Kosovë”, etj.
Çmimet:
Çmim i I-rë në Konkursin Kombëtar për fëmijë (drama “Raketa”), 1976
Çmim i II-të në Konkursin Kombëtar për fëmijë (përralla), 1984
“Penda e Argjendtë” (romani “Aventurat e Kokëkashtës”, 2004).
Çmim i II-të në festivalin e Filmit të Animuar (skenari), 1990
Comments