Romane psiko-socialë me vlera të mëdha atdhetare


Vilhelme Vranari (Haxhiraj) "Mjeshtër i Madh"

Romane psiko-socialë me vlera të mëdha atdhetare

(Rreth krijimtarisë së shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj)


Dr Fatmir Terziu


Aristofani thotë, “atje ku është përparimi është dhe atdheu im”. Kjo thënie filozofike është edhe një nga udhërrëfyeset e tërë trilogjisë së romanit prej rreth 1000 fjalësh, “Vështroni Meduzën” të shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj). Është një udhërrëfyese e heshtur, por me plagë të ndjeshme në zemër. Plagë që vijnë pikërisht nga ai virtyt i hershëm dhe besim i patundur në përparimin e Atdheut të saj, në begatinë e atij vendi, për të cilin u mohua, u sakrifikua pa shkak e arsye. Kjo duket edhe në fjalën që poeti i mirënjohur shqiptar, Xhevahir Spahiu, thotë: “si mbiemri i shoqes sime të shkollës pedagogjike Vranari, e tillë, e vranët ishte dhe jeta e saj. Duhej kohë që qielli të hapej dhe Vilhelmja ta kishte fjalën e vet.” (Spahiu: 2006:6). Por jo vetëm kaq për poetin shqiptar “Ajo vjen si Antigona për të qetësuar dhe mjekuar shpirtrat e lënduar të shqiptarëve” (Spahiu po aty). Dhe në këtë udhërrëfesë letrare autorja me penën dhe mendjen e saj sqaron se vërtet ajo është ‘krenare që është bijë e Kaninës, pasardhëse e familjes së Gjergj Arianitit”. Për të në vendlindjen e saj është përparimi, aty është Atdheu! Është përparimi, edhe pse ky i privuar për një pjesë si ajo, ‘për gjysmën e shqiptarëve’siç shprehet vetë autorja, po aq është edhe hapësira dhe vendi në tërësinë e munguar. Në atë hapësirë të së tërës ku ajo u mohua dhe u privua disa herë. Por, edhe pse e tillë rrodhi jeta për të dhe për fatin e saj, ajo “ka ardhur në strofën e shkrimtarëve si një kirurge me përvojë, që me bisturi ka nisur të operojë plagët e vjetra dhe të reja të shoqërisë shqiptare” (Odhise Grillo: 2006:6). Dhe jo më kot vetë autorja i quan këto tre romane ‘psiko-sociale me vlera të mëdha atdhetare, shoqërore dhe artistike” (Vranari: 2006:8).

Duke kapur pikërisht këtë aspekt të psiko-sociales në romanet e saj, apo më saktë në tërë krijimtarinë e saj të pasur në të gjitha zhanret, duhet theksuar se ajo ka lëvruar në poezi, fabula, tregime, skica, novela, letërsi për fëmijë, romane, skenare etj., unë mendoj të trajtoj atë që lidhet më së shumti me shqyrtimin e marrëdhënieve mes modernes letrare dhe narratives historike nëpërmjet udhëtimit në kohë, vend e hapësirë, për t’i afruar lexuesit dhe studiuesve të veprës së saj, njohje më të frytshme të perspektivës dhe psiko-sociales në tërë krijimtarinë e autores Vilhelme Vranari (Haxhiraj). Duke lexuar dhe shënuar kundërshtinë e narratives, duke përdorur analizat historike dhe letrare, unë do të synoj të depërtojë në tërë aspektet psiko-sociale që garanton autorja për të bërë më të lehtë të kuptuarit se si disiplina e letërsisë është zhvilluar në këtë kategori të romanit që u lëvrua në Shqipëri, pikërisht nga kjo kategori shkrimtarësh ‘të quajtur të vonuar’, për arsye të shpjeguara më lart. Në përgjithësi studiuesit kanë theksuar se pikërisht nga ky brez krijuesish, ‘nga kjo magazinë e artë vlerash’, ka ardhur një risi e re në shkëmbimin e vlerave të ndryshme, përfshirë edhe ato psiko-sociale, si një pasqyrë e kthjellët për të njohur historinë dhe thelbin e saj të konsumuar ndryshe. Shembujt janë plot. Kujtojmë Pjetër Arbnorin, Uran Kostrecin, Visar Zhitin, Uran Butkën, Fatos Kongolin, vetë autoren e marë në konsideratë, Vilhelme Vranari (Haxhiraj) etj., dhe natyrshëm kuptojmë arsyen e lartcituar. Pse themi kështu pikërisht për krijimtarinë e shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj)?

Së pari, rasti në fjalë duke lexuar veprat e saj, më së shumti trilogjinë e saj, vetvetiu fokuson historinë dhe statusin e saj ndaj këtyre lidhjeve psiko-sociale të historisë si një tekst, më saktë si një tekst letrar, të joshur nga diskursi “letrar” i llojit të ri. Kjo autore, po ashtu edhe autorët e kësaj kategorie, e përdorin rastin e historisë së një gjini disiplinore që del nga ankthi i magazinuar nëpërmjet inkorporimit të dijes dhe njohurisë për rrethana të ngjashme apo sublime të historisë. Për shembull autorja Vilhelme Vranari (Haxhiraj) ka realizuar trilogjinë “Vështroni Meduzën”, duke përdorur materiale të marra nga “Arkivi Qendror Shqiptar”, “Muzeu Historik i Vlorës”, “Biblioteka Kombëtare”, “Enciklopedia shqiptare” etj,. Por kjo nuk është thjesht një ‘arkivë’ për të realizuar veprën e saj. Ajo është një shtysë historike për të fokusuar arkivën e saj të magazinuar në vite në memorien e saj. Ky rast mjafton të shohësh dhe përzgjedhësh brenda nocionit psiko-social tërë vlerat që autorja i përcjell nëpërmjet diskurseve të saj të kuriozitetit, spektakolares, ambientales, afreskes, gotikes, romantikes, sensacionales, që në fakt sipas secilit diskurs përshtaten dhe përshkruhen klasat e veçanta, ngjarjet, lidhjet, nënë-gjyshe-mbesë-nip-bijë-dhëndër, apo edhe më tej me natyrën në takimet në Itali, ku metafizika kryen rolin ndihmës në dobi të këtyre diskurseve. Këtu dalin rrjedhshëm dhe thjesht e saktë të gjitha disavantazhet historike, lexohen profesionalizmat dhe përfitimet që vijnë nga udhëtimi në hapësirë, vend dhe kohë, të cilin shkrimtarja e kryen në mënyrë të përsosur. Është një fakt që vjen nga kjo pikë. Në studimet e mëparshme, apo edhe në kritikat e hershme, shihen baza të ngulitura nga ideologjizmat dhe teori që synojnë kah tendencës së ngurtësimit të materialit tekst në krijimtarinë shqiptare, gjë që edhe sot nëpër gazeta apo fjalime nga kritikët dhe studiuesit e këtyre veprave synohen terma ‘eksperimentale’ për të dalë nga ajo rutinë e hershme, që në fakt deri diku dëmton edhe krijimtarinë, pasi fjalët e kritikës dhe analistëve nuk kapin thelbin bashkëkohor, por hendekun e daljes nga rutina. Disa, madje edhe autorë e krijues, këtë ‘eksperimentalizëm’ e pëlqejnë në kritikën shqiptare, sepse u del ‘me fjalë-ngrohtësi’, por kur bëhet fjalë për daljen e vlerave të veprës, zor se gjen dy fjalë për t’u mbështetur e dalluar njërin autor nga tjetri. Pikërisht këto eksperimentalizma me tendenca post-ideologjike, e kanë sfumuar rolin e diskurseve, madje e kanë kthye në tendenca konfliktuoze.

E dyta, është se romani i shkrimtares shqiptare, huazon nga rasti historik një tematikë me vlerë. Trendi në kritikat e fundit ka qenë për të identifikuar dhe vënë në dukje krijimet e saj si ‘modele’ të shkruara në një moshë jo-relativisht të re, por më tepër kanë harruar se aspekti dhe rasti historik për autoren është një kalibër i mprehur hershëm, që në atë kohë kur ajo studioi, por u privua, kur punoi si mësuese, dhe u harrua për t’iu nënshtruar ‘edukimin në kudhrën e kuqe’, është një kalibër që tashmë qëllon vetëm në shenjë. Kjo mund të lexohet si një ngjashmëri në tekstet e kritikëve më të fundit si Nancy Armstrong, Lennard Davis, J. Pali, Michael McKeon, dhe të tjerë që kanë diskutuar rëndësinë e magazinimit të historisë për të prodhuar modele romanesh si këto që shkrimtarja i gatuan me zellin e shpirtit, talentin e saj të mbajtur gjallë dhe vlerat e magazinuara në vite. Rasti i historisë që detajon shkrimtarja, edhe pse kryesisht ka mbetur pa përgjigje nga kritika në promovimet e romaneve të autores, apo edhe në recensat e analizat për krijimtarinë e saj, vetvetiu jep një shembull bindës me narrativin, narrativin që synon zhvillimin e një modeli të ri, që ilustron rëndësinë e retorikës në ndërtimin e strategjive të disiplinës si ndryshim jetik dhe domethënës në shërbim të brezave. Vetë autorja u drejtohet të rinjve të shekullit të ri “jetojeni jetën se është e bukur. Mos u bëni preh e intrigave të kohës së vrazhdë që tjetërson njeriun, mos lejoni, jo vetëm kohën, por askënd që të vrasë shpirtrat tuaj të dëlirë...” Edhe pse me një tematikë ndryshe “Rrëfime në të perënduar” është thuajse një model koherent që buron nga ky subjektivitet i akumuluar. Në këtë libër, ku spikat potenciali intelektual dhe profesional i femrës, njëkohësisht autorja tregon se sa dhunues, i dëmshëm dhe ndrydhës është një stereotip, kur ai pranohet nga vetë ai segment i shoqërisë që gjykohet prej tij.

Ky libër ashtu sic thuhet është një hapësirë e hapur për të zbuluar veten si të strukur diku mes mijëra shkronjave dhe pa dashur për të belbëzuar: "Kjo është edhe jeta ime, edhe jotja, edhe e asaj..." Ndaj autorja i ka dhuruar lexuesit: "Një libër për të gjithë", si në të gjitha librat e saj, edhe kur ajo shkruan për një kategori të caktuar, aty fap përfshihet e gjitha, e gjithë përvoja e saj si një bagraund për të gjithë.

Ajo i ofroi kështu romanit të saj një model i cili del në llojin e trilluar të tregimit si status më vete, dhe po aq nga përpjekja për të përfaqësuar historinë, me një mori ngjarjesh që pasojnë gradualisht nën sytë e saj udhëtues, dhe që janë organizues hap pas hapi të asaj që lidhet me interesin historik të fateve të Atdheut, të ndërlidhura këto si sublimitetet mbi rëndësinë e madhe.

Së treti, formalja dhe evoluimi i përgjithshëm si epikrizë shpirtërore në romanin e saj është afërsisht si një gjurmë jete, dhe ndriçon, atë të një lloji të ri. Ashtu, si një epikrizë psikoanalitike ajo lë gjurmë në një shteg të mbushur nga "kuriozja" si një model ndjeshmërie e epikrizës që përshkroi njeriu i saj, përmes realizimit dhe organizimit të fjalës ‘klinike’, dedikuar për interpretim të saktë të sipërfaqeve, dhe së fundi nektarit të brendshëm Oepidial që konceptohet në psikoanalizën e Frojdit. Pra si një lloj i ri, ai shihet qartë të demonstrojë, një fillesë me lidhje realiste të mbushura me frymë romantike e kritike të autores në bisedat dhe komunikimet e saj, duke argumentuar edhe faktin dhe fatin e tij historik.

Së fundi, trilogjia e shkrimtares Vilhelme Vranari (Haxhiraj) ndan një nga shqetësimet kryesore të një lloji të ri: si të tregojë aspektin jetik në mesin e njohurisë që del nga arsyeja e logjikës së vetë autores. Romanet e shkrimtares nuk kanë thjesht dëshmimin jetik-personal për të rishkruar pjesë të jetës apo riskun e jetës së saj, si një temë më vete, por shërbejnë si një mekanizëm logjik për prodhimin e subjektivitetit në shërbim të lexuesit. Natyrisht, përmes narrativit në tekstin e saj, duke kombinuar njohjet dhe materialet e mëparshme të historisë, ajo fsheh me durim ‘autobiografinë’, po aq edhe kronikën e vëzhgimit, dhe nuk ndihmon thjesht që të krijojë një imagjinatë, por një të vërtetë historike që nënshtrohet mes penës dhe fakteve sublime të saj, pra sjell modelin koherent që buron nga subjektiviteti i akumuluar nga përvoja i saj.

Vazhdon...


#vilhelme #vranari #terziu #fatmir

8 views

Shkrimet e fundit