top of page

ROMAN INTRIGUES


“NË INGANAZHET E MAFIAS”, NJË ROMAN INTRIGUES NGA DOGJAN DERVISHI

Halil RAMA


Pas romaneve “Zhgënjimi” ( 2013), “Shpresë e thyer” ( 2017 ), “Përandoria e medjave” (2019) dhe “Një histori qëndrese” ( 2021) Dogjan Dervishi botoi para pak ditësh romanin e tij të pestë “Në ingranazhet e mafias”.

I fokusuar në informalitetin e ekonomisë shqiptare si dhe tek pastrimi i parave si një proces i paligjshëm nëpërmjet të cilit, paratë e fituara nga krimi hyjnë në sistemin financiar legjitim, në nivel kombëtar ose ndërkombëtar, duke fshehur pronësinë e vërtetë, D.Dervishi si ekepert i kësaj fushe, sjell artistikisht ngjarje e persoanzhe që lëvizin në ingranazhet e mafias.

Dhe këtë e bën nëpërmjet dy linjave: linjës së dashurisë së ekspertit Arsen Demi me Valbona Meron që personifikojnë kuadrin e ndershëm e kurajoz në luftën kundër korrupsionit e fenomenit të pastrimit të parave të pista, dhe linjës së dytë, në të cilën personazhet lëvizin në ingranazhet e mafias. Dhe kjo me lidhje të ndëlikuara që autori i vendos në ndërveprim aktiv, nga Mira Kostaqi e shefi i saj Kosta Siriçi që drejtojnë rrjetin e trafikantëve shqiptarë të narkotikëve në Spanjë e deri te drejtues të strukturave të larta shtetërore në Tiranë.

Për ta bërë sa më të besueshëm për lexuesin, autori e lëviz personazhin kryesor të romanit nga Tirana ku punon si ekspert në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave të Paligjshme për në Paris ku takon dhe riafirmon dashurinë me ish shoqen studente Valbona Mero. Janë vërtetë mbresëlënëse për lexuesin skenat dashurore mes Arsenit e Valbonës, që nisin nga prekja rastësore e duarve kur po shihnin pranë njëri-tjetrit tragjedinë “Otello” të Shekspirit në Teatrin Kombëtar të Francës, për të përfunduar te puthjet e zjarrta. Për ta bërë sa më të besueshme këtë linjë, le të perifrazojmë autorin në faqen 36 të romanit: “Shfaqja mbaroi dhe ashtu në heshtje, plot emocione, ata u nisën drejt hotelit. Para se të ndaheshin mbetën ashtu në këmbë, për një moment, përballë njeri tjetrit. Inisiativën e kishte marrë në dorë Valbona, dhe i foli Arsenit :

- “Arsen ! Ne e njohim njëri tjetrin, që në fakultet dhe s’kemi çfarë të hulumtojme”. Pas këtyre fjalëve, Arseni e tërhoqi Valbonën me forcën e burrit në kraharorin e tij dhe e pushtoi me të puthura të vrullshme. Edhe Valbona, iu përgjigj pa fjalë ndjenjave. Kur koha po nxirrte jashtë kontrollit veprimet, Valbona, si një vajzë e zgjuar dhe inteligjente, u shkëput me kujdes dhe i tha Arsenit:

- “Arsen! Kjo mbrëmje nuk do të harrohet kurrë dhe të uroj një natë të qetë dhe me ëndërra të bukura ! Nesër kemi kohën e mjaftueshme për t’u thelluar në detajet e punës tënde, meqenëse më ke besuar dhe më ke kërkuar ndihmë, për të cilën, unë akoma nuk e kam idenë”.

Atë natë, si Arseni , ashtu edhe Valbona, mbyllën sytë me emocione mahnitëse, për atë çfarë kishte ndodhur në mes tyre. Arseni ishte përgatitur heret për t’i shprehur ndjenjat dhe propozimin Valbonës, por ajo me shumë finesë i ishte shmangur, për të shijuar momentet”. Më pas, duke mos e paragjykuar të dashurin, Bona nuk nguron ta rekomandojë si të infiltruar në rrjetin e kontrabandistëve shqiptarë të Spanjës tek ish-shoqja e saj, Mira Kostaqi.


Trillin artistik në këtë roman e bën aq të besueshëm aktiviteti i të vetëinfiltruarit A.Demi në këtë kompani, me pseudonimin Patrik Korumi. Këtu ai arrin të zbulojë gjithë skemën e pastrimit të parave.

“Patriku, i entusiazmuar se kishte zbuluar rrjetin, sapo arriti në dhomën e tij, hapi telefonin tek fotot dhe filloi t’i hedhë në letër. Duke e zbërthyer skemën dhe rrjetin e bashkëpunëtorëve në këtë veprimtari kriminale, arriti të ndërtojë besueshëm, burimin e parave të jashtëligjshme, si dhe rrugët e qarkullimit, deri në futjen e tyre në financimin e ndërtimit të komplesit gjigant në Shqipëri.

Nga Barcelona, lënda narkotike e amballazhuar, tërhiqej nga një rrjet i organizuar kriminal në Napoli të Italisë, me para kesh, në dorë. Këto para grumbulloheshin në rezidencën e Kosta Siriçit, në Hotel Europa. Kosta, pasi mbante përqindjen e vet si aksioner, parat i transferonte në Bankën “Parajsa Fiskale”, në Zvcër, për t’ iu shmangur tatimit, në llogarinë e Selfo Markut. Ky i fundit, kishte një llogari të hapur në një nga bankat shqiptare. Paratë e depozituara në Bankën: “Parajsa fiskale” në Zvicër, sipas nevojave i transferonte në llogarinë e tij, në Bankën Shqiptare. Dhe pikërisht, këtu, në këtë Bankë, duhej të fillonte kontrolli mbi origjinën e këtyre parave, pasi këtu fillonte edhe enigma, që duhej zbuluar”, -shkruan autori (fq.57-58).

Me mprehtësinë e ekonomistit me përvojë, por edhe të prozatorit tashmë të sprovuar, Dogjan Dervishi arrin të improvizojë dyluftimin e intelektualit të ndershëm Arsen Demi me “demat”e mafias të implikuar në skemat e parajsës fiskale.

Kështu ai arrin të sqarojë, se si ishin pranuar nga drejtori i Bankës së Shqipërisë, gjithë këto transaksione valute në euro, pa kërkuar origjinën e tyre .... dhe se se me cilët hallka të administratës shtetërore, ishte lidhur Banka dhe drejtori i saj, për të vepruar me kaq siguri në pastrimin e parave të pista.

Skema bëhet edhe më bindëse kur autori, pas konsultimeve të vazhdueshme me mikun e tij Sefer Deli, punonjës i brendshëm i bankës, arrin të zbulojë mënyrën e kryerjes së transaksioneve të paligjëshme. Kështu ai arrin të zbulojë se paratë që transferoheshin nga Banka (Parajsë Fiskale) e Zvicrës, depozitoheshin në llogarinë e Selfo Markut, në Bankën e Shqipërisë. “Tani ishte e qartë, se pronari dhe financuesi i gjithë këtij aktiviteti kriminal, ishte Selfo Marku. Nga llogaria e tij në Shqipëri, ishin bërë transferta të vazhdueshme parashë, në llogarinë e aksionerit të vogël, Agron Mema. Ky, për të mbuluar dhe evituar dyshimet mbi burimin e parave, kishte marrë edhe një kredi bankare, të cilën, me shumë korrektësi e kishte likuiduar, sipas afateve në kontratë. Dhe në fakt, Agron Mema, njihej si financuesi i gjithë këtij investimi të madh, për ndërtimin e Kompleksit Tregtar në Tiranë. Prapa tij fshihej Selfo Marku, pronari i vërtetë” (fq.72-73).

Romani bëhet edhe më tërheqës në vijim, kur Arseni, pasi e kopsiti mirë materialin trokiti në derën e zyrës së Shefit të tij, eksponent, në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave të Pista ku insistoi në vënien para përgjegjësisë penale të eksponentëve të këtij rrjeti kriminal. Por mafia vihet në veprim për ta parandaluar mosndëshimin ligjor. Ja se çfarë shkruan autori në këtë rast: “Eksponenti i rëndësishëm i institucionit të parandalimit të pastrimit të parave, njoftoi urgjent dy bashkëpunëtorët, hierarkun e Bankës dhe të qeverisë, të cilëve u la një takim, në një nga lokalet e një hoteli në Lundër. Ata i qëndruan korrektë orarit të caktuar të takimit dhe u futën në një ambient të ngushtë, ku shkruhej “Rezervuar”. Kafetë që porositën u erdhën shumë shpejt. Drejtori i Bankës dhe hierarku i qeverisë, të frikësuar, e pyetën Shefin e Madh, Sami Kurtishi, që vinte pas Drejtorit të Përgjithshëm, të Parandalimit të Pastrimit Parave:

- Çfarë ka ndodhur Sami !? Na thuaj shpejt dhe mos na lerë të presim gjatë !

Sami Kurtishi shpjegoi shkurt:

-Hetuesi im, juristi Arsen Demi, ka qenë deri në Spanjë dhe ka zbuluar rrjetin e kultivimit dhe të trafikimit të bimëve narkotike, si dhe kanalet e qarkullimit të të ardhurave nga shitja e tyre, deri në destinacionin përfundimtar, që është financimi i objektit gjigand në Tiranë. Materiali që më ka dorëzuar mua, është i plotë, i hollsishëm dhe i besueshëm. Ai po pret vetëm reagimin tim, për ta dorëzuar atë në prokurori. Në material, akuzohet direkt me emër drejtori i Bankës, sepse nuk ka kërkuar origjinën e parave. Në vazhdim, ka lejuar herë pas here, transferimin e këtyre parave nga llogaria e Selfo Markut në llogarinë e aksionerit Agron Mema dhe pastaj në financimin e objektit. Në material zbulohet pronari i vërtetë i kësaj veprimtarie të paligjshme, që është Selfo Marku. Ky i fundit, nga llogaria e tij, që ka hapur në Bankën e Zvicrës, parajsë fiskale, transferonte herë pas here dhe sipas nevojave, paratë në euro, në llogarinë sekrete, që kishte në Bankën e Shqipërisë.Të dy hierarkët, si ai i bankës dhe ai i qeverisë, dukeshin qartë, se ishin të zbehur në fytyrë.

Dhe pas këtyre shpjegimeve, Sami Kurtishi shtroi pyetjen:

-Si do të veprojmë tani !? “.

Me gjuhë të pasur e mjete shprehëse artistike autori D.Dervishi, do të vijojë më tej me përshkrimin brilant të tronditjes së pësojnë eksponentët kryesorë të kësaj skeme kriminale: Hierarkët e ftuar në takim, mbetën të tronditur dhe pa fjalë. Ata ishin të bindur tanimë, se materiali ishte i plotë dhe i kontrollueshëm, i cili nuk të lejonte, as hapsirën më të vogël, për t’iu shmangur rrezikut. Por, ishin të bindur gjithashtu edhe në faktin, se me të dërguar materialin në Prokurori, i pari që arrestohej menjëherë, do të ishte drejtori i Bankës, dhe pastaj vetë ata të dy hierarkët, i bankës dhe i qeverisë”.

Të ndodhur përballë këtij rreziku, hierarkët ndërtojnë edhe skemën për ta zbrapsur specialistin e ndershëm e kurajoz Arsen Demi që kishte vënë në rrezik edhe jetën, për këtë hetim. Dhe pasi nuk arrijnë ta joshin me metodat e tyre, inskenojnë rrëmbimin e Arsenit, i cili padyshim do të pësonte tronditje të thellë, që do ta çonte deri tek dorëheqja.

Si përfundim, mesazhi që përcjell romani i Dogjan Dervishit është vërtetë tronditës: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është vetëm një propagandë demagogjike. Në fakt, shkaku i kësaj gjendjeje të Shqipërisë, edhe pas 30 vitesh, është korrupsioni, korrupsioni dhe vetëm korrupsioni...!!!???”

64 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page