top of page

Roli i Dibrës, dibranëve dhe i senatorëve dibranë në Kongresin e Lushnjës


Sakip Cami

Roli i Dibrës, dibranëve dhe i senatorëve dibranë në Kongresin e Lushnjës, janar 1920 dhe në Luftën e Dibrës, gusht 2020



Në Kongresin e Lushnjës, në janar të vitit 1920 u vunë themelet e shtetit të lirë shqiptar. Pa Kongresin e Lushnjës, “Pavarësia do të kishte qenë një akt iluzor, i paqendrueshëm”, ashtu sikurse pa Lushnjën nuk do të kishte pasur as Mbretëri Shqiptare, as shtet shqiptar. Kur flasim për Kongresin e Lushnjës kemi parasysh ngritjen e shtetit të parë shqiptar, shtetit kombëtar, thekson Prof.Dr. Bajram Xhafa. Kjo e bën rëndësinë e kësaj ngjarjeje të pakrahasueshme me simotrat e saj dhe e klasifikon atë si më të madhen në historinë e shqiptarëve. Ahmet Zogu qe shtylla ushtarake e politike e Kongresit të Lushnjes.

Kongresi i Lushnjës ishte një kongres mirëfilli kombëtar dhe “shteti i dalë nga Lushnja ishte një shtet mirëfilli kombëtar, ndryshe nga krijesa e Fuqive të Mëdha në vitet 1912-1914”, shkruan prof. Arben Puto.

Në aspektin ndërkombëtar, një ndihmë të madhe dha Britania e Madhe me misionarët e saj: Konsulli Eden i Inteligjenc Services, duke i rënë rrotull Shqipërisë. Gjenerali Filips, ish komandant i trupave aleate në Shkodër më 1913-14 vjen përsëri si aleat në Shkodër më 1919. I pazëvendësueshëm është roli i SHBA me Josef Haven, delegat nga Presidenti Uillson për të bërë hetimet e nevojshme në Shqipëri. Këta misionarë i “këshillonin” shqiptarët të bënin një kongres, të ngrinin një qeveri kombëtare, të rrëzonin qeverinë proitaliane të Durrësit dhe të çlironin Vlorën.

Më 1920 shqiptarët ndodheshin para detyrës së sigurimit të tërësisë tokësore brenda kufijve të 1913-s. Këtë detyrë e mori përsipër Kongresi i Lushnjës në janar 1920 dhe e zgjidhi Lëvizja Çlirimtare e shqiptarëve, hallka të së cilës ishin Lufta e Vlorës, Lufta e Dibrës dhe ajo e Koplikut, të vitit 1920, të cilat ishin shprehje e zbatimit të vendimeve të Kongresit të Lushnjës.

Dibra ka patur një rol të madh në të gjitha pikëkthesat e historisë së Shqipërisë. Po kështu edhe në Kongresine Lushnjës. Më 1908 konsulli i Austrisë në Manastir, August Kral i shkruante Vienës: “Sytë e gjithë shqiptarëve janë drejtuar nga Dibra, dhe në të vërtetë këtu gjendet pika e gravitetit të situatës së Shqipërisë”. Statisti i shquar Ferit Pashë Vlora, ish kryeministër i Perandorisë Osmane (1903-1908) shkruan: “Në dy Dibrat është zemra e Shqipërisë. Porta e vërtetë e Shqipërisë është atje, kurdoherë” .

Dibra në këtë Kongres u përfaqësua nga Dine Maqellara, Ramiz Daci dhe Dine Dema.



1. Ramiz Daci, senator i Senatit të Parlamentit Shqiptar nga 27 mars – 20 dhjetor 1920

Pinjoll i shquar i Fisit dhe familjes Daci të fshatit Zogje dhe qytetit të Dibrës. Lindi në Dibër të Madhe në vitin 1883. Shkollën fillore dhe atë gjysëm të mesme i bëri në Dibër, ndërsa maturën dhe Shkollën e oficerëve e mbaroi në Stamboll. Gjuhën shqipe e mësoi nga atdhetari Said Najdeni. Ramizi ka qenë shoqërues i Vehbi Dibrës në shpalljen e pavarësisë në Vlorë me 28 nëntor 1912. Mori pjesë dhe drejtoi veprime luftarake në luftën kundër sebve në vitet 1913 – 1920. Ramiz Daci u zgjodh jo thjesht anëtar parlamenti por anëtar i senatit, dhomës së lartë të Parlamentit Shqiptar në Kongresin e Lushnjës.



2. Dine Dema, deputet i Parlamentit Shqiptar nga 27 mars – 20 dhjetor 1920

Dine Dema është lindur në fshatin Homesh të Dibrës në familjen e e shquar të Demajve. Paraardhësit e tij Mete Dema, komandant i dibranëve në ndihnë të Ali Pashë Tepelenes dhe Hazis Dema, komandant i Fisit dhe Malit të Grykës së Vogël ishin frymëzimi patriotik i Dine Demës.

Në fillim të Shekullit XX në kryengritjet antiosmane 1908 – 1912 dhe më vonë në kryengritjet antiserbe 1912 – 1920, Fisi Dema kishte tre çeta nga shtatë çeta që vepronin në territorin e Dibrës, Çeta e Mersim Demës, Çeta e Shaqir Demës dhe Çeta e Dine Demës. (M.Murra, “Mersim Dema, mbreti i Maleve, faqe 51.) Në Parlamentin e Parë pas Kongresit të Lushnjës Dine Dema zgjidhet senator.



3. Dine Bej Maqellara (Nasufi) deputet i Parlamentit Shqiptar nga 27 mars – 20 dhjetor 1920

Lindi në Maqellarë të Dibrës në maj të vitit 1875. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Dibër. Në maj të vitit 1912 është anëtar i Komitetit Nacional të Dibrës, organ ushtarak kundër pushtuesit turk së bashku me Elez Isufin, Izet Maqellarën, Shaqir Jegenin, Ismail Strazimirin, Sherif Langun, Eqerem Camin etj. Dine dhe Izet Maqellara kanë organizuar rezistencën kundër serbve, bullgarëve, nemces etj, sidomos në luftimet 9 vjeçare kundër serbve 1912-1920. Në Kongresin e Lushnjës zgjidhet senator.

Ismail Strazimiri në kujtimet e tij, shkruan për rolin e dibranëve për liri dhe pavarësi si bejlerët e Maqellarës, Dine Bej Maqellara, Izet Bej Maqellara, Fiqiri Dine; Ramiz Daci, Jashar Erebara, Ismail Strazimiri (Dibër), sheherlinjtë e Dibrës së Madhe grumbulluar në Tiranë, Elbasan e Peshkopi: Myftiu i Dibrës Vehbi Dibra (Agolli) e Hafiz Sherif Langu, Abdurrahman Dibra e Shefki Shatku, Izet Dibra (Shatku) e Faik Shatku, vëllezërit Selim e Riza Rusi, Zenepe Çoku ( e shoqja e Dervish Himës) e Aziz Menzelxhiu, Hasan Ballanca e Sheh Latifi, e patriotë të tjerë dibranë: Kadri Fishta e Eqrem Cami, Ibrahim Xhidri e Abdullah Tërshana, Ibrahim Jegeni e shehlerët e Peshkopisë, etj. etj. Përveç vokacionit kombëtar, me platformën e Lushnjës sheherlinjtë e Dibrës i lidhte edhe një miqësi familjare me Zogun që në fillimet e shekullit XX kur Xhemal Pasha shërbente në Dibër të Madhe si funksionar i Perandorisë Osmane. Miqtë e vjetër të babës u bënë edhe për të birin. Shkulur e shpërgulur me dhunë ushtarake prej truallit të tyre shumëshekullor nga serbët dhe, shumica grumbulluar në Tiranë, në “Rrugën e Dibrës”, dibranët përbënin ajkën e qytetarisë së kryeqytetit. Lidhur fort pas atdheut dhe besimit, ata u bënë bashkëidealistë e bashkëluftëtarë të çështjes kombëtare dhe të përgatitjes së platformës së Lushnjës. Njëherazi ata ishin burra të kultivuar bukur mirë dhe esnafë në punët e qeverisë e të njerëzisë. Nuk është e rastit që ata më vonë u ngritën në detyra të larta e me përgjegjësi në administratën e Shtetit të parë Shqiptar. Nga Shehërlinjtë e Dibrës ka protagonistë të shumtë si administratorë të zotë e burra shteti. Ata u bënë shtylla të shtetndërtimit dhe të kombformimit shqiptar.

Prof. Dr. Bajram Xhafa në kumtesën e tij 10. 02. 2020 , me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës thekson: “ Nga pjesa e krahut të armatosur të lëvizjes së shtetndërtimit dhe kombformimit në Dibër kanë qenë sidomos shtresa e mesme, agallarët si: Demet e Homeshit, Dine e Shaqir Dema, Selim Dema etj; nga dera e Selman Alisë, pasardhës të Salë Demirit, Dine Hoxha e Ali Tahiri (Pira)- Muhurr, Maliq Kërçishti (Agolli), Dan Cami (i Sepetovës) dhe Camet e Viçishtit, Kaloshet e Sinës e të Kandrit, Ndretë e Elezit Isufit e Suf Xhelili në Sllovë, Riza e Dervish Lusha (Arras), Murat Kaloshi e Selim Noka (Kandër), Haxhi Noka (Grykë Nokë), Sali e Selim Kaloshi (Sinë), Selman e Hakik Mena (bajraktari i Lurës), Selë Bajraktari (Arras) e Lita i Ploshtanit, Shehu i Zerqanit e Duriçi i Bulqizës, Kazihani i Selishtës (Tafa) e Llan Destani – Ndregjoni (Lukan), Kurt e Dik Spata (Grykë Nokë), Mehmet (Dedja) Skepi e Daci i Kalisit, etj., etj.

Këta bënë Kryengritjen antiserbe të shtatorit 1913, Kuvendin e Arrasit, Kryengritjen antiserbe të 15 gushtit 1920 dhe, të gjithë bashkë, materializuan vendimet e Lushnjës për pavarësinë dhe integritetin e Shtetit Shqiptar dhe u bënë shtylla të shtetndërtimit e të kombformimit shqiptar në vitet 1920-1939”.

Pas Kongresi të Lushnjës, Ahmet Zogu, si ministër i brendshëm, zgjodhi dhe rekrutoi luftëtarë besnikë dibranë, matjanë etj në armën e xhandarmërisë shqiptare. Dan Cami ka qenë një ndër drejtuesit e kësaj xhandarmërie dhe sigurues i qetësisë e të rendit në Kongresin e Lushnjës. Detyra e parë e kësaj force ushtarake ishte kalimi në Durrës dhe largimi i Qeverise proitaliane të Durrësit. Megjithë rezisten e italianëve kjo u arrit. Qeveria e Durrësit ra dhe më pas kjo forcë ushtarake shqiptare ju drejtua Tiranës dhe kontribuoi për ta bërë atë kryeqytet të Shqipërisë.

Në Kuvendin e Arrasit, gusht 1920, të tre senatorët dibranë ishin në shtabin luftarak të luftës me komandant Eles Isuf Ndreun, luftë që përfundoi në favor të forcave shqiptare e dibrane dhe me zbrapsjen e serbve përtej kufijve të vitit 1913.

120 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page